Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Mars 2018:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE PËR REALIZIMIN E AKTIVITETEVE, PJESË TË KALENDARIT PËR VITIN 2018, SI “VITI MBARËKOMBËTAR I GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, i shtohet fondi prej 52 200 000 (pesëdhjetë e dy milionë e dyqind mijë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve që do të realizohen në kuadër të vitit 2018, si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
2. Fondi prej 52 200 000 (pesëdhjetë e dy milionë e dyqind mijë) lekësh ndahet, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor “Trashëgimia kulturore dhe muzetë” (08220), zëri “Shpenzime korente”, llog.604, fondi prej 14 200 000 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekësh;
b) Në programin buxhetor “Art&kultura” (08230), zëri “Shpenzime korente”, llog.604, fondi prej 38 000 000 (tridhjetë e tetë milionë) lekësh.
3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E MENAXHIMIT TË INVESTIMEVE PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Projektinvestimi përfshin një seri punimesh, aktivitetesh apo shërbimesh që synojnë përmbushjen e një objektivi të pandashëm, me qëllime qartësisht të identifikuara. Kostoja totale e një projekti investimi do të përfshijë çdo shpenzim që lidhet me arritjen e rezultateve të synuara, sipas të gjithë komponentëve të tij.
2. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim pragjet minimale dhe maksimale financiare, për secilën kategori të projekteve të investimeve publike, në bazë të të cilave bëhet klasifikimi i projekteve dhe vlerësimi i tyre.
3. Nivelet e vlerësimit të projekteve të investimeve janë:
a) vlerësimi i bazë;
b) vlerësimi i mesëm;
c) vlerësimi i plotë, të cilit i nënshtrohen projekte që janë me vlerë të plotë, mbi vlerën kufi, të përcaktuar nga ministri përgjegjës për financat.
Projektet e vlerësuara sipas shkronjave “a” dhe “b” do të paraqiten si pjesë përbërëse e kërkesave buxhetore, në kuadër të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm.
Njësitë e qeverisjes qendrore përgatitin propozimet për projektet e mëdha të investimeve, në çdo kohë, dhe i paraqesin për vlerësim në ministrinë përgjegjëse për financat, brenda muajit dhjetor dhe jo më vonë se një muaj përpara fillimit të procesit buxhetor, sipas përcaktimit në nenin 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektet e investimeve publike paraqiten në përputhje me procedurat e detajuara në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas kalendarit të përgatitjes së buxhetit, miratuar nga ministria përgjegjëse për financat, dhe udhëzimeve standarde të përgatitjes së planit buxhetor afatmesëm. Procesi i përgatitjes, vlerësimit dhe prioritizimit të projekteve të investimeve publike do të kryhet nga ministria që propozon investimin. Në rast të mosplotësimit të të gjitha kërkesave detajuar në aneksin 1, projekti do të refuzohet për financim.
4. Lista e projekteve të reja të investimeve publike që i nënshtrohen vlerësimit të plotë, sipas shkronjës “c”, të pikës 3, të këtij vendimi, përcillet nga ministria përgjegjëse për financat, në Komitetin e Planifikimit Strategjik, brenda muajit dhjetor. Komiteti i Planifikimit Strategjik/NIC shqyrton dhe miraton listën e prioritizuar për çdo sektor, pavarësisht nga burimi i financimit. Kjo listë bëhet pjesë përbërëse e Dokumentit të Politikave Prioritare, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave, brenda muajit janar.
5. Njësitë e qeverisjes qendrore, në kuadër të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm, dërgojnë propozimet për projektet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në Dokumentin e Politikave Prioritare, si pjesë e kërkesave buxhetore të tyre.
Në këtë fazë shqyrtohet dhe vlerësohet rëndësia strategjike e investimeve të propozuara, kundrejt prioriteteve kryesore strategjike kombëtare.
6. Përjashtime nga rregullat dhe procedurat e pikave 3 dhe 4, të këtij vendimi, do të bëjnë vetëm propozimet nga njësitë e qeverisjes qendrore për projekte të mëdha investimi, në këto raste:
a) Për përballimin e një fatkeqësie natyrore apo në rastet e shpalljes së emergjencës civile;
b) Kur projektet janë të një rëndësie strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Në çdo rast, këto propozime duhet të dërgohen për shqyrtim, në ministrinë përgjegjëse për financat dhe të përcillen për miratim në Komitetin e Planifikimit Strategjik.
7. Parimet kryesore, ku bazohen ministritë e linjës/institucionet buxhetore për vlerësimin dhe prioritizimin e projekteve të reja të investimeve dhe ministria përgjegjëse për financat për vlerësimin përfundimtar për përfshirjen e tyre në dokumentin buxhetor afatmesëm, si në rastin e projekteve të investimeve nën kufirin e miratuar nga ministri përgjegjës për financat, ashtu edhe për projektet mbi këtë kufi, janë:
a) vlerësimi i rëndësisë strategjike;
b) vlerësimi ekonomik dhe financiar;
c) vlerësimi i menaxhimit të projektit.
Vlerësimi i projekteve bazuar në tri parimet e sipërpërmendura do të bëhet në bazë të pikëzimit, sipas skemës së paraqitur në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Financimi i investimeve publike bëhet në përputhje me metodologjinë e përgatitjes së buxhetit, miratuar nga ministria përgjegjëse për financat, në udhëzimet standarde të përgatitjes së buxhetit, ku bëhet diferencimi ndërmjet shpenzimeve për investime të politikave ekzistuese dhe shpenzimeve për investime për politika të reja. Në shpenzimet e investimeve të politikave ekzistuese përfshihen:
a) shpenzimet e investimeve kapitale që nuk kanë përfunduar dhe që priten të finalizohen;
b) shpenzimet e investimeve kapitale që ende nuk kanë filluar, por për të cilat janë ndërmarrë angazhimet ligjore dhe që janë miratuar në procesin e mëparshëm të programimit buxhetor afatmesëm (PBA);
c) shpenzimet e investimeve kapitale që janë financuar në vitin fiskal aktual.
Të gjitha investimet e tjera publike do të trajtohen si politika të reja dhe do të përfshihen në Dokumentin e Politikave Prioritare (DPP).
Miratimi përfundimtar i projekteve të reja të investimit të propozuara bëhet brenda procesit të përgatitjes së PBA-së, me miratimin e DPP-së së rishikuar nga Komitetin e Planifikimit Strategjik, në qershor të çdo viti.
9. Bazuar në DPP-në e miratuar nga Komiteti i Planifikimit Strategjik, ministria përgjegjëse për financat përgatit dokumentin e PBA-së, duke përfshirë prioritetet buxhetore, miratimin e politikave të reja dhe tavanin e vendosur të shpenzimeve, i cili i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave.
10. Për projektet e reja të investimeve publike shumëvjeçare, të miratuara si pjesë e dokumentit buxhetor afatmesëm, gjatë vitit të parë të zbatimit të tyre, në buxhetin e njësisë përkatëse të qeverisjes qendrore nuk duhet të alokohet më pak se 20 për qind e vlerës së plotë të projektit përkatës.
11. Monitorimi dhe raportimi i ecurisë së zbatimit të projekteve të investimeve kryhen sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në udhëzimet përkatëse të monitorimit të buxhetit të shtetit, si pjesë përbërëse të tij. Procedurat specifike jepen në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2018, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është 61 pozicione për kategorinë e ulët drejtuese.
3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e ulët drejtues, gjithsej 10, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.