Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2021:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Megi Fino emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KATALOGUT TË MBETJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Katalogut të Mbetjeve, sipas shtojcave I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.99, datë 18.2.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Klasifikimit të Mbetjeve”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si dhe institucionet e tyre të varësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

FORMËN E KOMUNIKIMIT NË PROCEDURAT E PROKURIMIT PUBLIK

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe tё pikёs 1, tё nenit 17, të ligjit nr.162/2020, “Pёr prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në procedurat e prokurimit “Dialog konkurrues”, “Partneritet për inovacion”, “Konkurruese me negociim” dhe “Konkurs projektimi”, fazat vijuese, pas fazës së parakualifikimit, zhvillohen në formë shkresore.

2. Ngarkohen të gjitha autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e kёtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit nё “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË HOLLËSISHME PËR MIRATIMIN DHE KOMPETENCAT E TRUPAVE CERTIFIKUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 23, të ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. QËLLIMI DHE PËRKUFIZIMET

1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kriteret e hollësishme për miratimin dhe kompetencat e trupave certifikuese, që do të kryejnë procesin e verifikimit të përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si EOM, TGJM dhe STG me specifikimet përkatëse.

2. Përveç përkufizimeve të parashikuara në ligjin nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Komision”, komisioni për miratimin dhe auditimin e trupave certifikuese (KMATC);
b) “Ligj” i referohet ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”;
c) “Trupë certifikuese”, ka kuptimin referuar nenit 23, të ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”.

II. KRITERE TË PËRGJITHSHME

1. Trupa certifikuese e akredituar që paraqet kërkesën për miratim, referuar pikës 2, të nenit 23, të ligjit, siguron dëshmi dhe informacion lidhur me:

a) certifikatën e akreditimit, që konfirmon përputhshmërinë me kërkesat e ISO/IEC 17065, për verifikimin e përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si EOM, TGJM dhe STG;
b) statusin ligjor, qëllimin e aktivitetit dhe organigramën;
c) procedurat e detajuara për verifikimin e sistemit të përputhshmërisë për produktet bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM;
ç) paanshmërinë dhe lirinë nga çdo konflikt interesi lidhur me ushtrimin
e detyrave që i janë ngarkuar;
d) fushën e akreditimit dhe fushën për të cilën kërkon miratim;
dh) adresën dhe kontakte të sakta.

2. Trupa certifikuese duhet të provojë që inspektorët nuk kryejnë më shumë se 3 (tri) inspektime rresht tek i njëjti prodhues.

III. KRITERE PËR BURIMET NJËRËZORE

1. Kualifikimet minimale të inspektorëve të trupave certifikuese janë, si më poshtë vijon:

a) Arsim i mesëm i lartë, ose i lartë në bujqësi, ose arsim i lartë në teknologji ushqimore;
b) Të paktën 2 (dy) vjet, në 5 (pesë) vitet e fundit, eksperiencë profesionale në fushën e kontrollit të prodhimit bujqësor ose ushqimor përkatës;
c) Trajnime për kryerjen e inspektimeve të kontrollit në fushën e bujqësisë ose të procesit të prodhimit ushqimor përkatës;
ç) Kurse dhe trajnime lidhur me produktet tradicionale bujqësore ose
ushqimore.

2. Një trupë certifikuese mund të vendosë kërkesat e veta kualifikuese për stafin e saj, duke siguruar që ato të mos jenë më të ulëta se kriteret minimale të vendosura në pikën 1, të këtij kreu dhe që plotësojnë kërkesat e ISO/IEC 17065.

3. Kërkesat sipas pikave 1 dhe 2, të këtij kreu, duhet të jenë të dokumentuara.

IV. PËRMBAJTJA/TË DHËNAT E CERTIFIKATËS SË CILËSISË

1. Certifikata e cilësisë e lëshuar nga trupa certifikuese përmban informacion shtesë lidhur me:
a) numrin e identifikimit dhënë trupës certifikuese gjatë procesit të miratimit nga KMATC-ja;
b) numrin e certifikatës dhënë operatorit ushqimor.

V. KOMPETENCAT E TRUPAVE CERTIFIKUESE

1. Trupa certifikuese kryen verifikimin e përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM, me specifikimet përkatëse të produkteve para vendosjes së tyre në treg, referuar pikës 1, të neneve 22 e 23, të ligjit.

2. Trupa certifikuese lëshon certifikatën e cilësisë, që konfirmon përputhshmërinë e produkteve bujqësore apo ushqimore me specifikimet, referuar pikës 4, të nenit 26, të ligjit.

3. Trupa certifikuese, gjatë çdo inspektimi, merr informacion nga prodhuesi lidhur me vëllimin e vlerësuar të prodhimit gjatë periudhës së vlefshmërisë së certifikatës.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

2. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Petro Koçi, zëvendësministër i Mbrojtjes lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT, MBI TRANSFERIMIN E PERSONAVE TË DËNUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e personave të dënuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES MBI BASHKËPUNIMIN PËR MBROJTJEN NDAJ KATASTROFAVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes mbi bashkëpunimin për mbrojtjen ndaj katastrofave në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit të marrëveshjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT, PËR RIPRANIMIN E PERSONAVE DHE PROTOKOLLIT ZBATUES TË MARRËVESHJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR ASISTENCË TEKNIKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KUVAJTIT PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË NJË STUDIMI FIZIBILITETI PËR PROJEKTET E INFRASTRUKTURËS SË TRANSPORTIT NË ZONAT BREGDETARE JUGORE TË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së grantit për asistencë teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projektet e infrastrukturës së transportit në zonat bregdetare jugore të Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SIGURINË 4G DHE 5G

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për sigurinë 4G dhe 5G, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E METODOLOGJISË SË LLOGARITJES DHE KUFIJVE TË KUOTËS BID

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.63/2020, “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e metodologjisë së llogaritjes dhe kufijve të kuotës BID, në kuptim të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.63/2020, “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”.

2. Përveç përkufizimeve të parashikuara në nenin 2, të ligjit nr.63/2020, “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, termat në vijim kanë këto kuptime:

a) “Objekt i veprimtarisë së paguesve të kuotës BID”, objekti i veprimtarisë që ushtron poseduesi në njësinë tregtare të zonës BID, siç përcaktohet në ekstraktin e subjektit të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ose, për organizatat jofitimprurëse, siҫ përcaktohet në ekstraktin e lëshuar nga regjistri i organizatave jofitimprurëse pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
b) “Qarkullim vjetor i paguesve të kuotës BID”, të ardhurat e faturuara totale vjetore të çdo paguesi të kuotës BID për vitin e mëparshëm fiskal, pavarësisht nëse janë subjekte tregtare ose organizata jofitimprurëse;
c) “Sipërfaqe e njësisë tregtare”, madhësia në metër kastror e sipërfaqes së pasurisë së paluajtshme, ku ushtron aktivitetin paguesi i kuotës BID;
ç) “Vlera e njësisë tregtare”, vlera e llogaritur bazuar në çmimin mesatar referues të shitblerjes për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtime dhe ambiente jo banimi të përcaktuar në aktin nënligjor për metodologjinë e përcaktimit të vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, i cili është në fuqi në datën e propozimit për BID. Për efekt të llogaritjes së kuotës BID, si vlerë e njësisë tregtare merret vlera që rezulton nga shumëzimi i çmimit mesatar referues të shitblerjes për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtime dhe ambiente jo banimi me sipërfaqen e njësisë tregtare përkatëse që ndodhet në zonën e propozuar BID.

3. Deklarimi dhe mënyra e llogaritjes së kuotës BID nga propozuesi i BID realizohet në përputhje me parashikimin e pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.63/2020, “Për përmirësimin e zonave te biznesit (BID)”. Për përcaktimin e vlerës së kuotës BID, propozuesi i BID bazohet në planin e biznesit të hartuar për krijimin dhe funksionimin e BID.

4. Llogaritja e kuotës BID bazohet në një ose disa kritere objektive të përzgjedhura nga propozuesi i BID ndërmjet kritereve objektive bazë dhe kritereve objektive plotësuese, si më poshtë vijon:

a) Kriteret objektive bazë:

i. qarkullimi vjetor i paguesve të kuotës BID;
ii. vlera e njësisë tregtare.

b) Kriteret objektive plotësuese:

i. objekti i veprimtarisë së paguesit të kuotës BID;
ii. vendndodhja e njësisë tregtare në zonën BID;
iii. përdorimi i hapësirës publike në zonën BID nga paguesit e kuotës BID.

5. Kriteret objektive plotësuese përdoren të kombinuara me të paktën njërin prej kritereve objektive bazë të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 4, të këtij vendimi. Në rast se përdoren dy ose më shumë kritere objektive, propozuesi i BID përcakton në propozimin dhe prospektin BID peshën në përqindje të secilit kriter objektiv, ku pesha në përqindje e kritereve objektive bazë duhet të jetë të paktën 60 (gjashtëdhjetë) % e buxhetit vjetor që mbulohet nga kuotat BID në bazë të planit të biznesit. Mbi bazën e peshës në përqindje mbi buxhetin vjetor që mbulohet nga kuotat BID, propozuesi i BID llogarit buxhetin vjetor të BID për çdo kriter objektiv të përzgjedhur.

6. Kuota BID për çdo pagues të saj përbën shumën e vlerave absolute të llogaritura për secilin kriter objektiv të përzgjedhur. Vlera absolute vjetore e kuotës BID për çdo pagues të kuotës BID, në çdo rast, nuk mund të jetë më shumë se 2 (dy) % e vlerës së njësisë tregtare përkatëse.

7. Kur përdoret kriteri objektiv bazë “qarkullimi vjetor i paguesve të kuotës BID”, propozuesi i BID përcakton në propozimin për BID dhe prospektin BID koeficientin në përqindje, i cili, i shumëzuar me qarkullimin vjetor përkatës të çdo paguesi të kuotës BID, rezulton në vlerën e kuotës BID për çdo pagues të saj. Ky koeficient llogaritet si raport i pjesës së buxhetit vjetor të BID, që do të mbulohet nga kuotat BID, sipas planit të biznesit, me vlerën totale të qarkullimit vjetor të të gjithë paguesve të kuotës BID në zonën e propozuar BID. Informacioni për qarkullimin vjetor të merret nga drejtoria rajonale tatimore përkatëse ose nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) për çdo pagues të kuotës BID.

8. Kur përdoret kriteri objektiv bazë “vlera e njësisë tregtare”, propozuesi i BID përcakton në propozimin për BID dhe në prospektin BID koeficientin në përqindje, i cili, i shumëzuar me vlerën e njësisë tregtare përkatëse të çdo paguesi të kuotës BID, rezulton në vlerën e kuotës BID për çdo pagues të saj. Ky koeficient llogaritet si raport i pjesës së buxhetit vjetor të BID, që do të mbulohet nga kuotat BID sipas planit të biznesit, me vlerën totale të të gjitha njësive tregtare në zonën e propozuar BID. Informacioni për sipërfaqen e çdo njësie tregtare, merret nga zyra vendore e taksave dhe tatimeve e bashkisë përkatëse ose nga kartela e përditësuar e pronës, lëshuar nga zyra vendore përkatëse e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

9. Në rast se gjatë kohëzgjatjes së BID të miratuar ndryshon çmimi mesatar referues i shitblerjes për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtime dhe ambiente jo banimi, kuota BID nuk ndryshon deri në përfundim të kohëzgjatjes së BID. Në rast se BID përkatës rinovohet, kuota BID llogaritet mbi bazën e ҫmimit mesatar referues të shitblerjes për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtime dhe ambiente jo banimi, të përcaktuar në aktin nënligjor përkatës në fuqi në datën e propozimit të rinovimit të BID.

10. Kur përdoret si kriter objektiv plotësues “objekti i veprimtarisë”, propozuesi i BID llogarit vlerën absolute të këtij kriteri objektiv plotësues për kategori paguesish të kuotës BID sipas objektit të veprimtarisë së tyre, e cila, duke u pjesëtuar me numrin e paguesve të kuotës BID në secilën kategori, rezulton në vlerën absolute të këtij kriteri objektiv plotësues për çdo pagues të kuotës BID. Për të llogaritur vlerën absolute të këtij kriteri objektiv plotësues për kategori, propozuesi i BID përcakton peshën në përqindje të secilës kategori paguesish të kuotës BID, e cila rezulton nga raporti i totalit të qarkullimit vjetor të paguesve të kuotës BID për kategori me totalin e qarkullimit vjetor të të gjithë paguesve të kuotës BID, shumëzuar me pjesën e buxhetit vjetor të BID për këtë kriter objektiv plotësues. Informacioni për qarkullimin vjetor merret në përputhje me parashikimin e dhënë në pikën 7, të këtij vendimi, ndërsa informacioni për objektin e veprimtarisë së paguesit të kuotës BID merret nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ose nga Regjistri i OJF-ve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

11. Kur përdoret si kriter objektiv plotësues “vendndodhja e njësisë tregtare në zonën BID”, propozuesi i BID llogarit vlerën absolute të këtij kriteri objektiv plotësues për çdo pagues të kuotës BID sipas vendndodhjes dhe sipërfaqes së njësisë tregtare përkatëse, duke marrë në konsideratë faktorët që ndikojnë në përparësitë konkurruese për çdo pagues të kuotës BID, të tilla, si: aksesi i vizitorëve në zonën BID, vizibiliteti dhe largësia nga sheshi kryesor. Propozuesi i BID llogarit koeficientin (k), i cili, i shumëzuar me sipërfaqen e secilës njësi tregtare që ndodhet në zonën BID (s1, s2… sn) dhe peshën në përqindje të kategorisë përkatëse të vendndodhjes së saj (p.sh. 50%, 30% …), rezulton në vlerën absolute të këtij kriteri objektiv plotësues për çdo pagues të kuotës BID. Pesha në përqindje përcaktohet nga propozuesi i BID për çdo kategori paguesish të kuotës BID, sipas vendndodhjes së tyre. Koeficienti (k) llogaritet si raport i pjesës së buxhetit vjetor të BID për këtë kriter objektiv plotësues me totalin e sipërfaqeve përkatëse të secilës njësi tregtare të shumëzuara përkatësisht me peshën në përqindje sipas kategorisë së vendndodhjes së njësisë tregtare, sipas formulës më poshtë. Informacioni për sipërfaqen e çdo njësie tregtare merret në përputhje me parashikimin e dhënë në pikën 8, të këtij vendimi:

k = pjesa e buxhetit vjetor të BID për kriterin objektiv “vendndodhje”
∑ ((s1 x 50%) + (s2 x 30%) +…+ (sn x % sipas kategorisë së vendndodhjes))

12. Kur përdoret si kriter objektiv plotësues “përdorimi i hapësirës publike nga njësitë tregtare”, propozuesi i BID llogarit vlerën absolute të këtij kriteri objektiv plotësues për çdo pagues të kuotës BID, sipas hapësirës publike të marrë në përdorim prej tyre në zonën BID. Propozuesi i BID llogarit koeficientin në përqindje, i cili, i shumëzuar me tarifën e pagueshme në bashki për kohëzgjatjen e përdorimit të hapësirës publike nga çdo pagues i kuotës BID, rezulton në vlerën absolute të kriterit objektiv plotësues për çdo pagues të kuotës BID. Koeficienti llogaritet si raport i pjesës së buxhetit vjetor të BID për këtë kriter objektiv plotësues me vlerën totale të tarifave të pagueshme në bashki nga të gjithë paguesit e kuotës BID, përdorues të hapësirës publike, pjesë e zonës së propozuar BID. Tarifa e përdorimit të hapësirës publike për çdo pagues të kuotës BID rezulton nga shumëzimi i sipërfaqes në metër katror të hapësirës publike të marrë në përdorim me numrin e muajve që përdoret kjo hapësirë dhe vlerën e tarifës mujore, e cila përcaktohet në paketën fiskale të bashkisë përkatëse. Me kërkesë të propozuesit të BID, zyra vendore e taksave dhe tatimeve e njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse i jep propozuesit të BID informacionin për sipërfaqet publike të marra apo që do të merren në përdorim nga paguesit e kuotës BID në zonën BID, së bashku me informacionin për kohëzgjatjen në muaj të përdorimit të hapësirës publike, si dhe vlerën e tarifës për përdorimin e hapësirës publike për zonën e propozuar BID, sipas përcaktimeve në vendimin në fuqi të këshillit bashkiak përkatës për miratimin e taksave dhe tarifave vendore vjetore të zbatueshme në juridiksionin e njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.

13. Në përcaktimin e peshës përkatëse në përqindje të kriterit objektiv plotësues “përdorim i hapësirës publike nga njësitë tregtare” për llogaritjen e kuotës BID, propozuesi i BID merr në konsideratë faktorët që mund të ndikojnë në luhatjen e vlerës së kuotës BID, bazuar në këtë kriter objektiv plotësues, të tilla, si: përdorimi i hapësirës publike për periudha kohore më të shkurtra se një vit kalendarik, ndryshimi i vlerës së paguar të tarifës për përdorimin e hapësirës publike gjatë kohëzgjatjes së BID të propozuar, si dhe ndryshimi periodik i bizneseve përdoruese të hapësirës publike.

14. Llogaritja e kuotës BID bëhet në përputhje me përmbajtjen e këtij vendimi dhe shembujt e dhënë në shtojcën nr.1 bashkëlidhur.

15. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe drejtoritë rajonale tatimore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.389, DATË 12.6.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET PËR LËSHIMIN E PASAPORTËS DIPLOMATIKE DHE ASAJ TË SHËRBIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shteti”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 14, të vendimit nr.389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… pasaportat përkatëse deri më datë 30 qershor 2021.” zëvendësohen me “… pasaportat e vlefshme përkatëse deri më datë 31 dhjetor 2022”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NDËRTIMIN DHE RIKONSTRUKSIONIN E INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, SI DHE ÇDO NDËRHYRJE TJETËR NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË KËTYRE BANESAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, pika 1, shkronja “a”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pikat 1 dhe 2.a, të vendimit nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 7 570 789 865 (shtatë miliardë e pesëqind e shtatëdhjetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale dhe ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre banesave.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’u kalojë njësive zbatuese, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në masën 5 430 065 414 (pesë miliardë e katërqind e tridhjetë milionë e gjashtëdhjetë e pesë mijë e katërqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, 18, pika 2, shkronja “c”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020 , të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i vendimit ndryshon dhe bëhet “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall”.

2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1.Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 18 441 909 064 (tetëmbëdhjetë miliardë e katërqind e dyzet e një milionë e nëntëqind e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e katër) lekë pa TVSH, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

3. Në pikën 2, fjalët “… në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar …”, zëvendësohen me “…në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall …”.

4. Pikat 2.1 dhe 3.1 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2.1 Përdorimin e fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2021, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 666 179 207 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

3.1 Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi“, i shtohet fondi prej 666 179 207 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

Efekti financiar sipas kësaj pike të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.”.

5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT TË 13-TË DHE 14-TË PERIODIK KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E KONVENTËS NDËRKOMBËTARE “PËR ZHDUKJEN E TË GJITHA FORMAVE TË DALLIMIT RACOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 9, të konventës ndërkombëtare “Për zhdukjen e të gjitha formave të dallimit racor”, aderuar me ligjin nr.7768, datë 9.11.1993, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e raportit të 13-të dhe të 14-të periodik kombëtar për zbatimin e konventës ndërkombëtare “Për zhdukjen e të gjitha formave të dallimit racor”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT TË TRETË PERIODIK KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E PAKTIT NDËRKOMBËTAR PËR TË DREJTAT CIVILE DHE POLITIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 40, të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, aderuar me ligjin nr.7510, datë 8.8.1991, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e raportit të tretë periodik kombëtar për zbatimin e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË RRUGËVE “MIQËSIA” DHE “AZEM HAJDARI – GJELBËRIMI”, TË NDODHURA BRENDA KONTURIT TË ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, ZONA 4, NJËSIA ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 400 276 890 (një miliard e katërqind milionë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës, të cilat shërbejnë si rrugë lidhëse me aksin kryesor të rrugës “Azem Hajdari”.

2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 280 055 378 (dyqind e tetëdhjetë milionë e pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë, për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës, të cilat shërbejnë si rrugë lidhëse me aksin kryesor të rrugës “Azem Hajdari”.

3. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rikonstruksionin e rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË PËRGJITHSHME, KRITEREVE DHE PROCEDURAVE SPECIFIKE PËR MARRJEN ME QIRA TË AMBIENTEVE DHE LIDHJEN E KONTRATAVE TË VEÇANTA ME BASHKËPUNËTORË TË JASHTËM OSE FIGURA TË NJOHURA SHQIPTARE NË DIASPORË, TË CILAT NEVOJITEN TË KRYHEN ME QËLLIM ZBATIMIN DHE REALIZIMIN E PROGRAMIT VJETOR TË AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS DHE QË NUK RREGULLOHEN NGA LEGJISLACIONI NË FUQI PËR PROKURIMIN PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10/1, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e rregullave të përgjithshme dhe procedurave specifike për realizimin e aktiviteteve që realizon Agjencia Kombëtare e Diasporës për:

a) marrjen me qira të ambienteve;
b) kontratat e veçanta me bashkëpunëtorë të jashtëm ose figura të njohura shqiptare në diasporë;
c) veprimtari që zhvillohen jashtë Republikës së Shqipërisë.

2. Përveç përkufizimeve të dhëna në nenin 3, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, të ndryshuar, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Aktivitete/evente”, organizime, si: takime, konferenca, veprimtari kulturore, artistike, që organizohen nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, mbështetur në planin e veprimit të përcaktuar në funksion të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën;
b) “Bashkëpunëtorë të jashtëm”, ata persona fizikë që angazhohen nga Agjencia Kombëtare e Diasporës për shkak të cilësive të veçanta që disponojnë dhe për zbatimin e veprimtarive sipas kontratave të lidhura me parë me ta;
c) “Figura të njohura të diasporës”, personalitete të spikatura të diasporës në fusha të ndryshme që japin kontribute të konsiderueshme për vendin e origjinës.

3. Objekti i konkurrimit dhe kriteret që zbatohen për procedurën e konkurrimit:

a) Agjencia Kombëtare e Diasporës përgatit dhe u dërgon ftesat për pjesëmarrje në aktivitet personave fizikë apo juridikë. Objekti i konkurrimit përmban:

i. përshkrimin e aktivitetit;
ii. kriteret e pjesëmarrjes në aktivitet;
iii. afatin kohor të paraqitjes së ofertave.

b) Kriteret për marrjen me qira të ambienteve janë, si më poshtë vijon:

i. Ambienti të ofrojë kushte optimale për realizimin e aktivitetit dhe të sigurojë hapësirën e nevojshme për pjesëmarrësit;
ii. Ambienti të jetë lehtësisht i aksesueshëm.

c) Kriteret që duhet të plotësojnë bashkëpunëtorët e jashtëm/figura të njohura të diasporës janë, si më poshtë vijon:

i. Të kenë marrë pjesë në aktivitete të mëparshme;
ii. Të kenë dhënë kontribut për vendin e origjinës;
iii. T’u jenë akorduar çmime kombëtare apo ndërkombëtare;
iv. Të ketë ekspertizë në fushën për të cilën zhvillohet aktiviteti.

4. Procedura e përzgjedhjes

a) Komisioni i posaçëm, përgjegjës për zbatimin e procedurës së konkurrimit, ngrihet me urdhër të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe kryen këto detyra:

i. Harton kriteret që duhet të përmbushë oferta;
ii. Përgatit dhe dërgon ftesat për pjesëmarrje;
iii. Në datën e caktuar shqyrton ofertat dhe përzgjedh ofertën ekonomike më cilësore, me çmimin më të ulët;
iv. Ankesat për procedurën e konkurrimit bëhen pranë Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i ngarkuar më urdhër të titullarit të Agjencisë, i ndryshëm nga komisioni i përzgjedhjes së ofertave. Agjencia përgjigjet për shqyrtimin e ankesës brenda 3 (tri) ditëve nga marrja e saj dhe njofton pa vonesa ankimuesin.
v. Pas përfundimit të procedurës, Agjencia Kombëtare e Diasporës njofton subjektin fitues;
vi. Procesverbalet nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe arkivohen në strukturat përgjegjëse për arkivimin në Agjenci;
vii. Raporti përfundimtar miratohet nga titullari institucionit.

b) Titullari i Agjencisë Kombëtare të Diasporës, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga shpallja e fituesit, lidh:

i. kontratë qiraje, sipas modelit të shtojcës I, pjesë integrale e këtij vendimi;
ii. kontratë me bashkëpunëtorët e jashtëm, sipas modelit të shtojcës II, pjesë integrale e këtij vendimi.

5. Aktivitete të Agjencisë Kombëtare të Diasporës që zhvillohen jashtë vendit:

a) Për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në rastin e kontratave të qirasë, vlera përcaktohet sipas monedhës së përdorur në vendin ku do të zhvillohet aktiviteti, konvertuar sipas kursit të këmbimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë;
b) Agjencia Kombëtare e Diasporës, për realizimin e aktiviteteve jashtë vendit, vepron duke u bazuar në rregullat e përcaktuara në këtë vendim, si dhe në kontrata të lidhura ndërmjet palëve, sipas shtojcës 1 dhe shtojcës 2, pjesë integrale të këtij vendimi.

6. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR PERSONAT JURIDIKË NËNKONTRAKTORË, QË KRYEJNË OPERACIONE HIDROKARBURE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 2, të ligjit nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e rregullave të detajuara, që do të zbatohen për personat juridikë nënkontraktorë, në kuptim të pikës 4, të nenit 2, të ligjit nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”, të cilët, direkt ose indirekt, kryejnë operacione hidrokarbure në përputhje me legjislacionin në fuqi për hidrokarburet, ku përfshihen kërkimi dhe prodhimi, si dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 3, të nenit 2, të ligjit nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”.

2. Përveç përkufizimeve të dhëna në nenin 4, të ligjit nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Aktivitet thelbësor i një operacioni hidrokarbur”, një ose disa operacione hidrokarbure të realizuara nga personat juridikë nënkontraktorë, kur niveli i kontributit të faturimeve të këtij personi juridik në totalin e shpenzimeve për operacionet hidrokarbure të personit të autorizuar është jo më pak se 25 (njëzet e pesë) %;
b) “Persona të lidhur”, i njëjti kuptim i dhënë nga neni 2, i ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
c) “Operacionet hidrokarbure”, të gjitha operacionet dhe çdo operacion që lidhet me kërkimin, vlerësimin e një zbulimi, zhvillimin, nxjerrjen, prodhimin, ndarjen e trajtimin, grumbullimin, transportimin dhe shitjen ose disponimin e hidrokarbureve deri në pikën e eksportit ose në një pikë lëvrimi në Shqipëri, për të cilën është rënë dakord, ose në pikën e hyrjes në një rafineri dhe përfshin operacionet e përpunimit të gazit natyror, por nuk përfshin operacionet e përpunimit të hidrokarbureve, të cilat janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për hidrokarburet.

3. Në rastin kur shpenzimet për operacionet hidrokarbure të faturuara ndaj personit të autorizuar nga nënkontraktori janë jo më pak se 25 (njëzet e pesë) % e totalit të shpenzimeve për operacionet hidrokarbure, nënkontraktori ose nënkontraktorët u nënshtrohen dispozitave në fuqi të ligjit nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”, dhe paguajnë tatim mbi fitimin në normën tatimore 50 (pesëdhjetë) %. Llogaritja e shpenzimeve për operacionet hidrokarbure, nga nënkontraktori për kontraktorin, bëhet mbi bazën e vlerës totale në lekë të faturave të lëshuara nga nënkontraktori pa TVSH. Nëse vlera e shpenzimeve pa TVSH e llogaritur si më sipër përbën jo më pak se 25 (njëzet e pesë) % të totalit të shpenzimeve të kontraktorit, nënkontraktori tatohet me normën tatimore 50 (pesëdhjetë) % për këtë pjesë të aktivitetit apo të veprimtarisë së tij.

4. Administrata tatimore, në bashkëpunim me AKBN-në, analizon përputhshmërinë e marrëveshjeve dhe të kontratave të lidhura ndërmjet kontraktorit dhe nënkontraktorit me parashikimet/rregullimet e legjislacionit në fuqi për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur dhe tatimin mbi të ardhurat, me qëllim identifikimin e rasteve kur synohet shmangia nga nënkontraktori i pagesës së tatimit, sipas normës tatimore të përcaktuar në ligjin nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”.

5. Në rastet kur, në përputhje me pikën 4, të këtij vendimi, evidentohet se kontraktori dhe/ose nënkontraktorët kryejnë një ose një sërë veprimesh apo transanksionesh direkte apo indirekte, që synojnë shmangien ose uljen e detyrimeve tatimore, veprimi apo transaksioni rikarakterizohet nga administrata tatimore dhe detyrimi i ri tatimor llogaritet në përputhje me dispozitat në fuqi për vlerësimin tatimor alternativ, të përcaktuara në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në ligjin nr.153/2020, “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”.

6. Vendimi përfundimtar për normën tatimore të aplikueshme për nënkontraktorët, në zbatim të pikës 5, të këtij vendimi, merret nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve në bashkërendim me drejtorinë rajonale tatimore, ku janë të regjistruar personat juridikë nënkontraktorë.

7. Me qëllim zbatimin e këtij vendimi, administrata tatimore bashkëpunon e bashkërendon punët me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), sipas funksioneve dhe veprimtarisë së tyre, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur.

8. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ZHVENDOSJEN (EVAKUIMIN), SHMANGIEN DHE RISISTEMIMIN E DOKUMENTEVE NË KOHË TË VEÇANTË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 93, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores “Për zhvendosjen (evakuimin), shmangien dhe risistemimin e dokumenteve në kohë të veçantë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesё përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, institucionet dhe struktura qendrore e mbrojtjes civile, institucionet dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile, strukturat operacionale të mbrojtjes civile dhe të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E SPECIALITETEVE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/1, të nenit 21, të ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e specialiteteve në Forcat e Armatosura, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur dhe pjesë e pandarë e këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË LIBRAZHD, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE LIBRAZHD, TË PASURISË 8/73, ZONA KADASTRALE 2446, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1086, DATË 28.10.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË LIBRAZHD, TË QARKUT TË ELBASANIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, neneve 3 e 5, të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Librazhd, për njësinë administrative Librazhd, të pasurisë 8/73, me vendndodhje në zonën kadastrale 2446, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë, planrilevimit dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, me qëllim për t’u përdorur në fushën e administratës vendore.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, të miratuar me vendimin nr.1086, datë 28.10.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Librazhd, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.

3. Ngarkohen Bashkia Librazhd dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.