Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Tetor 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 1451, FSHATI DARZEZË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DËRMENAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “SUNNY SIDE ENERGY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 2, të nenit 21, të vendimit nr.822 datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 1451, fshati Darzezë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “SUNNY SIDE ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “SUNNY SIDE ENERGY”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M34504202R;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 100 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 1451, fshati Darzezë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 1451, fshati Darzezë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Këshillit të Ministrave;
gj) Shoqëria “SUNNY SIDE ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “SUNNY SIDE ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SUNNY SIDE ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, ME VENDNDODHJE NË DIGËN E ZADEJËS, HEC VAU I DEJËS, QARKU SHKODËR, NGA KORPORATA ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE (KESH), SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 2, të nenit 21, të vendimit nr.822 datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në digën e Zadejës, Hec Vau i Dejës, Qarku Shkodër, nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), sh.a., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), sh.a.;
b) NIPT/NUIS: J61817005F;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 8.25 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në digën e Zadejës, Hec Vau i Dejës, Qarku Shkodër;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në digën e Zadejës, Hec Vau i Dejës, Qarku Shkodër, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Këshillit të Ministrave;
gj) Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), sh.a., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë (KESH), sh.a., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN, RREGULLAT MË TË HOLLËSISHME TË ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË KËSHILLAVE VENDORË TË SIGURISË PUBLIKE DHE KËSHILLIT KOMBËTAR PËR SIGURINË NË KOMUNITET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12/1, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e përbërjes dhe të rregullave më të hollësishme të organizimit e të funksionimit të këshillave vendorë të sigurisë publike dhe Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet.
2. Me propozimin e prefektit të qarkut pranë çdo bashkie, si njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, ngrihen këshillat vendorë të sigurisë publike, të cilët kryesohen nga kryetarët e bashkive dhe përbëhen nga:
a) shefi i Komisariatit të Policisë;
b) drejtuesi i Policisë Bashkiake;
c) përfaqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar;
ç) drejtuesi i emergjencave civile në bashki;
d) përfaqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror;
dh) përfaqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit
Shëndetësor;
e) përfaqësuesi i njësisë vendore të kujdesit shëndetësor;
ë) përfaqësuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit;
f) përfaqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
g) përfaqësuesi i administratës rajonale të zonave të mbrojtura;
gj) koordinatori vendor për referimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare;
h) përfaqësuesi i njësisë për mbrojtjen e fëmijëve;
i) kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit;
j) përfaqësuesi i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Këshilli Vendor i Sigurisë Publike funksionon si një organizëm koordinues, identifikues dhe konsultues për problematikat që lidhen me çështjet e rendit dhe sigurisë në komunitet.
4. Kryetari i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike mund të ftojë në mbledhjet e tij përfaqësues nga:
a) Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm;
b) Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm;
c) komunitetet fetare;
ç) organizatat e shoqërisë civile (organizatat rinore, të grave, të bizneseve, të pakicave kombëtare, të universiteteve, të mediave lokale), të komunitetit, sipas rastit;
d) Këshilli Vendor i Rinisë;
dh) Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit;
e) shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore;
ë) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
f) shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve.
5. Njoftimi për datën e zhvillimit të mbledhjes dërgohet me shkresë zyrtare, të paktën 5 (pesë) ditë pune përpara datës së përcaktuar, për përfaqësuesit e përmendur në pikën 4, të këtij vendimi.
6. Kryetari i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike ushtron përgjegjësitë, si më poshtë vijon:
a) Ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin efektiv dhe efikas të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike;
b) Organizon mbledhjet e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, minimalisht 1 (një) herë në 3 (tre) muaj ose sa herë vlerësohet e nevojshme nga anëtarët e tij;
c) Propozon për vendimmarrje në Këshillin Vendor të Sigurisë Publike detyra dhe masa konkrete, sipas përgjegjësive institucionale për zbatimin e prioriteteve për çështjet e rendit dhe të sigurisë në komunitet;
ç) Harton, konsulton, miraton, ndjek dhe raporton planin vjetor të punës, sipas masave të planit të veprimit të strategjisë ndërsektoriale të sigurisë në komunitet;
d) Përfaqëson Këshillin Vendor të Sigurisë Publike në marrëdhëniet me të tretët, duke përfshirë bashkëpunimet me organizmat ndërkombëtarë dhe ata vendas;
dh) Fton në mbledhjet e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike përfaqësuesit e
institucioneve, sipas pikës 4, të këtij vendimi;
e) Zhvillon forume të hapura konsultative me qytetarët për identifikimin dhe evidentimin e problematikave, lidhur me sigurinë në komunitet.
7. Këshilli Vendor i Sigurisë Publike ushtron këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Angazhohet për parandalimin, minimizimin e rreziqeve dhe kërcënimeve në çështjet që cenojnë sigurinë në komunitet;
b) Mbikëqyr dhe zbaton planin vjetor të punës, sipas masave të planit të veprimit të strategjisë ndërsektoriale të sigurisë në komunitet;
c) Identifikon, analizon dhe vlerëson problematikat lidhur me sigurinë në komunitet dhe i trajton ato në mbledhjet e këshillit;
ç) Propozon zgjidhje për problematikat e rasteve konkrete tek autoritetet kompetente shtetërore, pjesëmarrëse ose jo në Këshillin Vendor të Sigurisë Publike;
d) Identifikon prioritetet në fushën e sigurisë në komunitet dhe rekomandon përfshirjen e tyre në mbledhjen e radhës;
dh) Propozon dhe vlerëson detajet e veprimtarisë së institucioneve përgjegjësie për sigurinë publike në komunitet dhe ia komunikon ato drejtuesve të tyre;
e) Kontribuon dhe siguron pjesëmarrje në aktivitete ndërgjegjësuese për komunitetin edhe përmes projekteve për çështjet e sigurisë në komunitet;
ë) Vendos me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij;
f) Merr në shqyrtim përmbushjen e rekomandimeve për çështjet e trajtuara në Këshillin Vendor të Sigurisë Publike;
g) Përcakton përbërjen e sekretariatit teknik.
8. Sekretariati teknik ushtron këto detyra:
a) Përgjigjet për mbarëvajtjen e veprimtarisë së këshillit vendor nga ana logjistike dhe administrative;
b) Mban, ruan dhe përditëson të gjitha kontaktet e anëtarëve të këshillit;
c) Organizon dhe bën koordinimin e mbledhjeve të këshillit;
ç) Njofton anëtarët për mbledhjen e radhës;
d) Përgatit materialet përkatëse paraprake të mbledhjes, sipas rendit të ditës për anëtarët;
dh) Merr pjesë në mbledhjet e këshillit, duke mbajtur minutat e takimit;
e) Shkëmben informacionin dhe materialet e mbledhjes midis anëtarëve;
ë) Harton procesverbalet e mbledhjes dhe raportet;
f) Mban listën e pjesëmarrësve të pranishëm në mbledhje;
g) Protokollon dhe mban arkivin e procesverbaleve të mbledhjeve;
gj) Kontrollon adresën elektronike, si mjet të komunikimit elektronik të këshillit;
h) Përgatit dhe bën publikimin e njoftimeve apo materialeve të ndryshme për publikun.
9. Këshilli Vendor i Sigurisë Publike zhvillon mbledhjet, në bazë të rendit të ditës, të miratuar nga kryetari dhe anëtarët, sipas procedurës së mëposhtme:
a) Njoftimi për datën e zhvillimit të mbledhjes dërgohet të paktën 5 (pesë) ditë pune përpara datës së përcaktuar, me shkresë zyrtare ose në formë elektronike, për të cilën anëtarët kanë rënë dakord;
b) Anëtarët njoftohen paraprakisht edhe për rendin e ditës dhe për çdo informacion tjetër të nevojshëm;
c) Në përcaktimin e çështjeve të rendit të ditës mund të kontribuojnë edhe anëtarët;
ç) Propozime për rendin e ditës mund të dërgohen edhe përmes adresës elektronike nga çdo qytetar;
d) Mbledhjet mbahen kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të përhershëm të këshillit. Në rastet kur ky numër nuk plotësohet, mbledhja shtyhet në një datë tjetër, por jo më vonë se 3 (tri) ditë pune;
dh) Në mbledhjet me anëtarësi më të vogël pjesëmarrësish mund të diskutohen çështje, por nuk mund të merren vendime pa kuorumin e nevojshëm;
e) Mbledhja hapet dhe drejtohet nga kryetari, i cili bën edhe prezantimin e rendit të ditës, si dhe një përmbledhje të zhvillimeve të fundit të punës së këshillit;
ë) Kryetari drejton diskutimin, përcakton fillimin dhe përfundimin e shqyrtimit të secilës çështje të rendit të ditës;
f) Anëtarët diskutojnë në bazë të rendit të ditës dhe raportojnë për detyrat;
g) Në mbledhje shqyrtohen me hollësi të gjitha problemet dhe çështjet e parashtruara, sipas rendit të ditës, por anëtarët kanë të drejtën e propozimit për të diskutuar edhe çështje të tjera;
gj) Në përfundim të mbledhjes, mbahet procesverbal nga sekretariati teknik, i cili firmoset nga të gjithë anëtarët dhe kryetari;
h) Në procesverbal mbahet shënim lista e pjesëmarrësve në mbledhje, si dhe emrat e anëtarëve që nuk kanë marrë pjesë, të cilët duhet të njoftojnë me shkrim arsyet e mospjesëmarrjes;
i) Këshilli vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij;
j) Pas çdo mbledhjeje, publiku informohet përmes një njoftimi në faqen zyrtare të bashkisë përkatëse për datën e mbledhjes, pjesëmarrjen, çështjet e shqyrtuara në rendin e ditës dhe përmbledhjen e diskutimeve;
k) Publikimi i njoftimit bëhet brenda 3 (tri) ditëve pune nga zhvillimi i mbledhjes.
10. Vendimet e marra në Këshillin Vendor të Sigurisë Publike dërgohen pranë prefektit të qarkut, brenda 3 (tri) ditëve pune nga marrja e tyre.
11. Prefekti i qarkut, pas çdo vendimi të marrë nga Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, informon Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Komunitet.
12. Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Komunitet funksionon si organ kolegjial, i cili kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe ka në përbërje përfaqësues:
Në nivel zëvendësministri nga:
a) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
b) Ministria e Arsimit dhe Sportit;
c) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
ç) Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
d) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
dh) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
e) Ministria e Drejtësisë.
Në nivel drejtor kabineti ose këshilltari nga:
a) ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
b) ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.
13. Kryetari i Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet mund të ftojë në mbledhjet e tij përfaqësues nga:
a) Prokuroria së Përgjithshme;
b) Avokati i Popullit;
c) Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi;
ç) Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
d) komunitetet fetare;
dh) organizatat e shoqërisë civile.
14. Përgjegjësitë e kryetarit të Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet janë:
a) Thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet, si rregull 2 (dy) herë në vit;
b) Miraton rendin e ditës dhe raportin përfundimtar të mbledhjeve;
c) Informon ministrin e Brendshëm për veprimtarinë e Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet;
ç) Prezanton raportin vjetor të Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet pranë ministrit të Brendshëm.
15. Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet janë, si më poshtë vijon:
a) Shqyrton përmes raporteve problematikat e identifikuara nga këshillat vendorë të sigurisë publike, me qëllim zgjidhjen e tyre pranë institucioneve përkatëse shtetërore qendrore;
b) Kërkon raportim për realizimin e planit vjetor të punës nga këshillat vendorë të sigurisë publike;
c) Relaton nëpërmjet raporteve dhe analizave te ministri i Brendshëm nevojën për hartimin e politikave të caktuara në fushën e sigurisë publike;
ç) Orienton Këshillin Vendor të Sigurisë Publike për aplikimin dhe përfshirjen e praktikave më të mira në trajtimin e çështjeve të sigurisë në komunitet;
d) Rekomandon Këshillin Vendor të Sigurisë Publike për zbatimin, në mënyrë të njëjtë, të politikave kombëtare në fushën e sigurisë;
dh) Garanton marrëdhënie bashkëpunimi të ndërsjellë me Këshillin Vendor të Sigurisë Publike.
16. Drejtoria e Politikave të Rendit dhe Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme, në rolin e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Komunitet, ushtron këto detyra:
a) Përgjigjet për mbarëvajtjen e veprimtarisë së këshillit nga ana logjistike dhe administrative;
b) Mban, ruan dhe përditëson të gjitha kontaktet e anëtarëve të këshillit;
c) Organizon dhe bën koordinimin e mbledhjeve të këshillit;
ç) Njofton anëtarët për mbledhjen e radhës;
d) Përgatit materialet përkatëse paraprake të mbledhjes, sipas rendit të ditës për anëtarët;
dh) Merr pjesë në mbledhjet e këshillit duke mbajtur minutat e takimit;
e) Shkëmben informacionin dhe materialet e mbledhjes, midis anëtarëve;
ë) Harton procesverbalet e mbledhjes dhe raportet;
f) Mban listën e personave të pranishëm në mbledhje;
g) Protokollon dhe mban arkivin e procesverbaleve të mbledhjeve.
17. Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Komunitet zhvillon mbledhjet, në bazë të rendit të ditës, të miratuar nga kryetari, sipas procedurës së mëposhtme:
a) Njoftimi për datën e zhvillimit të mbledhjes dërgohet të paktën 5 (pesë) ditë pune përpara datës së përcaktuar, me shkresë zyrtare ose në formë elektronike, për të cilën anëtarët kanë rënë dakord;
b) Anëtarët njoftohen paraprakisht edhe për rendin e ditës dhe për çdo informacion tjetër të nevojshëm;
c) Në përcaktimin e çështjeve të rendit të ditës mund të kontribuojnë edhe anëtarët;
ç) Mbledhjet mbahen kur janë prezentë më shumë se gjysma e anëtarëve të
përhershëm të këshillit. Në rastet kur ky numër nuk plotësohet, mbledhja shtyhet në një datë tjetër, por jo më vonë se 3 (tri) ditë pune;
d) Mbledhja hapet dhe drejtohet nga kryetari, i cili bën edhe prezantimin e rendit të ditës, si dhe një përmbledhje të zhvillimeve të fundit të punës së këshillit;
dh) Kryetari drejton diskutimin, përcakton fillimin dhe përfundimin e shqyrtimit të secilës çështje të rendit të ditës;
e) Anëtarët diskutojnë në bazë të rendit të ditës;
ë) Në mbledhje shqyrtohen me hollësi të gjitha problemet dhe çështjet e parashtruara sipas rendit të ditës, por anëtarët kanë të drejtën e propozimit të çështjeve të tjera për diskutim;
f) Në përfundim të mbledhjes, mbahet procesverbal nga sekretariati teknik, i cili firmoset nga të gjithë anëtarët dhe kryetari;
g) Në procesverbal mbahet shënim lista e pjesëmarrësve në mbledhje, përfshirë edhe emrat e anëtarëve që nuk kanë marrë pjesë, të cilët duhet njoftojnë me shkrim arsyet e mospjesëmarrjes;
gj) Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
18. Këshillat vendorë të sigurisë publike dhe Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Komunitet ngrihen brenda 3 (tre) muajve nga botimi i këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
19. Ngarkohen prefekti i qarkut, institucionet e përmendura në pikat 2 dhe 12, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES ME SHKËMBIM LETRASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE CASSA DEPOSITI E PRESTITI S.P.A., PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES FINANCIARE, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MEDIOCREDITO CENTRALE S.P.A. ITALI, PËR PROGRAMIN E RISTRUKTURIMIT TEKNIK DHE MENAXHUES TË KESH, SH.A.-SË, DHE FUQIZIMIN E SISTEMIT ELEKTRIK SHQIPTAR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9134, DATË 11.9.2003
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes me shkëmbim letrash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për ndryshimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Mediocredito Centrale S.p.A. Itali, për programin e ristrukturimit teknik dhe menaxhues të KESH, sh.a.-së, dhe fuqizimin e sistemit elektrik shqiptar, ratifikuar me ligjin nr.9134, datë 11.9.2003, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR PËR ZHVILLIM (SIDA), PËR PROGRAMIN E ZHVILLIMIT TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), për programin e zhvillimit të mjedisit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.48/2014, “PËR PAGESAT E VONUARA NË DETYRIMET KONTRAKTORE E TREGTARE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.639, DATË 6.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr.90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 2, të vendimit nr.639, datë 6.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, organika e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, zëvendësohet me organikën sipas skemës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.19, DATË 17.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE DURRËS–TERMINALI I TRANSPORTIT PUBLIK TIRANË (PPT) DHE LIDHJA ME AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS (TIA)””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.19, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 280 445 392.25 (dyqind e tetëdhjetë milionë e katërqind e dyzet e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e dy pikë njëzet e pesë) lekësh.”.
2. Në pikën 4, fjalët “… prej 104 085 941.87 (njëqind e katër milionë e tetëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e dyzet e një pikë tetëdhjetë e shtatë) lekësh” zëvendësohet me “… prej 280 445 392.25 (dyqind e tetëdhjetë milionë e katërqind e dyzet e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e dy pikë njëzet e pesë) lekësh.”.
3. Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Vlerat e shpronësimit të pasurive të paraqitura në nënndarjet me numrat rendorë 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 15, 16, 18, 20, 21, 22, 24, 25, 26, 27, 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34, 35, dhe 36 zëvendësohen me vlerën e shpronësimit në nënndarjet përkatëse, sipas tabelës ndryshuese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Pas nënndarjes me numër rendor 43 shtohen pasuritë që shpronësohen, të paraqitura me nënndarjet me numër rendor nga 44-84, sipas tabelës shtesë që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, sh.a.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, sh.a., drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kamzë Vorë, Tiranë Rurale 2 dhe Krujë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.749, DATË 1.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 400 KV ELBASAN 3””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.749, datë 1.12.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… prej 13 475 622 (trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekësh” zëvendësohet me “… 40 758 621 (dyzet milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e një) lekë”;
b) Tabela, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me tabelën me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pronarët e pasurive me numrat 44/3/2, 44/4, 45/7, 45/12, 45/1/3, 45/1/4, që janë likuiduar sipas vlerës së përcaktuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, vetëm për diferencën e vlerës së shtuar të kompensimit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E BRENDSHME TE AGJENCIA E ZHVILLIMIT TË TERRITORIT, TË PASURISË NR.2/371, ZONA KADASTRALE 8280, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Brendshme te Agjencia e Zhvillimit të Territorit, të pasurisë nr.2/371, zona kadastrale 8280, me sipërfaqe truall 6 358,98 (gjashtë mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë presje nëntëdhjetë e tetë) m2 dhe sipërfaqe ndërtesë 1 290,80 (një mijë e dyqind e nëntëdhjetë presje tetëdhjetë) m2, sipas kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për ushtrimin e funksioneve administrative.
2. Agjencisë së Zhvillimit të Territorit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme, bashkëlidhur vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËVE “FAIK PAJUNI” DHE “ALUSH LLESHANAKU”, NË ZONËN KADASTRALE 8521, BASHKIA ELBASAN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugëve “Faik Pajuni” dhe “Alush Lleshanaku”, në zonën kadastrale 8521, Bashkia Elbasan”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 698 683.8 (një milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre pikë tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 698 683.8 (një milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre pikë tetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.
8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE TË QYTETIT FUSHË-KRUJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave të qytetit Fushë-Krujë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Krujë.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 624 512 (gjashtëqind e njëzet e katër mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 624 512 (gjashtëqind e njëzet e katër mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Krujë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Krujë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Krujë.
8. Bashkia Krujë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Krujë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Krujë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Krujë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Krujë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.926, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PROCEDURËN E SHITJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun II bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “a”, e pikës 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) i dërgohet ministrisë përgjegjëse për ekonominë me shkresë përcjellëse të nënshkruar e vulosur nga dega e shoqërive publike përkatëse:
i. dokumentacioni për objektet ndërtimore dhe linjat e prodhimit/shërbimit, ku përcaktohet vlera e objektit, sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt dhe ajo funksionale;
ii. dokumentacioni për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit, inventarin ekonomik, mjetet e xhiros dhe aktivet biologjike, kur asetet do të shiten të veçanta.”.
b) Në fjalinë e parë, të pikës 18, togfjalëshi “pa truall” zëvendësohet me fjalët “… me truall servitut kalimi dhe sipërfaqe funksionale …”.
2. Në kreun III bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas paragrafit të shtatë, të pikës 27, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur pas procesit të privatizimit, një ose më shumë ish-pronarë kanë refuzuar të nënshkruajnë kontratën e shitjes dhe pjesa e tyre takuese ka mbetur në bashkëpronësi shtet, bashkëpronarëve të tjerë dhe shtetit i lind e drejta të bëjnë ndarjen e pasurive të tyre në certifikata të veçanta sipas pjesëve takuese. Në këtë rast, pjesën takuese shtet, objekt dhe truall, e përfaqëson ministria përgjegjëse për ekonominë. Palët zgjedhin një ekspert vlerësues për të bërë ndarjen e pasurisë ndërmjet bashkëpronarëve. Eksperti përzgjidhet nga ministria përgjegjëse për ekonominë dhe shpenzimet për përballimin e tij bëhen nga të gjithë bashkëpronarët sipas pjesëve takuese.”.
b) Pas pikës 33 shtohen pikat 34 deri në 43, me këtë përmbajtje:
“34. Krahas rasteve të tjera, subjektet qiramarrëse të pasurive shtetërore mbi 500 (pesëqind) m2, të dhëna me qira sipas kontratave me tarifën “1 euro/kontrata”, kanë të drejtë të kërkojnë blerjen e pasurive në fjalë, sipas pikave 35 deri në 43 të këtij kreu, nëse prona nuk është pronë shtetërore e patjetërsueshme, në kuptimin e ligjit nr.8743, datë 22.2. 2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe janë njëkohësisht të pranishme këto dy rrethana:
a) Vlera e plotë e investimit të parashikuar në kontratën e qirasë për t’u kryer nga qiramarrësi është mbi 5 milionë euro;
b) Qiramarësi ka investuar të paktën një vlerë më të lartë sesa 750 për qind e vlerës së pasurisë që kërkohet të privatizohet, brenda afatit për realizimin e investimit, sipas parashikimeve të kontratës së qirasë.
35. Kalimi i pronësisë në favor të blerësit realizohet në momentin e lidhjes së kontratës së shitjes dhe regjistrohet në përputhje me Kodin Civil dhe legjislacionin në fuqi për kadastrën.
36. Në kontratën e shitjes përfshihen dispozita që të parashikojnë, si më poshtë vijon:
a) Detyrimin e blerësit për të realizuar investimin e plotë të brenda afatit të parashikuar në kontratën e mëparshme të qirasë. Përveç kësaj, të dyja palët duhet të vijojnë të përmbushin të gjitha detyrimet e tjera në përmbajtje të asaj kontrate, që kanë të bëjnë me çështjet teknike, ekonomike, të raportimit etj., me përjashtim të detyrimeve bazike të qirasë ngushtësisht si institut i Kodit Civil (siç është pagesa periodike e vlerës së qirasë);
b) Të drejtën e ministrisë përgjegjëse për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së shitjes sipas neneve 702, 703 dhe 737, të Kodit Civil, duke u rikthyer pasuria e privatizuar në pronësi të shtetit, në rast se blerësi nuk përmbush detyrimin për të përfunduar investimin sipas kushteve dhe afateve të kontratës së mëparshme të qirasë;
c) Të drejtën e ministrisë përgjegjëse për të mbajtur shumën e paguar më parë nga blerësi për blerjen e pasurisë, edhe në rast të zgjidhjes së njëanshme të kontratës, sipas parashikimit në shkronjën “b”, të kësaj pike;
ç) Detyrimin e blerësit për të mos tjetërsuar te të tretët pronën e privatizuar, derisa të ketë realizuar vlerën e plotë të investimit të parashikuar në kontratën e mëparshme të qirasë. Ky ndalim i tjetërsimit te të tretët përbën hipotekë ligjore mbi pasurinë e privatizuar, në kuptim të nenit 563, shkronja “a”, të Kodit Civil, dhe pasqyrohet në regjistrin kadastral, në përputhje me legjislacionin për kadastrën;
dh) Të drejtën e blerësit për të zhvilluar pronën në përputhje me projektin e përcaktuar më parë dhe me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Ndalimi i tjetërsimit te të tretët, sipas hipotekës ligjore të parashikuar në shkronjën “ç”, të kësaj pike, nuk pengon zhvillimin e pronës apo lidhjen e kontratave të sipërmarrjes/porosisë të objekteve të ndërtuara mbi të.
37. Nëse pas lidhjes së kontratës, subjekti blerës ka realizuar detyrimin e investimit brenda afatit, ai ka të drejtë të njoftojë ministrinë përgjegjëse për këtë fakt, duke paraqitur aktin e vlerësimit që vërteton përmbushjen e investimit në vlerën/masën e përcaktuar në kontratë.
38. Ministria përgjegjëse është e detyruar të shqyrtojë njoftimin e subjektit blerës dhe dokumentacionin shoqërues të tij (aktin e vlerësimit) brenda 20 (njëzet) ditëve nga paraqitja e tij.
39. Nëse krijohen dyshime për saktësinë e aktit të vlerësimit të paraqitur nga subjekti blerës, ministria ka të drejtë t’u kërkojë subjekteve të licencuara të fushës përkatëse kryerjen e një ekspertimi të dytë për verifikimin e të dhënave. Kostoja e kësaj procedure është në ngarkim të subjektit blerës, i cili duhet t’i paguajë ministrisë kompetente vlerën e ekspertimit të kryer. Procedura e riverifikimit të aktit të vlerësimit duhet të përmbyllet brenda 3 (tre) muajve nga çasti që subjekti ka paraqitur njoftimin në ministrinë përgjegjëse, por, në çdo rast, jo më parë sesa subjekti blerës të ketë shlyer pagësën e aktit të vlerësimit të administruar nga ministria përgjegjëse.
40. Brenda afatit të parashikuar në pikën 38 ose nëse është rasti në pikën 39, të këtij kreu, në varësi të përfundimit të arritur nga procedura e shqyrtimit, ministria përgjegjëse është e detyruar të veprojë në një nga mënyrat, si më poshtë vijon:
a) T’i konfirmojë subjektit blerës faktin se detyrimi i lidhur me vlerën e investimit është përmbushur;
b) Të informojë subjektin blerës mbi faktin se detyrimi lidhur me vlerën e investimit nuk është përmbushur ende, duke e argumentuar këtë me gjetjet e saj apo me aktin e vlerësimit të administruar sipas pikës 39, të këtij kreu.
41. Nëse sipas shkronjës “a”, të pikës 40, të këtij kreu, konfirmohet përmbushja e detyrimit të blerësit, ky i fundit ka të drejtë t’i paraqesë drejtorisë kompetente të ASHK-së aplikimin për heqjen e kufizimit nga pasuria, të shoqëruar me kopje të njoftimit të ministrisë kompetente dhe të aktit të vlerësimit. Drejtoria kompetente e ASHK-së heq kufizimin në bazë të aplikimit, brenda afateve të parashikuara në legjislacionin për kadastrën.
42. Nëse detyrimi për realizimin e investimit nuk përmbushet brenda afatit, ministria përgjegjëse pas tejkalimit të këtij afati dhe pasi të ketë administruar aktin e vlerësimit pasuror që vërteton mospërmbushjen e tij sipas procedurave, i njofton brenda 10 (dhjetë) ditëve palës tjetër zgjidhjen e njëanshme të kontratës së shitjes dhe, për rrjedhojë, kalimin e pronësisë në favor të shtetit, sipas neneve 702, 703 dhe 737, të Kodit Civil. Pas pesë ditëve nga njoftimi, ministria përgjegjëse i paraqet drejtorisë vendore të ASHK-së aplikimin për regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, si pasojë e zgjidhjes së njëanshme të kontratës së shitjes. Aplikimi shoqërohet me kopje të njoftimit të mësipërm (për zgjidhjen e njëanshme të kontratës) dhe të aktit të vlerësimit. Drejtoria kompetente e ASHK-së regjistron kalimin e pronësisë në favor të shtetit, brenda afateve të parashikuara në legjislacionin për kadastrën.
43. Në rast të zgjidhjes së kontratës së shitjes në mënyrë të njëanshme, pala tjetër ka të drejtë të kërkojë rivendosjen e marrëdhënies së qirasë sipas të njëjtave kushte me kontratën e mëparshme, kur nuk ka mospërmbushje ndaj kësaj të fundit nga palët.”.
3. Mbas kreut III shtohet kreu III/1, me këtë përmbajtje:
“KREU III/1
PRIVATIZIMI PËRMES SHKËMBIMIT
1. Objekt i shkëmbimit sipas këtij kreu janë pasuritë e paluajtshme shtetërore, toka, ndërtesa e struktura mbi apo nëntokësore, pavarësisht llojit të pasurisë të cilat identifikohen nëpërmjet të dhënave përkatëse të saj, të regjistruara në regjistrat kadastralë (numri, lloji, sipërfaqja, zona kadastrale), të quajtura në vijim të këtij kreu si “Prona shtetërore”. Shkëmbimi mund të kryhet edhe ndërmjet pasurive të llojeve të ndryshme, por duke respektuar në çdo rast kriteret dhe procedurat e parashikuara në këtë kre.
2. Kërkesa për kryerjen e privatizimit me shkëmbim paraqitet nga institucionet qendrore dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërmarrjet shtetërore në varësi të tyre, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi, pronësi ose përdorim pasurinë shtetërore, në vijim të quajtura bashkërisht “Organe propozuese”. Organet propozuese e ndërmarrin nismën për procedurën e shkëmbimit, kryesisht, me interesimin e tyre nisur nga nevojat përkatëse ose përmes një kërkese të argumentuar, të paraqitur për realizimin e privatizimit përmes shkëmbimit. Organet propozuese ia dërgojnë kërkesën e tyre për privatizim përmes shkëmbimit ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
3. Parashikimi i pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, zbatohet për sa është e mundur edhe për procedurën e privatizimit përmes shkëmbimit.
4. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij kreu dhe nuk mund të jenë objekt i privatizimit përmes shkëmbimit:
a) pronat shtetërore të patjetërsueshme në zbatim të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”;
b) pronat shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, sipas përcaktimeve të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”;
c) pronat shtetërore që janë objekt i procedurave të tjera të kalimit të pronësisë, sipas akteve ligjore e nënligjore të posaçme.
5. Pronat shtetërore dhe private që shkëmbehen duhet gjithashtu:
a) të jenë të lira nga çdo lloj barre;
b) të mos jenë objekt gjykimi;
c) të kenë dakordësinë e subjektit që ka të drejtën reale, në rastin e ekzistencës së të drejtave reale mbi pasurinë.
6. Informacioni mbi kriteret e përcaktuara në pikat 4 dhe 5 do të sigurohet nëpërmjet korrespondencës zyrtare të zhvilluar me institucionet kompetente përkatëse, regjistrit kadastral që administron ASHK-ja, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe informacionit zyrtar nga Avokatura e Shtetit. Përjashtimisht nga sa përcaktohet në pikën 5, kufizimet dhe kushtet e tjetërsimit e të përdorimit, të vendosura mbi pronën shtetërore sipas ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, të ndryshuar, dhe nr.8744, datë 22.2.2001, të ndryshuar, transferohen automatikisht te prona e përfituar përmes shkëmbimit. Këto kufizime e kushte nuk pengojnë procedurat e shkëmbimit sipas këtij kreu dhe nuk është e nevojshme heqja paraprake e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave. Transferimi i tyre pasqyrohet nga ASHK-ja në momentin e regjistrimit të kontratës së shkëmbimit, duke hequr kufizimin nga pasuria e shkëmbyer dhe duke e vendosur atë mbi pasurinë e përfituar përmes shkëmbimit.
7. Në rastet kur organit propozues i paraqitet një kërkesë për shkëmbim të pasurisë së paluajtshme shtetërore me një pasuri private, atëherë organi propozues duhet të vlerësojë kërkesën bazuar në kriteret e përcaktuara në pikën 8, të këtij kreu.
8. Organi propozues, kur ndërmerr nismën për procedurën e privatizimit përmes shkëmbimit apo atij i paraqitet një kërkesë për shkëmbim nga ana e një subjekti privat propozues, ai kryen procesin e identifikimit dhe vlerësimit të mundësisë së shkëmbimit të pronës shtetërore, duke u bazuar në këto kritere:
a) Nevojën konkrete, interesin apo përfitimin shtetëror, që mund të realizohet nëpërmjet shkëmbimit. Këto përcaktohen sipas fushës së veprimtarisë të secilit organ propozues, sipas rastit, në mbështetje të nevojave për përmbushjen e veprimtarive administrative, ofrimin e shërbimeve publike apo realizimin e objektivave strategjikë të tyre.
b) Papërshtatshmërinë ose pamjaftueshmërinë e pasurive shtetërore ekzistuese. Organet propozuese duhet të argumentojnë arsyet përse pasuritë shtetërore, aktualisht në përgjegjësi administrimi të tyre, nuk u përgjigjen nevojave të përmendura në shkronjën “a” apo nuk i përmbushin ato në masën ose mënyrën e duhur. E njëjta analizë duhet të kryhet edhe për pasuritë e tjera shtetërore në territorin ku ushtron kompetencat organi, që mund t’i caktoheshin atij në përgjegjësi administrimi, nëse ka të tilla.
c) Dobishmërinë e pronës që synohet të përfitohet apo mund të përfitohet përmes shkëmbimit, në raport me pronën shtetërore që shkëmbehet përkundrejt saj. Dobishmëria përcaktohet nisur nga fakti se sa e përshtatshme është për funksionet/nevojat e organit shtetëror prona që propozohet të përfitohet përmes shkëmbimit, krahasuar me pronën shtetërore.
ç) Raportin e vlerës së pronave që shkëmbehen. Si rregull, prona që përfitohet nga shkëmbimi nuk duhet të ketë vlerë më të vogël sesa vlera e tregut, referuar akteve nënligjore në fuqi që përcaktojnë çmimet e referencës së pasurive të paluajtshme dhe aktit të vlerësimit individual të secilës pronë, sipas vlerësimit nga një ekspert vlerësues të pasurive të paluajtshme, sesa ajo që jepet përkundrejt saj. Përjashtimisht, nëse vlera e pronës që përfitohet është më e ulët, subjekti privat duhet të paguajë ekuivalentin në lekë të diferencës ndërmjet dy vlerësimeve.
9. Organet propozuese, për vlerësimin e pronës shtetërore që propozohet të privatizohet përmes shkëmbimit, zbatojnë për aq sa është e mundur procedurat e përcaktuara në kreun II të këtij vendimi.
10. Organi propozues, pavarësisht identifikimit paraprak që mund të ketë kryer për një apo disa prona të përshtatshme për nevojat e saj, ka këto detyrime:
a) Të kryejë një njoftim publik për 21 (njëzet e një) ditë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe në faqen e internetit të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, periudhë kohore gjatë së cilës priten oferta të tjera nga subjekte të interesuara;
b) Njoftimi publik të përmbajë përshkrimin e karakteristikave të pronës që synohet të përfitohet, si dhe të dhënat e pronës shtetërore që propozohet të shkëmbehet përkundrejt saj.
c) Në përfundim të afatit 21-ditor, organi propozues të vlerësojë të gjitha ofertat e paraqitura ndaj tij, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 8, të këtij kreu, dhe, brenda 5 (pesë) ditëve vendos për pasurinë (ofertën) që është më e përshtatshme për kërkesat e tij, nëse ka të tillë.
ç) Gjatë afatit të përcaktuar në shkronjën “c”, të kësaj pike, nëse konstatohen mangësi në dokumentacionin e paraqitur nga subjekti i interesur, bazuar në pikën 8, të këtij kreu, atëherë organi propozues të njoftojë subjektin duke i lënë 10 (dhjetë) ditë kohë për plotësimin e mangësive. Me kalimin e këtij afati, organi propozues vijon me vlerësimin e ofertave të paraqitura, në përputhje me kërkesat e pikës 8, të këtij kreu. Secili prej subjekteve private që kanë paraqitur ofertë njoftohet për vendimmarjen e arsyetuar. Nëse organi propozues vendos mospranimin e asnjë oferte, ai ka të drejtë ta ripërsërisë procedurën.
11. Përjashtimisht, procedura e njoftimit publik nuk kryhet kur:
a) shkëmbimi nevojitet për të përfituar specifikisht një pronë të caktuar private, e cila i shërben konsolidimit/rritjes së dobishmërisë/funksionalitetit të një prone shtetërore që është kufitare me të. Kjo dispozitë zbatohet në rastet kur prona private, që synohet të përfitohet përmes shkëmbimit, për shkak të pozicionit dhe/ose përmasave të saj, në raport me pronën shtetërore kufitare, është zgjidhja e vetme për maksimizimin e vlerës dhe funksionalitetit të kësaj të fundit (pronës shtetërore), nëpërmjet bashkimit me të, qoftë në kuptim të legjislacionit për kadastrën (konsolidimit të pronave, bashkimit të pasurive), qoftë në kuptim të përdorimit dhe shfrytëzimit efektiv si një pronë e vetme;
b) shkëmbimi i pronës shtet me një pronë private kufitare me të i shërben konsolidimit të pronës shtetërore (konsolidimit të pronave, bashkimit të pasurive), e cila për shkak të parcelizimit/fragmentarizimit të saj (pronës shtetërore) në disa njësi pronësore e pengon dobishmërinë e përdorimit të pronës dhe shfrytëzimin e saj në mënyrë të optimizuar.
Në rastet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, organi shtetëror i drejtohet pronarit të pasurisë private të identifikuar, duke i kërkuar mundësinë për ta përfituar atë pasuri përmes shkëmbimit me një pronë tjetër shtetërore, pa kryer procedurë njoftimi publik dhe pa kërkuar oferta nga të tretë.
12. Për realizimin e privatizimit përmes shkëmbimit, organi propozues ngre Komisionin e Vlerësimit të Pasurisë, i cili vlerëson pronën private që propozohet të shkëmbehet me pronën shtetërore, përmes shqyrtimit të dokumentacionit, si më poshtë vijon:
a) Raportit të ekspertit vlerësues mbi vlerën e pronës private që propozohet të shkëmbehet së bashku me përshkrimin e pasurisë private që ofrohet për shkëmbim, të hartuara nga ekspertë vlerësues të pasurive të paluajtshme. Vlera e pronës që do të shkëmbehet me pronën shtetërore nuk duhet të jetë më e vogël sesa ajo që jepet përkundrejt saj. Përjashtimisht, nëse vlera e pronës që përfitohet është më e ulët, subjekti përfitues duhet të dëshmojë aftësinë financiare për të paguar ekuivalentin në lekë të diferencës ndërmjet dy vlerësimeve.
b) Certifikatës së pronësisë së pronës private që do të shkëmbehet, e cila duhet të jetë e lirë nga çdo barrë mbi pasurinë apo të drejta reale mbi të si dhe nuk duhet të jetë objekt i mosmarrëveshjeve gjyqësore.
c) Planrilevimit të pronës private të propozuar për shkëmbim i hartuar nga një topograf i licencuar;
ç) Në rast se prona private është në pronësi të një shoqërie tregtare, atëherë subjekti i interesuar paraqet edhe:
i. certifikatën e regjistrimit dhe certifikatën historike të regjistrimit të subjektit në QKB;
ii. NIPT/NUIS-in dhe vërtetimin nga dega e tatimeve se subjekti ka shlyer detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore;
iii. vërtetimin se nuk është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose është nën hetim apo ndjekje penale për kryerjen e veprave penale. Këtu përfshihet çdo anëtar i një organi adminstrativ, drejtues ose mbikëqyrës i një subjekti propozues, aksionar ose ortak i tij ose person që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda tij.
13. Komisioni për vlerësimin e pasurisë shqyrton dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti/et propozues/e sipas afateve të përcaktuara në pikën 10, të këtij kreu. Në përfundim të shqyrtimit të ofertave të paraqitura, i propozon titullarit të organit propozues të emërojë ekspertin/ët vlerësues të pasurive të paluajtshme për të hartuar raportet përkatëse për pronat që propozohen të shkëmbehen. Titullari i organit propozues urdhëron vlerësimin e pronës shtetërore dhe private, bazuar në kriteret e përcaktuara në pikën 8, të këtij kreu, dhe emëron ekspertin/ët vlerësues të pasurive të paluajtshme për të hartuar raportin për pronat që propozohen të shkëmbehen. Eksperti vlerësues i dorëzon raportin organit propozues jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e caktimit të tij/tyre. Pas dorëzimit, raportet e vlerësimit të përgatitura nga eksperti/ët vlerësues i kalojnë komisionit të vlerësimit të pasurisë. Bazuar në raportin e ekspertit/ëve të licencuar komisioni i vlerësimit të pasurisë harton raportin përmbledhës të vlerësimit dhe i propozon titullarit të organit propozues miratimin ose jo të shkëmbimit.
14. Pas marrjes së vendimit për përzgjedhjen e pasurisë, që propozohet të përfitohet përmes shkëmbimit, organi propozues i përcjell ministrisë përgjegjëse për ekonominë kërkesën për miratimin e realizimit të privatizimit përmes shkëmbimit. Përveç vendimit për përzgjedhjen e pasurisë, kërkesës i bashkëlidhet edhe dokumentacioni i mëposhtëm:
a) Raporti i detajuar mbi kriteret e përcaktuara në pikën 8, të këtij kreu;
b) Dokumentacioni kadastral që vërteton se nuk janë të pranishme rrethanat e përcaktuara në pikat 4 dhe 5 të këtij kreu;
c) Raportet e vlerësimit të pronave që do të shkëmbehen.
15. Ministria përgjegjëse për ekonominë, në bazë të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 13, të këtij kreu, shqyrton kërkesën e organit propozues vetëm për sa u përket aspekteve të vlerësimit financiar të pronave, referuar shkronjës “ç”, të pikës 8, të këtij kreu, si dhe konstaton statusin sipas dokumentacionit kadastral të përcjellë. Ajo ka të drejtë të mos e miratojë kërkesën e organit për një nga këto arsye:
a) Nëse vlera e pasurisë shtetërore është më e madhe se ajo e pronës private që propozohet të shkëmbehet me të dhe subjekti privat nuk ka ofruar kompensimin e diferencës në të holla.
b) Nëse është verifikuar pasaktësi në raportet e vlerësimit të pronave ose në të dhënat e paraqitura për to. Për të verifikuar këtë kriter, ministria përgjegjëse rikryen vlerësimin e pasurive që shkëmbehen, pavarësisht akteve të paraqitura nga organi shtetëror kërkues.
c) Nëse është i pranishëm një nga rastet e parashikuara në pikën 4 të këtij kreu.
16. Ministria përgjegjëse për ekonominë, pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga organi propozues, merr vendim brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës. Vendimi i arsyetuar i njoftohet titullarit të organit propozues brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e tij.
17. Organi propozues, pas administrimit të vendimit të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, në varësi të rastit, vepron, si më poshtë vijon:
a) Nëse ministria përgjegjëse ka vendosur miratimin e kërkesës për privatizim përmes shkëmbimit, titullari i organit propozues lidh kontratën e shkëmbimit sipas përcaktimeve të Kodit Civil, në cilësinë e përfaqësuesit të pronarit, për pronën shtetërore.
b) Në rast mosmiratimi të kërkesës, organi propozues ka të drejtë ta riparaqesë atë, vetëm pas shuarjes së shkakut të mospranisimit dhe rregullimit të të metave apo plotësimit të dokumentacionit.
18. Në rastet e realizimit të privatizimit përmes shkëmbimit në përmbushje të pikës 8, të këtij kreu, subjekti përfitues shlyen shpenzimet për:
a) pagesat e ekspertit/ëve të emëruar;
b) kontratën noteriale të shkëmbimit.
19. Kontrata e shkëmbimit regjistrohet nga drejtoria vendore kompetente e ASHK-së, pasi organi propozues dhe subjekti privat shkëmbyes të kenë aplikuar në përputhje me procedurat dhe afatet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për kadastrën.
20. Prona e përfituar përmes shkëmbimit regjistrohet në pronësi të shtetit dhe në përgjegjësi administrimi të organit propozues. Pas procedurave të regjistrimit të kontratës së shkëmbimit, ASHK-ja harton projektvendimin për përditësimin e inventarit/listës së pronave shtetërore, në përputhje me procedurat e parashikuara në vendimin nr.28, datë 27.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të hollësishme të përditësimit të listave të pronave shtetërore dhe rregullave për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve.”.
4. Kudo në këtë vendim bëhen këto ndryshime:
a) Emërtimi “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për ekonominë …”.
b) Fjalët “… drejtori i Drejtimit të Pronës Publike …” zëvendësohen me “… drejtori i strukturës për shitjen e pronës publike…”;
c) Fjalia “… Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave …” zëvendësohet me “… struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë …”.
ç) Emërtesa “Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” zëvendësohet me “Drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe çdo institucion tjetër që preket nga zbatimi i këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU