Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Mars 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Mars 2021:

 

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT, NË BASHKINË TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 317 313 375 (treqind e shtatëmbëdhjetë milionë e treqind e trembëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh pa TVSH, për financimin e përgatitjes së shesheve të ndërtimit, për shembjen e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) të pabanueshme, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre, në Bashkinë Tiranë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Tiranë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRHYRJA POLIFUNKSIONALE NË LAGJEN “XHEVDET NEPRAVISHTA”, LUSHNJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërhyrja polifunksionale në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 6 178 808 (gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 178 808 (gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Lushnjë.

8. Bashkia Lushnjë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Lushnjë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Lushnjë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KATEGORISË SË NDËRTESAVE QË PËRJASHTOHEN NGA LIGJI NR.116/2016, “PËR PERFORMANCËN E ENERGJISË SË NDËRTESAVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 4, të ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përjashtohen nga zbatimi i ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, objektet që do të ndërtohen në zbatim të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, dhe ndërtimi i të cilave miratohet nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit dhe Agjencia për Efiçencën e Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE, PËR PROJEKTIN E NDËRTIMIT TË BYPASS-IT TË FIERIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.80/2012

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane, për projektin e ndërtimit të Bypass-it të Fierit, ratifikuar me ligjin nr.80/2012, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E TAVANEVE PËRGATITORE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2022 – 2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2022–2024, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.387, DATË 13.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT TREGTARE PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË TREGTARËVE OSE SHOQËRIVE TREGTARE PËR TË MUNDËSUAR FINANCIMIN E NEVOJSHËM PËR RIMËKËMBJEN E AKTIVITETIT TREGTAR TË NDIKUAR NGA SITUATA E KRIJUAR NGA COVID-19, SI EDHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 2, e vendimit nr.387, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Linja e garancisë shtetërore që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare është, si më poshtë vijon:

– Raiffeisen Bank, sh.a., Albania, deri në vlerën 3 900 000 000 lekë;
– Banka Tirana, sh.a.,deri në vlerën 1 250 000 000 lekë;
– Banka Union, sh.a., deri në vlerën 800 000 000 lekë;
– Banka Intesa Sanpaolo Albania, sh.a., deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;
– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a., deri në vlerën 700 000 000 lekë;
– Banka OTP Albania, sh.a., deri në vlerën 2 200 000 000 lekë;
– Banka Procredit, sh.a., deri në vlerën 600 000 000 lekë;
– Banka Alpha Albania, sh.a., deri në vlerën 950 000 000 lekë;
– Banka Amerikane e Investimeve, sh.a., deri vlerën 800 000 000 lekë;
– Banka Credins, sh.a., deri në vlerën 1 500 000 000 lekë;
– Banka e Bashkuar e Shqipërisë, sh.a., deri në vlerën 300 000 000 lekë;
– Banka e Parë e Investimeve, Albania, sh.a.,
deri në vlerën 800 000 000 lekë.”.

2. Ndryshimi sipas pikës 1, të këtij vendimi, të reflektohet edhe në marrëveshjet e garancisë të lidhura me bankat tregtare përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NDRYSHIMIN E EMËRTIMIT TË NJËSISË SË QEVERISJES VENDORE BASHKIA URA VAJGURORE NË BASHKIA DIMAL”

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 2, të nenit 90, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për ndryshimin e emërtimit të njësisë së qeverisjes vendore Bashkia Ura Vajgurore në Bashkia Dimal”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT TË PARKUT DHE KOMPLEKSIT SPORTIV, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR , NË FSHATIN VALIAS, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAMZË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 37 837 121 (tridhjetë e shtatë milionë e tetëqind e tridhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet e një) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projektit të parkut dhe kompleksit sportiv, në zonën e re për zhvillim të detyruar, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë, dhe caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’i kalojë Bashkisë Kamzë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese për zbatimin e pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 30 050 000 (tridhjetë milionë e pesëdhjetë mijë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në Bashkinë Vorë.

2. Efekti financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’i transferohet Bashkisë Vorë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT OSE RIPARIMIT TË MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË KAVAJË DHE MIRDITË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 400 081 860 (katërqind milionë e tetëdhjetë e një mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Kavajë dhe Mirditë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’u kalojë bashkive Kavajë dhe Mirditë, në formën e transfertës së pakushtëzuar sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 349 125 000 (treqind e dyzet e nëntë milionë e njëqind e njëzet e pesë mijë) lekësh;
b) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi prej 50 956 860 (pesëdhjetë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë) lekësh.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kavajë e Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, NË ZONAT E REJA TË SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 3, të vendimit nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:

“3.1 Përdorimi i fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2021, do të jetë në masën 1 831 932 076 (një miliard e tetëqind e tridhjetë e një milionë e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, pa TVSH, nga të cilat:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 897 566 799 (tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekësh, pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë.

b) Bashkisë Tiranë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi prej 934 365 277 (nëntëqind e tridhjetë e katër milionë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekësh, pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike, në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në Bashkinë Tiranë.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë (në vijim, ministri), me seli në Tiranë.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve miratohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka si mision që të garantojë organizimin e funksionimin e sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale dhe trajtimin e të burgosurve në përputhje me legjislacionin në fuqi e standardet më të mira ndërkombëtare, me qëllim garantimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, si dhe rehabilitimin social e riintegrimin e të dënuarve.

KREU II
PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka këto përgjegjësi:

1. Organizon punën për të garantuar funksionimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;

2. Organizon punën për të siguruar trajtimin e personave të burgosur në përputhje me ligjin për të drejtat e trajtimin e të dënuarve me burgim e të paraburgosurve dhe me standardet më të mira ndërkombëtare;

3. Organizon punën për të garantuar sigurinë dhe rendin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nëpërmjet Policisë së Burgjeve.

KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË
SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

1. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet në dy nivele:

a) në nivel qendror, si drejtori e përgjithshme;
b) në nivel vendor, nëpërmjet institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

2. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve funksionon Policia e Burgjeve, si pjesë e strukturës dhe e organikës së saj. Organizimi e funksionimi i Policisë së Burgjeve rregullohet me ligj të posaçëm.

3. Krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim ose e seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të ministrit.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në marrëdhëniet me të tretët.

5. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbështetet nga 2 (dy) zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm të Burgjeve.

7. Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Burgjeve emërohen sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga legjislacioni për nëpunësin civil dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

8. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, në rast mungese ose paaftësie afatshkurtër, zëvendësohet, për shkak të ligjit, nga zëvendësdrejtori me vjetërsinë më të madhe në shërbimin civil. Drejtori i Përgjithshëm përgjigjet dhe raporton përpara ministrit. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm përgjigjen dhe raportojnë përpara drejtorit të Përgjithshëm, si dhe ministrit.

9. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale drejtohen, mbikëqyren dhe përfaqësohen nga drejtori i institucionit, i cili i raporton drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe ministrit. Në varësi të madhësisë dhe kompleksitetit të veprimtarisë, drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale mbështeten nga 1 (një) zëvendësdrejtor, sipas përcaktimit në urdhrin për krijimin ose klasifikimin e tyre.

10. Drejtori i institucionit emërohet dhe shkarkohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Zëvendësdrejtori i institucionit emërohet e shkarkohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

11. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe e Policisë së Burgjeve miratohen me urdhër të Kryeministrit, në bazë të propozimit të ministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

12. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:

a) Bashkëpunon me institucionet e drejtësisë penale, institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura;
b) Garanton kushtet për ekzekutimin e vendimeve penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet më të mira ndërkombëtare, në funksion të rehabilitimit social dhe riintegrimit të të dënuarve;
c) Mundëson trajnim dhe kualifikime të veçanta në fushat përkatëse për personelin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
ç) Harton aktet nënligjore në zbatim të legjislacionit në fuqi që rregullon sistemin e burgjeve;
d) Informon në mënyrë të vazhdueshme publikun për veprimtarinë e saj, në mënyrë që të kuptohet më mirë roli i sistemit të burgjeve në trajtimin e të burgosurve;
dh) Ndjek vlerësimin e riskut dhe të nevojave të të burgosurve, si dhe realizon kategorizimin e shpërndarjen e tyre në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale;
e) Siguron shërbimet e kujdesit shëndetësor për të burgosurit gjatë kohës së qëndrimit në institucion, si dhe kushtet, mjetet e personelin për mbrojtjen e shëndetit të të dënuarve;
ë) Garanton ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor të nevojshëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe, në rast se ofrimi i këtyre shërbimeve është i pamundur të kryhet në këto institucione, shërbimet mundësohen në struktura shëndetësore të specializuara jashtë sistemit të burgjeve;
f) Nxit përfitimin, njohjen dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale, si dhe kryerjen e lehtësimin e ndjekjes së kurseve profesionale, duke përdorur kurset me kohë të pjesshme;
g) Lidh marrëveshje me komunitete fetare të njohura ligjërisht;
gj) Kryen inspektime pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
h) Krijon kushtet e nevojshme për kryerjen e monitorimeve të pavarura nga organizata ose agjenci ndërkombëtare dhe nga institucione shtetërore;
i) Merr masa për sigurimin e jetës së personit të burgosur, që gëzon statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe për realizimin e planit individual të trajtimit të tij, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
j) Kryen çdo detyrë tjetër të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

13. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale kryejnë detyrat e mëposhtme:

a) Presin, sistemojnë, trajtojnë, rehabilitojnë dhe riintegrojnë personat e burgosur;
b) Sigurojnë trajtimin me dinjitet të personave të burgosur në zbatim të legjislacionit në fuqi, si dhe të akteve ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë;
c) Sigurojnë mundësinë e trajtimit të të burgosurit nga mjeku specialist, sipas nevojave konkrete dhe sipas një regjimi kontrolli të mirëpërcaktuar;
ç) Sigurojnë trajtimin e veçantë dhe pa diskriminim për të burgosurit e mitur, gratë, personat me çrregullime të shëndetit mendor, të pasura ose të fituara gjatë burgimit, dhe të burgosurit me aftësi të kufizuar;
d) Sigurojnë rehabilitimin social dhe riintegrimin social e ekonomik që në fazën e paraburgimit;
dh) Garantojnë standardet e kushtet higjieno-sanitare, veshjen dhe kushtet e fjetjes së personave të burgosur, si dhe kushtet e ndriçimit, ngrohjes e ajrimit;
e) Nxisin përfitimin, njohjen dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale, si dhe kryerjen e lehtësimin e ndjekjes së kurseve profesionale, duke përdorur kurset me kohë të pjesshme;
ë) Detyra të tjera të parashikuara në akte ligjore dhe nënligjore.

14. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve civilë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.

15. Marrëdhëniet e punës për punonjësit mbështetës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

16. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës e sjelljen e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.

17. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

18. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e institucioneve përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale … (emri i degës territoriale)”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

19. Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe vulat e institucioneve të ekzekutimeve të vendimeve penale kanë formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Vendimi nr.79, datë 20.2.1997, i Këshillit të Ministrave, “Për strukturën dhe organikën e administratës së përgjithshme të burgjeve”, shfuqizohet.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKINË DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 109 965 920 (njëqind e nëntë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në Bashkinë Durrës.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.221, DATË 23.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË PRONËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 26, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.221, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 6 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“6. ATP-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe nga dy zëvendësdrejtorë të përgjithshëm. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm përmbushin detyrat që u delegohen nga drejtori i Përgjithshëm. Drejtori i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorët e përgjithshëm i raportojnë ministrit të Drejtësisë.”.

2. Pika 7 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“7. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, ndërsa zëvendësdrejtorët e përgjithshëm emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga detyra nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.”.
3. Pika 10 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“10. Në rastet kur pozicioni i drejtorit të Përgjithshëm mbetet vakant, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, në zbatim të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ushtrohen drejtpërdrejt nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm më i vjetër në këtë funksion. Detyrat dhe përgjegjësitë që ligji nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ia ngarkon drejtpërdrejt drejtorit të Përgjithshëm nuk mund të ushtrohen nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm.”.

4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTEVE “REHABILITIMI I LUMIT GJANICË”, “RIKONCEPTIMI I QENDRËS SË QYTETIT” DHE “NDËRTIMI I STADIUMIT TË LOJËRAVE ME DORË”, FIER

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit së Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi projekteve “Rehabilitimi i Lumit Gjanicë”, “Rikonceptimi i qendrës së qytetit” dhe “Ndërtimi i Stadiumit të Lojërave me Dorë”, Fier.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “Tokë truall”, “objekt banimi” dhe “objekt shërbimi”, me një vlerë të përgjithshme prej 124 395 382 (njëqind e njëzet e katër milionë e treqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e treqind e tetëdhjetë e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 124 395 382 (njëqind e njëzet e katër milionë e treqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e treqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet:

• 27 088 361 (njëzet e shtatë milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e një) lekë, nga buxheti i Bashkisë Fier;
• 97 307 021 (nëntëdhjetë e shtatë milionë e treqind e shtatë mijë e njëzet e një) lekë, nga shpenzimet e miratuara në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit “Planifikimi urban” në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2022.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2021.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes së tij në fuqi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Fier.

8. Bashkia Fier të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.596, DATË 31.8.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE, TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGËS “XOXI ANDONI” DHE HAPËSIRAVE RRETH SAJ, FIER””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.596, datë 31.8.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit 138 248 315 (njëqind e tridhjetë e tetë milionë e dyqind e dyzet e tetë mijë e treqind e pesëmbëdhjetë) lekë.

4.Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 138 248 315 (njëqind e tridhjetë e tetë milionë e dyqind e dyzet e tetë mijë e treqind e pesëmbëdhjetë) lekë të përballohet:

– 137 500 521 (njëqind e tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë e pesëqind e njëzet e një) lekë, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”;
– 747 794 (shtatëqind e dyzet e shtatë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër) lekë, nga buxheti i miratuar për Bashkinë Fier.”.

b) Pas tabelës bashkëlidhur vendimit të shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.13 TË MARRËVESHJES SË NDIHMËS PËR OBJEKTIVA ZHVILLIMI, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR FORCIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS, QEVERISJEN E MIRË DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR NJË RRITJE EKONOMIKE ME BAZË TË GJERË TË QËNDRUESHME DHE GJITHËPËRFSHIRËSE, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.174/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.13 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të ratifikuar me ligjin nr.174/2013, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.