Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Shtator 2018:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.60, DATË 31.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2018 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.60, datë 31.1.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet “… 1 995 punonjës.”;
b) Në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit, të përmendur në pikën 1, të tij, në ndarjen “Gr.78, institucione të tjera qeveritare”, shtohet nënndarja “Departamenti i Administratës Publike”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Në pikën 2, të vendimit, pas emërtesës “specialist në Sekretariatin Teknik të Komisionit të Dhënies së Dëshmisë së Statusit të Naftëtarit” shtohet emërtesa “Punonjës shërbimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”.
2. Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit e kontraktuar bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Departamentin e Administratës Publike për vitin 2018.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 500 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10251, DATË 11.3.2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 500 000 eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10251, datë 11.3.2010, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 10 750 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10250, DATË 11.3.2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 10 750 000 eurosh, ratifikuar me ligjin nr.10250, datë 11.3.2010, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 37 750 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10249, DATË 11.3.2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 37 750 000 eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10249, datë 11.3.2010, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.203, DATË 16.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NЁ PЁRGJEGJЁSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E KULTURЁS, TЁ PRONЁS NR.186, ME EMЁRTIM “REPARTI USHTARAK NR.3042, QENDЁR STЁRVITORE”, ME VENDNDODHJE NЁ SAUK, TIRANЁ, DHE PЁR NJЁ NDRYSHIM NЁ VENDIMIN NR.515, DATЁ 18.7.2003, TЁ KЁSHILLIT TЁ MINISTRAVE, “PЁR MIRATIMIN E LISTЁS SЁ INVENTARIT TЁ PRONAVE TЁ PALUAJTSHME SHTETЁRORE, TЁ CILAT I KALOJNЁ NЁ PЁRGJEGJЁSI ADMINISTRIMI MINISTRISЁ SЁ MBROJTJES”, TЁ NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 2, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 3, të vendimit nr.203, datë 16.3.2016, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve…” shfuqizohen.
2. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PUNONJESVE ME ARSIM TË LARTË NË SISTEMIN E MINISTRISË SË SHENDETËSISË DHE SPITALIN USHTARAK QENDROR UNIVERSITAR, NË SISTEMIN E MINISTRISË SË MBROJTJES, TË PUNONJËSVE TË INFERMIERISTIKËS NË SISTEMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË E MINISTRISË SË MBROJTJES, SI DHE PËR TRAJTIMIN E MJEKËVE NË STRUKTURAT E FORCAVE TË ARMATOSURA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, si dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 2, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Kreu 1.2 zëvendësohet me kreun 1.2, me titull “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ii. Në kreun 1.4, pas emërtimit “Zëvendësdrejtor” shtohet nënndarja, si më poshtë vijon:
Drejtor drejtorie 1 2% 65.000
b) Në lidhjen nr.2, të përmendur në pikën 3, kreu 2.2 shfuqizohet.
2. Efektet financiare, për vitin 2018, të përballohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për këtë vit, dhe të fillojnë:
a) për punonjësit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, nga momenti i transferimit të punonjësve në pozicionet e reja pas miratimit të strukturave dhe të organikave përkatëse;
b) për parashikimet e tjera, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E OFRUARA NGA QENDRA E SHËRBIMEVE ARSIMORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9, pikat 2 e 3, 10 dhe 101, pikat 1 e 2, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 9, pika 7, 10 e 13, shkronja “c”, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore për qytetarët, institucionet e arsimit të lartë, institucionet e tjera dhe palët e treta, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Tarifat e përcaktuara sipas pikës 1, të këtij vendimi, arkëtohen, parapaguhen para ofrimit të shërbimit përkatës, pranë bankave të nivelit të dytë ose zyrave të Postës Shqiptare, në adresë të Degës së Thesarit Tiranë, me përfitues Qendrën e Shërbimeve Arsimore, Tiranë.
3. Të ardhurat e arkëtuara nga tarifat e parapaguara për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore janë të pakthyeshme.
4. Pjesa prej 90% e të ardhurave, që i takon Qendrës së Shërbimeve Arsimore, autorizohet dhe përdoret me strukturë të veçantë buxhetore në programin buxhetor 09450, kapitulli 06, “Të ardhurat e veta jashtë limitit”.
5. Të ardhurat që sigurohen nga këto tarifa menaxhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe përdoren për:
a) mbulimin e shpenzimeve të personelit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në shpenzime personeli përfshihen pagat e punonjësve si dhe kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore;
b) mbulimin e shpenzimeve të veprimtarisë së Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ku përfshihen dhe mbulimi i shpenzimeve të hartimit, vlerësimit e korrigjimit të testeve të provimeve si dhe pagesa e kuotave/tarifave në rrjetet ndërkombëtare;
c) mbulimin e shpenzimeve për investime në përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të QSHA-së.
6. Çdo shërbim tjetër i ofruar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi apo i ngarkuar nga ministri përgjegjës për arsimin, për të cilin nuk aplikohet tarifë shërbimi sipas këtij vendimi, financohet nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin.
7. Të ardhurat e papërdorura gjatë një viti financiar kalojnë në vitin pasardhës.
8. Vendimi nr.812, datë 10.11.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për provimin e shtetit”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHURIMIN UNESCO-S TË IKONËS “NGJALLJA E LLAZARIT”, NË KUADËR TË 60-VJETORIT TË ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË KËTË ORGANIZATË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhurimin UNESCO-s të ikonës “Ngjallja e Llazarit”, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, me të dhënat sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Dhurimi i ikonës “Ngjallja e Llazarit” UNESCO-s të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil dhe sigurimin e kushteve për ruajtjen e këtij objekti muzeor gjatë transportimit të tij brenda dhe jashtë vendit.
3. Ngarkohet Ministria e Kulturës për lidhjen e kontratës së dhurimit.
4. Ngarkohet Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Arsimit dhe Arkelologjik, Korçë, të kryejë procedurat për shoqërimin e ikonës “Ngjallja e Llazarit” deri në dorëzimin e saj tek UNESCO-ja.
5. Ngarkohet Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e veprimit të dhurimit të ikonës dhe monitorimin deri në tjetërsimin e pronësisë së veprës.
6. Ngarkohet ministri i Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E KRYERJES SË KONTROLLIT TË VEPRIMTARISË E TË ZBATIMIT TË LEGJISLACIONIT PËR NDIHMËN EKONOMIKE DHE AFTËSINË E KUFIZUAR NË STRUKTURAT E VARËSISË SË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR DHE PRANË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “e”, të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kontrolli i ndihmës ekonomike dhe pagesës për personat me aftësi të kufizuar bëhet nga struktura përgjegjëse në Shërbimin Social Shtetëror, në nivel qendror dhe rajonal, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
2. Kontrolli i strukturave rajonale dhe me përzgjedhje në njësitë e vetëqeverisjes vendore bëhet nga struktura përgjegjëse e Shërbimit Social Shtetëror në nivel qendror, bazuar në planin vjetor të kontrollit dhe në programet mujore në zbatim të tij. Programi i kontrollit miratohet nga titullari i institucionit, sipas modelit standard, të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
3. Kontrolli i njësive të vetëqeverisjes vendore nga strukturat përgjegjëse në Shërbimin Social Shtetëror në nivel rajonal bazohet në planin vjetor të kontrollit dhe në programet mujore në zbatim të tij. Programi i kontrollit miratohet nga titullari i institucionit, sipas modelit standard, të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
4. Programi i kontrollit duhet të përmbajë:
a) subjektet, që do të kontrollohen;
b) llojin e kontrollit, që do të ushtrohet;
c) periudhën, për të cilën do të bëhet kontrolli;
ç) objektivat, që duhet të realizohen.
5. Kontrolli programohet për çdo muaj. Kontrolli mund të jetë i plotë ose tematik, sipas analizës së riskut. Në çdo rast, përpara kryerjes së kontrollit subjekti njoftohet me shkrim për fillimin e kontrollit, qëllimin si dhe objektivat që do të realizohen. Kontrolli nga struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar, në nivel qendror ose rajonal, do të jetë, si më poshtë vijon:
a) Struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar në nivel qendror kryen kontroll të plotë një herë në dy vjet për strukturat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe, duke zbatuar metodën me përzgjedhje, në bazë të analizës së riskut, kryen kontrolle tematike për veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore;
b) Struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në nivel rajonal kryen kontroll të plotë një herë në dy vjet në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore si dhe kontrolle tematike, sipas analizës së riskut, në përputhje me programin e kontrollit, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.
6. Kontrolli mund të jetë i paparalajmëruar, në rastet kur ka sinjalizime për abuzime ose shkelje ligjore nga subjekti përkatës.
7. Sinjalizime konsiderohen:
a) njoftime me shkrim ose me mjete të tjera komunikimi të personave të interesuar për veprimtarinë e subjektit, pasi ky veprim të jetë vlerësuar si abuziv;
b) njoftime ose ankime të çdo forme, nga entet publike;
c) raporte specifike, të gjeneruara nga sistemi.
8. Grupi i kontrollit në nivel qendror ushtron kontroll për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike për:
a) veprimtarinë e strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe, me përzgjedhje, të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike;
b) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësi administrative, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit të ndihmës ekonomike, duke kryer me përzgjedhje, sipas analizës së riskut, kontrolle tematike;
c) procedurën e kryerjes së verifikimeve automatike në drejtoritë rajonale, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike, dhe verifikimeve manuale, nëse ka;
ç) procedurën e vendimmarrjes për familjet aplikuese dhe përfituese të ndihmës ekonomike;
d) performancën e strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në kryerjen e kontrollit të ndihmës ekonomike në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
9. Grupi i kontrollit të strukturave rajonale ushton kontroll për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike për:
a) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësi administrative, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit përkatës për ndihmën ekonomike;
b) dokumentacionin dhe procedurën e kryerjes së aplikimeve në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike si dhe dokumentacionin në dosjen e përfituesit të ndihmës ekonomike;
c) dokumentacionin e kategorive përfituese të ndihmës ekonomike dhe afatin e vlefshmërisë së përfitimit, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) kryerjen e verifikimeve social-ekonomike nga administratorët shoqërorë, afatet dhe pasqyrimin e tyre në sistem;
d) përputhshmërinë e deklarimit të familjes përfituese me vizitën në shtëpi, të pasqyruar nga administratori shoqëror në sistem, nëpërmjet realizimit të verifikimeve social-ekonomike me përzgjedhje;
dh) familjet që kanë rezultuar me deklarim të rremë dhe afatin e përjashtimit të tyre nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë 6-mujore, sipas legjislacionit në fuqi;
e) deklarimet tremujore të ndryshimit të situatës social-ekonomike të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike;
ë) aplikimet e familjeve që kanë në përbërjen e tyre një person me aftësi të kufizuar, invalid pune etj.;
f) procedurën e ndjekur ndërmjet bashkisë dhe postës/bankës për rakordimin dhe marrjen e informacionit për listën emërore të familjeve që nuk kanë tërhequr ndihmën ekonomike brenda afatit si dhe ndjekjen e procesit të largimit të familjes nga përfitimi i ndihmës ekonomike;
g) përputhjen ndërmjet borderosë dhe thesarit, numrit të familjeve përfituese dhe shumave të përfitimit të ndihmës ekonomike;
gj) saktësinë e të dhënave në planifikimin e nevojave për fonde;
h) mënyrën e planifikimit të fondit të ndihmës ekonomike dhe plotësimin e të dhënave statistikore, sipas legjislacionit në fuqi;
i) procedurat dhe dokumentacionin e shpërndarjes së pagesave të ndihmës ekonomike për familjet që mbështeten me fondin deri në 6%, në bazë të kritereve të miratuara nga këshilli bashkiak dhe sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
j) dokumentacionin dhe pagesat e kompensimit të energjisë elektrike për familjet përfituese të skemës së ndihmës ekonomike.
10. Grupi i kontrollit në nivel qendror dhe rajonal ushtron kontroll për zbatimin e legjislacionit për personat me aftësi të kufizuar për:
a) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësitë administrative, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për pagesën e aftësisë së kufizuar;
b) dokumentacionin e përfitimeve të aftësisë së kufizuar në dosjen fizike të përfituesit;
c) përputhjen ndërmjet listëpagesave dhe thesarit, numrit të përfituesve dhe shumave të përfitimit të pagesës për aftësinë e kufizuar;
ç) saktësinë e të dhënave në planifikimin e nevojave për fonde;
d) mënyrën e planifikimit të fondit të pagesave të aftësisë së kufizuar, sipas legjislacionit në fuqi.
11. Grupi i kontrollit harton projektraportin për kontrollin e kryer dhe një kopje ia dorëzon subjektit të kontrolluar, i cili, brenda 10 ditëve pune paraqet vërejtjet apo kundërshtitë, nëse ka, të argumentuara me dokumentacionin përkatës.
12. Raporti përfundimtar i kontrollit bëhet nga grupi i kontrollit, i cili vlerëson vërejtjet apo kundërshtitë e subjektit të kontrolluar dhe jep argumentet përkatëse në raport.
13. Titullari i institucionit ia paraqet raportin përfundimtar:
a) Kryetarit të Bashkisë;
b) Prefektit të Qarkut;
c) Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror;
ç) Drejtorit Rajonal të Shërbimit Social Shtetëror.
14. Në raportin përfundimtar evidentohen të gjitha shkeljet e konstatuara nga strukturat përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar, propozimet përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe masat për personat përgjegjës, si më poshtë vijon:
a) Masë disiplinore për shkelje nga strukturat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, lidhur me:
i. verifikimin e të dhënave nëpërmjet regjistrit kombëtar elektronik dhe në autoritetet shtetërore përgjegjëse;
ii. caktimin e familjes/individëve në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike;
iii. refuzimin e përfitimit të ndihmës ekonomike;
iv. dërgimin e vendimit kryetarit të bashkisë.
b) Masë disiplinore për shkelje nga struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, lidhur me:
i. hartimin e projektvendimit për familjet/individët në nevojë/ përfituesit e pagesave të aftësisë së kufizuar;
ii. propozimin e tij në këshillin bashkiak;
iii. hartimin e kërkesave për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuar për buxhetin dhe projektbuxhetin për vitin pasardhës;
iv. grumbullimin dhe përgatitjen e informacioneve e të statistikave;
v. regjistrin e përfituesve;
vi. ndjekjen e shpenzimeve për ndihmën ekonomike dhe pagesat e personave me aftësi të kufizuar.
c) Masë disiplinore për shkelje, në lidhje me:
i. identifikimin e familjeve që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar;
ii. verifikimin e gjendjes shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë;
iii. paraqitjen e të dhënave pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki për familjet/individët në nevojë, të cilët kanë aplikuar për ndihmë ekonomike, dhe personat me aftësi të kufizuar;
iv. përgatitjen dhe administrimin e dokumentacionit për personat që aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës së aftësisë së kufizuar;
v. hartimin e kërkesave për bllokndihmën dhe fondin e pagesës së personave me aftësi të kufizuar çdo dymujor;
vi. hedhjen në regjistrin elektronik kombëtar të të dhënave të deklaruara nga aplikuesit për ndihmë ekonomike.
ç) Gjobë, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, në rastet kur vërehet që shkeljet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike, janë kryer në mënyrë të përsëritur;
d) Shpërblimin e dëmit nga administratori shoqëror dhe/ose familja dhe/ose punonjësi i strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, nëse konstatohet se është shkaktuar dëm ekonomik;
dh) Kallëzim penal, në rast se dyshohet se janë konsumuar elementet e veprës penale. Struktura përgjegjëse për kontrollin e ndihmës ekonomike dhe të pagesave për personat me aftësi të kufizuara, kur vlerëson se janë konsumuar elementet e veprës penale nga personat e ngarkuar për zbatim, bën kallëzimin penal pranë autoriteteve kompetente për shkelësit e ligjit.
Çdo shkelje e menaxhimit të fondeve buxhetore, që programohen e përdoren për ndihmën ekonomike dhe pagesën e aftësisë së kufizuar, kur nuk përbën vepër penale përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas përcaktimeve të nenit 71, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
15. Vendimi nr.512, datë 31.5.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e kryerjes së kontrollit të ndihmës ekonomike, të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve shoqërore”, i ndryshuar, shfuqizohet.
16. Ngarkohet ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për nxjerrjen e udhëzimeve për metodologjinë e kontrollit të pagesave të ndihmës ekonomike, metodologjinë e kontrollit të pagesave të aftësisë së kufizuar dhe mekanizmat e monitorimit.
17. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MASAT E PËRSHTATSHME PËR NXITJEN E NJOHJES SË KULTURËS, HISTORISË, GJUHËS DHE BESIMIT FETAR TË PAKICAVE KOMBËTARE NË VEPRIMTARINË MËSIMORE DHE SHKENCORE TË INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 13, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Institucionet publike të arsimit të lartë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre mësimore e shkencore shkencat shoqërore, sociale dhe ato të edukimit, të përfshijnë në veprimtarinë e tyre mësimore njohjen, hulumtimin dhe promovimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe besimit fetar të pakicave kombëtare.
2. Institucionet publike të arsimit të lartë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre mësimore e shkencore shkencat shoqërore, sociale dhe ato të edukimit të përfshijnë, të mbështesin dhe të inkurajojnë realizimin e veprimtarive kërkimore-shkencore lidhur me njohjen, hulumtimin dhe promovimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe besimit fetar të pakicave kombëtare.
3. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nëpërmjet aktiviteteve, fushatave sensibilizuese dhe koordinimit me institucionet e arsimit të lartë, promovon njohjen e kulturës, historisë, gjuhës dhe besimit fetar të pakicave kombëtare.
4. Efektet financiare të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve, fushatave sensibilizuese që do të ndërmerren me nismën e ministrisë përgjegjëse për arsimin, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare të nevojshme për zhvillimin e veprimtarive mësimore e shkencore, të realizuara nga institucionet e arsimit të lartë, do të përballohen nga të ardhurat e vetë institucioneve të arsimit të lartë.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PAJISJEN ME TEKSTE SHKOLLORE TË NXËNËSVE, FORMIMIN FILLESTAR, ZHVILLIMIN E MËTEJSHËM PROFESIONAL TË MËSUESVE, SI DHE PËR KRIJIMIN E FUNKSIONIMIN E KLASAVE NË GJUHËN E PAKICAVE KOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 13, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nxënësve të arsimit bazë të pakicave kombëtare, të cilët mësojnë dhe/ose mësohen në gjuhën e pakicës kombëtare, u sigurohen tekstet shkollore falas.
2. Ministria përgjegjëse për arsimin bashkërendon punën me institucionet publike të arsimit të lartë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre mësimore dhe shkencore shkencat shoqërore, sociale dhe ato të edukimit, për nevojat e formimit fillestar për mësues që do të zhvillojnë mësim në gjuhën e pakicave kombëtare.
3. Trajnimi dhe zhvillimi profesional i mësuesve që zhvillojnë mësim në gjuhën e pakicave kombëtare financohet me fondet e buxhetit të shtetit. Mësuesit trajnohen, të paktën 3 (tri) ditë në vit, me programe trajnimi të akredituara. Njësitë arsimore vendore organizojnë, koordinojnë dhe mbështesin zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve në nivel institucioni arsimor. Procedurat e trajnimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve në nivel institucioni arsimor përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.
4. Nisma për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare mund të merret nga:
a) njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse;
b) njësia arsimore vendore përkatëse;
c) komuniteti i zonës, ku pritet të hapen klasa të pakicave kombëtare.
5. Për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare, kryetari i bashkisë dhe titullari i njësisë përkatëse arsimore vendore, pas konsultimit me përfaqësues të pakicave kombëtare, i paraqesin propozimin përkatës ministrit përgjegjës për arsimin.
6. Propozimi për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare në institucionet arsimore parauniversitare publike shoqërohet me studimin mbi argumentimin e domosdoshmërisë së hapjes së klasave me nxënës të pakicave kombëtare, si dhe me kontributin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
7. Propozimi për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare paraqitet jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj para fillimit të vitit mësimor.
8. Klasat në gjuhën e pakicave kombëtare hapen kur plotësohen kriteret, si më poshtë vijon:
a) Ndërtesa e institucionit arsimor dhe mjediset e saj të plotësojnë standardet sipas legjislacionit në fuqi;
b) Institucioni arsimor të jetë i pajisur me mjete mësimore për funksionimin normal të procesit mësimor;
c) Numri i nxënësve të pakicave kombëtare të jetë jo më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) nxënës për klasë;
ç) Personeli mësimor i klasave me nxënës të pakicave kombëtare plotëson kriteret profesionale dhe është emëruar sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
9. Në kushte të veçanta, kur numri i fëmijëve apo i nxënësve të pakicave kombëtare është më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) nxënës për klasë, funksionimi i klasave në gjuhën amtare të pakicës kombëtare bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
10. Efektet financiare për pajisjen me tekste shkollore të nxënësve, zhvillimin e mëtejshëm profesional të mësuesve, si dhe për krijimin e funksionimin e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare të parashikohen në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.
11. Nisma për mbylljen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare mund të merret nga:
a) ministri përgjegjës për arsimin;
b) njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse;
c) njësia arsimore vendore përkatëse.
12. Kryetari i bashkisë dhe titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse, në rastet kur institucioni arsimor nuk përmbush kriteret e përcaktuara në pikën 8 të këtij vendimi, i paraqesin ministrit përgjegjës për arsimin propozimin për mbylljen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare në institucionin arsimor publik, pas konsultimit me përfaqësues të komunitetit të pakicës kombëtare, ku ndodhet institucioni arsimor publik.
13. Hapja dhe mbyllja e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
14. E drejta për arsim në gjuhën e pakicës kombëtare nuk duhet të cenojë mësimin e gjuhës shqipe.
15. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
BASHKËRENDIMIN E VEPRIMTARISË NDËRMJET MEKANIZMAVE KËSHILLIMORË DHE KOORDINUES INSTITUCIONALË DHE STRUKTURAVE NË NIVEL QENDROR E VENDOR, PËR ÇËSHTJET QË LIDHEN ME TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 34, pika 5, e 38, pika 4, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton rregullat për bashkërendimin e veprimtarisë ndërmjet mekanizmave këshillimorë dhe koordinues institucionalë dhe strukturave në nivel qendror e vendor, për çështjet që lidhen me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
2. Procesi i bashkërendimit të veprimtarisë, sipas pikës 1 të këtij vendimi, bazohet në:
a) parimin e informimit, nëpërmjet njoftimit dhe vënies në dispozicion të autoriteteve dhe mekanizmave shtetërorë të çdo informacioni, studimi, të dhënë apo iniciative në fushën e të drejtave të fëmijës dhe mbrojtjen e tyre.
b) parimin e konsultimit, nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve, komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës;
c) parimin e angazhimit të çdo organi shtetëror në nivel qendror e vendor të përfshirë sipas ligjit në çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës;
ç) parimin e bashkëpunimit dhe të dialogut konstruktiv.
3. Ministri që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës bashkëpunon me ministritë përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi, si dhe të detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, përmes:
a) hartimit e koordinimit të politikave, të akteve ligjore dhe nënligjore, studimeve, vlerësimeve, raportimeve, si dhe realizimit të projekteve të përbashkëta për monitorimin e raportimin e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës;
b) hartimit të udhëzimeve përkatëse lidhur me referimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje dhe mënyrat e format e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve në nivel qendror dhe strukturave në nivel rajonal ose vendor me strukturat e mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor;
c) ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për çështjet që lidhen me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
4. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës bashkëpunon me bashkitë lidhur me:
a) ngritjen e kapaciteteve për monitorimin dhe raportimin e të drejtave të fëmijëve në nivel vendor, me pjesëmarrjen e organizatave jofitimprurëse dhe të fëmijëve;
b) organizimin e aktiviteteve dhe të trajnimeve që synojnë rritjen e kapaciteteve lidhur me zbatimin, monitorimin dhe raportimin e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve;
c) hartimin, buxhetimin dhe zbatimin e planeve lokale për mbrojtjen e fëmijëve si pjesë e planeve sociale vendore;
ç) vendosjen dhe formalizimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të mbrojtjes së fëmijëve dhe organizatave jofitimprurëse me qëllim ofrimin e shërbimeve për menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje;
d) planifikimin, hartimin dhe zbatimin e programeve dhe projekteve që kanë në fokus mbrojtjen e fëmijëve.
5. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për shërbimet shoqërore dhe njësitë e mbrojtjes së fëmijëve në bashki dhe punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve në nivel njësie administrative lidhur me:
a) monitorimin e zbatimit të detyrave të këtyre strukturave, të përcaktuara në ligjin nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”;
b) mbështetjen teknike lidhur me menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje dhe lehtësimin e koordinimit ndërinstitucional për zbatimin e planit individual të mbrojtjes;
c) rritjen e kapaciteteve lidhur me zbatimin e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve;
ç) mbledhjen periodike të të dhënave statistikore për mbrojtjen e fëmijëve në territorin e bashkisë/njësisë administrative, të përcaktuara në aktet nënligjore, si dhe informacionit lidhur me aktivitetin e tyre, procesin, mënyrën e menaxhimit të rasteve dhe problematikave të hasura.
6. Strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në nivel qendror e vendor bashkëpunojnë ndërmjet tyre për:
a) identifikimin e adresimin institucional të problematikave lidhur me shërbimet sociale, shëndetësore, arsimore, ligjore, kulturore, regjistrimin e fëmijëve në gjendjen civile, si dhe çdo problematikë tjetër lidhur me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në nivel vendor;
b) referimin, raportimin dhe marrjen në mbrojtje të fëmijëve në nevojë për mbrojtje;
c) funksionimin efektiv të grupeve teknike ndërsektoriale në nivel bashkie/njësie administrative dhe përmbushjen e detyrimeve institucionale në kuadër të planit individual të mbrojtjes;
ç) kryerjen e trajnimeve dhe programeve të përbashkëta për kualifikimin e personave përgjegjës në këto struktura për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës dhe, në veçanti, lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë konkrete të tyre për:
i. realizimin, monitorimin e raportimin e të drejtave të fëmijëve;
ii. funksionimin në mënyrë efektive të grupit teknik ndërsektorial;
iii. zbatimin e planeve individuale të mbrojtjes së fëmijëve në nevojë për mbrojtjen dhe realizimin efektiv të mbrojtjes së fëmijëve.
d) shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve me qëllim monitorimin dhe raportimin e të drejtave të fëmijëve në nivel vendor.
7. Vendimi nr.266, datë 12.4.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për bashkërendimin e veprimtarisë së mekanizmave në nivel qendror e vendor për çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në nivel qendror e vendor, të përcaktuara në ligjin nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, si edhe institucionet qendrore, që kanë në fushën e veprimtarisë së tyre çështjet e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA