Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Janar 2025:
V E N D I M
PËR
MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT
TË Z. ARVIN DIBRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Arvin Dibra, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.531, DATË 7.9.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE SHTETËRORE “OPERATORI I BLERJEVE TË PËRQENDRUARA”, SH.A., PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË VEÇANTA TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 15 e vendimit nr.531, datë 7.9.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, sh.a., për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“15. Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a., ka përgjegjësi të organizojë punën për kryerjen e procedurave të prokurimit, për të nënshkruar marrëveshjen kuadër, për të zhvilluar procedurën e konkurrimit ndërmjet operatorëve ekonomikë, palë në një marrëveshje kuadër, si dhe kryerjen e procedurave të prokurimit deri në lidhjen e kontratës.”.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a., dhe institucionet shtetërore/entet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2025, MIRATUAR PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR ORGANIZIMIN E KONGRESIT BOTËROR TË SË DREJTËS 2027, NË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit “Planifikim, menaxhim, administrim”, i shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për pagimin e kuotës për organizimin e Kongresit Botëror të së Drejtës 2027 në Tiranë.
2. Fondi sipas pikës 1, të këtij vendimi, prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, SI HUAMARRËS,BANKËS SË SHQIPËRISË, SI AGJENT I HUAMARRËSIT, DHE BASHKIMIT EVROPIAN, TË PËRFAQËSUAR NGA KOMISIONI EVROPIAN, SI HUADHËNËS, PËR “LEHTËSINË E REFORMËS DHE ZGJERIMIT PËR BALLKANIN PERËNDIMOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET BASHKIMIT EVROPIAN DHE REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E BASHKIMIT “DOGANAT”, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E DOGANAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Doganat”, për bashkëpunim në fushën e doganave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2025, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore për Planifikimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC) dhe njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I FIDERAVE ME KABËLL 20 KV, V4, V5 DHE KABINAVE TË REJA NGA NËNSTACIONI I RI VALIAS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i fiderave me kabëll 20 kV, V4, V5 dhe kabinave të reja nga nënstacioni i ri Valias”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “pemëtore” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 893 636 (një milion e tetëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 893 636 (një milion e tetëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
8. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë Vorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë Vorë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIVITALIZIMI DHE RIKONSTRUKSIONI I TREGUT FRUTA – PERIME NË LAGJEN “KONGRESI I ELBASANIT”, NË ZONËN KADASTRALE 8521”, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rivitalizimi dhe rikonstruksioni i tregut fruta – perime në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në zonën kadastrale 8521”, Bashkia Elbasan.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme, prej 1 410 660.46 (një milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 410 660.46 (një milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.
8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.428, DATË 19.7.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS EKZISTUESE VLORË – ORIKUM DHE I DY BY-PASS-EVE NË RADHIMË, VLORË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.428, datë 19.7.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës ekzistuese Vlorë-Orikum dhe i dy by-pass-eve në Radhimë, Vlorë””, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 202 682 342.35 (dyqind e dy milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy mijë e treqind e dyzet e dy pikë tridhjetë e pesë) lekë …” zëvendësohet me “… 239 563 573.93 (dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e tre) lekë …”;
b) Tabelës, bashkëlidhur vendimit, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Vlorë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.655, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE KORÇË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.655, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe prej 38 091.5 (tridhjetë e tetë mijë e nëntëdhjetë e një pikë pesë) m² dhe pasurinë e llojit “truall”, me sipërfaqe prej 2 180 (dy mijë e njëqind e tetëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 8 121 524 (tetë milionë e njëqind e njëzet e një mijë e pesëqind e njëzet e katër) lekësh.
2. Në pikën 4, fjalët “… Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 338 044 (një milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e dyzet e katër) lekësh …” zëvendësohen me “… Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 8 121 524 (tetë milionë e njëqind e njëzet e një mijë e pesëqind e njëzet e katër) lekësh …”.
3. Pas pikës 5 shtohen pikat 5.1 dhe 5.2, me këtë përmbajtje:
“5.1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Korçë.
5.2. Bashkia Korçë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.”.
4. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 38 091.5 (tridhjetë e tetë mijë e nëntëdhjetë e një pikë pesë) m² “tokë arë” dhe i pasurisë prej 2 180 (dy mijë e njëqind e tetëdhjetë) m2 “truall” të bëhet në favor të Bashkisë Korçë.”.
5. Pas pikës 8 shtohen pikat 8.1 dhe 8.2, me këtë përmbajtje:
“8.1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Korçë, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
8.2. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Korçë, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.”.
6. Të dhënat e pasurive me numrat rendorë 3, 5 dhe 16, të pasqyruara në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.655, datë 14.9.2016, zëvendësohen me të dhënat e pasqyruara në tabelën A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Pas pasurisë me numër rendor 21, në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.655, datë 14.9.2016, shtohen pasuritë me numrat rendorë 22 deri në 44, sipas të dhënave në tabelën B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Vlera e shpenzimeve procedurale shtesë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Korçë.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PLOTËSIMI, RAKORDIMI DHE VAZHDIMI I PUNIMEVE SHESHI “SHQIPONJA” – LUMI I TIRANËS, LOTI 1 & QMT, FAZA 2”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve sheshi “Shqiponja” – lumi i Tiranës, loti 1 & QMT, faza 2”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme, prej 103 096 750.18 (njëqind e tre milionë e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë pikë tetëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 103 096 750.18 (njëqind e tre milionë e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë pikë tetëmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES ME SHKËMBIM LETRASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË JAPONEZE TË BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes me shkëmbim letrash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, për ndryshimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për financimin e projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT TE MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, TË PASURIVE NR.41, NR.42, NR.66, NR.68, NR.69, NR.70 DHE NR.71, ZONA KADASTRALE 1007, VLORË, DHE KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË TË PASURIVE NR.151, NR.161 DHE NR.182, ZONA KADASTRALE 1007, VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.811, DATË 6.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të pasurive nr.41, nr.42, nr.66, nr.68, nr.69, nr.70 dhe nr.71, zona kadastrale 1007, Vlorë, për ushtrimin e funksioneve në fushën e energjetikës.
2. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të pasurive nr.151, nr.161 dhe nr.182, zona kadastrale 1007, Vlorë, për ushtrimin e funksioneve në fushën e energjetikës.
3. Pasuritë e përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, janë sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
4. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, hiqen nga lista e pasurive të paluajtshme, pjesë e vendimit nr.811, datë 6.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, për ndërtimin e një kampusi të ri universitar, të pronës, tokë bujqësore, të ndodhur në fshatin Akërni, komuna Novoselë, në Qarkun e Vlorës, aktualisht në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond për kompensimin fizik, dhe për një ndryshim në vendimin nr.868, datë 18.6.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore””.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.65, DATË 14.2.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN E ZYRAVE VENDORE TË AVOKATURËS SË SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1.5, të nenit 11, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shkronjën “ç”, të pikës 1, të vendimit nr.65, datë 14.2.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e zyrave vendore të Avokaturës së Shtetit”, emërtesa “Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Shkodër” zëvendësohet me “Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Lezhë”.
2. Ngarkohet Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FACILITETIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE BASHKIMIT EVROPIAN, TË PËRFAQËSUAR NGA KOMISIONI, PËR RREGULLIMET SPECIFIKE PËR ZBATIMIN E MBËSHTETJES SË BASHKIMIT EVROPIAN PËR REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, NË KUADËR TË FACILITETIT PËR REFORMA DHE RRITJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së facilitetit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni, për rregullimet specifike për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të facilitetit për reforma dhe rritje, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR PRIVAT, NDRYSHIMIN E KATEGORISË SË PËRDORIMIT DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 3 HA NË EKONOMINË PYJORE “MALI I RENCIT”, TË BASHKISË LEZHË, PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE ME FUNKSION BANIMI DHE SHËRBIMI ME 1-6 KATE MBI TOKË DHE 1 KAT NËN TOKË, DHE TË OBJEKTIT ME FUNKSION HOTELERI DHE KAZINO ME 2, 4, 6 DHE 7 KATE MBI TOKË DHE ME 2 KATE NËN TOKË, NGA SHOQËRIA “DUKAGJINI GROUP”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga fondi pyjor privat dhe pakësimin në volum të pasurive me numrat 1016/7, 1016/8, 1017/8 dhe 1017/5, zona kadastrale 2568, Bashkia Lezhë, me sipërfaqe totale prej 3 (tre) ha, pjesë e ngastrave nr.61a, 62a dhe 62b të ekonomisë pyjore “Mali i Rencit”, që do të përdoret nga shoqëria “Dukagjini Group”, sh.p.k., për realizimin e projektit të ndërtimit të objekteve me funksion banimi dhe shërbimi me 1-6 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë, dhe të objektit me funksion hoteleri dhe kazino me 2, 4, 6 dhe 7 kate mbi tokë dhe 2 kate nën tokë, sipas lejes së zhvillimit, të miratuar me vendimin nr.25, datë 1.8.2023, të Këshillit Kombëtar të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Ndryshimin e kategorisë së përdorimit, nga “pyll” në “truall”, të pasurive me numrat 1016/7, 1016/8, 1017/8 dhe 1017/5, zona kadastrale 2568, pjesë e ngastrave nr.61a, 62a dhe 62b të ekonomisë pyjore “Mali i Rencit”, Bashkia Lezhë, sipas listës së ngastrave, të paraqitura në lidhjen nr.1 dhe planvendosjeve të hartave pyjore me koordinatat përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Dukagjini Group”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen pyjore, objekt ndërtimi, sipas planit të rehabilitimit dhe të vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) paraprak, duke pyllëzuar me fondet e veta një sipërfaqe prej 6.6 (gjashtë pikë gjashtë) ha, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshjen me Bashkinë Lezhë ose të paguajë paraprakisht kostot e përllogaritura për pyllëzimin kompensues përkatës, si rezultat i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit pyjor, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Shoqëria “Dukagjini Group”, sh.p.k., kryen pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë veprimet për regjistrimin e sipërfaqes pyjore private, të identifikuar sipas pikës 2, të këtij vendimi, nga kategoria “pyll” në kategorinë “truall”.
5. Bashkia Lezhë kryen përditësimin në regjistrin kadastral të fondit pyjor për sipërfaqet, objekt ndërtimi, në përputhje kërkesat e vendimit nr.171, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e bazës së të dhënave për Regjistrin Kombëtar të Fondit Pyjor dhe Regjistrin e Fondit Kullosor, përcaktimin e strukturës, kritereve teknike për evidentimin dhe pasqyrimin e gjendjes e të ndryshimeve, mënyrës së mbajtjes së të dhënave në nivel vendor, rajonal e qendror, informacionit që duhet regjistruar, si dhe të afateve të përgatitjes e raportimit nga administratorët ose pronarët e pyjeve”.
6. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë bën ndryshimin e llojit të pasurive në të dhënat e regjistrit kadastral për pasuritë e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
7. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Lezhë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
VENDIM
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.933, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS ORGANIZATIVE TË QENDRËS KOMBËTARE TË URGJENCËS MJEKËSORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje tё nenit 100 tё Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.147/2014, “Pёr shërbimin e urgjencës mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.933, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës organizative të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, fjalët “… gjithsej, 86 veta …” zëvendësohen me ”… gjithsej, 118 veta …”.
2. Lidhja nr.1, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Fjalia e parë, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) siguron shërbim, komandim, monitorim, kontroll dhe koordinim të shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore, siguron shërbim dhe mbulon me personel mjekësor edhe Njësinë e Transportit Mjekësor me Helikopter.”.
II. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.173, DATË 24.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE 2023 – 2030, PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ, SI DHE PLANIT TË ZBATIMIT TË GARANCISË RINORE 2023 – 2024”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.173, datë 24.3.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023 – 2030, planit të veprimit për zbatimin e saj, si dhe planit të zbatimit të garancisë rinore 2023 – 2024”, bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe në pikën 1, periudha “2023 – 2024” zëvendësohet me “2023 – 2025”;
2. Në shtojcën 3, në të gjithë tekstin e planit të zbatimit të garancisë rinore bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Periudha “2023 – 2024” zëvendësohet me “2023 – 2025”;
b) Fjalët “… skemës në vitin 2023 …” zëvendësohen me “… skemës në vitin 2023 – 2025 …”;
c) Fjalët “… fund të vitit 2023 …” zëvendësohen me “… fund të vitit 2025 …”;
ç) Fjalët “… për vitin 2024 …” zëvendësohen me “… për vitin 2025 …”;
d) Fjalët “… në vitin 2024 …” zëvendësohen me “… në vitin 2025 …”;
dh) Në pikën 2, të pjesës B, të planit të zbatimit të garancisë rinore, fjalët “… fundi i vitit 2026 …” zëvendësohen me “… fundi i vitit 2025 …”.
3. Tabelat 6, 7, 8, 9, 10, 11 dhe 17, që pasqyrojnë reformat e nismat kryesore në përmbushje të planit të zbatimit të garancisë rinore, zëvendësohen me tabelat me të njëjtët numra dhe tituj të përfshira në aneksin, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare për Arsimin, Formimin Profesional dhe Kualifikimet dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU