Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Tetor 2025: 
V E N D I M 
PËR
PËRCAKTIMIN E ELEMENTEVE TË CILËSISË PËR KLASIFIKIMIN E STATUSIT EKOLOGJIK TË LUMENJVE, LIQENEVE, UJËRAVE TRANZITORE, UJËRAVE BREGDETARE DHE TRUPAVE UJORË SIPËRFAQËSORË ARTIFICIALË DHE TEPËR TË MODIFIKUAR, KLASIFIKIMIN E STATUSIT EKOLOGJIK TË TYRE, SI DHE KËRKESAVE PËR KRYERJEN E ANALIZËS SË KARAKTERISTIKAVE DHE VLERËSIMIN E NDIKIMIT TË AKTIVITETIT NJERËZOR NË STATUSIN E UJËRAVE SIPËRFAQËSORE PËR ÇDO BASEN LUMOR OSE LIQENOR  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 20, pika 2, e 27, pika 3, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kërkesave për kryerjen e analizës së karakteristikave dhe vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor në statusin e ujërave sipërfaqësore, përcaktimin e elementeve të cilësisë dhe klasifikimit të statusit ekologjik të trupave ujorë sipërfaqësorë, përcaktimin e cilësisë ekologjike shumë të mirë, të mirë dhe mesatare të ujërave sipërfaqësore, përcaktimin e kritereve të potencialit ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të një trupi ujor tepër të modifikuar ose artificial, si dhe miratimin e procedurës për përcaktimin e standardeve të cilësisë kimike, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (në vijim AMBU) kryen analizën e karakteristikave (në vijim karakterizimin) fillestare të trupave ujorë sipërfaqësorë për çdo basen apo rajon baseni lumor, sipas rastit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. AMBU-ja kryen vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor në statusin e trupave ujorë sipërfaqësorë, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në shtojcën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Elementet e cilësisë për klasifikimin e statusit ekologjik të lumenjve të liqeneve, ujërave tranzitore dhe ujërave bregdetare përcaktohen në shtojcën III, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Elementet e cilësisë, të përcaktuara në shtojcën III, të këtij vendimi, do të aplikohen njësoj edhe në rastin e trupave ujorë artificialë ose tepër të modifikuar, vetëm në rastet kur këta të fundit përngjajnë me trupat ujorë natyrorë, të specifikuar në pikën 4, të këtij vendimi.
6. Parashikimet e përgjithshme lidhur me klasifikimin e statusit ekologjik të lumenjve, liqeneve, ujërave tranzitore dhe ujërave bregdetare përcaktohen në shtojcën IV, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Parashikimet specifike të statusit ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të lumenjve, liqeneve, ujërave tranzitore dhe ujërave bregdetare lidhur me elementet biologjike, hidromorfologjike dhe fiziko-kimike të cilësisë përcaktohen në shtojcën V, që është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
8. Parashikimet specifike të statusit ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të trupave ujorë tepër të modifikuar ose artificialë lidhur me elementet biologjike, hidromorfologjike dhe fiziko-kimike të cilësisë përcaktohen në shtojcën VI, që është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
9. Standardet kimike të cilësisë së trupave ujorë sipërfaqësorë përcaktohen sipas procedurës të parashikuar në shtojcën VII, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
10. Për efekt të zbatimit të këtij vendimi lidhur me karakterizimin e trupave ujorë do të përdoret sistemi A, sipas shtojcës I, deri në momentin kur të sigurohen të dhënat e nevojshme dhe të mjaftueshme për të përdorur sistemin B.
11. Në vendimin nr.1015, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përmbajtjen, zhvillimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore, të planeve të menaxhimit të baseneve ujore dhe të planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet”, bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “b”, të pikës 1, të kreut 1, të shtojcës II, fjalët “… e ujërave sipërfaqësore …”  hiqen;
b) Pikat 1.1, 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5, të aneksit I; pikat 1.1 dhe 1.2 në përmbledhjen e aneksit 5, dhe nënpikat 1.1 dhe 1.2, të pikës 1, “Statusi i ujërave sipërfaqësore”, të aneksit 5, pjesë e shtojcës III, shfuqizohen.
12. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA TIRANË TË NJËSIVE TË BANIMIT  NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të  aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Tiranë të 143 (njëqind e dyzet e tre) apartamenteve, në 2 (dy) ndërtesa me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË SHTETIT DHE NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE TË DY OBJEKTEVE PUBLIKE PËR PËRDORIM NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE DHE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të shtetit dhe në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave për përdorim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të 2 (dy) objekteve publike, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Bashkia Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet  në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK NË KUJDESIN SHËNDETËSOR, ENERGJINË, MJEDISIN, INDUSTRINË E SIGURISË DHE MBROJTJES, MENAXHIMIN E MIGRACIONIT, ARSIMIN, INOVACIONIN, DIASPORËN, TRANSFORMIMIN EKONOMIK DHE RRITJEN INTELIGJENTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT: “PËRPARIMI I SHËNDETIT NEONATAL DHE TË NËNËS NË SHQIPËRI (ANMA)-AID 013307”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për zbatimin e projektit: “Përparimi i shëndetit neonatal dhe të nënës në Shqipëri (ANMA)-AID 013307”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR ARKIVIN QENDROR TEKNIK TË NDËRTIMIT, TË NJË PJESE TË PASURIVE ME NR.4/697 DHE NR.4/589, ZONA KADASTRALE 8260, TIRANË, DHE PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË ARSIMIT, PËR UNIVERSITETIN POLITEKNIK TË TIRANËS, TË NJË PJESE   TË PASURIVE ME NR.4/697, NR.4/654, NR.4/589 DHE NR.4/696, ZONA KADASTRALE 8260, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S  I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit, të një pjese të pasurisë me nr.4/697, zona kadastrale 8260, Tiranë, e llojit “njësi”, me sipërfaqe 1092.39 (një mijë e nëntëdhjetë e dy pikë tridhjetë e nëntë) m2, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative, sipas formularit të inventarizimit dhe planimetrisë në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit, për Universitetin Politeknik të Tiranës, të një pjese të pasurive me nr.4/697, nr.4/654 dhe nr.4/696, me sipërfaqe trualli 1 853.7 (një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tre pikë shtatë) m2 dhe sipërfaqe ndërtese 1 694.73 (një mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër pikë shtatëdhjetë e tre) m2, dhe të një pjese të pasurisë me nr.4/697, zona kadastrale 8260, Tiranë, e llojit “njësi”, me sipërfaqe 428.27 (katërqind e njëzet e tetë pikë njëzet e shtatë) m2, me qëllim ushtrimin e funksioneve arsimore, sipas formularit të përditësimit e planimetrisë në aneksin 2 dhe të planrilevimit në aneksin 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Kalimin në përgjegjësi administrimi të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Arsimit, për Universitetin Politeknik të Tiranës, të pasurisë nr.4/589 dhe truallit nën objektin e ndodhur në një pjesë të pasurisë me nr.4/697, zona kadastrale 8260, Tiranë, sipas planrilevimit në aneksin 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Arsimit, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I BLLOKUT TË KUFIZUAR NGA RRUGËT “ALI BAUSHI”, “ARBEN MINGA”, “KONGRESI I MANASTIRIT”, “IBRAHIM BRAHJA”  DHE “XHANFIZE KEKO””, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i bllokut të kufizuar nga rrugët “Ali Baushi”, “Arben Minga”, “Kongresi i Manastirit”, “Ibrahim Brahja” dhe “Xhanfize Keko””, Bashkia Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 62 141 019 (gjashtëdhjetë e dy milionë e njëqind e dyzet e një mijë e nëntëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 62 141 019 (gjashtëdhjetë e dy milionë e njëqind e dyzet e një mijë e nëntëmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë  për pasuritë e shpronësuara sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË BELSH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të  ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Belsh të disa zonave, si më poshtë vijon:
a) Zonës nr.1, njësia administrative Belsh, fshati Qafshkallë, me sipërfaqe 126.4 (njëqind e njëzet e gjashtë pikë katër) ha, sipas hartës në sistemin  KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
b) Zonës nr.2, njësia administrative Belsh, fshati Gradishtë, me sipërfaqe 1.49 (një pikë dyzet e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
c) Zonës nr.3, njësia administrative Belsh, fshati Seferan-Hysë, me sipërfaqe 68 (gjashtëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin  KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
 ç) Zonës nr.4, njësia administrative Rrasë, fshati Shegas, me sipërfaqe 69.8 (gjashtëdhjetë e nëntë pikë tetë) ha, sipas hartës në sistemin  KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
d) Zonës nr.5, njësia administrative Fierzë, fshati Fierzë, me sipërfaqe 143.9 (njëqind e dyzet e tre pikë nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këto zona janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Belsh për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN  E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të  ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave:
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Elbasan të disa zonave, si më poshtë vijon:
a) Zonës nr.1, njësia administrative Funar, me sipërfaqe 1 439, 89 (një mijë e katërqind e tridhjetë e nëntë presje tetëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
b) Zonës nr.2, njësia administrative Gjinar, me sipërfaqe 1 047, 74 (një mijë e dyzet e shtatë presje shtatëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
c) Zonës nr.3, njësia administrative Tregan, me sipërfaqe 398,1 (treqind e nëntëdhjetë e tetë pikë një) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
ç) Zonës nr.4, njësia administrative Shushicë, me sipërfaqe 705,96 (shtatëqind e pesë presje nëntëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto.
2. Shtrirja, kufijtë pikat e hyrjes dhe të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këto zona janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
    K R Y E M I N I S T R I
    EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E NJË ZONE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË PËRMET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Përmet të zonës nr.1, njësia administrative Çarçovë, fshatrat Kanikol dhe Draçovë, me sipërfaqe 2.04 (dy pikë zero katër) km², sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së kësaj zone përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
– të zhvillimit ekonomik;
– të zhvillimit industrial;
– të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Përmet për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E NJË ZONE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË SKRAPAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të  ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Skrapar të zonës zhvillimore nr.1, Helmës-Staraveckë, njësia administrative Potom, me sipërfaqe 258 (dyqind e pesëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së kësaj zone përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Skrapar për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.