Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 29 qershor 2016
V E N D I M
PËR
KLASIFIKIMIN, ETIKETIMIN DHE AMBALAZHIMIN E KIMIKATEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 8, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
SEKSIONI 1
Fusha e zbatimit dhe terminologjia
1. Ky vendim përcakton:
a) kriteret e klasifikimit të kimikateve dhe rregullat për ambalazhimin e etiketimin e kimikateve të rrezikshme;
b) detyrimet ndaj:
i. prodhuesve, importuesve dhe përdoruesve për të klasifikuar kimikatet që vendosin në treg;
ii. furnizuesve për etiketimin dhe ambalazhimin e kimikateve;
iii. prodhuesve dhe importuesve të artikujve për klasifikimin e atyre substancave që nuk janë vendosur në treg, por që janë subjekt i regjistrimit dhe njoftimit, në përputhje me ligjin në fuqi për menaxhimin e kimikateve;
c) listën e substancave të klasifikuara dhe etiketuara në mënyrë të harmonizuar;
ç) inventarin e klasifikimit dhe etiketimit të substancave.
2. Bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij janë:
a) Shtojca I: Kërkesat për klasifikimin dhe etiketimin e kimikateve të rrezikshme;
b) Shtojca II: Rregulla të veçanta për etiketimin dhe ambalazhimin e kimikateve të caktuara;
c) Shtojca III: Lista e deklaratave të rrezikut, informacionit shtesë të rrezikut dhe elementeve shtesë të etiketimit;
ç) Shtojca IV: Lista e deklaratave paralajmëruese;
d) Shtojca V: Piktogramat e rrezikut;
dh) Shtojca VI: Lista e klasifikimit dhe etiketimit.
3. Për qëllime të këtij vendimi, të gjithë termat kanë të njëjtin kuptim me termat e përcaktuar në nenin 3, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, ndërsa termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) “Ambalazh”, një ose më shumë mbajtës dhe çdo komponent apo material tjetër i nevojshëm që mbajtësi të kryejë funksionet e tij dhe funksione të tjera të sigurisë;
b) “Ambalazh i ndërmjetëm”, ambalazhi i vendosur ndërmjet ambalazhit të brendshëm ose artikullit dhe ambalazhit të jashtëm;
c) “Ambalazhim”, produkti i përfunduar, që përfshin procesin e ambalazhimit, ambalazhin dhe përmbajtjen e tij;
ç) “Deklaratë rreziku”, shprehja e përcaktuar për një klasë dhe kategori rreziku, që përshkruan natyrën e rreziqeve të substancës ose përzierjes së rrezikshme, përfshirë, kur është e përshtatshme, shkallën e rrezikut;
d) “Deklaratë parandaluese”, shprehja, e cila përshkruan masën e rekomanduar për minimizimin ose parandalimin e efekteve negative që rezultojnë nga ekspozimi ndaj një substance apo përzierje të rrezikshme, për shkak të përdorimit ose asgjësimit të saj;
dh) “Diferencim”, dallimi ndërmjet klasave të rrezikut, në varësi të mënyrës së ekspozimit ose natyrës së efekteve;
e) “Fjalë sinjalizuese”, fjala që tregon nivelin relativ të ashpërsisë së rrezikut, për të njoftuar lexuesin për rrezikun potencial. Dallohen dy nivele sinjalizimi:
i. “Rrezik”, fjala sinjalizuese që tregon kategoritë më të ashpra të rrezikut;
ii. “Paralajmërim”, fjala sinjalizuese që tregon kategoritë më pak të ashpra të rrezikut.
ë) “Faktori-SH”, faktori shumëfishues. Faktori shumëfishues aplikohet në përqendrimin e substancës së klasifikuar si të rrezikshme në mjedise ujore, kategoria akute 1 ose kategoria kronike 1, dhe përdoret për të përcaktuar klasifikimin e përzierjeve në të cilën substanca është e pranishme, me anë të metodës së mbledhjes;
f) “Identifikuesit e produktit”, detajet që lejojnë identifikimin e substancës ose përzierjes;
g) “Inventari i klasifikimit dhe etiketimit të Bashkimit Evropian”, dokument orientues për klasifikimin dhe etiketimin e atyre kimikateve që nuk bëjnë pjesë në listën e klasifikimit, referuar shtojcës VI;
gj) “Klasë rreziku”, natyra e rrezikut fizik, shëndetësor ose mjedisor;
h) “Kategori rreziku”, ndarja e kritereve brenda çdo klase rreziku, duke përcaktuar ashpërsinë e rrezikut;
i) “Zhvillim dhe kërkim shkencor”, çdo eksperiment shkencor, analizë ose kërkim kimik i kryer në kushte të kontrolluara;
j) “Konsumator”, ka të njëjtin kuptim të dhënë në ligjin nr.9902, datë 14.7.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorit”, të ndryshuar;
k) “Kufi përqendrimi”, pragu i çdo papastërtie të klasifikuar, si shtesë ose si përbërës individual në një substancë ose përzierje, që bëhet përcaktues në klasifikimin e substancës ose përzierjes;
l) “Ministria”, ministria përgjegjëse për mjedisin;
ll) “Ministri”, ministri përgjegjës për mjedisin;
m) “Numri CAS”, numri i siguruar nga CAS (Shërbimi Abstrakt i Kimikateve);
n) “Nomenklatura IUPAC”, nomenklatura e siguruar nga IUPAC (Organizata e Bashkimit Ndërkombëtar të Kimisë së Pastër dhe të Aplikuar);
nj) “Njoftues”, prodhuesi ose importuesi, grupi i prodhuesve ose importuesve që njoftojnë MM-në;
o) “Piktogram rreziku”, kompozimi grafik, që përfshin simbolin dhe elementet e tjera grafike, të tilla si bordurat, modelin e sfondit ose ngjyrën, për të përcjellë informacionin specifik në lidhje me rrezikun;
p) “Vlera prag”, pragu i çdo papastërtie të klasifikuar, si shtesë ose si përbërës individual në një substancë ose përzierje, mbi të cilin përcaktohet nëse substanca ose përzierja do të klasifikohet;
q) “UNRTDG”, rekomandimet e Kombeve të Bashkuara për transportin e mallrave të rrezikshme.
4. Substancat e përzierjet e rrezikshme dhe specifikimi i klasës së rrezikut
4.1 Substanca ose përzierja që përmbush kriteret në lidhje me rreziqet fizike, rreziqet për shëndetin ose rreziqet për mjedisin, të përcaktuara në pjesët 2 deri në 5, të shtojcës I, bashkëlidhur këtij vendimi, është e rrezikshme dhe klasifikohet sipas klasave përkatëse të rrezikut, të dhëna në shtojcën I.
4.2 Kur në shtojcën I, bashkëlidhur këtij vendimi, klasat e rrezikut ndryshojnë në bazë të mënyrës së ekspozimit ose natyrës së efekteve, substanca ose përzierja klasifikohet në përputhje me këto ndryshime/diferencime.
5. Detyrimet për klasifikimin, etiketimin dhe ambalazhimin
5.1 Prodhuesi, importuesi dhe përdoruesi profesional i kimikateve, përpara vendosjes së tyre në treg, klasifikon kimikatet, në përputhje me kreun II, të këtij vendimi.
5.2 Nëse një substancë, në përputhje me përcaktimet e kreut V, bën pjesë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit, të referuar në shtojcën VI, bashkëlidhur këtij vendimi, ajo substancë do të klasifikohet në përputhje me atë listë. Kur një substancë bën pjesë në një ose më shumë klasa rreziku apo kur diferencimet nuk mbulohen nga futja e kësaj substance në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit, klasifikimi për ato klasa rreziku apo diferencime kryhet në përputhje me kreun II, të këtij vendimi.
5.3 Kur një kimikat është i klasifikuar si i rrezikshëm, furnizuesit sigurohen që kimikati, përpara vendosjes në treg, është etiketuar dhe ambalazhuar në përputhje me përcaktimet e krerëve III dhe IV.
5.4 Shpërndarësit, në përmbushjen e përgjegjësive të tyre, sipas pikës “5.3”, të këtij kreu, mund të përdorin klasifikimin e një kimikati të kryer nga një aktor në zinxhirin e furnizimit, në përputhje me kreun II, të këtij vendimi.
5.5 Përdoruesit profesionalë, në përmbushjen e përgjegjësive të tyre, sipas pikave “5.1” e “5.3”, të këtij kreu, mund të përdorin klasifikimin e një substance ose përzierje të përftuar nga një aktor në zinxhirin e furnizimit, në përputhje me kreun II, të këtij vendimi, me kusht që ai nuk ndryshon përbërjen e substancës apo të përzierjes.
5.6 Referuar pjesës 2, të shtojcës II, bashkëlidhur këtij vendimi, një përzierje që përmban ndonjë substancë të klasifikuar si të rrezikshme nuk vendoset në treg në rast se nuk është etiketuar në përputhje me kreun III, të këtij vendimi.
5.7 Për qëllime të këtij vendimi, artikujt e përmendur në seksionin 2.1, të shtojcës I, bashkëlidhur këtij vendimi, përpara vendosjes së tyre në treg, klasifikohen, etiketohen dhe ambalazhohen në përputhje me rregullat për substancat dhe përzierjet.
5.8 Furnizuesit, në zinxhirin e furnizimit, bashkëpunojnë për të përmbushur kërkesat që lidhen me klasifikimin, etiketimin dhe ambalazhimin sipas këtij vendimi.
KREU II
KLASIFIKIMI I RREZIKUT
1. Identifikimi dhe ekzaminimi i informacionit të mundshëm për substancat
1.1 Prodhuesit dhe importuesit e një substance identifikojnë informacionin e duhur, që është në dispozicion, me qëllim përcaktimin nëse substanca përbën një rrezik fizik, shëndetësor ose mjedisor, sipas përcaktimeve në shtojcën I dhe nga:
a) të dhënat e gjeneruara në përputhje me ndonjë nga metodat e referuara në pikën 3.3, të këtij kreu;
b) të dhënat epidemiologjike, eksperiencat për efektet në njerëz, sikurse janë të dhënat profesionale dhe të dhënat nga regjistri i aksidenteve;
c) çdo informacion tjetër, i gjeneruar në përputhje me vendimin që përcakton rregullat e përgjithshme të përshtatjes me regjimin standard të testimit;
ç) çdo informacion të ri shkencor;
d) çdo informacion tjetër të gjeneruar, bazuar në programet kimike të njohura ndërkombëtare.
Informacioni ka të bëjë me formën apo gjendjen fizike në të cilën substanca është vendosur në treg dhe me të cilën pritet që ajo të përdoret.
1.2 Prodhuesit dhe importuesit shqyrtojnë informacionin e referuar në pikën 1, të këtij kreu, për të verifikuar nëse ai është i përshtatshëm, i besueshëm dhe shkencërisht i vlefshëm për qëllime të vlerësimit.
2. Identifikimi dhe ekzaminimi i informacionit në dispozicion për përzierjet
2.1 Prodhuesit dhe importuesit e një përzierje identifikojnë informacionin e duhur, që është në dispozicion për vetë përzierjen ose substancat që përmbahen në të, me qëllim përcaktimin nëse përzierja përbën një rrezik fizik, shëndetësor ose mjedisor, sipas përcaktimeve në shtojcën I dhe nga:
a) të dhënat e gjeneruara, në përputhje me ndonjë nga metodat e referuara në pikën 3.3, të këtij kreu, për vetë përzierjen ose substancat që përmbahen në të;
b) të dhënat epidemiologjike, eksperiencat për efektet në njerëz, për vetë përzierjen ose substancat që përmbahen në të, sikurse janë të dhënat profesionale dhe të dhënat nga regjistri i aksidenteve;
c) çdo informacion tjetër, i gjeneruar në përputhje me vendimin që përcakton rregullat e përgjithshme të përshtatjes me regjimin standard të testimit, për vetë përzierjen ose substancat që përmbahen në të;
ç) çdo informacion të ri shkencor;
d) çdo informacion tjetër për vetë përzierjen ose substancat që përmbahen në të, të gjeneruar nga programet kimike të njohura ndërkombëtarisht.
Informacioni ka të bëjë me formën apo gjendjen fizike në të cilën përzjerja është vendosur në treg dhe me të cilën pritet që të përdoret.
2.2 Kur informacioni për vetë përzierjen, i referuar në pikën 2.1, të këtij kreu, është në dispozicion dhe kur prodhuesit e importuesit kanë konstatuar se informacioni është i përshtatshëm, i besueshëm dhe shkencërisht i vlefshëm, atëherë prodhuesi dhe importuesi ose përdoruesi profesional e përdor atë informacion për qëllime të vlerësimit, sipas pikave 2.3 dhe 2.4, të këtij kreu.
2.3 Për të bërë vlerësimin e përzierjeve, në lidhje me klasat e rrezikut “qelizat mutagjene”, “kancerogjene” dhe “toksike për riprodhimin”, të përmendura në seksionet 3.5.3.1; 3.6.3.1 dhe 3.7.3.1, të shtojcës I, prodhuesi ose importuesi përdor vetëm informacionin e papërshtatshëm, që është në dispozicion, për substancat që ndodhen në përzierje, të referuar në pikën 2.1, të këtij kreu.
Në rastin kur të dhënat e testeve që janë në dispozicion për përzierjen vërtetojnë efektet e qelizave mutagjene, kancerogjene ose toksike për riprodhimin, të cilat nuk janë identifikuar nga informacioni për substancat individuale, këto të dhëna duhet të merren në konsideratë.
2.4 Për të bërë vlerësimin e përzierjeve, në përputhje me kreun II, në lidhje me vetitë e “biodegradueshme dhe bioakumulueshme”, brenda klasës së rrezikut “rreziqet në mjedisin ujor”, të referuara në seksionet 4.1.2.8 dhe 4.1.2.9, të shtojcës I, prodhuesi, importuesi apo përdoruesi profesional do të përdorë vetëm informacionin e përshtatshëm në dispozicion për substancat në përzierje, të përmendur në paragrafin 2.1.
2.5 Kur të dhënat e testeve të referuara në pikën 2.1, të këtij kreu, nuk janë në dispozicion ose janë të papërshtatshme për llojin e përzierjes, prodhuesi ose importuesi përdor informacione të tjera, që janë në dispozicion për substancat dhe përzierjet e ngjashme, të testuara, të cilat konsiderohen të përshtatshme, me qëllim përcaktimin e rrezikshmërisë së përzierjes, me kusht që informacioni të jetë i përshtatshëm dhe i besueshëm për qëllim të vlerësimit, në përputhje me pikën 4.4, të këtij kreu.
3. Gjenerimi i informacionit të ri për kimikatet
3.1 Për qëllime të përcaktimit të rrezikshmërisë së një substance ose përzierje për shëndetin apo mjedisin, në përputhje me shtojcën I, të këtij vendimi, prodhuesi ose importuesi mund të kryejë teste të reja vetëm pasi siguron se ka përdorur të gjitha mjetet e tjera për gjenerimin e informacionit, duke përfshirë edhe zbatimin e rregullave të parashikuara në vendimin që përcakton rregullat e përgjithshme të përshtatjes me regjimin standard të testimit.
3.2 Prodhuesi ose importuesi kryen testet e kërkuara në pjesën 2, të shtojcës I, vetëm nëse nuk ka informacion të përshtatshëm e të besueshëm në dispozicion, për qëllime të përcaktimit nëse një substancë ose përzierje shfaq ndonjë prej rreziqeve fizike të përmendura në atë pjesë.
3.3 Testet e referuara në pikën 3.1, të këtij kreu, do të kryhen në përputhje me një prej metodave të mëposhtme:
a) metodat e testimit të referuara në pikën 3, të nenit 12, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;
b) parimet shkencore të njohura, ndërkombëtare ose metodat e vlerësuara sipas procedurave ndërkombëtare.
3.4 Prodhuesi ose importuesi, kur kryen teste të reja eko-toksikologjike, toksikologjike dhe analiza, i bën në përputhje me metodat e referuara në pikën 3, të nenit 12, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
3.5 Për qëllime të këtij vendimi, kur kryhen teste të reja për rreziqet fizike, ato bëhen në përputhje me sistemet e njohura të cilësisë (ISO) dhe sisteme të tjera përkatëse, të njohura, të cilësisë ose nga laboratorë, në përputhje me një standard përkatës të njohur.
3.6 Për qëllime të këtij vendimi, substancat ose përzierjet, për të cilat kryhen testet, duhet të jenë në të njëjtën formë ose gjendje fizike me atë që kimikati ka kur është i vendosur në treg dhe në të cilën parashikohet të përdoret.
4. Vlerësimi i informacionit të rrezikut për kimikatet
4.1 Prodhuesit dhe importuesit e një kimikati vlerësojnë informacionin e identifikuar, në përputhje me pikat 1 deri në 3, të këtij kreu, duke zbatuar kriteret për klasifikimin, të referuara në pjesët 2 deri në 5, të shtojcës I, për çdo klasë rreziku ose diferencimi, në mënyrë që të përcaktojnë rreziqet që lidhen me atë kimikat.
4.2 Gjatë vlerësimit të të dhënave të testeve në dispozicion për një kimikat, të siguruara nga metoda të ndryshme nga ato të përmendura në pikën 3.3, të këtij kreu, prodhuesit dhe importuesit krahasojnë metodat e përdorura të testimit me ato të pikës 3.3, me qëllim që të përcaktojnë nëse përdorimi i atyre metodave të testimit ndikon në vlerësimin e informacionit, siç referohet në pikën 4.1, të këtij kreu.
4.3 Në rastin kur kriteret nuk mund të aplikohen drejtpërdrejt mbi informacionin e identifikuar, në dispozicion, prodhuesit dhe importuesit kryejnë një vlerësim nëpërmjet peshimit të një sërë provash përcaktuese, që ndikojnë në përcaktimin e rrezikut të substancës ose përzierjes, duke përdorur gjykimin e ekspertëve, në përputhje me seksionin 1.1.1, të shtojcës I, të këtij vendimi, dhe në përputhje me vendimin që përcakton rregullat e përgjithshme të përshtatjes me regjimin standard të testimit.
4.4 Në rastin kur në dispozicion është vetëm informacioni i referuar në pikën 2.5, të këtij kreu, pra kur ekzistojnë të dhëna të testimeve për përzierje të ngjashme, prodhuesit dhe importuesit, për qëllime të vlerësimit, zbatojnë parimet e “krahasimit”, referuar në seksionin 1.1.3 dhe në çdo seksion të pjesëve 3 dhe 4, të shtojcës I. Kur informacioni në dispozicion nuk lejon as aplikimin e parimeve të “krahasimit” dhe as parimet e përdorimit të gjykimit të ekspertëve mbi bazën e “peshës” së provave përcaktuese, të përshkruara në pjesën 1, të shtojcës I, prodhuesit dhe importuesit vlerësojnë informacionin duke zbatuar metoda të tjera ose metoda të përshkruara në çdo seksion të pjesëve 3 e 4, të shtojcës I.
4.5 Prodhuesit dhe importuesit marrin parasysh formën apo gjendjen fizike në të cilën substanca ose përzierja është vendosur në treg dhe në të cilën ajo parashikohet të përdoret, gjatë vlerësimit të informacionit në dispozicion për qëllimet e klasifikimit.
5. Limitet e përqendrimit dhe Faktorët-SH për klasifikimin e substancave dhe përzierjeve
5.1 Kufijtë specifikë të përqendrimit dhe kufijtë e përgjithshëm të përqendrimit janë kufij të caktuar për një substancë, që tregojnë “pragun” brenda ose sipër të cilit prania e asaj substance, në një substancë ose përzierje tjetër, e identifikuar si një papastërti, si shtesë apo si përbërje individuale, çon në klasifikimin e substancës ose të përzierjes si të rrezikshme.
Kufijtë specifikë të përqendrimit përcaktohen nga prodhuesi apo importuesi kur informacioni i përshtatshëm dhe i besueshëm shkencërisht tregon se rreziku i një substance është i dukshëm, kur substanca është e pranishme poshtë nivelit të përcaktuar të përqendrimit për çdo klasë rreziku, që gjendet në pjesën 2, të shtojcës I, ose nën kufijtë e përgjithshëm të përqendrimit, të përcaktuara për çdo klasë rreziku, që gjëndet në pjesët 3, 4 dhe 5, të shtojcës I.
Përjashtimisht, kufijtë specifikë të përqendrimit mund të përcaktohen nga prodhuesi ose importuesi, në rastin kur ka informacione të mjaftueshme, të besueshme, shkencore dhe bindëse se një rrezik i një substance të klasifikuar si e rrezikshme nuk është evidentuar në një nivel mbi përqendrimet e caktuara për klasën përkatëse të rrezikut në pjesën 2, të shtojcës I, ose mbi kufijtë e përgjithshëm të përqendrimit të përcaktuar për klasën përkatëse të rrezikut në pjesët 3, 4 dhe 5, të kësaj shtojce.
5.2 Prodhuesit dhe importuesit përcaktojnë Faktorët-SH për substancat e klasifikuara si të rrezikshme për mjedisin ujor, kategoria akute 1 ose kategoria kronike 1. Për zbatimin e kërkesave të pikave 5.1 dhe 5.2, të këtij kreu, hartohet manuali që orienton prodhuesit dhe importuesit, i cili miratohet me udhëzim të Ministrit.
5.3 Përjashtimisht përcaktimit të pikës 5.1, të këtij kreu, limitet e përqendrimit specifik nuk përcaktohen për klasa të rrezikut të harmonizuara apo diferencime të substancave të përfshira në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit.
5.4 Pavarësisht pikës 5.2, të këtij kreu, Faktorët-SH nuk përcaktohen për klasa rreziku të harmonizuara apo diferencime të substancave, për të cilat Faktori -SH është i dhënë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit.
Kur një Faktor-SH nuk është i dhënë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit për substancat e klasifikuara të rrezikshme për mjedisin ujor, kategoria akute 1 ose kategoria kronike 1, prodhuesi ose importuesi cakton një Faktor-SH bazuar në të dhënat e disponueshme për substancën. Faktori-SH përdoret përsëri kur prodhuesi apo importuesi klasifikojnë një përzierje që përmban substancën, duke përdorur metodën përmbledhëse.
5.5 Limitet specifike të përqendrimit, të përcaktuara në përputhje me pikën 5.1, të këtij kreu, kanë përparësi ndaj përqendrimeve në seksionet përkatëse të pjesës 2, të shtojcës I, ose limiteve të përgjithshme të përqendrimit për klasifikim në seksionet përkatëse të pjesëve 3, 4 dhe 5, të shtojcës I.
6. Vlerat e pragut
6.1 Kur një substancë përmban një substancë tjetër, të klasifikuar në vetvete si e rrezikshme, qoftë në formën e një papastërtie, si lëndë shtesë ose si përbërës individual, ky fakt duhet të merret në konsideratë, për qëllime të klasifikimit të kësaj substance, nëse përqendrimi i papastërtisë së identifikuar, lëndës shtesë apo përbërësit individual është i barabartë ose më i madh se vlera e aplikueshme e pragut, në përputhje me pikën 6.3, të këtij kreu.
6.2 Kur një përzierje përmban një substancë të klasifikuar si të rrezikshme, qoftë në formën e një komponenti, në formën e një papastërtie të identifikuar apo si lëndë shtesë, ky informacion merret në konsideratë, për qëllime të klasifikimit të përzierjes, nëse përqendrimi i kësaj substance është i barabartë me ose më i madh se vlera e tij e pragut, në përputhje me pikën 6.3, të këtij kreu.
6.3 Vlerat e pragut, të referuara në pikat 6.1 dhe 6.2, të këtij kreu, përcaktohen në përputhje me seksionin 1.1.2.2, të shtojcës I.
7. Raste të veçanta, që kërkojnë vlerësim të mëtejshëm
7.1 Për qëllime të klasifikimit, prodhuesit, importuesit dhe përdoruesit profesionalë marrin në konsideratë vetitë ose efektet e identifikuara si rezultat i vlerësimit të kryer, në përputhje me pikën 4, të këtij kreu, si më poshtë vijon:
a) Informacionin e përshtatshëm dhe të besueshëm, i cili tregon se rreziqet fizike të një substance ose të një përzierjeje në praktikë ndryshojnë nga ato të treguara nga testet;
b) Rezultatet përfundimtare të të dhënave eksperimentale shkencore, që tregojnë se substanca ose përzierja nuk përftohet biologjikisht dhe se këto të dhëna janë konstatuar si të përshtatshme e të besueshme;
c) Informacionin e përshtatshëm dhe të besueshëm shkencor, që tregon mundësitë e zhvillimit të efekteve sinergjike ose të kundërta ndërmjet substancave në një përzierje, për të cilat vlerësimi është kryer bazuar në informacionin për substancat në përzierje.
8. Vendimi për të klasifikuar substancat dhe përzierjet
8.1. Nëse vlerësimi i kryer në përputhje me pikat 4 dhe 7, të këtij kreu, tregon se rreziqet që lidhen me substancën ose përzierjet plotësojnë kriteret për klasifikimin në një ose më shumë klasa të rrezikut apo diferencime sipas përcaktimeve të pjesëve 2 deri në 5, të shtojcës I, prodhuesit dhe importuesit klasifikojnë substancën ose përzierjen në lidhje me klasën përkatëse të rrezikut ose klasat apo diferencimet, duke përcaktuar, si më poshtë vijon:
a) një ose më shumë kategori rreziku për çdo klasë përkatëse rreziku ose diferencimi;
b) një ose më shumë deklarata të rrezikut, sipas përcaktimeve të pikës 5, të kreut III, që i korrespondojnë çdo kategorie rreziku të përcaktuar në përputhje me shkronjën “a”, të pikës 8.1, të këtij kreu.
9. Rregullat specifike për klasifikimin e përzierjeve
9.1. Klasifikimi i një përzierje nuk ndikohet në rastin kur, nga vlerësimi i informacionit, substancat shfaqin ndonjë nga vetitë e mëposhtme:
a) substancat në përzierje reagojnë ngadalë me gazet e atmosferës, në veçanti me oksigjenin, dioksidin e karbonit, avullin e ujit, për të formuar substanca të ndryshme, me përqendrime të ulëta;
b) substancat në përzierje reagojnë shumë ngadalë me substanca të tjera në përzierje, për të formuar substanca të ndryshme, me përqendrim të ulët;
c) substancat në përzierje të mund të vetëpolimerizohen, për të formuar oligomere ose polimere me përqendrim të ulët.
9.2 Një përzierje nuk klasifikohet për vetitë eksplozive, oksiduese, të ndezshme, të referuara në pjesën 2, të shtojcës I, kur përmbushen kërkesat e mëposhtme:
a) asnjë nga substancat që gjenden në përzierje nuk zotëron ndonjë prej këtyre vetive dhe, në bazë të informacionit që është në dispozicion të furnizuesit, përzierja nuk mund të paraqesë rreziqe të këtij lloji;
b) në rast ndryshimi të përbërjes së përzierjes, të dhënat shkencore tregojnë se një vlerësim i informacionit për përzierjen nuk do të çojë në ndryshimin e klasifikimit;
c) në rastin kur një përzierje është e vendosur në treg në formën e një bombole me aerosol, në përputhje me dispozitat e legjislacionit specifik për bombolat me aerosole.
10. Rishikimi i klasifikimit të kimikateve
10.1 Prodhuesit dhe importuesit ndërmarrin të gjitha hapat e mundshme, në dispozicion të tyre, për t’u ndërgjegjësuar për informacionet e reja shkencore apo teknike që mund të ndikojnë në klasifikimin e substancave ose përzierjeve që ata vendosin në treg. Kur një prodhues, importues ose përdorues profesional është i vetëdijshëm për një informacion të tillë, të cilin e konsideron të përshtatshëm dhe të besueshëm, atëherë prodhuesi, importuesi apo përdoruesi profesional kryen një vlerësim të ri, në përputhje me kërkesat e këtij kreu.
10.2 Në rastin kur prodhuesi, importuesi ose përdoruesi profesional prezanton një ndryshim në një përzierje të klasifikuar si të rrezikshme, prodhuesi, importuesi ose përdoruesi profesional kryen një vlerësim të ri, në përputhje me kërkesat e këtij kreu, për ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) një ndryshim në përbërjen e përqendrimit fillestar të një ose disa përbërësve të rrezikshëm në përqendrime baraz ose mbi limitet e përcaktuara në tabelën 1.2, të pjesës 1, të shtojcës I;
b) një ndryshim në përbërje, që përfshin zëvendësimin apo shtimin e një ose disa përbërësve në përqendrime të barabarta ose mbi vlerën e pragut, të referuar në pikën 6.3, të këtij kreu.
10.3 Referuar pikave 10.1 dhe 10.2, të këtij kreu, nuk kërkohet një vlerësim i ri nëse ka argumente të vlefshme shkencore që tregojnë se kjo nuk ndikon në ndryshimin e klasifikimit.
10.4 Prodhuesit dhe importuesit do të përshtatin klasifikimin e substancës ose përzierjes në përputhje me rezultatet e vlerësimit të ri, me përjashtim të rastit kur ka klasa të rrezikut të harmonizuara apo diferencime të substancave, të përfshira në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit.
10.5 Referuar pikave 10.1 deri në 10.4, të këtij kreu, kur substanca ose përzierjet në fjalë janë brenda fushës së veprimit të legjislacionit specifik për produktet për mbrojtjen e bimëve ose të produkteve biocide, zbatohen edhe kërkesat e atij legjislacioni.
11. Përdorimi i inventarit të klasifikimit dhe etiketimit të BE-së
11.1 Kur substanca që klasifikohet nuk bën pjesë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit (shtojca VI, e këtij vendimi), për klasifikimin e asaj substance prodhuesit dhe importuesit i referohen Inventarit të Klasifikimit dhe Etiketimit të Bashkimit Evropian.
11.2 Prodhuesit dhe importuesit që nuk e klasifikojnë substancën sipas klasifikimit të saj në Inventarin e Klasifikimit dhe Etiketimit të Bashkimit Evropian, paraqesin në Ministrinë e Mjedisit arsyet për devijimin e klasifikimit të substancave, në përputhje me këtë inventar.
KREU III
KOMUNIKIMI I RREZIKUT NËPËRMJET ETIKETIMIT
1. Rregulla të përgjithshme për përmbajtjen e etiketës
1.1 Një substancë ose përzierje, e klasifikuar si e rrezikshme dhe që është e ambalazhuar, shoqërohet me një etiketë, në të cilën përfshihen këto elemente:
a) Emri, adresa dhe numri i telefonit të furnizuesit/ve;
b) Sasia nominale e substancës ose përzierjes në ambalazh, që vihet në dispozicion për publikun e gjerë, me përjashtim të rastit nëse kjo sasi është e specifikuar diku tjetër në ambalazh;
c) Identifikuesit e produktit, në përputhje me kërkesat e pikës 2, të këtij kreu;
ç) Kur gjen zbatim, piktogramën e rrezikut, në përputhje me kërkesat e pikës 3, të këtij kreu;
d) Kur gjen zbatim, fjalët sinjalizuese, në përputhje me kërkesat e pikës 4, të këtij kreu;
dh) Kur gjen zbatim, deklaratat e rrezikut, në përputhje me kërkesat e pikës 5, të këtij kreu;
e) Kur gjen zbatim, deklaratat përkatëse parandaluese, në përputhje me kërkesat e pikës 6, të këtij kreu;
ë) Kur gjen zbatim, një seksion për informacion shtesë, në përputhje me kërkesat e pikës 8, të këtij kreu.
1.2 Etiketa duhet të shkruhet në gjuhën shqipe.
1.3 Furnizuesit mund të përdorin edhe gjuhë të tjera shtesë në etiketat e tyre, me kusht që në të gjitha gjuhët e përdorura të shfaqen të njëjtat detaje.
2. Identifikuesit e produktit
2.1 Etiketa përfshin detaje që lejojnë identifikimin e substancës ose të përzierjes, të quajtur tani e tutje “identifikuesit e produktit”.
2.2 Termi i përdorur për identifikimin e substancës ose përzierjes është i njëjtë me atë të përdorur në dokumentacionin me të dhënat e sigurisë, referuar ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, pa anashkaluar kërkesën e pikës 1.2, të këtij kreu.
2.3. Identifikuesi i produktit për një substancë përbëhet nga, të paktën,:
a) nëse substanca është e përfshirë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit të harmonizuar të substancave të rrezikshme, emri dhe numri i identifikimit të dhënë atje;
b) nëse substanca nuk është e përfshirë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit të harmonizuar të substancave të rrezikshme, por shfaqet në Inventarin e Klasifikimit dhe Etiketimit, emri dhe numri i identifikimit të dhënë atje;
c) nëse substanca nuk është e përfshirë as në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit të harmonizuar të substancave të rrezikshme dhe as në Inventarin e Klasifikimit dhe Etiketimit, numri CAS, së bashku me emrin e përcaktuar në nomenklaturën IUPAC, ose numrin CAS, së bashku me një tjetër emër kimik ndërkombëtar;
ç) nëse numri CAS nuk është në dispozicion, emri i përcaktuar në nomenklaturën IUPAC ose një tjetër emër kimik, ndërkombëtar.
2.4 Në rastin kur emri, sipas nomenklaturës IUPAC, i tejkalon 100 (njëqind) karaktere, mund të përdoret një nga emrat e tjerë (emri i zakonshëm, emri tregtar, shkurtim), me kusht që, në përputhje me ligjin për menaxhimin e kimikateve, njoftimi i substancës të përfshijë emrin e përcaktuar në nomenklaturën IUPAC si dhe emrin tjetër të përdorur.
2.5 Identifikuesi i produktit për një përzierje përbëhet nga informacioni, si më poshtë vijon:
a) emri tregtar ose emërtimi i përzierjes;
b) identiteti i të gjitha substancave që gjenden në përzierje dhe që ndikojnë në klasifikimin e përzierjes në lidhje me toksicitetin akut, gërryerjen e lëkurës ose dëme të rënda në sy, mutagjenike për qelizat embrionale, kancerogjene, toksike për riprodhimin, frymëmarrjen apo sensibilizimin e lëkurës, toksiciteti i organit specifik të synuar (STOT) ose rreziku i frymëmarrjes.
2.6 Kur, në përputhje me shkronjën “b”, të pikës 2.5, kërkesa çon në dhënien e emrave kimikë të shumtë, një maksimum prej katër emrash kimikë do të mjaftojë, me përjashtim të rastit kur më shumë se katër emra janë të nevojshëm për të reflektuar natyrën dhe ashpërsinë e rreziqeve.
2.7 Emrat kimikë të përzgjedhur do të identifikojnë substancat që janë kryesisht përgjegjëse për rreziqet e mëdha shëndetësore dhe që ndikojnë në rezultatin e klasifikimit e në përzgjedhjen e deklaratave përkatëse të rrezikut.
3. Piktogramat e rrezikut
3.1 Etiketa përmban piktogramin/at përkatës të rrezikut, me qëllim përcjelljen e informacionit specifik mbi rrezikun në fjalë.
3.2 Në përputhje me pikën 16, të këtij kreu, piktogramat e rrezikut do të përmbushin kërkesat e përcaktuara në seksionin 1.2.1, të shtojcës I, dhe në shtojcën V.
3.3 Piktogrami përkatës i rrezikut, për çdo klasifikim të veçantë, është i përcaktuar në tabelat që tregojnë elementet e kërkuara të etiketës për çdo klasë rreziku, në shtojcën I.
4. Fjalët sinjalizuese
4.1 Etiketa/t përfshin/jnë fjalën/t përkatëse sinjalizuese, në përputhje me klasifikimin e substancës ose përzierjes së rrezikshme.
4.2 Fjala/ët sinjalizuese përkatëse, për çdo klasifikim të veçantë, është e përcaktuar në tabelat që tregojnë elementet e kërkuara të etiketës për çdo klasë rreziku, në pjesët 2 dhe 5, të shtojcës I.
4.3 Në rastin kur fjala sinjalizuese “Rrezik” vendoset në etiketë, fjala sinjalizuese “Kujdes” nuk vendoset në etiketë.
5. Deklaratat e rrezikut
5.1 Etiketa përmban deklaratat përkatëse të rrezikut, në përputhje me klasifikimin e substancës ose përzierjes së rrezikshme.
5.2 Deklaratat e rrezikut, për çdo klasifikim, përcaktohen në tabelat që tregojnë elementet e kërkuara të etiketës për secilën klasë rreziku, në pjesët 2 dhe 5, të shtojcës I.
5.3 Kur një substancë është e përfshirë në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit të harmonizuar të substancave të rrezikshme, deklarata e rrezikut përdoret në etiketë për çdo klasifikim të veçantë, të mbuluar nga hyrja në atë listë, së bashku me deklaratat e rrezikut të përmendura në paragrafin 2, për çdo klasifikim tjetër që nuk mbulohet nga ky listim.
5.4 Deklaratat e rrezikut formulohen në përputhje me shtojcën III.
6. Deklaratat parandaluese
6.1 Etiketa përmban deklaratat parandaluese përkatëse.
6.2 Deklaratat parandaluese përzgjidhen nga ato të përcaktuara në tabelat në pjesët 2 deri në 5, të shtojcës I, që tregojnë elementet e etiketës për çdo klasë rreziku.
6.3 Deklaratat parandaluese përzgjidhen në përputhje me kriteret e përcaktuara në pjesën I, të shtojcës IV, duke marrë parasysh deklaratat e rrezikut dhe qëllimin e përdorimit ose identifikimin e përdorimit apo përdorimet e substancës ose përzierjes.
6.4 Deklaratat parandaluese formulohen në përputhje me pjesën 2, të shtojcës IV.
7. Përjashtimet nga kërkesat e etiketimit për raste të veçanta
7.1 Parashikimet specifike për etiketimin, të cilat janë parashikuar në seksionin 1.3, të shtojcës I, zbatohen për:
a) cilindrat e gazit të transportueshëm;
b) mbajtësit e gazit, të parashikuar për propan, butan ose gaz të lëngshëm të naftës;
c) aerosolet dhe kontejnerët e përshtatur me sprucator të mbyllur, të atashuar pajisjes, që përmbajnë substanca ose përzierje të klasifikuara si të rrezikshme për frymëmarrjen;
ç) metalet në forma masive, aliazhet, përzierjet që përmbajnë polimere, përzierjet që përmbajnë elastomere;
d) eksplozivët, të referuar në seksionin 2.1, të shtojcës I, të vendosur në treg me qëllim përftimin e efektit shpërthyes ose piroteknik.
8. Informacioni plotësues në etiketë
8.1 Deklaratat përfshihen në etiketë, në seksionin për infomacion shtesë, kur një substancë ose përzierje e klasifikuar si e rrezikshme ka vetitë fizike ose vetitë për shëndetin, të referuara në seksionet 1.1 dhe 1.2, të shtojcës II.
Deklaratat formulohen në përputhje me seksionet 1.1 dhe 1.2, të shtojcës II, dhe pjesës 2, të shtojcës III.
Kur një substancë është e përfshirë në Listën e Harmonizuar të Klasifikimit dhe Etiketimit të substancave të rrezikshme, çdo deklaratë plotësuese e rrezikshmërisë, e dhënë atje për substancën, përfshihet në informacionin plotësues në etiketë.
8.2 Kur një substancë ose përzierje e klasifikuar si e rrezikshme është brenda fushës së veprimit të legjislacionit specifik për produktet për mbrojtjen e bimëve, deklarata përfshihet në etiketë, në seksionin për infomacion shtesë.
Deklarata formulohet në përputhje me pjesën 4, të shtojcës II, dhe pjesën 3, të shtojcës III.
8.3 Furnizuesi mund të përfshijë në etiketë informacion plotësues, në seksionin për informacion plotësues, ndryshe nga ai i referuar në pikat 8.1 dhe 8.2, me kusht që ky informacion të mos e bëjë më të vështirë identifikimin e elementeve të etiketës, të referuar në shkronjat ‟a” deri në ‟ë”, të pikës 1.1, të këtij kreu, si dhe të jap detaje të mëtejshme dhe të mos bjerë në kundërshtim ose të vërë në dyshim vlefshmërinë e informacionit të specifikuar nga këta elemente.
8.4 Deklarata të tilla si “jotoksike”, “jo të dëmshme”, “jondotëse”, “ekologjike” ose çdo deklaratë tjetër që tregon se substanca apo përzierja nuk është e rrezikshme, ose çdo deklaratë tjetër që është e papajtueshme me klasifikimin e kësaj substance apo përzierjeje, nuk duhet të shfaqet në etiketën ose ambalazhin e çdo substance ose përzierjeje.
8.5 Kur përzierja përmban ndonjë substancë të klasifikuar si të rrezikshme, ajo etiketohet në përputhje me pjesën 2, të shtojcës II.
8.6 Deklaratat formulohen në përputhje me pjesën 3, të shtojcës III, dhe vendosen në etiketë në seksionin informacion plotësues.
Etiketa përfshin, gjithashtu, identifikuesin e produktit, referuar në pikën 2, të këtij kreu, emrin, adresën dhe numrin e telefonit të furnizuesit të përzierjes.
9. Parimet e përparësisë për piktogramat e rrezikut
9.1 Në rastin kur klasifikimi i substancës ose përzierjes rezulton në më shumë se një piktogramë rreziku në etiketë, për të reduktuar numrin e kërkuar të piktogramave të rrezikut zbatohen rregullat e më poshtme të përparësisë:
a) Në qoftë se zbatohet piktograma e rrezikut “GHS01”, përdorimi i piktogramave të rrezikut “GHS02” dhe “GHS03” do të jetë fakultativ, me përjashtim të rasteve kur më shumë se një nga këto piktograma rreziku janë të detyrueshme;
b) Në qoftë se zbatohet piktograma e rrezikut “GHS06”, piktograma e rrezikut “GHS07” nuk do të shfaqet;
c) Në qoftë se zbatohet piktograma e rrezikut “GHS05”, piktograma e rrezikut “GHS07”, për irritimin e lëkurës ose të syve, nuk do të shfaqet;
ç) Në qoftë se piktograma e rrezikut “GHS08” zbatohet për ndjeshmërinë në frymëmarrje, piktograma e rrezikut “GHS07”, për ndjeshmërinë e lëkurës ose për acarimin e lëkurës dhe të syve, nuk do të shfaqet;
d) Në qoftë se zbatohet piktograma e rrezikut “GHS02” ose “GHS06”, përdorimi i piktogramave të rrezikut “GHS04” nuk është i detyrueshëm.
9.2 Kur klasifikimi i substancës ose përzierjes rezulton në më shumë se një piktogramë rreziku, për të njëjtën klasë rreziku, etiketa përfshin piktogramën e rrezikut që i përket kategorisë më të ashpër të rrezikut, për secilën klasë rreziku që lidhet me të.
9.3 Për substancat e përfshira në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit të harmonizuar, të cilat janë, gjithashtu, objekt i klasifikimit, sipas kreut II, të këtij vendimi, etiketa përfshin piktogramën e rrezikut që i përket kategorisë më të ashpër të rrezikut, për çdo klasë rreziku përkatëse.
10. Përparësia për deklaratat e rrezikut
10.1 Në qoftë se substanca ose përzierja klasifikohet në disa klasa të ndryshme rreziku ose diferencime të një klase rreziku, të gjitha deklaratat e rrezikut, që rezultojnë nga klasifikimi, shfaqen në etiketë, nëse nuk ka përsëritje të dukshme ose të tepërta.
11. Përparësia për deklaratat parandaluese
11.1 Kur, nga përzgjedhja e deklaratave parandaluese, rezultohet në disa deklarata parandaluese, qartësisht të tepruara ose të panevojshme për substancën, përzierjen ose ambalazhin specifik të dhënë, deklarata të tilla hiqen nga etiketa.
11.2 Kur substanca ose përzierja i shpërndahet publikut të gjerë, në etiketë jepet deklarata parandaluese në lidhje me asgjësimin e asaj substance ose përzierje si dhe asgjësimin e ambalazhit, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk kërkohet, sipas pikës 6, të këtij kreu.
11.3 Në rastet e tjera, kur asgjësimi i substancës, përzierjes ose ambalazhit nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut ose mjedisin, deklarata parandaluese për asgjësimin nuk kërkohet.
11.4 Në etiketë nuk vendosen më shumë se gjashtë deklarata parandaluese, me përjashtim të rasteve kur është e nevojshme të pasqyrohet natyra dhe ashpërsia e rrezikut.
12. Përjashtimet nga kërkesat e etiketimit dhe ambalazhimit
12.1 Kur ambalazhi i substancës ose përzierjes është në një formë të tillë ose është aq i vogël sa është e pamundur të përmbushë kërkesat e pikës 14, të këtij kreu, për etiketën, elementet e etiketës jepen në përputhje me pikën 1.1, të këtij kreu, dhe me seksionin 1.5.1, të shtojcës I.
12.2 Në qoftë se informacioni i plotë i etiketës nuk mund të jepet në mënyrën e specifikuar në pikën 12.1, të këtij kreu, informacioni i etiketës mund të reduktohet, në përputhje me seksionin 1.5.2, të shtojcës I.
12.3 Kur substanca ose përzierja e rrezikshme, e referuar në pjesën 5, të shtojcës II, i shpërndahet publikut të gjerë e paambalazhuar, ajo shoqërohet nga një kopje e elementeve të etiketës, në përputhje me pikën 1, të këtij kreu.
12.4 Për përzierje të caktuara, të klasifikuara si të rrezikshme për mjedisin, mund të përcaktohen përjashtime për parashikimet e caktuara për etiketimin mjedisor ose dispozitat specifike në lidhje me etiketimin mjedisor, në rastin kur tregohet se mund të ketë një reduktim të ndikimit në mjedis. Përjashtime të tilla, specifike, janë përcaktuar në pjesën 2, të shtojcës II.
13. Përditësimi i informacionit në etiketë
13.1 Furnizuesi merr masat për përditësimin e etiketës, duke ndjekur çdo ndryshim për klasifikimin dhe etiketimin e asaj substance ose përzierje, në rastet kur rreziku i ri është më i ashpër ose kur elementet e rinj, plotësues, të etiketimit kërkohen në përputhje me pikën 8, të këtij kreu, duke marrë parasysh natyrën e ndryshimit në lidhje me mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit. Furnizuesit bashkëpunojnë, në përputhje me pikën 5.8, të kreut 1, të këtij vendimi, për të plotësuar ndryshimet në etiketë.
13.2 Kur në etiketë kërkohen ndryshime të tjera nga ato të referuara në pikën 13.1, të këtij kreu, furnizuesi siguron përditësimin e etiketës brenda 18 muajve.
13.3 Furnizuesi i substancës ose përzierjes, që mbulohet nga legjislacioni specifik për produktet për mbrojtjen e bimëve ose produktet biocide, përditëson etiketën në përputhje me atë legjislacion.
14. Rregulla të përgjithshme për zbatimin e etiketave
14.1 Etiketat vendosen të fiksuara në një ose më shumë sipërfaqe të ambalazhit që mban drejtpërsëdrejti substancën ose përzierjen, në mënyrë të tillë që të lexohet horizontalisht kur ambalazhi vendoset poshtë normalisht.
14.2 Ngjyra dhe paraqitja e çdo etikete duhet të jetë e tillë që piktograma e rrezikut të dallohet qartë.
14.3 Elementet e etiketës, referuar në pikën 1, të këtij kreu, duhet të jenë qartësisht të lexueshme dhe të mos fshihen. Ato duhet të dallohen qartë nga sfondi dhe të jenë të përmasave dhe hapësirave të tilla që të lexohen lehtësisht.
14.4 Forma, ngjyra dhe përmasa e piktogramës së rrezikut si dhe përmasat e etiketës janë të përcaktuara në seksionin 1.2.1, të shtojcës I.
14.5 Etiketa nuk kërkohet kur elementet e etiketës, të përcaktuara në përputhje me pikën 1.1, të këtij kreu, shfaqen qartë në vetë ambalazh. Në raste të tilla, kërkesat e pikës 16, të këtij kreu, të pikës 1, të kreut IV, dhe të pikës 1, të kreut V, që janë të aplikueshme për etiketën, zbatohen në informacionin e shfaqur në ambalazh.
15. Pozicioni i informacionit në etiketë
15.1 Piktogramat e rrezikut, fjalët sinjalizuese, deklaratat e rrezikut dhe deklaratat parandaluese vendosen së bashku në etiketë.
15.2 Furnizuesi përcakton renditjen e deklaratave të rrezikut në etiketë. Megjithatë, në kushtet e pikës 15.4, të këtij kreu, të gjitha deklaratat e rrezikut grupohen në etiketë sipas gjuhës.
15.3 Grupet e deklaratave të rrezikut dhe grupet e deklaratave parandaluese, referuar në pikën 15.2, të këtij kreu, vendosen së bashku në etiketë, sipas gjuhës.
15.4 Informacioni plotësues jepet në seksionin për informacionin plotësues, referur në pikën 8, të këtij kreu, dhe vendoset me elementet e tjera, të përcaktuara në pikën 1.1, të këtij kreu.
15.5 Ngjyra, përveç përdorimit të saj në piktogramat e rrezikut, mund të përdoret edhe në pjesë të tjera të etiketës, për të zbatuar kërkesat e veçanta të etiketimit.
15.6 Elemente të etiketës, të parashikuara në legjislacion tjetër specifik, vendosen në etiketë, në seksionin për informacionin plotësues, referuar pikës 8, të këtij kreu.
16. Rregulla të veçanta për etiketimin e ambalazhit të jashtëm, ambalazhit të brendshëm dhe ambalazhit më vete
16.1 Kur një ambalazh përbëhet nga ambalazhi i brendshëm dhe i jashtëm, së bashku me çdo ambalazh të ndërmjetëm, kur ambalazhi i jashtëm përmbush kërkesat për etiketimin, në përputhje me rregullat për transportin e mallrave të rrezikshme, ambalazhi i brendshëm dhe çdo ambalazh i ndërmjetëm etiketohet, në përputhje me këtë vendim. Ambalazhi i jashtëm, gjithashtu, mund të etiketohet, në përputhje me këtë vendim. Kur piktograma/t e rrezikut, të kërkuara nga ky vendim, lidhen me të njëjtin rrezik, si ai i parashikuar në legjislacionin specifik për transportin e mallrave të rrezikshme, piktograma/t e rrezikut të kërkuara nga ky vendim nuk janë të nevojshme të shfaqen në ambalazhin e jashtëm.
16.2 Kur për ambalazhin e jashtëm të një ambalazhi nuk kërkohet përmbushja e kërkesave të etiketimit, në përputhje me legjislacionin specifik për transportin e mallrave të rrezikshme, ambalazhi i jashtëm dhe ai i brendshëm, përfshirë dhe çdo ambalazh të ndërmjetëm, etiketohen në përputhje me këtë vendim. Në qoftë se ambalazhi i jashtëm lejon që të shihet qartë etiketimi i ambalazhit të brendshëm ose të ndërmjetëm, ambalazhi i jashtëm nuk ka nevojë të etiketohet.
16.3 Ambalazhet më vete, që përmbushin kërkesat e etiketimit, në përputhje me legjislacionin specifik për transportin e mallrave të rrezikshme, etiketohen në përputhje me këtë vendim si dhe me legjislacionin specifik për transportin e mallrave të rrezikshme. Kur piktogramat e rrezikut, të kërkuara nga ky vendim, lidhen me të njëjtin rrezik, si ai në legjislacionin specifik për transportin e mallrave të rrezikshme, piktogramat e rrezikut, të kërkuara nga ky vendim, nuk janë të nevojshme të shfaqen.
17. Emri kimik alternativ i kimikateve
17.1 Në dokumentacionin me të dhënat e sigurisë ose në etiketën e ambalazhit të substancës së rrezikshme apo substancave të rrezikshme në një përzierje mund të përdoret emri kimik alternativ, duke u shfrytëzuar emri me të cilin identifikohen grupet më të rëndësishme funksionale kimike ose orientime të tjera të përshtatshme.
17.2 Prodhuesi, importuesi ose përdoruesi profesional i kimikateve të rrezikshme njofton ministrinë për përdorimin e emrit kimik alternativ të substancës së rrezikshme që gjendet në përzierje.
17.3 Emri kimik alternativ për kimikatet mund të përdoret në rastet kur emri i substacës mund të zbulojë konfidencialitetin e punës ose cenon të drejtën në pronësinë intelektuale, nën kushtet që emri kimik alternativ të ofrojë informacione të mjaftueshme, që lidhen me sigurinë nga kimikati i rrezikshëm.
17.4 Ministria përshkruan vetitë e substancës, për të cilën mund të përdoret emri kimik alternativ, si dhe përmbajtjen e njoftimit, referuar pikës 17.2, të këtij kreu.
17.5 Ministria vendos për lejimin ose moslejimin e përdorimit të emrit kimik alternativ, nëse ekzistojnë informacione bindëse se emri kimik alternativ ofron ose nuk ofron informacione të mjaftueshme për të marrë masa të nevojshme për siguri nga kimikati në ambiente të punës, për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, gjatë përdorimit të tij.
17.6 Për vendimin, referuar pikës 17.5, të këtij kreu, mund të bëhet ankesë në ministri.
17.7 Vendimi, referuar pikës 5, të këtij kreu, është përfundimtar dhe për kundërshtimin e tij bëhet ankimim administrativ në gjykatën administrative, në një afat kohor prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të vendimit përfundimtar.
KREU IV
AMBALAZHIMI
1. Ambalazhimi
1.1 Ambalazhi që mban një substancë ose përzierje të rrezikshme duhet të përmbushë këto kërkesa:
a) Të projektohet dhe të ndërtohet në mënyrë të tillë që ajo ç’ka ai përmban të mos dalë jashtë, me përjashtim të rasteve kur përshkruhen më shumë pajisje të tjera sigurie;
b) Materialet që përbëjnë ambalazhin dhe pajisjen mbyllëse duhet të jenë të tilla që të mos dëmtohen nga substanca e ambalazhuar ose nuk duhet të veprojë me ato substanca, për të formuar përbërës të rrezikshëm;
c) Ambalazhi dhe pajisjet mbyllëse duhet të jenë të forta dhe të qëndrueshme në të gjitha anët, në mënyrë që të sigurojnë që kimikatet të mos humbasin dhe të përballojnë, në mënyrë të sigurtë, shtypjet normale dhe tensionet e trajtimit;
ç) Ambalazhi, i pajisur me pajisje mbyllëse të zëvendësueshme, projektohet në mënyrë të tillë që ai të mbyllet në mënyrë të përsëritur, pa lejuar daljen e asaj ç’ka ai përmban.
1.2 Ambalazhi që përmban një kimikat të rrezikshëm, i cili i shpërndahet publikut, nuk duhet të ketë as formë dhe as dizenjo të tillë që mund të tërheqë ose zgjojë kuriozitetin e fëmijëve, të çorientojë konsumatorët ose të kenë paraqitje të ngjashme apo dizenjo të përdorur për ushqime, ushqim për kafshët ose produkte mjekësore apo kozmetike.
1.3 Në rastin kur ambalazhi mban një substancë ose përzierje që përmbush kërkesat në seksionin 3.1.1, të shtojcës II, ai pajiset me një mbyllës rezistent për fëmijët, në përputhje me seksionet 3.1.2, 3.1.3 dhe 3.1.4.2, të shtojcës II.
1.4 Në rastin kur ambalazhi mban një substancë ose përzierje që përmbush kërkesat e seksionit 3.2.1, të shtojcës II, ai duhet të mbajë një paralajmërim të rrezikut që vjen nëpërmjet prekjes, në përputhje me përcaktimet në seksionin 3.2.2, të shtojcës II.
1.5 Në rastin kur një kimikat, i përcaktuar si një detergjent larës i lëngshëm për konsum, në përputhje me legjislacionin që mbulon detergjentët, gjendet në një ambalazh të tretshëm për një përdorim të vetëm, zbatohen kërkesat shtesë të seksionit 3.3, të shtojcës II.
1.6 Ambalazhi i kimikateve konsiderohet që përmbush kërkesat e shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1.1, të këtij kreu, në qoftë se përputhet me kërkesat e legjislacionit specifik për transportin e mallrave të rrezikshme në rrugë ajrore, detare, rrugore, hekurudhore ose rrugët ujore të brendshme të lundrueshme.
KREU V
LISTA E KLASIFIKIMIT DHE ETIKETIMIT
1. Substancat, klasifikimi dhe etiketimi i të cilave kryhet sipas listës së klasifikimit dhe etiketimit
1.1 Një substancë klasifikohet dhe etiketohet sipas Listës së Klasifikimit dhe Etiketimit, të referuar në shtojcën VI, të këtij vendimi, vetëm nëse përmbush kriteret e përcaktuara në shtojcën I, si më poshtë vijon:
a) Substancë sensitive për organet e frymëmarrjes, kategoria 1 (shtojca I, seksioni 3.4);
b) Mutagjene për qelizat gjenetike, kategoria e rrezikut 1A, 1B ose 2 (shtojca I, seksioni 3.5);
c) Kancerogjene, kategoria 1A, 1B ose 2 (shtojca I, seksioni 3.6);
ç) Toksike për riprodhimin, kategoria 1A, 1B ose 2 (shtojca I, seksioni 3.7).
1.2 Klasifikimi dhe etiketimi i një subtance që është substancë aktive në kuadër të legjislacionit specifik për produktet për mbrojtjen e bimëve ose produkteve biocide kryhet mbi bazën e Listës së Klasifikimit dhe Etiketimit.
1.3 Klasifikimi dhe Etiketimi i një substance që përmbush kriteret për klasat e tjera të rrezikut ose diferencimeve nga ato të referuara në pikën 1, të këtij kreu, dhe që nuk përfshihen në pikën 2, të këtij kreu, mund të shtohet në Listën e Klasifikimit dhe Etiketimit rast pas rasti, nëse sigurohet informacioni që e justifikon këtë veprim.
KREU VI
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Mospërmbushja e kërkesave të këtij vendimi përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 40, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
2. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet juridike me hyrjen në fuqi të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe institucionet e ngarkuara në ligjin nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, për zbatimin e këtij vendimi.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPËRNDARJEN E PJESSHME TË TË ARDHURAVE NGA PRIVATIZIMI I SHOQËRISË “INSIG”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 9, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kufiri i shpenzimeve kapitale dhe niveli i deficitit buxhetor, miratuar në ligjin nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, shtohet me 1 100 000 000 (një miliard e njëqind milionë) lekë nga të ardhurat e realizuara nga privatizimi i shoqërisë “INSIG”, sh.a.
2. Fondi prej 1 100 000 000 (një miliard e njëqind milionë) lekësh i shtohet kufirit të shpenzimeve kapitale të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, në programin “Transporti rrugor”, për projektin “Ndërtim rruge: Unaza e Re e Tiranës (segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës) loti 1”.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË RINOVUAR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË “MICROSOFT CORPORATION”, PËR PROJEKTIN E PARTNERITETIT STRATEGJIK NË FUSHËN E TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 17 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 10 e 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, dhe të ligjit nr.9380, datë 28.4.2005, “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes së rinovuar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “Microsoft Corporation”, për projektin e partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizohet ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së rinovuar të partneritetit strategjik me shoqërinë “Microsoft Corporation”.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Financave dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GARANCISË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH), NË LIDHJEME MARRËVESHJEN E HUAS, NDËRMJET KORPORATËS ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH), PËR PROJEKTIN “SHQIPËRIA: PLANI I RISTRUKTURIMIT TË KESH-IT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin “Shqipëria: Plani i ristrukturimit të KESH-it”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.3 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR TERMINALIN E TRAGETEVE TË PORTIT TË DURRËSIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.3 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për terminalin e trageteve të Portit të Durrësit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “LEZHË – SHËNGJIN”(SHTESA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Lezhë – Shëngjin”(shtesa).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “arë”, me shumën 705 990 (shtatëqind e pesë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë) lekë, nga të cilat:
– truall, me sipërfaqe 176 m2, me vlerë 604 560 (gjashtëqind e katër mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë) lekë;
– arë, me sipërfaqe 230 m2, me vlerë 101 430 (njëqind e një mijë e katërqind e tridhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “truall” dhe “arë”, prej 705 990 (shtatëqind e pesë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ZHVILLIM INDUSTRIAL (UNIDO), PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT PËR NJË STRUKTURË GLOBALE MJEDISI (SGM), PROJEKT ME MADHËSI MESATARE, “ENERGJIA E BIOMASËS PËR PËRDORIM PRODUKTIV PËR NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME (NVM) NË SEKTORIN E VAJIT TË ULLIRIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO), për zbatimin e projektit për një strukturë globale mjedisi (SGM), projekt me madhësi mesatare, “Energjia e biomasës për përdorim produktiv për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në sektorin e vajit të ullirit”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KLASIFIKIMIN E PRODUKTEVE BIOCIDE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.95/2015, “Për shërbimet dhe produktet biocide”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Personat fizikë ose juridikë, që aplikojnë për autorizim për vendosjen në treg dhe për përdorimin e produkteve biocide në territorin e Republikës së Shqipërisë, klasifikojnë, etiketojnë dhe ambalazhojnë produktet biocide sipas përmbledhjes së karakteristikave të produktit biocid, në përputhje me përcaktimet për rrezikun e kujdesin dhe me kërkesat e përcaktuara në ligjin nr.27, datë 17.3.2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, dhe në vendimin që rregullon klasifikimin, etiketimin dhe ambalazhimin e kimikateve. Përmbledhja e karakteristikave të produktit biocid bëhet sipas legjislacionit për kriteret e vlerësimit të produkteve biocide dhe procedurën e dhënies së autorizimit të vendosjes në treg të produkteve biocide.
2. Sipas objektit të veprimit, produktet biocide klasifikohen në 22 tipe produktesh biocide, të grupuara në 4 fusha kryesore sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Një produkt biocid konsiderohet produkt biocid me rrezikshmëri të ulët nëse plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Të gjitha lëndët vepruese që përmbahen në produktin biocid i janë nënshtruar procesit të vlerësimit të produkteve biocide dhe procedurës së dhënies së autorizimit të vendosjes në treg të produkteve biocide;
b) Produkti biocid nuk përmban asnjë lëndë që paraqet shqetësim;
c) Produkti biocid nuk përmban nanomateriale;
ç) Produkti biocid është mjaft efektiv;
d) Manipulimi i produktit biocid dhe përdorimi i synuar i tij nuk kërkojnë pajisje mbrojtëse personale.
4. Produktet biocide që kanë në përbërjen e tyre agjentë biologjikë, që janë ose mund të jenë të rrezikshëm për njerëzit, klasifikohen në bazë të “Listës së agjentëve të klasifikuar në grupet 2, 3 dhe 4”, të përcaktuar në pjesën 2, të shtojcës III, të vendimit nr.550, datë 27.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores, “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë””.
5. Ambalazhimi i produkteve biocide duhet të jetë i tillë që të mos lejojë ngatërrimin me ushqime apo pije. Nëse produktet biocide janë të disponueshme edhe për publikun e gjerë, ambalazhimi duhet të përmbajë elemente që dekurajojnë konsumin e tyre, dhe në mënyrë të veçantë, nuk duhet të jetë tërheqës për fëmijët.
6. Përmbajtja e etiketës nuk duhet të jetë çorientuese lidhur me risqet e produktit për shëndetin e njerëzve, kafshëve, mjedisit ose për efikasitetin e tij, dhe në asnjë rast, nuk duhet të shënohen në të indikacione “produkt biocid me risk të ulët”, “jotoksik”, “i padëmshëm”, “natyral”, “nuk dëmton mjedisin”, “i padëmshëm për kafshët” apo indikacione të ngjashme.
7. Çdo lëndë biocide duhet të jetë e pajisur me etiketën përkatëse në gjuhën shqipe. Në etiketë duhet të përmbahen në mënyrë të lexueshme, lehtësisht të kuptueshme dhe të pashlyeshme këto elemente:
a) Emërtimi dhe përqendrimi i çdo lënde aktive në sistem metrik;
b) Nanoproduktet që mund të përmbahen, çdo risk specifik të lidhur me to dhe pas çdo reference për nanomaterialet vendoset fjala “nano” në thonjëza;
c) Numri i autorizimit të produktit biocid, dhënë nga autoriteti kompetent;
ç) Emri dhe adresa e mbajtësit të autorizimit;
d) Tipi i formulimit;
dh) Përdorimet për të cilat është autorizuar;
e) Udhëzime për përdorimin, dozat dhe frekuenca e aplikimit, shprehur në njësi metrike në mënyrë të kuptueshme për përdoruesin, për secilin përdorim për të cilin është dhënë autorizimi;
ë) Të dhëna për efektet e mundshme anësore, direkte ose indirekte, udhëzime për ndihmën e parë;
f) Nëse shoqërohet me fletë shpjeguese, vendoset fjalia “Përpara përdorimit lexoni instruksionet bashkëngjitur” dhe, aty ku aplikohet, të ketë paralajmërime për grupet vulnerabël.
g) Udhëzime për nxjerrjen e sigurt jashtë përdorimit të produktit dhe ambalazhit të tij, përfshirë ndalimin e përdorimit të ambalazhimit, kur kjo është e përshtatshme;
gj) Numrin e lotit ose identifikuesin e produktit, sasinë neto, datën e prodhimit, datën e skadencës në kushte normale ruajtjeje;
h) Kur është e aplikueshme, periudhën e kohës që nevojitet për efektin biocid, intervalin për t’u observuar midis aplikimeve të produktit biocid, ose midis aplikimit dhe përdorimit të produktit të trajtuar ose aksesit të njerëzve ose kafshëve në zonën ku janë përdorur produktet biocide, përfshirë anë të veçanta lidhur me mjetet dhe masat për dekontaminimin dhe kohëzgjatjen e nevojshme të ventilimit në zonat e trajtuara; të dhëna për pastrimin e mjaftueshëm të pajisjeve, të dhëna lidhur me masat mbrojtëse gjatë përdorimit e transportit;
i) Ku është e aplikueshme, kategoritë e përdoruesve për të cilën produkti biocid është i kufizuar;
j) Ku është e aplikueshme, informacion mbi ndonjë rrezik të veçantë për mjedisin, në veçanti për mbrojtjen e organizmave jotarget dhe shmangien e ndotjes së ujit;
k) Produktet biocide që kanë në përbërjen e tyre agjentë biologjikë etiketohen duke përdorur shenjën “biohazard”, të paraqitur në shtojcën II, të vendimit nr.550, datë 27.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores, “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”” dhe të tjera shenja paralajmëruese përkatëse.
8. Nëse është e nevojshme, për shkak të funksionit të produktit biocid ose madhësisë së ambalazhit, informacionet që referohen në shkronjat “d”, “e”, “ë”, “g”, “gj”, “h” dhe “j”, të pikës 7, të këtij vendimi mund të jenë të shënuara mbi ambalazhim ose mbi një fletë shoqëruese, që është pjesë përbërëse e ambalazhimit.
9. Autoriteti kompetent përcakton modelin apo draftin e ambalazhimit, etiketës dhe fletës shoqëruese.
10. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË SUBSTANCAVE ME RREZIKSHMËRI SHUMË TË LARTË (SVHC) E TË KRITEREVE PËR PËRFSHIRJEN E SUBSTANCAVE NË LISTËN SVHC DHE LËSHIMIN E NJË AUTORIZIMI TË KUSHTËZUAR ME QËLLIM VAZHDIMIN E PËRDORIMIT TË SVHC-VE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 20, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Për qëllime të këtij vendimi të gjithë termat kanë të njëjtin kuptim me termat e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, ndërsa termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) “Klasifikimi i toksicitetit specifik me objektiv një organ (TSOO)/(STOT)”, klasifikimi i substancës bazuar në toksicitetin specifik me objektiv një organ të caktuar, si rezultat i ekspozimit të përsëritur ndaj një substance ose përzierjeje substancash;
b) “Grup substancash”, substancat, vetitë fiziko-kimike, toksikologjike dhe ekotoksikologjike të të cilave janë të ngjashme për shkak të ngjashmërisë strukturore që ato kanë.
2. Ky vendim nuk zbatohet për fushat e përcaktuara në pikën 5, të nenit 4, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
3. Këtij vendimi i bashkëlidhen shtojcat e mëposhtme që janë pjesë përbërëse të tij:
a) Shtojca I “Lista e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë, në vazhdim lista SVHC”;
b) Shtojca II “Kriteret për identifikimin e substancave të qëndrueshme, bioakumuluese e toksike, dhe shumë të qëndrueshme e shumë bioakumuluese”;
c) Shtojca III “Analiza social-ekonomike”.
KREU II
LISTA E SUBSTANCAVE ME RREZIKSHMËRI SHUMË TË LARTË DHE KRITERET PËR PËRFSHIRJEN E TYRE NË LISTËN SVHC
1. Substancat me rrezikshmëri shumë të lartë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, tani e tutje lista SVHC, janë substancat e listuara në shtojcën 1, të këtij vendimi, që përfshijnë kategoritë e mëposhtme:
a) Kategoritë mutagjene 1A ose 1B;
b) Kategoritë kancerogjene 1A ose 1B;
c) Kategoritë toksike për riprodhueshmërinë 1A ose 1B;
ç) Substancat që janë të qëndrueshme, të bioakumulueshme dhe toksike;
d) Substancat që janë shumë të qëndrueshme, shumë të bioakumulueshme;
dh) Substancat, të tilla si ato, që kanë veti endokrine ose ato që kanë veti të qëndrueshme, bioakumulative dhe toksike ose veti shumë të qëndrueshme dhe shumë të bioakumulueshme, të cilat nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara për substancat në shkronjat “ç” ose “d”, për të cilat ka të dhëna shkencore mbi efektet e mundshme të rënda për shëndetin e njeriut apo mjedisin, që çojnë në një nivel të njëjtë të rrezikut me ato të substancave të tjera të listuara në shkronjat nga “a” deri “d” dhe të cilat janë identifikuar rast pas rasti.
2. Kriteret për klasifikimin e substancave në klasën e rrezikut për qelizat embrionale në kategoritë mutagjene 1A ose 1B janë përcaktuar në tabelën nr.1, në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Kriteret për klasifikimin e substancave në klasën e rrezikut për kategoritë kancerogjene 1A ose 1B janë të përcaktuara në tabelën nr.2, në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Kriteret për klasifikimin e substancave në klasën e rrezikut për kategoritë toksike për riprodhueshmërinë 1A ose 1B, që kanë efekte negative në funksionet seksuale dhe fertilitetin apo në zhvillimin e tyre, janë të përcaktuara në tabelën nr.3, në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Substanca të qëndrueshme të bioakumulueshme dhe toksike “QBT” janë ato substanca që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Qëndrueshmërinë
Një substancë është e qëndrueshme dhe përmbush kriterin (Q-) kur:
i. gjysmëjeta e substancës në ujërat detare është më e madhe se 60 ditë; ose
ii. gjysmëjeta e substancës në ujërat e ëmbla ose në grykëderdhje është më e madhe se 40 ditë; ose
iii. gjysmëjeta e substancës në sedimentet detare është më e madhe se 180 ditë; ose
iv. gjysmëjeta në sedimentet e ujërave të ëmbla ose të grykëderdhjeve është më e madhe se 120 ditë; ose
v. gjysmëjeta e substancës në tokë është më e madhe se 120 ditë.
Vlerësimi i qëndrueshmërisë në mjedis do të bazohet në të dhënat e mundshme të grumbulluara në kushte të përshtatshme për gjysmëjetën e substancës, të cilat do të përshkruhen nga regjistruesi.
b) Bioakumulimin
Një substancë është e bioakumulueshme dhe përmbush kriterin (B-) kur faktori i bioakumulimit (FBK) është më i lartë se 2 000. Vlerësimi i bioakumulimit do të bazohet në të dhënat e matura për biopërqendrimin në speciet ujore të ujërave të ëmbla dhe atyre detare.
c) Toksicitetin
Një substancë plotëson kriterin e toksicitetit (T-) kur:
i. përqendrimi i efektit, ku nuk vërehen efekte afatgjata për organizmat e ujërave detare ose të ujërave të freskëta, është më i vogël se 0,01 mg/l; ose
ii. substanca klasifikohet si kancerogjene (Kategoritë 1A ose 1B), mutagjene për qelizat embrionale (Kategoritë 1A ose 1B), ose toksike për riprodhimin (Kategoritë 1A, 1B ose 2); ose
iii. ka të dhëna të tjera të toksicitetit kronik, siç është identifikuar nga klasifikimet STOT, kategoria 1 (nëpërmjet gojës, lëkurës, thithjes nëpërmjet hundës të gazeve/avujve, thithjes nëpërmjet hundës të pluhurit/mjegullës/tymrave), ose kategoria 2 (nëpërmjet gojës, lëkurës, thithjes nëpërmjet hundës të gazeve/avujve, thithjes nëpërmjet hundës të pluhurit/mjegullës/tymrave);
iv. kategoritë 1 (1A dhe 1B) dhe kategoria 2 për substancat kancerogjene, mutagjene për qelizat embrionale ose substancat toksike për riprodhimin janë përshkruar në shtojcën 2.
6. Substanca shumë të qëndrueshme dhe shumë të bioakumulueshme “shQshB” janë ato substanca që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Qëndrueshmërinë
Një substancë është shumë e qëndrueshme dhe përmbush kriterin (shQ-) kur:
i. gjysmëjeta e substancës në ujërat detare, të ëmbla ose në grykëderdhje është më e madhe se 60 ditë; ose
ii. gjysmëjeta e substancës në sedimentet e ujërave detare, e ujërave të ëmbla ose e grykëderdhjeve është më e madhe se 180 ditë; ose
iii. gjysmëjeta e substancës në tokë është më e madhe se 180 ditë.
b) Bioakumulimin
Një substancë përmbush kriterin e bioakumulimit (shB-) kur faktori i biopërqendrimit është më i lartë se 5 000.
KREU III
DETYRIME TË PËRGJITHSHME PËR AUTORIZIMIN E KUSHTËZUAR PËR VAZHDIMIN E PËRDORIMIT TË SVHC-VE
1. Ndalohet vazhdimi i vendosjes në treg me qëllim vazhdimin e përdorimit të mëtejshëm të SVHC-ve që gjenden në shtojcën 1, të këtij vendimi, nga prodhuesi, importuesi ose përdoruesi profesional pas datës 1 tetor 2019. Nga afati i përcaktuar për ndalimin e vendosjes në treg përjashtohen rastet kur:
a) përdorimi/et e substancës në formën e saj të pastër, në përzierje ose si përbërës i një artikulli, për të cilin substanca vendoset në treg ose përdoret nga vetë prodhuesi, importuesi ose përdoruesi profesional, është autorizuar në mënyrë të kushtëzuar nga ministria, në përputhje me përcaktimet në pikat 2-4, të këtij kreu;
b) përdorimi/et e kësaj substance në formën e saj të pastër, në përzierje ose si përbërës i një artikulli, për të cilin substanca vendoset në treg ose përdoret nga vetë ata, është përjashtuar nga kërkesa për autorizim në përputhje me përdorimet apo kategoritë e përdorimeve të përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
c) nuk është arritur data përfundimtare (1 tetor 2019) e përcaktuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, që ndalon vendosjen në treg;
ç) aplikimi për autorizim të kushtëzuar është bërë 12 muaj përpara datës përfundimtare (sunset) të përcaktuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, por ende nuk është marrë një vendim mbi aplikimin për lëshimin e autorizimit të kushtëzuar;
d) substanca është vendosur në treg dhe autorizimi i kushtëzuar për përdorimin e kërkuar i është dhënë përdoruesit të tij të drejtpërdrejtë.
2. Përdoruesi profesional mund të vazhdojë të përdorë një substancë që përmbush kriteret e përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, duke siguruar që përdorimi i saj të jetë në përputhje me autorizimin e kushtëzuar, që i është lëshuar për të njëjtin përdorim prodhuesit ose importuesit që e furnizon atë.
3. Detyrimet e përcaktuara në krerët III dhe IV, të këtij vendimi, nuk zbatohen:
a) në rastin kur substanca përdoret për qëllime kërkimore dhe zhvillime shkencore, përjashtimisht rasteve të përcaktuara në shtojcën I, për produkte dhe procese të orientuara për kërkim e zhvillim si dhe sasinë maksimale të lejuar;
b) në produktet e mbrojtjes së bimëve, sipas legjislacionit në fuqi për produktet e mbrojtjes së bimëve;
c) në produktet biocide sipas legjislacionit në fuqi për produktet biocide;
ç) në rastin e lëndëve djegëse motorike, sipas legjislacionit në fuqi për cilësinë e lëndëve djegëse, benzinë dhe diesel;
d) në rastin e lëndëve djegëse në impiantet djegëse të lëvizshme ose fikse të produkteve të vajit mineral dhe në rastin e përdorimit si lëndë djegëse në sisteme të mbyllura.
4. Në rastin e substancave që janë subjekt i një autorizimi të kushtëzuar sepse përmbushin kriteret e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, ose sepse janë identifikuar në përputhje me shkronjën “dh”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, vetëm për rreziqet që shkaktojnë në shëndetin e njerëzve, përjashtimet sipas pikave 1 dhe 2, të këtij kreu, nuk zbatohen për përdorimet e mëposhtme:
a) Në produktet kozmetike, sipas legjislacionit në fuqi për produktet kozmetike;
b) Në materialet që bien në kontakt me ushqimin sipas legjislacionit në fuqi për materialet dhe artikujt në kontakt me ushqimet.
5. Pikat 1 dhe 2 të këtij kreu nuk zbatohen për përdorimet e substancave kur ato janë prezente në përzierjet, si më poshtë:
a) Substancat referuar shkronjave “d”, “e” dhe “f”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, nën limitin e përqendrimit 0,1 % peshë në peshë (ë/ë);
b) Të gjitha substancat e tjera, nën limitin e përqendrimit të specifikuar në pjesën 3, të aneksit VI, të vendimit në fuqi që rregullon klasifikimin e substancave dhe që rezultojnë si të rrezikshme mbi bazën e klasifikimit të përzierjes.
KREU IV
DHËNIA E AUTORIZIMIT TË KUSHTËZUAR PËR VAZHDIMIN E PËRDORIMIT TË SVHC-VE
1. Ministri përgjegjës për mjedisin i propozon Këshillit të Ministrave vendimin për lëshimin e autorizimit të kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve dhe projektautorizimin në përputhje me përcaktimet në këtë kre.
2. Autorizimi i kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve lëshohet në qoftë se rreziku për shkak të vetive të brendshme të SVHC-ve të specifikuara në shtojcën 1, të këtij vendimi, për shëndetin e njeriut ose mjedisin, kontrollohet në mënyrë të përshtatshme në përputhje me kërkesat e raportit të vlerësimit të sigurisë kimike.
3. Zyra e kimikateve për hartimin e autorizimit përcakton kushtet për vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve duke marrë në konsideratë të gjitha shkarkimet dhe humbjet, përfshirë risqet që lindin nga përdorimet difuse ose dispersive, të njohura në kohën e përcaktimit.
4. Përjashtim nga kjo procedurë janë risqet në shëndetin e njeriut që lindin nga përdorimi i një substance në një pajisje mjekësore, të cilat janë të rregulluara me legjislacionin në fuqi për pajisjet mjekësore.
5. Autorizimi i kushtëzuar nuk lëshohet për:
a) substancat që plotësojnë kriteret e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” ose “dh”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, për të cilat nuk mund të përcaktohet pragu limit i nivelit të ekspozimit, sipas rregullave dhe metodave për kryerjen e vlerësimit të sigurisë së kimikateve;
b) substancat që plotësojnë kriteret e përcaktuara në shkronjat “ç” dhe “d”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi;
c) substancat e identifikuara sipas shkronjës “dh”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, të cilat kanë veti të qëndrueshme, bioakumulative dhe toksike ose shumë të qëndrueshme dhe shumë bioakumulative;
ç) Për përdorime që bien ndesh me kufizimet e përcaktuara në vendimin e referuar në pikën 2, të nenit 22, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
6. Nëse referuar përcaktimeve në pikat 2, 3, 4 dhe 5, të këtij kreu, autorizimi i kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve nuk lëshohet, atëherë një autorizim i kushtëzuar mund të lëshohet vetëm nëse tregohet se përfitimet socio-ekonomike nga përdorimi i substancës janë më të rëndësishme se risku që sjell për shëndetin e njeriut ose mjedisin dhe nëse nuk ka substanca ose teknologji alternative të tjera të mundshme. Ky vendim merret pasi të jenë marrë në konsideratë të gjitha elementet e mëposhtme:
a) Risku i paraqitur nga përdorimi i substancës, përfshirë edhe masat e propozuara të përshtatshme dhe efikase për menaxhimin e riskut;
b) Përfitimet socio-ekonomike që lindin nga vazhdimi i përdorimit të substancës si dhe kostot negative social-ekonomike që rrjedhin nga refuzimi i autorizimit, siç tregohet nga aplikanti ose palë të tjera të interesuara;
c) Analiza e alternativave të dorëzuara nga aplikanti, në përputhje me shkronjën “d”, të pikës 5, të kreut VI, të këtij vendimi, ose ndonjë plan zëvendësimi i substancës në përputhje me shkronjën “dh”, të pikës 5, të kreut VI, të këtij vendimi;
ç) Informacioni që disponohet mbi risqet në shëndetin e njeriut ose mjedisin të ndonjë substance ose teknologjie alternative.
7. Zyra e kimikateve kryen vlerësimin e substancave ose teknologjive alternative të mundshme, duke marrë në konsideratë:
a) nëse kalimi në alternativa të tjera si dhe masat e përshtatshme e efikase për menaxhimin e riskut ndikojnë në zvogëlimin e përgjithshëm të risqeve për shëndetin e njeriut ose mjedisin;
b) mundësitë teknike dhe ekonomike të aplikantit për zbatimin e këtyre alternativave.
8. Shqyrtimi i aplikimit për autorizim të kushtëzuar bëhet vetëm nëse aplikimi dorëzohet në zyrën e kimikateve përpara datës 1 tetor 2018 dhe në përputhje me kërkesat e kreut VI, të këtij vendimi.
9. Autorizimi i kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve lëshohet për një periudhë kohore të kufizuar. Afatet kohore përcaktohen rast pas rasti duke marrë në konsideratë të gjithë informacionin e duhur, përfshirë edhe elementet e përcaktuara në pikën 6, të këtij kreu.
10. Autorizimi i kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve përmban të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin e personit/ave fizik/ë ose juridik/ë të cilit/ëve u lëshohet autorizimi;
b) Identitetin e SVHC-së;
c) Sasinë e SVHC-së;
ç) Qëllimin e përdorimin dhe të dhënat për përdoruesin/it për të cilin/cilët autorizimi është lëshuar;
d) Kushtet sipas të cilave autorizimi është lëshuar;
dh) Periudhën e rishikimit të afateve kohore;
e) Masat për monitorimin.
11. Pavarësisht nga kushtet e përcaktuara në autorizimin e kushtëzuar, zotëruesi i saj merr të gjitha masat teknikisht dhe praktikisht të mundshme që sigurojnë zvogëlimin e shkallës së ekspozimit të SVHC-së.
KREU V
RISHIKIMI I AUTORIZIMIT TË KUSHTËZUAR PËR VAZHDIMIN E PËRDORIMIT TË SVHC-SË
1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, pezullon autorizimin e kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-së, në rastin kur:
a) preken interesat kombëtare që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit ose kur ekziston një risk serioz e i menjëhershëm për shëndetin e njeriut apo mjedisin;
b) përdorimi i asaj substance ndalohet ose kufizohet mbas kohës së dhënies së autorizimit, në përputhje me legjislacionin specifik mbi ndotësit organikë të qëndrueshëm.
2. Autorizimi i kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-së rishikohet në rastin kur aplikuesi nuk përmbush standardet e cilësisë së mjedisit, të përcaktuara në lejen e mjedisit në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU VI
PROCEDURA PËR APLIKIMIN PËR AUTORIZIM TË KUSHTËZUAR PËR VAZHDIMIN E PËRDORIMIT TË SVHC-SË
1. Aplikimi për autorizim të kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-së kryhet nga aplikuesi që është prodhues, importues dhe/ose përdorues profesional i substancës.
2. Aplikimi kryhet nga një ose disa aplikantë së bashku. Kërkesa bëhet për përdorimin e substancës/ave nga vetë aplikanti/tët dhe/ose për përdorime për të cilat ai synon ta vendosë në treg.
3. Aplikuesi dorëzon në ministri kërkesën për pajisjen me autorizim të kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-së, e cila shqyrtohet nga zyra e kimikateve.
4. Kërkesa për autorizim të kushtëzuar mund të bëhet për një apo disa substanca që plotësojnë përkufizimin e një “grupi substancash” sipas përcaktimit në shkronjën “b”, të pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, si dhe për një ose disa përdorime/për një ose disa përdorues.
5. Kërkesa për autorizim të kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-së përfshin informacionin, si më poshtë vijon:
a) Identitetin e substancës/ave, në përputhje me përcaktimet e vendimit të referuar në pikën 2, të nenit 22, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;
b) Emrin dhe të dhënat e kontaktit të aplikantit/ëve që bëjnë kërkesën;
c) Sasinë dhe qëllimin e përdorimit të substancës, përzierjes apo substancës si pjesë përbërëse e një artikulli;
ç) Raportin e vlerësimit të sigurisë kimike që mbulon rreziqet që sjell për shëndetin e njeriut dhe/ose mjedisin përdorimi i substancës;
d) Një analizë të alternativave për zëvendësimin e SVHC-së, duke marrë në konsideratë rreziqet e tyre dhe mundësitë ekonomike e teknike për zbatimin e tyre si dhe përfshirjen, në rast se ka, të informacionit mbi aktivitetet përkatëse kërkimore dhe zhvillimore që kryen aplikanti;
dh) Një plan zëvendësimi të substancës/ave, ku përfshihen masat e propozuara dhe afatet kohore për realizimin e tyre nga aplikanti, në rastin kur analiza referuar në shkronjën “d”, më lart tregon se janë të mundshme alternativa të përshtatshme, duke marrë në konsideratë edhe elementet e përcaktuara në pikën 7, të kreut IV, të këtij vendimi;
e) Një analizë social-ekonomike të kryer në përputhje me shtojcën III, bashkëlidhur këtij vendimi;
ë) Argumentet për marrjen ose jo në konsideratë të rreziqeve në shëndetin e njeriut dhe mjedisin që vijnë nga:
i. shkarkimet e një instalimi ekzistues për të cilin është dhënë leje mjedisi në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet e mjedisit; ose
ii. derdhjet e një substance nga një pikë tjetër burimore, referuar legjislacionit për menaxhimin e integruar të ujërave nga ndotja.
f) Mandatpagesën e tarifës së aplikimit në përputhje me nenin 42, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
6. Aplikimi nuk përfshin vlerësimin e rreziqeve që sjell në shëndetin e njeriut dhe mjedisin përdorimi i asaj substance në pajisjet mjekësore, e rregulluar nga legjislacioni specifik për pajisjet mjekësore.
7. Ministria harton autorizimin e kushtëzuar dhe organizon dëgjesën me palët e interesuara sipas legjislacionit në fuqi, përpara dërgimit të projektvendimit në Këshillin e Ministrave.
8. Ministri propozon në Këshillin e Ministrave projektvendimin për lëshimin e autorizimit të kushtëzuar për vazhdimin e përdorimit të SVHC-së, brenda 10 muajve nga afati final për aplikim, duke argumentuar marrjen apo jo në konsideratë të mendimeve të palëve të interesuara.
KREU VII
DETYRIMET E ZOTËRUESIT TË AUTORIZIMIT TË KUSHTËZUAR
Zotëruesi/it e autorizimit të kushtëzuar të SVHC-së vendosin numrin e vendimit të autorizimit mbi etiketën e substancës ose përzierjes që e përmban atë substancë, përpara vendosjes së tyre në treg sapo numri i vendimit të autorizimit të bëhet i disponueshëm publikisht.
KREU VIII
PËRDORUESIT
1. Përdoruesit profesionalë që përdorin një substancë në përputhje me pikën 2, të kreut III, të këtij vendimi, njoftojnë zyrën e kimikateve brenda tre muajve nga data e furnizimit të parë me atë substancë.
2. Zyra e kimikateve krijon dhe përditëson regjistrin, referuar nenit 27, të të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, me të dhënat e përdoruesve profesionalë, të cilët kanë bërë njoftimin në përputhje me pikën 1, të këtij kreu. Zyra e kimikateve i jep të drejtën për akses në këtë regjistër të gjitha palëve të interesuara.
KREU IX
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Mospërmbushja e kërkesave të këtij vendimi përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas pikave 27 dhe 28, të nenit 40, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe institucionet e ngarkuara në ligjin nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet juridike me hyrjen në fuqi të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË PJESSHME TË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË SHËNDETËSISË, PËR DREJTORITË E SPITALEVE RAJONALE, ELBASAN DHE KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së pjesshme të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë, për drejtoritë e spitaleve rajonale, Elbasan dhe Korçë.
Lista me 3 (tre) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Shëndetësisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1128, DATË 5. 8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN E MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 6 e 10, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e vendimit nr.1128, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Mallrat rezervë materiale shtetërore, që nuk financohen nga buxheti i shtetit, në çdo kohë transferohen pa pagesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit te subjektet shtetërore ose u shiten subjekteve private, sipas miratimit të organit, që ka këtë kompetencë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9270, DATË 29.7.2004, “PËR SISTEMIN E ADRESAVE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9270, datë 29.7.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRËN E ANËTARIT TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Znj. Diana Shtylla, anëtar i Këshillit të Statistikave, përfaqësues i Bankës së Shqipërisë, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Rudina Lilaj emërohet në detyrën e anëtarit të Këshillit të Statistikave, përfaqësues i Bankës së Shqipërisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.8, datë 14.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MBROJTJEN E SHTRESAVE NË NEVOJË, PËR EFEKT TË HEQJES SË FASHËS SË KONSUMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE DERI NË 300 KWH NË MUAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 1, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.8, datë 14.1.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “c”, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, pension pleqërie fshati ose pension social, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.”.
b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie ose pension social që janë me banim në fshat, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët.”.
2. Pas paragrafit të parë, të pikës 2, shtohen paragrafi i dytë dhe i tretë, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur në të njëjtën familje ka dy pensionistë të vetëm dhe kontrata është në emër të pensionistit jokryefamiljar, kompensimin e përfiton pensionisti në emër të të cilit është kontrata e energjisë elektrike.
Në rastet kur, si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi u akordohet personave përfitues të pensionit familjar.”.
3. Pas paragrafit të parë, të pikës 3, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Edhe nëse përfituesi plotëson kriteret e përfitimit, kompensimi nuk përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit.”.
II. Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi përllogariten në shumën 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë dhe përballohen brenda fondeve të buxhetit të sigurimeve shoqërore të vitit 2016.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
Edi Rama
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.84/2012, “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “MODERNIZIMI I ASISTENCËS SOCIALE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 dhe 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së huas, të ratifikuar me ligjin nr.84/2012, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Modernizimi i asistencës sociale””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA ÇËSHTJE TË DOKUMENTIMIT TË PERIUDHAVE TË SIGURIMIT DHE VJETËRSISË NË PUNË, PËR EFEKT PENSIONI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 91/1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të njihen vjetërsi pune për efekt pensioni periudhat e punës të kryera nga personat e punësuar në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe vitet e punës të ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore, sipas dokumentimit në regjistrat e vjetërsisë në punë, në rastet kur të gjitha fletët e regjistrit ose vite pune të veçanta në të gjitha fletët e regjistrit janë të dokumentuara me laps.
2. Në rastet kur vjetërsia e punës ose elemente të veçanta të fletës individuale të regjistrit janë të plotësuara me laps dhe nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e tyre në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative, saktësia e të dhënave të regjistrit ose vërtetimi i fakteve bëhet me vendim të gjykatës.
3. Në rastet kur rubrika të veçanta të fletëve individuale të regjistrave të vjetërsisë në punë janë të paplota, evidentojnë fillimin por jo mbarimin e periudhës së punës, nuk janë të shkruara dukshëm ose kanë gërma të rishkruara, janë të dëmtuara fizikisht ose të padallueshme për shkak të periudhës së gjatë nga data e krijimit të fondit arkivor, mungojnë elemente të veçanta të identifikimit të personit ose janë të shkruara me shkurtime dhe, për rrjedhojë, me të dhënat e fletës së regjistrit nuk mund të provohet e gjithë periudha e sigurimit ose pjesë të saj, të kërkuara dhe dokumentuar nga personi i interesuar, strukturat përgjegjëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore marrin në konsideratë të dhëna të tjera dokumentare, të prodhuara nga organe shtetërore, të cilat indirekt i shërbejnë vërtetimit dhe plotësimit të periudhave të sigurimit.
4. Në zbatim të pikës 3, të këtij vendimi, për dokumentimin e vjetërsisë në punë, për efekt pensioni, përveç të dhënave të dokumentuara në librezën e punës, në regjistrat e vjetërsisë në punë, në listëpagesat apo borderotë dhe vërtetimet e lëshuara nga ndërmarrjet dhe institucionet me objekt vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dokumente alternative plotësuese do të shërbejnë edhe të dhënat e regjistrave themeltarë të punonjësve, indekset e regjistrave të vjetërsisë në punë, librat kontabël me të dhënat individuale të pagave mujore, vendime të organeve shtetërore qendrore, lokale dhe të ndëmarrjeve e institucioneve, për emërimet, transferimet, kualifikimet, ngritjen në pagë apo kalimin nga një detyrë në tjetrën, si dhe dokumente të tjera shtetërore, që mund të gjenden në dosjet personale të punonjësve dhe që i shërbejnë këtij qëllimi. Saktësimi i periudhave të sigurimit nëpërmjet dokumenteve dhe të dhënave të tjera arkivore bëhet me vendime të komisioneve të posaçme. Rregullat e funksionimit dhe procedurat administrative të punës së komisioneve përcaktohen me vendim të Këshillit Administrativ të ISSH-së, i ngritur në zbatim të neneve 72, 73, dhe 74, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, të evidentuara në pikën 4, të këtij vendimi, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë. Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve.
6. Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr të gjitha masat, që, brenda 6 muajve nga data e këtij vendimi, të skanojë dhe të evidentojë në një bazë të dhënash të veçantë të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të përmbajtjes së tyre.
7. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA, 2016 – 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara, 2016 – 2020, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR MBROJTJEN E PUNËMARRËSVE NGA RISQET LIDHUR ME ASBESTIN NË VENDIN E PUNËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 38, pika 2, shkronja “c”, dhe 39, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet lidhur me asbestin në vendin e punës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe institucionet në varësi të tyre për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet 2 (dy) vjet pas hyrjes në fuqi.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.