Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Janar 2019:
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.230, DATË 13.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGESË TË QIRASË TË DISA FAMILJEVE QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “UNAZA E MADHE E TIRANËS, SEGMENTI KOMUNA E PARISIT-RRUGA E KAVAJËS”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.230, datë 13.3.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pas lidhjes 2/2 shtohet lidhja 2/3 me listën emërore të subjekteve që do të trajtohen me qira, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Lista emërore sipas lidhjes 2/3 dhe lista emërore e familjeve që nuk janë paraqitur për tërheqjen e qirasë të verifikohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me njësinë administrative që mbulon zonën.
2. Në pikën 1, fjalët “… përfitojnë pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.” zëvendësohen me “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin.”.
3. Pika 1/1 shfuqizohet.
4. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/2 e 1/3, me këtë përmbajtje:
“1/2. Financimi i qirasë për familjet përfituese të mbulohet 50% nga buxheti i shtetit, që akordohet për strehimin, 50% nga buxheti i Bashkisë Tiranë dhe zbatimi të bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave. Për vitin 2018, familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë nga Bashkia Tiranë përfitojnë vetëm diferencën ndërmjet qirasë së vlerësuar nga EKB-ja me shumën e bonusit që kanë përfituar nga Bashkia Tiranë.
1/3. Financimi i qirasë të bëhet pas verifikimit nga Bashkia Tiranë të gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin.”.
5. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
6. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për strehimin …”.
7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, Enti Kombëtar i Banesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PAKETËS SË PROGRAMIT KOMBËTAR TË DEPISTIMIT TË KANCERIT TË QAFËS SË MITRËS NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e programit kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri, si një paketë shërbimesh ndihmëse në shëndetin publik, me qëllim identifikimin e hershëm të dëmtimeve parakanceroze në qafën e mitrës dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
2. Shërbimet e organizuara të këshillimit dhe marrjes së mostrave për ekzaminimin e mëtejshëm laboratorik të testit depistues të HPV-së do të kryhen pranë qendrave shëndetësore të shërbimeve të kujdesit parësor.
3. Interpretimi i testeve laboratorike të HPV-së do të kryhet në mënyrë të centralizuar, në laboratorin qendror pranë Institutit të Shëndetit Publik.
4. Instituti i Shëndetit Publik siguron infrastrukturën e nevojshme laboratorike për ekzaminimin e testeve depistuese të HPV-së.
5. Për gratë e përfshira në këtë program, që rezultojnë pozitive nga depistimi, përcaktimi i diagnozës dhe trajtimi eventual mjekësor do të kryhet në shërbimet spitalore rajonale dhe universitare publike.
6. Programi të garantojë qëndrueshmëri afatgjatë, rritje të vazhdueshme të mbulesës depistuese dhe cilësi në të gjitha nivelet e shërbimeve shëndetësore publike të përfshira.
7. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, nëpërmjet njësive vendore të kujdesit shëndetësor dhe në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, duhet të sigurojnë mbështetje për transportin e mjeteve të konsumit pranë qendrave shëndetësore në rajonet e përzgjedhura si dhe transportin e mostrave biologjike në laboratorin qendror, pranë Institutit të Shëndetit Publik.
8. Qendrat shëndetësore duhet të sigurojnë informimin dhe këshillimin e grave të përfshira në program lidhur me procedurën e marrjes së mostrave biologjike për testet depistuese të HPV-së. Mjekët e familjes duhet të informojnë gratë për rezultatet e testit, pozitiv apo negativ, dhe referimin më pas të tyre në strukturat e tjera shëndetësore.
9. Instituti i Shëndetit Publik, spitalet rajonale dhe spitalet universitare gjinekologjike-obstetrikale publike, në Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, të sigurojnë trajnimin e duhur për personelin shëndetësor, mjekë dhe infermierë, të këtyre qendrave.
10. Instituti i Shëndetit Publik i propozon Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shtrirjen graduale të programit të depistimit të kancerit të qafës së mitrës dhe mbështet në vijimësi aktivitetet kombëtare dhe rajonale të ndërgjegjësimit të popullatës për programin.
11. Instituti i Shëndetit Publik i propozon për miratim Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kornizën teknike të programit për popullatën target, grupmoshën, standardet, mekanizmat e sigurimit të cilësisë, menaxhimin e riskut dhe treguesit e monitorimit të procesit. Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, përditëson në vijimësi kornizën teknike, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
12. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Sokol Dedja emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve, dhënë në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Spitali e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
4. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre.
6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me këto metoda:
a) Buxhetim me zëra shpenzimesh për:
i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.
b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi global detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar të buxhetit.
8. Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Një fond jo më i madh se 27% e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht për:
a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat;
dh) transferta për individët (mjekë specialistë).
10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor vlerëson kërkesat e spitaleve (rajonale/bashkiake) për investimet dhe ia paraqet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për miratim. Spitalet universitare e paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.
12. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime dhe investime.
13. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
14. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
15. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj dhe për raste të tjera me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
16. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor kontrollojnë, monitorojnë buxhetin spitalor, vlerësojnë aktivitetin vjetor të spitaleve dhe treguesit e performancës nëpërmjet strukturave të tyre audituese dhe kontrolluese, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e financimit. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor monitoron dhe vlerëson performancën e punonjësve të spitaleve rajonale dhe bashkiake sipas treguesve të kontratës së financimit.
17. Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
18. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 016 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëmbëdhjetë) veta, nga të cilët 141 (njëqind e dyzet e një) punonjës në Spitalin Universitar të Traumës për Shërbimin e Urgjencës Ambulatore dhe Shërbimin e Ortopedi-Traumatologjisë. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital miratohen nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
19. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.
20. Mjekët e kontraktuar, sipas pikës 19, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar.
21. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti i spitalit.
22. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
23. Vendimi nr.17, datë 12.1.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2018”, i ndryshuar, shfuqizohet.
24. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2019.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për emërimin e znj. Xhoana Lilaj anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET NR.1699, DATË 29.12.2008; NR.707, DATË 23.6.2009; NR.784, DATË 1.7.2009; NR.1147, DATË 25.11.2009; NR.1231, DATË 11.12.2009; NR.268, DATË 21.4.2010; NR.382, DATË 19.5.2010; NR.714, DATË 25.8.2010; NR.1015, DATË 10.12.2010; NR.61, DATË 26.1.2011; NR.99, DATË 4.2.2011; NR.135, DATË 23.2.2011; NR.196, DATË 9.3.2011; NR.297, DATË 14.4.2011; NR.363, DATË 4.5.2011, TË NDRYSHUAR, NR.509, DATË 13.6.2013, NR.502, DATË 10.6.2015, NR.688, DATË 22.11.2017 DHE NR.256, DATË 9.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Korrigjimin e masës përfundimtare të dëmshpërblimit financiar, të parashikuar në vendimet nr.1699, datë 29.12.2008; nr.707, datë 23.6.2009; nr.784, datë 1.7.2009; nr.1147, datë 25.11.2009; nr.1231, datë 11.12.2009; nr.268, datë 21.4.2010; nr.382, datë 19.5.2010; nr.714, datë 25.8.2010; nr.1015, datë 10.12.2010; nr.61, datë 26.1.2011; nr.99, datë 4.2.2011; nr.135, datë 23.2.2011; nr.196, datë 9.3.2011; nr.297, datë 14.4.2011; nr.363, datë 4.5.2011, të ndryshuar; nr.509, datë 13.6.2013, nr.502, datë 10.6.2015, nr.688, datë 22.11.2017 dhe nr.256, datë 9.5.2018, të Këshillit të Ministrave, Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efekti financiar i korrigjimit të masës përfundimtare të dëmshpërblimit financiar për vendimet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
3. Ngarkohen ministri i Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministri i Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ZBATIMIN E KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 198, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Pas pikës 4, të nenit 349, shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“5. Procesverbali i prodhuar nga pajisjet digjitale është sipas modelit VI.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje dhe duhet të përmbajë të njëjtët tregues të procesverbalit të modelit VI.1 të saj.
6. Modalitetet e përdorimit të pajisjeve digjitale dhe mënyrat e transferimit të të dhënave digjitale në kohë reale në sistemin elektronik e-gjoba përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm.”.
b) Pas modelit VI.1 shtohet modeli VI.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.662, DATË 8.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË KUÇOVË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.662, datë 8.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Shtohen pronat nr.571-577, sipas lidhjes 1 dhe formularit që i bashkëlidhen këtij vendimi;
b) Të dhënat e pronave me nr.99, 477, 16, 405, 5, 475, 268, 269, 280, 284, 257, 262, 263, 270, 260, 261 dhe 276 zëvendësohen me të dhënat e përcaktuara në formularët që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Kuçovë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA