Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Shtator 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Shtator 2021:

 

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Krujë, Berat, Shkodër, Lezhë, Durrës, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Sarandë, Gjirokastër, Lushnjë, Fier, Zonat e Stimuluara dhe Korçë.

2. Masa e kompensimit është 93 262,6 (nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy presje gjashtë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 846 656 513,94 (tetëqind e dyzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e trembëdhjetë presje nëntëdhjetë e katër) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës 14, të shtojcës 1, përkatësisht nr.1, nr.5, nr.11, nr.18, nr.41, nr.44, nr.45, nr.50, nr.58, nr.63, nr.64, nr.67, nr.70, nr.71, nr.75, nr.77, nr.78, nr.82, nr.95, nr.97, nr.98, nr.105, nr.106, nr.115, nr.193, nr.203, nr.204, nr.212, nr.217, nr.237, nr.290, nr.291, nr.292, nr.317, nr.323, nr.324, nr.326, nr.327, nr.328, nr.335, nr.337, nr.338, nr.339, nr.340, nr.341, nr.342, nr.343, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Krujë, Berat, Shkodër, Lezhë, Durrës, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Sarandë, Gjirokastër, Lushnjë, Fier, Zonat e Stimuluara dhe Korçë, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LLOJEVE TË ARMATIMIT, TË LËNDËVE NEUROPARALIZUESE, TË MJETEVE DHE TË PAJISJEVE TË TJERA KUFIZUESE, PËR PËRDORIMIN E FORCËS NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 62, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e llojeve të armatimit, të lëndëve neuroparalizuese (lëndë kimike për kontrollin e turmave), të mjeteve dhe të pajisjeve të tjera kufizuese, për përdorimin e forcës nga Garda e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit të lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Deri në rinovimin e plotë të armatimit, strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë përdorin armatimin e pajisjet aktuale.

3. Vendimi nr.830, datë 1.12.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë me armatim dhe mjete teknike të posaçme”, i ndryshuar, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, KOSOVËS, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INTEGRIMIT EVROPIAN, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI-KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Integrimit Evropian, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri-Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË SPANJËS, SI SHTESË E KONVENTËS EVROPIANE PËR EKSTRADIMIN TË VITIT 1957

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, si shtesë e konventës evropiane për ekstradimin të vitit 1957, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË SPANJËS, PËR BASHKËPUNIMIN E PËRBASHKËT NË ARSIMIN E LARTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për bashkëpunimin e përbashkët në arsimin e lartë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES SË NËNKOMISARIT SAIMIR BILAL HOXHA, ISH-PUNONJËS POLICIE, I VRARË NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së Nënkomisarit Saimir Bilal Hoxha, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, i vrarë në krye të detyrës.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.20, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2021”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca 2, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2021.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.321, DATË 31.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS SË PYLLIT TË SODËS”, VLORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.321, datë 31.5.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 3, shifra “… 113 474 245 (njëqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë …” zëvendësohet me “… 115 886 616 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë”.

b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë tokë “truall” dhe “ndërtesë”, prej 115 886 616 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, do të përballohet, si më poshtë vijon:
i. Vlera 113 474 245 (njëqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
ii. Vlera 2 412 371 (dy milionë e katërqind e dymbëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e një) lekë të përballohet nga Bashkia Vlorë.”.

c) Shtojca 1 bashkëlidhur vendimit zëvendësohet me shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.335, DATË 6.6.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR REGJISTRIMIN, TË PROCEDURËS DHE KRITEREVE TË VLERËSIMIT TË PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 19, të ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.335, datë 6.6.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Kudo në përmbajtje të vendimit termi “aplikim” zëvendësohet me “kërkesë”, ndërsa termi “aplikues” zëvendësohet me “kërkues”.

2. Shkronja “ç”, e pikës 3, të kreut II, riformulohet, si më poshtë vijon:

“ç) Një përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB)”.

3. Shkronja “ç”, e pikës 5.4, të kreut II, riformulohet, si më poshtë vijon:

“ç) Modifikimin e etiketës së PMB-së, sipas përcaktimeve të pikës 4, të kreut VII”.

4. Pika 5.7, e kreut II, pika 7, e kreut IV, si dhe pika 1, e kreut V, shfuqizohen.

5. Pika 1, e kreut IV, riformulohet, si më poshtë vijon:

“1. Kërkesa për regjistrimin e PMB-së kryhet në sistemin on-line dhe përmban:

a) të dhënat teknike të dosjes së regjistrimit të PMB-së, në gjuhën shqipe ose angleze, të miratuar me urdhër të ministrit;
b) tё dhёnat që provojnё se PMB-ja është e regjistruar nga kërkuesi në një nga vendet e Bashkimit Evropian ose kërkuesi ka marrë me shkrim aksesin e përdorimit të regjistrimit nga subjekti që e ka regjistruar në një nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat janë: certifikata e regjistrimit ose vërtetimi i lëshuar nga institucionet zyrtare kompetente, numri i regjistrimit, sipas adresës elektronike të shtetit që e ka regjistruar PMB-në, dhe etiketa përkatëse. Etiketa të jetë e përkthyer edhe në gjuhën shqipe;
c) dokumentacionin për të dhënat e sigurisë (MSDS), sipas përcaktimeve të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”. MSDS-ja të jetë e përkthyer edhe në gjuhën shqipe.”.

6. Pika 2, e kreut V, riformulohet, si më poshtë vijon:

“2. Brenda 20 (njëzet) ditëve nga kërkesa, sekretari i komisionit shqyrton dokumentacionin sipas pikës 1, të kreut IV, dhe, nëse është në rregull, menjëherë pas pranimit, dërgon me e-mail zyrtar tek ISUV-i, dokumentacionin sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut IV. Ndërsa dokumentacionin sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij kreu, si dhe vlerësimin e dërguar nga ISUV-i, ua dërgon anëtarëve të komisionit të regjistrimit të PMB-ve, kur bën njoftimin për mbledhjen e radhës së komisionit.”.

7. Pika 3, e kreut V, riformulohet, si më poshtë vijon:

“3. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kryen vlerësimin e dokumentacionit dhe e dërgon mendimin me shkrim tek SPMB-ja brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e marrjes.”.

8. Në pikën 4, të kreut VII, fjalia me përmbajtjen “Në të gjitha rastet e përcaktuara në këtë pikë, aplikanti duhet të paraqesë kërkesë në gjuhën shqipe.” riformulohet, si më poshtë vijon:

“Në të gjitha rastet e përcaktuara në këtë pikë, kërkuesi kryen kërkesën në sistemin on-line, shoqëruar me dokumentacionin provues.”.

9. Pika 6.2, e kreut VII, riformulohet, si më poshtë vijon:

“6.2. Pas çregjistrimit, nëse PMB-ja është ende në treg, ajo të përdoret brenda afateve të skadencës së saj, me përjashtim të përcaktimeve të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 6, të këtij kreu.”.

10. Pas pikës 6.2, të kreut VII, shtohen pikat 6.3 dhe 6.4, me këtë përmbajtje:

“6.3. Pas çregjistrimit sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 6, nëse PMB-ja është ende në treg, të tregtohet brenda afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit për lëndën vepruese në përmbajtje të PMB-së.
6.4. Pas çregjistrimit sipas përcaktimit të shkronjës “ç”, të pikës 6, nëse PMB-ja është në treg, të hiqet menjëherë nga tregu.”.

11. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.712, DATË 31.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KONKURRIMIT PUBLIK PËR TË DREJTËN E PESHKIMIT NË UJËRAT E BRENDSHME, FORMAT E TJERA TË PESHKIMIT NË DET, PA PËRDORIMIN E MJETEVE LUNDRUESE, DHE PËR ZHVILLIMIN E AKUAKULTURËS NË SIPËRFAQE PUBLIKE, TOKËSORE DHE UJORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 52, pika 3, e 30, pika 7, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.103/2016, “Për akuakulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.712, datë 31.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në shkronjën “a”, të pikës 4, fjala “aplikim” zëvendësohet me fjalën “kërkesë”.

2. Në pikën 5, emërtesa “Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR)” zëvendësohet me “Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB)”.

3. Pas pikës 12/1 shtohet pika 12/2, me këtë përmbajtje:

“12/2. Njoftimi për botim për konkurrim publik, për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit në ujërat e brendshme, format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve të tjera lundruese dhe për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore, shpallet në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe përmban të dhënat për zonën ujore, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacionin (plan-biznesin tip) që paraqesin konkurrentët në portalin e-Albania, datën dhe orën e paraqitjes së dokumentacionit. Data e konkurrimit të jetë jo më parë se 7 (shtatë) ditë kalendarike nga data e botimit.”.

4. Në pikën 14 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“e) merr vendim për çdo subjekt që paraqet kërkesë, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga paraqitja e tyre, duke ua njoftuar vendimin të gjithë kërkuesve, sipas adresës përkatëse.”;

b) Pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:

“f) dërgon njoftimin e fituesit për botim në Buletinin e Njoftimeve Publike, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit të ankesave në rastin kur nuk është paraqitur asnjë ankesë, ose brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e vendimit për ankesat e paraqitura.”.

5. Pas pikës 17 shtohen pikat 17/1 dhe 17/2, me këtë përmbajtje:

“17/1. Ministri, me urdhër, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga paraqitja e ankesës, përcakton komisionin e shqyrtimit të ankesave, me 3 (tre) anëtarë me përbërje:

– një specialist i fushës;
– një ekonomist; dhe
– një jurist.

Komisioni shqyrton ankimet dhe paraqet te ministri një raport, ku pasqyrohen ankesat, rrethanat e faktit dhe arsyetimi për çdo ankesë të paraqitur. Kur komisioni vlerëson se në procedurën konkurruese janë shkelur kriteret procedurale apo ka pasur parregullsi në kryerjen e vlerësimit të kërkesave, atëherë ai i propozon ministrit anulimin e procedurës së zhvilluar ose rivlerësimin nga komisioni i vlerësimit të kërkesave, të kërkesave të paraqitura. Kur komisioni vlerëson se në procedurën konkurruese nuk janë shkelur kriteret procedurale apo nuk ka pasur parregullsi në kryerjen e vlerësimit të kërkesave, atëherë ai i propozon ministrit vazhdimin e mëtejshëm të procedurës dhe njoftimin e palës ankimuese. Për çdo ankesë merret një vendim i veçantë.

17/2. Shqyrtimi i ankesës përfundon brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes. Komisioni merr në shqyrtim njëkohësisht të gjitha ankesat, në rast se ka më shumë se një ankesë, për të njëjtën procedurë konkurrimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.802, DATË 30.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË SHOQËRISË TRANS ADRIATIC PIPELINE AG (TAP AG), NËPËRMJET MARRJES NË PËRDORIM DHE KRIJIMIT TË SERVITUTIT TË PËRHERSHËM NË SIPËRFAQET E TOKAVE SHTETËRORE QË PREKEN NGA NDËRTIMI I KORRIDORIT TË NDËRTIMIT DHE KORRIDORI I SISTEMIT TË GAZSJELLËSIT, TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 16 e 27.1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, dhe të pjesëve 1 e 3, të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.802, datë 30.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Vënia në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG (TAP AG) e sipërfaqeve të tokës shtetërore, nëpërmjet marrjes në përdorim të përkohshëm, me kontratë qiraje për korridorin e ndërtimit, si dhe nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm për krijimin e servitutit të kalimit, me qëllim ndërtimin e korridorit të sistemit të gazsjellësit, të projektit TAP, që nuk është toka e infrastrukturës brenda korridorit të ndërtimit, të cilat kanë shërbyer dhe do të shërbejnë në ndërtimin e projektit TAP, si më poshtë:

a) në pjesët e trasesë në seksionin tokësor të projektit TAP të përcaktuar në lejen zhvillimore komplekse sipas vendimit nr.1, datë 8.4.2014, të KKT-së, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për gazsjellësin Trans Adriatik (projekti TAP)”, të cilat nuk janë prekur nga tri ndryshimet që i janë bërë më pas kësaj traseje, por ku janë bërë përditësimet përkatëse kadastrale, për parcelat e tokës shtetërore;
b) në pjesët e ndryshuara të trasesë në seksionin tokësor të projektit TAP, ku janë bërë përditësimet përkatëse kadastrale, miratuar nëpërmjet lejeve të ndërtimit, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) për ndryshimin e lejes zhvillimore komplekse, përkatësisht me vendimin nr.1, datë 8.7.2016, të KKT-së, “Për disa ndryshime në lejen zhvillimore komplekse (leje ndërtimi) të gazsjellësit TAP”, me subjekt zhvillues shoqërinë “TAP AG sh.a.”, me vendimin nr.4, datë 12.4.2017, të KKT-së, “Për ndryshimin e dytë të lejes zhvillimore komplekse (lejes së zhvillimit dhe lejes së ndërtimit) të projektit TAP”, si dhe me vendimin nr.2, datë 12.12.2017, të KKT-së, “Për ndryshimin e tretë të lejes zhvillimore komplekse (lejes së zhvillimit dhe lejes së ndërtimit) për projektin TAP”.

Për sipërfaqet e tokës shtetërore, që i vihen në dispozicion shoqërisë TAP AG, nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm për krijimin e servitutit të kalimit, me qëllim ndërtimin e korridorit të sistemit të gazsjellësit, të projektit TAP, të përcaktuara në këtë pikë, duhet të regjistrohet në drejtoritë vendore të rretheve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës servituti i kalimit në favor të shoqërisë “TAP AG”. Regjistrimi të bëhet për të gjitha seksionet pasi të jetë lëshuar edhe dokumentacioni i kolaudimit po sipas kërkesave të shoqërisë “TAP AG”.”.

2. Pika 2 riformulohet, si më poshtë vijon:

“2. Sipërfaqja totale e tokës shtetërore referuar destinacioneve që përfshihen në pikën 1, ku në sipërfaqet e tokave shtetërore sipas pikës 1.a. janë përfshirë sipërfaqet që afektohen nga punimet e ndërtimit të korridorit të sistemit të gazsjellësit, për të cilat janë bërë dhe përditësimet përkatëse kadastrale për parcelat e tokës shtetërore, ndërsa në sipërfaqet e tokave shtetërore, sipas pikës 1.b, të cilat janë llogaritur pas kryerjes së përditësimeve kadastrale për parcelat e tokës shtetërore, janë përfshirë plotësisht sipërfaqet e tokës shtetërore sipas tri ndryshimeve që i janë bërë trasesë së projektit TAP, sasia e kësaj sipërfaqeje totale të tokës shtetërore është 5 179 919 (pesë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë) m2 dhe vihet në dispozicion të projektit TAP, me dhe pa kompensim, sipas kushteve të mëposhtme:

a) Nëpërmjet marrjes në përdorim të përkohshëm me kompensim për korridorin e ndërtimit, me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, i nevojshëm për ndërtimin e korridorit të sistemit të gazsjellësit, të sipërfaqeve prej 3 716 072 (tre milionë e shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e dy) m2, për tokat shtetërore publike, të kategorizuara si truall, toka bujqësore, sipërfaqe të fondit pyjor dhe kullosor, tokat shtetërore jopublike të përcaktuara sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Marrja në përdorim të përkohshëm bëhet për një periudhë 24-mujore, me kompensim, nëpërmjet pagesës së qirasë, të llogaritur sipas planit të rehabilitimit të jetesës, miratuar më 1.2.2016 nga shoqëria “TAP AG”;
b) Nëpërmjet marrjes në përdorim të përkohshëm pa kompensim për korridorin e ndërtimit, me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, i nevojshëm për ndërtimin e korridorit të sistemit të gazsjellësit, të sipërfaqeve prej 698 891 (gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një) m2, për tokat shtetërore që gjenden në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve apo rrjedhave të tjera ujore, liqeneve dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, tokat e kategorizuara rrugë automobilistike, si dhe tokat e kategorizuara shkëmbore, të përcaktuara në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Marrja në përdorim të përkohshëm bëhet për një periudhë 24-mujore pa kompensim;
c) Nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm me kompensim për krijimin e servitutit të kalimit në korridorin e sistemit të gazsjellësit, me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, të sipërfaqeve prej 714 390 (shtatëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e nëntëdhjetë) m2, për tokat shtetërore publike, të kategorizuara si truall, toka bujqësore, sipërfaqe të fondit pyjor dhe kullosor, tokat shtetërore jopublike të përcaktuara sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Marrja në përdorim të përhershëm për krijimin e servitutit të kalimit bëhet me kompensim, të llogaritur sipas planit të rehabilitimit të jetesës;
ç) Nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm pa kompensim për krijimin e servitutit të kalimit në korridorin e sistemit të gazsjellësit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, të sipërfaqeve prej 142 456 (njëqind e dyzet e dy mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) m2, për tokat shtetërore që gjenden në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve apo rrjedhave të tjera ujore, liqeneve dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, tokat e kategorizuara rrugë automobilistike, si dhe tokat e kategorizuara shkëmbore, të përcaktuara sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Marrja në përdorim të përhershëm për krijimin e servitutit të kalimit bëhet pa kompensim.”.

3. Pika 3 riformulohet, si më poshtë vijon:

“3. Vlera e kompensimit e llogaritur në bazë të planit të rehabilitimit të jetesës për sipërfaqen totale prej 4 430 462 (katër milionë e katërqind e tridhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e dy) m2, marrë në përdorim sipas shkronjave “a” dhe “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, që shoqëria “TAP AG” duhet të paguajë për llogari të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është 439 303 457.33 (katërqind e tridhjetë e nëntë milionë e treqind e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë pikë tridhjetë e tre) lekë, e cila trajtohet, si më poshtë vijon:

a) Vlerës së kompensimit, përcaktuar në paragrafin më sipër të kësaj pike do t’i zbritet vlera e kompensimit që TAP AG i ka paguar bashkive Maliq; Ura Vajgurore; Korçë; Berat; Skrapar; Poliçan; për pasuri të llojit pyje dhe kullota në pronësi/administrim të këtyre të fundit në masën 28 934 400.00, (njëzet e tetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e katër mijë e katërqind) lekë, sikurse është përcaktuar në vendimin nr.433, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin në pronësi të bashkive të pyjeve dhe të kullotave publike, sipas listave të inventarit, dhe aktualisht në administrim të Ministrisë së Mjedisit e të ish-komunave/bashkive”, e ndarë, si më poshtë vijon:

i. Për Bashkinë Maliq, shuma 106 683.00 (njëqind e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre) lekë;
ii. Për Bashkinë Ura Vajgurore, shuma 355 022.00 (treqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëzet e dy) lekë;
iii. Për Bashkinë Korçë, shuma 20 478 787.00 (njëzet milionë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë;
iv. Për Bashkinë Berat, shuma 464 534.00 (katërqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e katër) lekë;
v. Për Bashkinë Skrapar, shuma 6 272 199.00 (gjashtë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e dy mijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë;
vi. Për Bashkinë Poliçan, shuma 1 257 175.00 (një milion e dyqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë.

b) Vlera totale e kompensimit që TAP AG duhet t’i paguajë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas këtij vendimi, është 410 369 057.33 (katërqind e dhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e pesëdhjetë e shtatë pikë tridhjetë e tre) lekë.”.

4. Pika 5 riformulohet, si më poshtë vijon:

“5. Sipërfaqja e tokës shtetërore, me gjerësi përgjithësisht prej 38 (tridhjetë e tetë) m për korridorin e ndërtimit, si dhe sipërfaqja me gjerësi përgjithësisht prej 8 (tetë) m për Korridorin e Sistemit të Gazsjellësit, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi, përfshihet në territorin administrativ të njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë vijon:

a) Në territorin administrativ të Bashkisë Berat, të Qarkut të Beratit, për:

i. sipërfaqen truall në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 2 730.00 (dy mijë e shtatëqind e tridhjetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 243.00 (dyqind e dyzet e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 849 168.95 (tetëqind e dyzet e nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë pikë nëntëdhjetë e pesë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë e pemëtore dhe ledh e ullishtë dhe vresht) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 140 915.00 (njëqind e dyzet mijë e nëntëqind e pesëmbëdhjetë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 30 713 (tridhjetë mijë e shtatëqind e trembëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 23 105 307.40 (njëzet e tre milionë e njëqind e pesë mijë e treqind e shtatë pikë dyzet) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 177 892 (njëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e dy) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 40 537 (dyzet mijë e pesëqind e tridhjetë e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 10 987 516.47 (dhjetë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë pikë dyzet e shtatë) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 3 559 (tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 249 (dyqind e dyzet e nëntë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 379 106.43 (treqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e gjashtë pikë dyzet e tre) lekësh;
v. sipërfaqen ujore (përrua, kanal, kënetë, lumë, zallishte), me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 28 858 (njëzet e tetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra në total 5 441 (pesë mijë e katërqind e dyzet e një) m2 pa kompensim;
vi. sipërfaqen rrugë automobilistike, pa fryt dhe varreza, në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 26 783 (njëzet e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 7 698 (shtatë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë) m2 pa kompensim.
b) Në territorin administrativ të Bashkisë Ura Vajgurore, të Qarkut të Beratit, për:

i. sipërfaqen truall në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 267 (dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 (një) m² me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 113 884.75 (njëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër pikë shtatëdhjetë e pesë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, ullishtë dhe vresht) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 16 645 (gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e pesë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 3 288 (tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 4 817 849.25 (katër milionë e tetëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë pikë njëzet e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 65 945 (gjashtëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e dyzet e pesë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në 14 447 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 6 842 487.93 (gjashtë milionë e tetëqind e dyzet e dy mijë e katërqind e tetëdhjetë e shtatë pikë nëntëdhjetë e tre) lekësh;
iv. sipërfaqen ujore (përrua, kanal) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 9 335 (nëntë mijë e treqind e tridhjetë e pesë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 588 (një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë) m2 pa kompensim;
v. sipërfaqen rrugë automobilistike dhe varreza në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 25 716 (njëzet e pesë mijë e shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 6 139 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë) m2 pa kompensim.

c) Në territorin administrativ të Bashkisë Poliçan, të Qarkut të Beratit, për:

i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, ledh, pemëtore dhe ullishtë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 84 594 (tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e katër) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 15 506 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 18 281 782.46 (tetëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e dy pikë dyzet e gjashtë) lekësh;
ii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 234 082 (dyqind e tridhjetë e katër mijë e tetëdhjetë e dy) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 46 841 (dyzet e gjashtë mijë e tetëqind e dyzet e një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 36 000 564.68 (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e katër pikë gjashtëdhjetë e tetë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 62 548.00 (gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e dyzet e tetë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 8 223 (tetë mijë e dyqind e njëzet e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 8 550 411.62 (tetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e njëmbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e dy) lekësh;
iv. sipërfaqen ujore (përrua, kanal, lumë, ranishte) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 49 258 (dyzet e nëntë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tetë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 6 505 (gjashtë mijë e pesëqind e pesë) m2, pa kompensim;
v. sipërfaqen rrugë automobilistike në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 19 378 (nëntëmbëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 3 493 (tre mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tre) m2, pa kompensim.

ç) Në territorin administrativ të Bashkisë Skrapar, të Qarkut të Beratit, për:

i. sipërfaqen truall (truall, ndërtesë, shesh, terren sportiv) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 11 886 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 111 (një mijë e njëqind e njëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 3 085 003.80 (tre milionë e tetëdhjetë e pesë mijë e tre pikë tetëdhjetë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, pemëtore e ledh) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 330 884 (treqind e tridhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 45 651 (dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 28 580 114.39 (njëzet e tetë milionë e pesëqind e tetëdhjetëmijë e njëqind e katërmbëdhjetë pikë tridhjetë e nëntë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 687 549 (gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e dyzet e nëntë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 130 660 (njëqind e tridhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 71 603 266.27 (shtatëdhjetë e një milionë e gjashtëqind e tre mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë njëzet e shtatë) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 406 880 (katërqind e gjashtë mijë e tetëqind e tetëdhjetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 61 552 (gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) m2, me vlerë të përgjithshme prej 30 171 234.81 (tridhjetë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e një mijë e dyqind e tridhjetë e katër pikë tetëdhjetë e një) lekësh;
v. sipërfaqen pa fryt në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 10 983 (dhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tre) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 2 316 (dy mijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, pa kompensim;
vi. sipërfaqen ujore (kanal dhe lumë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 76 876 (shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 9 879 (nëntë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) m2 pa kompensim;
vii. sipërfaqen rrugë automobilistike, shkëmbore dhe varreza në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 29 438 (njëzet e nëntë mijë e katërqind e tridhjetë e tetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 3 313 (tre mijë e treqind e trembëdhjetë) m2, pa kompensim.

d) Në territorin administrativ të Bashkisë Devoll, të Qarkut të Korçës, për:

i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, ledh, pemëtore, mekam, vresht, mezhdë dhe rrip) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 36 204 (tridhjetë e gjashtë mijë e dyqind e katër) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 7 220 (shtatë mijë e dyqind e njëzet) m2, me vlerë të përgjithshme prej 8 015 313.24 (tetë milionë e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e trembëdhjetë pikë njëzet e katër) lekësh;
ii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 11 886 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 2 278 (dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 673 469.64 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e katër) lekësh;
iii. sipërfaqen shkëmbore në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 15 554 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e katër) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 831 (një mijë e tetëqind e tridhjetë e një) m2, pa kompensim;
iv. sipërfaqen ujore (përrua, kanal, moçal, lumë dhe ranishte) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 40 370 (dyzet mijë e treqind e shtatëdhjetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 7 125 (shtatë mijë e njëqind e njëzet e pesë) m2, pa kompensim;
v. sipërfaqen rrugë automobilistike në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 20 478 (njëzet mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 5 063 (pesë mijë e gjashtëdhjetë e tre) m2, pa kompensim.

dh) Në territorin administrativ të Bashkisë Korçë, të Qarkut të Korçës, për:

i. sipërfaqen truall (truall) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 23.00 (njëzet e tre) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 6.00 (gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 8 912.18 (tetë mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë pikë tetëmbëdhjetë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, ledh, pemëtore, djerrë dhe vresht) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 328 115 (treqind e njëzet e tetë mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 62 164 (gjashtëdhjetë e dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 62 642 299.99 (gjashtëdhjetë e dy milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë nëntëdhjetë e nëntë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 615 535 (gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e pesë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 100 887 (njëqind mijë e tetëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 37 493 778.48 (tridhjetë e shtatë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e tetë pikë dyzet e tetë) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 231 435 (dyqind e tridhjetë e një mijë e katërqind e tridhjetë e pesë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 34 985 (tridhjetë e katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 12 376 150.18 (dymbëdhjetë milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e pesëdhjetë pikë tetëmbëdhjetë) lekësh;
v. sipërfaqen shkëmbore, mal, varreza në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 80 573 (tetëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e tre) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 10 793 (dhjetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre) m2, pa kompensim;
vi. sipërfaqen ujore (përrua, kanal, kënetë, lumë) me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 65 975 (gjashtëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 11 078 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e tetë) m2 pa kompensim;
vii. sipërfaqen rrugë automobilistike dhe shkëmbore në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 37 520 (tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind e njëzet) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 18 849 (tetëmbëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) m2 pa kompensim.

e) Në territorin administrativ të Bashkisë Maliq, të Qarkut të Korçës, për:

i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë dhe ledh) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 7 209.00 (shtatë mijë e dyqind e nëntë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 150 (një mijë e njëqind e pesëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 2 747 656.50 (dy milionë e shtatëqind e dyzet e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë pesëdhjetë) lekësh;
ii. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 14 365.00 (katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 2 935 (dy mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 314 477.75 (një milion e treqind e katërmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë pikë shtatëdhjetë e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqen ujore (kanal, ranishte) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 9 231.00 (nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e një) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 726 (një mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) m2, pa kompensim;
iv. sipërfaqen rrugë automobilistike në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 4 522.00 (katër mijë e pesëqind e njëzet e dy) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 219 (një mijë e dyqind e nëntëmbëdhjetë) m2, pa kompensim.

ë) Në territorin administrativ të Bashkisë Fier, të Qarkut të Fierit, për:

i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë dhe ledh) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 211 861 (dyqind e njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e një) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 90 258 (nëntëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 61 627 563.88 (gjashtëdhjetë e një milionë e gjashtëqind e njëzet e shtatë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre pikë tetëdhjetë e tetë) lekësh;
ii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 1 349.00 (një mijë e treqind e dyzet e nëntë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 526 (pesëqind e njëzet e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 254 919.25 (dyqind e pesëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë pikë njëzet e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 498 (katërqind e nëntëdhjetë e tetë) m2 me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 442 498.00 (katërqind e dyzet e dy mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) lekësh;
iv. sipërfaqen ujore (përrua, kanal, moçal, lumë, liqen, përrua, ranishte) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 87 557 (tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 15 687 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, pa kompensim;
v. sipërfaqen rrugë, hekurudhë, vendstrehim në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 33 822 (tridhjetë e tre mijë e tetëqind e njëzet e dy) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 16 614 (gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e katërmbëdhjetë) m2 pa kompensim.
f. Në territorin administrativ të Bashkisë Roskovec, të Qarkut të Fierit, për:
i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 27 570 (njëzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 8 669 (tetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 6 242 275.63 (gjashtë milionë e dyqind e dyzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë pikë gjashtëdhjetë e tre) lekësh;
ii. sipërfaqen ujore kanal në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 14 457 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 2 838 (dy mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) pa kompensim;
iii. sipërfaqen rrugë automobilistike në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 5 755 (pesë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 304 (një mijë e treqind e katër) m2 pa kompensim.

g. Në territorin administrativ të Bashkisë Lushnjë, të Qarkut të Fierit, për:
i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë) në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 3 646.00 (tre mijë e gjashtëqind e dyzet e gjashtë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 743 (shtatëqind e dyzet e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 129 139.40 (një milionë njëqind e njëzet e nëntë mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë pikë dyzet) lekësh;
ii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) për servitutin me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 149 (një mijë e njëqind e dyzet e nëntë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 455 510.00 (katërqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e dhjetë) lekësh;
iii. sipërfaqen ujore kanal në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 4 029 (katër mijë e njëzet e nëntë) m2, dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 1 455 (një mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë) m2 pa kompensim;
iv. sipërfaqen rrugë automobilistike, hekurudhë në korridorin me gjerësi përgjithësisht 38 (tridhjetë e tetë) metra, në total 2 423 (dy mijë e katërqind e njëzet e tre) m2 dhe servitutit me gjerësi përgjithësisht 8 (tetë) metra, në total 502 (pesëqind e dy) m2, pa kompensim.”.

5. Pika 6 riformulohet, si më poshtë vijon:

“6. Për sipërfaqet e tokës shtetërore, që vendosen në dispozicion të shoqërisë “TAP AG” me kompensim, të cilat preken nga ndërtimi i pjesëve të ndryshuara të seksionit tokësor të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP) dhe që vihen në përdorim të përkohshëm me kontratë qiraje për korridorin e ndërtimit ose merren në përdorim të përhershëm për krijimin e servitutit të kalimit me qëllim ndërtimin e korridorit të sistemit të gazsjellësit, sipas pikave 2.1.a. dhe 2.1.c. më sipër, vlera e pagesës së kompensimit paguhet nga shoqëria “TAP AG”, në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për llogari të buxhetit të shtetit. Vlera e pagesës për tokën shtetërore llogaritet sipas planit të rehabilitimit të jetesës për marrjen në përdorim të tokës shtetërore sipas formës së përcaktuar në pikën 1, nëpërmjet kontratës për pagesën e qirasë dhe servitutit të përhershëm, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë “TAP AG”. Pagesa për tokën shtetërore nga ana e shoqërisë “TAP AG” të bëhet sipas vlerave të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, për:

a) sipërfaqet truall, që janë pronë shtetërore;
b) sipërfaqet tokë bujqësore (arë, pemëtore dhe vresht);
c) sipërfaqet e fondit pyjor dhe kullosor (pyll, kullotë, livadh dhe sipërfaqe me bimësi pyjore).

6. Pas pikës 10 shtohet pika 10.1, me këtë përmbajtje:

“10. Pas marrjes së certifikatave të përdorimit për korridorin e sistemit të gazsjellësit të ndërtuar sipas seksioneve përkatëse, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të kërkesës dhe të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëria “TAP AG”, përgatit dhe paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave Sistemin e Konsoliduar të Gazsjellësit të ndërtuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë sipas certifikatave të përdorimit. Gjurma përfundimtare e sistemit të gazsjellësit të ndërtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë të regjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, sipas drejtorive rajonale pranë bashkive Lushnjë, Fier, Devoll, Korçë, Skrapar, Berat, Maliq, Poliçan, Ura Vajgurore dhe Roskovec.”.

7. Pika 11 riformulohet, si më poshtë vijon:

“11. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, për sipërfaqet e tokave shtetërore që vendosen në dispozicion të shoqërisë “TAP AG”, nëpërmjet marrjes në përdorim të përkohshëm me kontratë qiraje për korridorin e ndërtimit, si dhe nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm për krijimin e servitutit të kalimit me qëllim ndërtimin e korridorit të sistemit të gazsjellësit, që nuk është toka e infrastrukturës brenda korridorit të ndërtimit për pjesët e ndryshuara të seksionit tokësor të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:

a) të konkludohet me procedurat për përditësimin e ndryshimeve në fondin pyjor/kullosor kombëtar, si dhe ndryshimin e kategorisë së përdorimit të resursit të tokës bujqësore, si dhe për sipërfaqet e fondit pyjor e kullosor, që preken nga ndërtimi i sistemit të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP);
b) bazuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet njoftimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e së drejtës së servitutit mbi pasuritë, tokë shtetërore, të vëna në dispozicion të shoqërisë “TAP AG”, sipas shtojcave 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi;
c) të bëhet njoftimi i drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës sipas përkatësive për bashkitë Devoll, Korçë, Maliq, Skrapar, Poliçan, Berat, Ura Vajgurore, Fier, Roskovec dhe Lushnjë, për regjistrimin e së drejtës së servitutit mbi pasuritë tokë shtetërore, në favor të shoqërisë “TAP AG”, sipas listave të shtojcave 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.

8. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, sipas përkatësive për bashkitë ku kalon projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe njësitë e qeverisjes vendore, ku kalon projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NOMENKLATURËS SË SHTETEVE DHE TERRITOREVE PËR STATISTIKAT E TREGTISË SË JASHTME TË MALLRAVE DHE NDARJEN GJEOGRAFIKE PËR STATISTIKAT E TJERA TË BIZNESIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e zbatimit të Nomenklaturës së Shteteve dhe Territoreve për Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Mallrave, të miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Miratimin e zbatimit të ndarjes gjeografike për statistikat e tjera të biznesit, të miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Nomenklatura e Shteteve dhe Territoreve për Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Mallrave dhe ndarja gjeografike për statistikat e tjera të biznesit zbatohet për klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare për tregtinë ndërkombëtare të mallrave dhe statistikat e tjera të biznesit.

4. Nomenklatura e Shteteve dhe Territoreve për Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Mallrave dhe ndarja gjeografike për statistikat e tjera të biznesit zbatohet nga institucionet publike që mbajnë të dhëna administrative të fushës, Instituti i Statistikave dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare.

5. Ngarkohet Instituti i Statistikave për kryerjen e përditësimit të informacionit statistikor zyrtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRYERJEN E PAGESËS TË DOZAVE TË VAKSINAVE DHE TË PAGESAVE RESPEKTIVE QË RRJEDHIN NGA AKTI NORMATIV NR.30, DATË 27.9.2021, I KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DISA NDRYSHIMEVE TË NËNSHKRUARA NË MARRËVESHJEN PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN NGA DHE NDËRMJET PFIZER EXPORT B.V. DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK, MIRATUAR ME AKTIN NOMATIV NR.3, DATË 18.1.2021”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.30, datë 27.9.2021, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kryerjen, nga Instituti i Shëndetit Publik, të pagesave të përcaktuara në aktin normativ nr.30, datë 27.9.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr.3, datë 18.1.2021”, në vlerën 6 009,120 (gjashtë milionë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) USD, të konvertuara sipas kursit zyrtar të këmbimit të ditën e pagesës.

2. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e saj të miratuar për vitin 2021, në llogarinë ekonomike 6050000 (produkti 91305AH) të programit “Shërbime të shëndetit publik” (07450), i shtohet ekuivalenti në lekë i shumës prej 6 009,120 (gjashtë milionë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) USD-sh, për kryerjen e pagesës së dozave të vaksinës nga kompania Pfizer Export B.V.

3. Fondi, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROJEKTVENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, “PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË ELEKTRONIKE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të projektvendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE BRENDA PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2021 PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 17 e 18, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor 07220, “Shërbimet e kujdesit parësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, të pakësohet fondi prej 505 910 000 (pesëqind e pesë milionë e nëntëqind e dhjetë mijë) lekësh;
b) Në programin buxhetor 07330, “Shërbimet e kujdesit dytësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, të shtohet fondi prej 505 910 000 (pesëqind e pesë milionë e nëntëqind e dhjetë mijë) lekësh.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË DETAJUARA PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË FAMILJARËVE TË PUNONJËSVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË HUMBIN JETËN NË KRYE APO PËR SHKAK TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 54, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave dhe i procedurave të detajuara për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës.

2. Trajtimi financiar që fëmijët e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë përfitojnë në bazë të rregullave dhe të procedurave të përcaktuara në këtë vendim të zbatohet pa krijuar mbivendosje me ndonjë përfitim të mundshëm financiar sipas ligjeve të tjera. Në këtë rast, ata kanë të drejtë të zgjedhin trajtimin financiar më të favorshëm sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në atë ligj.

II. NDIHMA E MENJËHERSHME FINANCIARE

1. Pjesëtarët e familjes, që bashkëjetonin me punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë në çastin e humbjes së jetës, në krye apo për shkak të detyrës, përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare për çdo person, në masën e një page, referuar pagës mujore të muajit të fundit të shërbimit.

2. Përfitimi i ndihmës së menjëhershme nuk duhet të jetë më shumë se 10 (dhjetë) paga në total.

3. Pjesëtarë të familjes, që bashkëjetonin me punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë në çastin e humbjes së jetës janë:

a) fëmijët;
b) bashkëshorti/bashkëshortja;
c) prindërit;
ç) personat në kujdestari.

4. Për t’u trajtuar me ndihmë të menjëhershme financiare, pjesëtarët e familjes duhet të paraqesin pranë Gardës së Republikës së Shqipërisë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Procesverbalin e referimit nga strukturat përkatëse të rrethanave të ngjarjes, në të cilën ka humbur jetën punonjësi;
b) Certifikatën familjare;
c) Certifikatën e vdekjes së punonjësit;
ç) Dokumentin e identitetit të personit që kërkon përfitimin.

5. Masa e këtij shpërblimi miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për rendin e sigurinë publike.

6. Dhënia e ndihmës së menjëhershme financiare përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për programin “Garda e Republikës”.

III. PENSIONI SUPLEMENTAR FAMILJAR

1. Pjesëtarët e familjes, që bashkëjetonin me punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë, në çastin e humbjes së jetës në krye apo për shkak të detyrës, përfitojnë pension suplementar familjar, në masën 100 (njëqind) % të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit.

2. Përfitimet jepen në vlerën 100 (njëqind) % të pagës, sa herë që paga sipas së cilës është llogaritur ky përfitim ndryshon.

3. Pagesa e pensionit suplementar përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për rendin e sigurinë publike për programin “Garda e Republikës”.

IV. TRAJTIMI ME BURSË PËR SHKOLLIM

1. Studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, të cilët janë regjistruar në programe studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen sipas kuadrit ligjor në fuqi.

2. Fëmijët e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, paraqesin te Garda e Republikës së Shqipërisë dokumentacionin që provon statusin e tyre si studentë.

3. Garda e Republikës, për çdo vit akademik, i paraqet ministrisë përgjegjëse për arsimin listën e studentëve që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta, për trajtimin e tyre me bursë.

V. TRAJTIMI ME BANESË FALAS

1. Enti Kombëtar i Banesave trajton me banesë falas bashkëshorten/in dhe fëmijët e punonjësit të Gardës së Republikës, që ka humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, kur janë të pastrehë, sipas listës së miratuar nga ministri përgjegjës për rendin e sigurinë publike, e cila shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Certifikatë familjare;
b) Vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për pjesëtarët e familjes përfituese, nëse figurojnë apo jo me banesë në pronësi apo në proces.

VI. TRAJTIMI FINANCIAR PËR ÇDO PËRVJETOR VDEKJEJE

1. Familjarëve të punonjësit të Gardës së Republikës, që ka humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, u jepet ndihmë financiare në masën e 1 (një) page mujore për çdo përvjetor vdekjeje.

2. Për t’u trajtuar me ndihmë financiare, për çdo përvjetor vdekjeje, pjesëtarët e familjes duhet të paraqesin pranë Gradës së Republikës, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesë për përfitimin e ndihmës financiare;
b) Certifikatë familjare;
c) Dokument të identitetit të personit që kërkon përfitimin.

3. Masa e kësaj page është e barabartë me pagën bazë mujore të gradës “Inspektor”.

4. Dhënia e ndihmës financiare miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për rendin e sigurisë publike për programin “Garda e Republikës”.

VII. ORGANIZIMI I CEREMONISË MORTORE

1. Ceremonia mortore për punonjësit e Gardës së Republikës, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, organizohet nga drejtuesi i strukturës së Gardës së Republikës së Shqipërisë.

2. Pagesa e shpenzimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë, sipas dokumentacionit të mëposhtëm:

a) Kërkesë për miratim të shpenzimeve të drejtuesit të strukturës së Gardës së Republikës së Shqipërisë;
b) Fatura tatimore të shpenzimeve për organizimin e ceremonisë mortore.

3. Shpenzimet e ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Gardës së Republikës së Shqipërisë.

VIII. PUNËSIMI

1. Garda e Republikës së Shqipërisë, brenda limitit organik, trajton me prioritet aplikimin ose kërkesën për punësim të fëmijëve të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë humbur jetën në krye ose për shkak të detyrës, në përputhje me arsimimin, përvojën dhe kriteret e tjera të nevojshme për vendin e punës.

IX. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Garda e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIM RRUGE, UNAZË (ISH-KUNDËRAJRORI)”, KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtim rruge, Unazë (Ish-Kundërajrori)”, Korçë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Korçë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 16 500 (gjashtëmbëdhjetë mijë e pesëqind) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 500 (gjashtëmbëdhjetë mijë e pesëqind) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Korçë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2021, i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Korçë.

8. Bashkia Korçë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, jo më vonë se 30 ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Korçë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Korçë.

12. Ngarkohen Bashkia Korçë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I SHESHIT TË KRONIT TË BOGËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i sheshit të Kronit të Bogës”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Malësi e Madhe.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 185 474 (njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e katër) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 185 474 (njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Malësi e Madhe.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga Bashkia Malësi e Madhe.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Malësi e Madhe.

8. Bashkia Malësi e Madhe të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Malësi e Madhe.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Malësi e Madhe, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Malësi e Madhe.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Malësi e Madhe.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Bashkia Malësi e Madhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “REHABILITIMI I FASADËS SË PALLATIT TE KRYQËZIMI I RRUGËS SË DIBRËS ME UNAZËN E VOGËL”, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rehabilitimi i fasadës së pallatit te kryqëzimi i rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël”, Tiranë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 16 848 178 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 848 178 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

5. Vlera për shpenzimet procedurale në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e Bashkisë Tiranë.

8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “UNAZA LINDORE E KAVAJËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Unaza Lindore e Kavajës”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Kavajë.

3. Pronarët të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall” dhe “ndërtesë me një vlerë të përgjithshme prej 15 134 372.20 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy pikë njëzet) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 15 134 372.20 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy pikë njëzet) lekësh të përballohet nga buxheti i Bashkisë Kavajë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2021 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Kavajë.

8. Bashkia Kavajë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Kavajë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kavajë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara, në favor të Bashkisë Kavajë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kavajë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Kavajë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kavajë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kavajë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.130, DATË 11.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË – ELBASAN” (SHTESA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Në vendimin nr.130, datë 11.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:

a) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3/1. Pronari i pasurisë të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 622 165 (dy milionë e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë.”.

b) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1. Vlera e përgjithshme shtesë prej 2 622 165 (dy milionë e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekësh të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.

c) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Elbasan, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.160, DATË 19.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË STUDENTËVE TË SHKËLQYER DHE TË NËPUNËSVE CIVILË (FONDI I EKSELENCËS)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 4, e 112, pika 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.160, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat e mëposhtme:

a) Pas nënndarjes “v”, të shkronjës “a”, të pikës 2, shtohet nënndarja “vi”, me këtë përmbajtje:

“vi. nuk kanë përfituar më parë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, brenda fondeve buxhetore të miratuara për Fondin e Ekselencës, për një program tjetër studimi të ciklit të dytë.”.

b) Pas nënndarjes “v”, të shkronjës “b”, të pikës 2, shtohet nënndarja “vi”, me këtë përmbajtje:

“vi. nuk kanë përfituar më parë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, brenda fondeve buxhetore të miratuara për Fondin e Ekselencës, për një program tjetër studimi të ciklit të tretë (doktoratë).”.

c) Pas pikës 16 shtohet pika 16/1, me këtë përmbajtje:

“16/1. Studentët, që ndjekin studimet në vitet e ndërmjetme dhe kanë përfituar bursë nga Fondi i Ekselencës, vijojnë me përfitimin e bursës edhe në rastet kur institucioni i arsimit të lartë nuk i ka vlerësuar me nota për shkak të pandemisë së shkaktuar nga infeksioni i COVID-19, me kusht që nota mesatare e ponderuar në përfundim të studimeve të jetë jo më pak se nota 8.”.

2. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.536, DATË 1.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË DURRËS, TË QARKUT TË DURRËSIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në listën e inventarit të miratuar me vendimin nr.536, datë 1.5.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet dhe transferohet në pronësi të Bashkisë Durrës, për njësinë administrative Durrës, një pjesë e pasurisë me numër 147/24, me sipërfaqe prej 400 000 m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 8517, sipas formularit dhe planit të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në funksion të procesit të rindërtimit në njësinë administrative Durrës për të prekurit nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.

2. Ngarkohen Bashkia Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I NI S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.