Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Tetor 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Tetor 2021:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Almira Xhembulla emërohet zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISE DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR KRIJIMIN E SEKRETARIATIT KOORDINUES NDËRQEVERITAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të protokollit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Rishpërndarjen e fondeve për shpenzime korrente, ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, si më poshtë vijon:

a) Në programin 07340 – “Mbështetja shëndetësore”, të shtohet fondi 107 600 000 (njëqind e shtatë milionë e gjashtëqind mijë) lekë;
b) Në programin 09430 – “Arsimimi ushtarak”, të shtohet fondi 62 000 000 (gjashtëdhjetë e dy milionë) lekë;
c) Në programin 02120 – “Forcat e luftimit”, të pakësohet fondi 143 200 000 (njëqind e dyzet e tre milionë e dyqind mijë) lekë;
ç) Në programin 10910 – “Emergjencat civile”, të pakësohet fondi 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SHTETËRORE TË PROGRAMIMIT STRATEGJIK DHE KOORDINIMIT TË NDIHMËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 18, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur edhe si State Agency for Strategic Programming and Aid Coordination, (këtu e në vijim SASPAC), si person juridik publik buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.

2. SASPAC-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.

3. SASPAC-ja financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme.

4. SASPAC-ja ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHI-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe projekteve zhvillimore.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË SASPAC-SË

SASPAC-ja ka si përgjegjësi funksionale të organizojë punën:

a) për të siguruar në bashkëpunim me komunitetin e donatorëve dhe institucionet shtetërore, koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, në funksion të realizimit të objektivave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
b) për të siguruar koordinimin e programeve kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të BE-së, monitorimin e zbatimit të tyre si dhe për të mbështetur punën e Koordinatorit Kombëtar për Instrumentin e Paraaderimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian (KKIPA);
c) për të asistuar institucionet përkatëse vendimmarrëse, përgjegjëse për planifikimin strategjik, në funksion të hartimit të SKZHI-së dhe për të ofruar mbështetje metodologjike për strukturat përkatëse që kanë detyrën e hartimit të strategjive sektoriale e ndërsektoriale në harmonizim me SKZHI-në, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë;
ç) për të monitoruar zbatimin e SKZHI-së dhe strategjive të tjera sektoriale
e ndërsektoriale;
d) për të siguruar mbështetje për institucionet e administratës shtetërore dhe për misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë për përftimin e financimeve të programeve të ndryshme zhvillimore;
dh) për të siguruar mbështetje për strukturat vendimmarrëse lidhur me projektet me rëndësi kombëtare dhe në koordinim me ministrinë përgjegjëse për financat të përcaktohen mekanizmat financiarë të nevojshëm dhe sigurohet mbështetje e nevojshme financiare për këto projekte nga donatorët;
e) për të siguruar mbështetje për insitucionet e administratës shtetërore për hartimin e projekteve të ndryshme dhe zbatimin efektiv të projekteve të miratuara.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I SASPAC-SË

1. SASPAC-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit dhe përfaqëson SASPAC-së në marrëdhënie me të tretët.

2. Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC-së emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga Kryeministri. Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC-së duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo“ Master profesional”, të përftuar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkenca sociale, inxhinierike, juridike, ekonomike;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet, ku 7 prej tyre në fushën e ekspertizës dhe/apo të administrimit publik;
d) Të dallohet për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
dh) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre
penale;
e) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.

3. Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC-së kryen detyrën e Koordinatorit Kombëtar për Instrumentin e Paraaderimit të Asistencës Financiare të Bashkimit Evropian (KKIPA).

4. Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC-së lirohet ose shkarkohet nga detyra kur:

a) mbush moshën e pensionit;
b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
c) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën;
ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
d) jep dorëheqjen;
dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.

5. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve administrativë të SASPAC-së rregullohen në bazë të Kodit të Punës. Marrëdhëniet e punës të nëpunësve të SASPAC-së rregullohen në bazë të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.

6. Struktura dhe organika e SASPAC-së hartohen në përputhje me përgjegjësitë funksionale të parashikuara në këtë vendim dhe miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

7. Strukturat përgjegjëse të projekteve pranë institucioneve të administratës shtetërore bashkërendojnë punën e tyre me SASPAC-në. Këto struktura informojnë periodikisht dhe sipas kërkesës pranë SASPAC-së, sipas formatit të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i SASPAC-së.

8. SASPAC-ja koordinon punën me Zyrtarin Kombëtar Autorizues dhe strukturat përgjegjëse të menaxhimit pranë tij, Drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, BB-së dhe Donatorëve të tjerë. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

9. SASPAC-ja mbështet ministrinë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

10. SASPAC-ja mbështet Kryenegociatorin dhe Grupin Negociator në programimin dhe monitorimin e asistencës financiare të BE-së në funksion të procesit të aderimit në BE dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

11. SASPAC-ja bashkërendon punën për funksionimin e grupeve të menaxhimit të integruar të politikave (GMIP) në përputhje me përcaktimet e urdhrit të Kryeministrit që përcakton masat për zbatimin e qasjes së gjerë sektoriale/ndërsektoriale si dhe ngitjen dhe funksionimin e mekanizmit sektorial dhe ndërsektorial të integruar me qëllim përmirësimin e dialogut mbi politikat në të gjithë sektorët e GMIP-ve dhe rritjen e efektivitetit dhe qëndrueshmërisë së këtij mekanizmi koordinues.

12. SASPAC-ja, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:

a) Në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për financat dhe komunitetin e donatorëve koordinon ndihmën e huaj që merr Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Republika e Shqipërisë për programe dhe projekte zhvillimore, në funksion të realizimit të objektivave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
b) Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, në përputhje me fushat e tyre të përgjegjësisë, koordinon programet kombëtare, ndërkufitare, rajonale apo çdo formë tjetër të asistencës financiare të BE-së dhe monitorimin e zbatimit të tyre;
c) Mbështet Kryeministrin dhe çdo strukturë përgjegjëse politikëbërëse, në përputhje me fushat e tyre të përgjegjësisë, për përcaktimin e drejtimeve kryesore të zhvillimit të vendit dhe hartimin e prioriteteve të qeverisë si dhe identifikon programet e rëndësisë kombëtare;
ç) Ndihmon strukturat vendimmarrëse në procesin e hartimit të SKZHI-së dhe ofron mbështetje metodologjike në procesin e hartimit nga ana e institucioneve përgjegjëse të strategjive të ndryshme sektoriale e ndërsektoriale në përputhje me SKZHI-në, si dhe monitoron zbatimin e tyre;
d) Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe strukturat e projekteve të institucioneve të administratës shtetërore, bashkërendon hapat e nevojshëm për të siguruar nga ana e tyre zbatimin efektiv të projekteve të miratuara nga organet vendimmarrëse përkatëse, sipas marrëveshjeve financiare dypalshe e shumëpalshe me donatorët;
dh) Koordinon, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, përcaktimin e nevojave të tyre për mbështetje financiare nga donatorët;
e) Evidenton detyrimet apo nevojat që burojnë nga zbatimi i SKZHI-së dhe strategjive sektoriale e ndërsektoriale, dhe mbështet ministrinë përgjegjëse për financat dhe/ose institucionet e tjera përgjegjëse, në përputhje me fushat e tyre të përgjegjësisë, gjatë procesit të hartimit të kornizës së buxhetimit afatmesëm dhe të tavaneve buxhetore, për këtë qëllim;
ë) Siguron mbështetje për funksionimin e njësive të zbatimit të projekteve
me financim të huaj (PIU/PMU etj) të institucioneve të administratës shtetërore;
f) Administron bazat e të dhënave shtetërore të Sistemit Informatik të Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (SIMNH) dhe Sistemin Informatik të Planifikimit të Integruar (SIPI) si dhe parashikon kërkesat funksionale dhe propozon ndryshime, në varësi të nevojës së mirëfunksionimit dhe përmirësimit të këtyre sistemeve elektronike;
g) Në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për financat siguron funksionimin e mekanizmave të mbështetjes financiare, për kryerjen e pagesave të komisioneve financiare për pjesëmarrje të programeve të ndryshme me financim të huaj, për rimbursimin e detyrimeve fiskale të projekteve me financim të huaj, si dhe për kryerjen e pagesave fillestare dhe/ose bashkëpagesave të institucioneve të ndryshme në projekte të ndryshme me financim të huaj;
gj) Ofron mbështetje profesionale për misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë për përftimin e financimeve të programeve të ndryshme zhvillimore;
h) Sipas kërkesës, ofron mbështetje financiare dhe profesionale për institucione të administratës shtetërore në hartimin e projekteve të ndryshme, vlerësimin e rezultateve të projekteve, në funksion të rritjes së përfitimeve të financimeve të programeve të ndryshme zhvillimore dhe zbatimit të tyre me efiçencë të lartë;
i) Harton dhe administron regjistrat:

i. për projektet me rëndësi kombëtare;
ii. e personave të autorizuar për menaxhimin e projekteve me financim të huaj.

j) Kryen detyrën e Sekretariatit Teknik për Komitetin e Planifikimit Strategjik;
k) Mban kontaktet e nevojshme me strukturat homologe brenda dhe jashtë vendit si dhe nënshkruan protokolle bashkëpunimi me ta;
l) Mundëson edukimin dhe informimin e subjekteve të interesuara në lidhje me instrumentet financiare të ndihmës së huaj si dhe mjetet e mundshme të ndihmës së huaj që do të mund të rrisin mundësinë e entiteteve shqiptare, publike apo private, përfshirë individët, për të pasur akses të suksesshëm të fondeve të ndihmës së huaj;
ll) Raporton periodikisht te Kryeministri mbi veprimtarinë e saj, si dhe sa herë kërkohet prej Kryeministrit, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga strukturat përgjegjëse të projekteve pranë institucioneve të administratës shtetërore, sipas parashikimit të pikës 7, të kreut III, të këtij vendimi;
m) Informon periodikisht ministrin përgjegjës për financat, ministrin përgjegjës për Evropën, ministrin përgjegjës për punët e jashtme, komunitetin e donatorëve dhe institucione të tjera shtetërore, sipas kërkesës, mbi veprimtarinë e SASPAC-së;
n) Kryen çdo detyrë tjetër të caktuar nga Kryeministri, Këshilli i Ministrave apo legjislacioni në fuqi.

13. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të SASPAC-së, miratohet nga Kryeministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.

14. SASPAC-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e SASPAC-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Bashkërendimit të Ndihmës”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

15. Vula e SASPAC-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC-së emërohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

2. Deri në plotësimin e strukturës së SASPAC-së dhe në caktimin e selisë së saj, drejtori i Përgjithshëm do të mbështetet në detyrat e tij nga nëpunësit e Kryeministrisë, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

3. Njësitë përkatëse të Departamentit të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes, në Kryeministri, Sektori i Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj (në Drejtorinë e Përgjithshme të Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj) në ministrinë përgjegjëse për financat, Drejtoria e Bashkëpunimit Territorial dhe Drejtoria e Koordinimit të Programeve Kombëtare dhe Rajonale të IPA-s në ministrinë përgjegjëse për Evropën ristrukturohen në strukturën dhe organikën e SASPAC-së.

4. Për nëpunësit e njësive të përcaktuara në pikën 3, të këtij kreu, zbatohen dispozitat e legjislacionit të nëpunësit civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

5. Shpenzimet për strukturat e përmendura në pikën 3, të kreut IV, të cilat do të ristrukturohen në strukturën dhe organikën e SASPAC-së, kryhen nga institucionet në të cilat ndodhen aktualisht, deri në ndryshimin e ligjit të buxhetit të vitit 2021. Efektet financiare shtesë të SASPAC-së për vitin 2021 përballohen nga buxheti i Kryeministrisë.

6. Pika 3, e kreut III, zbatohet pas hyrjes në fuqi të aktit që shfuqizon pjesën e parë të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për Zhvillimin e Negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

7. Shkronja “f”, e pikës 12, të kreut III, zbatohet pas hyrjes në fuqi të aktit që ndryshon vendimin nr.590, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të sistemit informatik të menaxhimit të ndihmës së huaj (SIMNH)” dhe të vendimit nr.290, datë 11.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të Sistemit Informatik të Planifikimit të Integruar (SIPI/IPSIS)”.

8. Aktet e tjera të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
9. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.