Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2020:

 

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E NDIHMËS ME PERSONEL INFERMIER PËR REPUBLIKËN E ITALISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 35, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës me 60 vetë, personel infermierë, në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Republikës së Italisë.
2.Shpërblimi i infermierëve, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor në Republikën e Italisë, është 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në muaj.
3. Fondi prej 19 000 000 (nëntëmbëdhjetë milionë) lekësh, për shpërblimin e personelit infermier, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor në Republikën e Italisë, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
4. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të bëjë përzgjedhjen e infermierëve të cilët do të ofrojnë shërbim shëndetësor në Republikën e Italisë.
5. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të sigurojnë transportin e personelit infermierë drejt Italisë.
6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË ELBASAN, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE LABINOT-FUSHË, TË SIPËRFAQES PREJ 18493 M2, E LLOJIT E PAFRYTSHME, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 2355

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 dhe 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Elbasan, për njësinë administrative Labinot-Fushë, të sipërfaqes prej 18 493 m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 2355, me qëllim për t’u përdorur në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë dhe hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Bashkia Elbasan dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR RIMËKËMBJEN E SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.170/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 11, pika 2, dhe 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.731, datë 13.11.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, ratifikuar me ligjin nr.170/2014”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

VE N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, PËR PRONAT E PËRCAKTUARA NË VENDIMIN NR.411, DATË 29.8.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E DISA MJEDISEVE NË ADMINISTRIMIN E ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME DHE TË ZYRAVE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË, KORÇË DHE DURRËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, 13, 14 dhe 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 6 e 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëkryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Drejtësisë tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për pronat e përcaktuara në vendimin nr.411, datë 29.8.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e disa mjediseve në administrimin e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë, Korçë dhe Durrës”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.327, DATË 28.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FORMATIT DHE MËNYRËS SË MBLEDHJES E TË RAPORTIMIT TË TË DHËNAVE NGA OFRUESIT E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR, PUBLIK OSE PRIVAT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 3, të nenit 30, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 3, të nenit 59, të ligjit nr.10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.327, datë 28.5.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 9 shfuqizohet.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Ofruesit e shërbimit të kujdesit shëndetësor, publik ose privat, raportojnë të dhëna në sistemin e informacionit shëndetësor, sipas përcaktimeve në vendimin nr.135, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e nomenklaturës së klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve, ICD-10”.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË NXITJES NËPËRMJET VETËPUNËSIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton kriteret, procedurat dhe rregullat për zbatimin e programit të vetëpunësimit, i cili ka si qëllim nxitjen e vetëpunësimit nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve të reja të punëkërkuesve të papunë të interesuar.
2. Programi i vetëpunësimit është program njëvjeçar për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja, nëpërmjet të cilit ofrohet trajnim për sipërmarrjen dhe zhvillimin e planeve të biznesit për aplikuesit dhe grant për përfituesit.
3. Fondi i nxitjes së punësimit për programin sipas pikës 1, të këtij kreu, mbulon shpenzimet për:
a) grantin për hapjen e biznesit të ri;
b) vlerësimin e planeve të biznesit.
4. Ky program zbatohet bazuar në një proces të drejtë dhe konkurrues aplikimi.
5. Ky program zbatohet dhe administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
6. AKPA-ja, sipas nevojës, mund të kontraktojë subjekte të tjera publike, private apo organizata të shoqërisë civile, veprimtaria e të cilave është e lidhur me fushën e punësimit, për të bërë të mundur zbatimin me cilësi dhe në kohë të programeve të nxitjes së punësimit, sipas legjislacionit në fuqi.

II. KRITERET E APLIKIMIT, PËRFITUESIT DHE MBËSHTETJA

1. Për të aplikuar në këtë program, aplikuesi duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Është punëkërkues i papunë i regjistruar në strukturën vendore të punësimit;
b) Ka një ide biznesi, e cila nuk është në kundërshtim me kriteret e konkurrueshmërisë, të përcaktuara në dispozitat e Kodit të Punës dhe që deklarohet në bazë të një formulari të posaçëm, i cili përmban:
i. përshkrimin e idesë së biznesit;
ii. relevancën (rëndësinë);
iii. burimet e nevojshme për realizimin e biznesit;
iv. vlerësimin e gjendjes së mjediseve ku do të zhvillohet biznesi.
2. Punëkërkuesi, i cili aplikon në këtë program, duhet të marrë pjesë personalisht në të gjitha hallkat e procesit.
3. Një punëkërkues mund të përfitojë vetëm një herë nga ky program.
4. Shpenzimet për vlerësimin e planit të biznesit të të gjithë pjesëmarrësve, në vlerën jo më shumë se 3 000 (tre mijë) lekë për çdo plan biznesi, sipas çmimeve të tregut për këtë lloj ekspertize, mbulohen nga AKPA-ja, nga zëri i buxhetit “Programet e nxitjes së punësimit”.
5. Programi subvencionon për të gjithë të përzgjedhurit si përfitues grantin për ngritjen e biznesit deri në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
6. Shpenzimet që nuk mund të mbulohen nga granti i financuar janë:
a) blerja e pasurive të patundshme;
b) çdo shpenzim që nuk lidhet dhe nuk përfshihet në planin e biznesit të miratuar;
c) shpenzimet e kryera përpara nënshkrimit të marrëveshjes së grantit;
ç) pagat, shpërblimet, qiraja dhe shpenzimet e tjera administrative.

III. RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR PËRFITIMIN E PROGRAMIT TË VETËPUNËSIMIT

1. AKPA-ja, nëpërmjet strukturave të saj, publikon informacionin e nevojshëm në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në platforma të tjera në lidhje me zbatimin e programit dhe zhvillon një fushatë informuese për aplikim për të gjithë personat e interesuar, për mundësinë e pjesëmarrjes si dhe për kriteret e procedurat e aplikimit.
2. Afati për të aplikuar në program, për të gjithë punëkërkuesit e papunë, është 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e shpalljes së thirrjes.
3. Punëkërkuesi duhet të paraqesë pranë strukturës përkatëse të punësimit ose të ngarkojë në mënyrë elektronike dokumentet e mëposhtme:
a) Formularin e aplikimit, i cili duhet të përmbajë:
i. projektidenë e detajuar të biznesit;
ii. vetëdeklarimin mbi plotësimin e kushteve të programit dhe marrjen e përgjegjësisë në rastet e deklarimeve të rreme;
iii. deklaratë për të autorizuar strukturën përkatëse të punësimit të kërkojë apo të gjenerojë on-line dokumentacionin e nevojshëm për verifikimet e përputhshmërisë.
b) Vërtetimin që personi nuk ka detyrime tatimore;
c) Kopjen e dokumentit identifikues.
4. Struktura vendore e punësimit verifikon plotësimin e kushteve formale paraprake të aplikimit dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e zbatimit të këtij programi dhe, brenda 5 (pesë) ditëve pune, dërgon në strukturën rajonale të punësimit listat e aplikantëve, që i kanë përmbushur këto kushte.
5. Struktura rajonale e punësimit, në bashkëpunim me ofruesit e arsimit dhe formimit profesional, harton, brenda 5 (pesë) ditëve pune, planin e zhvillimit të trajnimit për sipërmarrjen dhe zhvillimin e planeve të biznesit.
6. Brenda 10 (dhjetë) ditëve pune duhet të fillojë trajnimi në ofruesit e AFP-së.
7. Kohëzgjatja e trajnimit është 3 (tre) javë kalendarike dhe në përfundim të trajnimit zhvillohet testim me shkrim.
8. Pjesëmarrësit, të cilët kalojnë me sukses testimin me shkrim, dorëzojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të APKA-së, brenda 7 (shtatë) ditëve pune, planin e biznesit. Plani i biznesit përmban një seksion specifik me të gjitha shpenzimet e domosdoshme për themelimin e biznesit. Secili prej zërave të shpenzimeve duhet të specifikojë burimin përkatës të financimit nga ky program ose burime të tjera, për të cilat duhet të bashkëlidhë dokumentacionin vërtetues.
9. Vlerësimi i planeve të biznesit realizohet, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, nga AKPA-ja, në dy faza:
a) Vlerësimi i planit të biznesit nga ekspertë të jashtëm të fushës mbi bazën e këtyre kritereve:
i. Realizueshmëria financiare e projektit;
ii. Burimet në dispozicion për themelimin e biznesit;
iii. Njohja e llojit përkatës të biznesit;
iv. Vlerësimi i tregut.
b) Procesi i vlerësimit nga komisioni i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të AKPA-së përfshin hapat e mëposhtëm:
i. Zbatimin e procedurës në bazë të rregullores përkatëse;
ii. Bën renditjen e aplikuesve në varësi të pikëve;
iii. Shqyrton mundësitë e financimit dhe bën renditjen sipas pikëve dhe mundësive të financimit.
10. Komisioni për vlerësimin e planit të biznesit ngrihet me fillimin e procesit të këtij programi dhe përbëhet nga tre anëtarë, si më poshtë vijon:
a) Një përfaqësues nga AKPA-ja;
b) Një përfaqësues nga Drejtoria Rajonale;
c) Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për punësim.
11. Përzgjedhja e anëtarëve të këtij komisioni bëhet, si më poshtë vijon:
a) Përfaqësuesi i ministrisë caktohet nga ministri përkatës;
b) Përfaqësuesi i AKPA-së dhe i Drejtorisë Rajonale do të caktohen nga drejtori i Përgjithshëm i institucionit.
12. Mënyra e organizimit, e vlerësimit të projekteve, e funksionimit të punës, e informimit si dhe përbërja e komisionit përcaktohen në rregulloren e zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit.
13. Drejtoria e Përgjithshme e AKPA-së shpall listën e fituesve nëpërmjet strukturave vendore të punësimit dhe njofton njëkohësisht strukturat rajonale të punësimit për ndjekjen e procedurave në vijim.
14. Aplikuesit e përzgjedhur duhet të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve pune, sipërmarrjet e reja në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të hapin një llogari bankare për biznesin dhe të depozitojnë te struktura rajonale e punësimit dokumentet provuese.
15. Pas dorëzimit të këtyre dokumenteve, struktura rajonale e punësimit dhe çdo përfitues nënshkruajnë kontratën për përfitimin e grantit.
16. Financimi bëhet në këto faza:
a) Me nënshkrimin e kontratës, përfituesit i transferohen si paradhënie në llogarinë e biznesit 20% e vlerës së grantit, shumë të cilën përfituesi duhet ta justifikojë me fatura të rregullta tatimore dhe vërtetim të kryerjes së pagesave, si kusht për financimin e pjesës së mbetur të grantit;
b) Vlera e mbetur e grantit i rimbursohet deri në dy këste, të justifikuara me fatura të rregullta tatimore dhe vërtetimin e kryerjes së këtyre pagesave.
c) Vlera e plotë e grantit duhet të shpenzohet brenda katër muajve nga lidhja e kontratës me strukturën rajonale të punësimit;
ç) Përfituesit nuk duhet të shkelin asnjë nga kushtet e kontratës për përfitimin e grantit dhe zbatimin e programit. Nëse përfituesit shkelin kushtet e kontratës, përfituesi është i detyruar të kthejë 100% të mbështetjes financiare të përfituar deri në atë moment.
17. Monitorimi i zbatimit të programit kryhet nga strukturat përkatëse të punësimit.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet për programet e nxitjes së punësimit sipas zonave gjeografike, sektorëve ekonomikë dhe nevojave të punëkërkuesve dhe miraton planin e zbatimit të fondeve të nxitjes së punësimit, pas propozimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. AKPA-ja njofton periodikisht ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për ecurinë e programit.
2. AKPA-ja përgatit raportin vjetor brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe strukturës përgjegjëse të ndihmës shtetërore.
3. AKPA-ja ruan të dhënat për programet për 10 (dhjetë) vjet, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
4. Vlerësimi i ndikimit të programeve kryhet çdo 4 (katër) vjet nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.
5. Afati i zbatimit të programeve të përcaktuara në pikën 1, të kreut I, është 5 (pesë) vjet nga hyrja në fuqi.
6. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së për miratimin e rregullores së zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit, sipas pikës 1, të këtij kreu, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit “Zëri i nxitjes së punësimit” dhe nga fondi social i punësimit, pas krijimit të tij.
8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2020, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në programin buxhetor “Menaxhimi i të ardhurave tatimore” 01140, i shtohet fondi prej 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekësh në shpenzime kapitale, për projektin “Blerje shërbim automatizimi dhe monitorimi aktiviteti për inspektorët”, me vlerë të plotë projekti 127 440 000 (njëqind e njëzet e shtatë milionë e katërqind e dyzet mijë) lekë.
b) Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin buxhetor “Transporti rrugor” 04520, i pakësohet fondi prej 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekësh në shpenzime kapitale.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR PAJISJET ELEKTRIKE TË PROJEKTUARA PËR PËRDORIM BRENDA KUFIJVE TË CAKTUAR TË TENSIONIT” DHE PËRCAKTIMIN E LISTËS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullit teknik “Për pajisjet elektrike të projektuara për përdorim brenda kufijve të caktuar të tensionit” dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara, sipas tekstit që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Standardet e harmonizuara shqiptare, numrat dhe titujt e të cilëve janë përshirë në listën bashkëlidhur këtij vendimi, shërbejnë si dokumente referencë për prezumimin e konformitetit të pajisjeve elektrike me kërkesat thelbësore të objektivave të sigurisë, të përcaktuara në këtë rregull teknik, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Çdo pajisje elektrike e vendosur në treg para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe në përputhje me vendimin nr.1061, datë 23.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik “Pёr pajisjet elektrike tё projektuara pёr pёrdorim brenda disa kufijve të tensionit” dhe pёrcaktimin e listёs së standardeve të harmonizuara”, nuk do të pengohet të bëhet e disponueshme në treg, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. Vendimi nr.1061, datë 23.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik “Pёr pajisjet elektrike tё projektuara pёr pёrdorim brenda disa kufijve të tensionit” dhe pёrcaktimin e listёs së standardeve të harmonizuara” zbatohet deri në datën e fillimit të efekteve juridike të këtij vendimi.
5. Vendimi nr.1061, datë 23.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik “Pёr pajisjet elektrike tё projektuara pёr pёrdorim brenda disa kufijve të tensionit” dhe pёrcaktimin e listёs së standardeve të harmonizuara”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet juridike pas një viti nga data e hyrjes në fuqi të tij.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 100% TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË “TRAJTIMI I STUDENTËVE”, SH.A., SHKODËR, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, të neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin e pronësisë së 100% të aksioneve të shoqërisë “Trajtimi i studentëve”, sh.a., Shkodër, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Shkodër, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT PËR EMËRIMIN DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË NËPUNËSVE TË EMËRUAR NGA INSTITUCIONET E TJERA NË MISIONET DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Emërimi në misionet diplomatike, sipas pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, bëhet pas koordinimit të ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme me institucionin që propozon nëpunësin, më poshtë referuar si “institucioni dërgues”.
2. Institucioni dërgues propozon emërimin e nëpunësit sipas pikës 1, të këtij vendimi, duke e përzgjedhur atë nëpërmjet procedurave të brendshme të institucionit.
3. Këta nëpunës emërohen nga ministri përgjegjës për punët e jashtme, me propozim të ministrit të institucionit dërgues dhe janë në varësi të dyfishtë, nga kreu i misionit diplomatik dhe titullari i institucionit dërgues.
4. Përshkrimi i punës, hierarkia, mënyra e komunikimit dhe të drejtat e detyrimet e palëve përcaktohen në marrëveshjen e lidhur ndërmjet ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme dhe institucionit dërgues. Marrëveshja duhet të përmbajë:
a) pozicionin e punës/gradën diplomatike të emërimit;
b) varësinë e dyfishtë nga kreu i misionit diplomatik dhe titullari i institucionit dërgues;
c) përshkrimin e punës;
ç) afatin e punësimit;
d) të drejtat dhe detyrimet e nëpunësit;
dh) të drejtat dhe detyrimet e ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme dhe të institucionit dërgues.
5. Nëpunësit do të shërbejnë në misionin diplomatik sipas afatit të përcaktuar në ligjin për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë dhe pas përfundimit të këtij shërbimi do të rikthehen në pozicionin e mëparshëm ose në një pozicion të barasvlershëm me të.
6. Me emërimin e nëpunësve në misionin diplomatik, marrëdhënia e tyre e punës do të rregullohet në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e punës në shërbimin e jashtëm.
7. Nëpunësit e emëruar në përputhje me pikën 1, të këtij vendimi, trajtohen sipas pagës referuese të gradës diplomatike të emërimit, në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.546, datë 11.8.2011, “Për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, të atasheve ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.20, datë 18.1.2017, “Për mbulimin e shpenzimeve financiare të personelit të shërbimit të jashtëm dhe familjarëve që i shoqërojnë ata gjatë kohës që dërgohen me shërbim në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit”.
8. Shpenzimet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i institucionit dërgues.
9. Nga zbatimi i këtij vendimi përjashtohen nëpunësit emërimi i të cilëve në misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë rregullohet me akte të tjera nënligjore.
10. Ngarkohen ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe të gjitha institucionet shtetërore, që brenda fushës së tyre të përgjegjësisë dërgojnë nëpunës për t’i emeruar në misionet diplomatike, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “UZINA E PJESËVE TË NDËRRIMIT TË AUTOMJETEVE”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8170

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 5, 8 dhe 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pronës me nr.16, me emërtimin “Uzina e pjesëve të ndërrimit të automjeteve”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8170, sipas formularëve gjithsej 3 (tre) fletë dhe hartave kadastrale, bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e strehimit dhe të shërbimeve sociale.
2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve pronën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA