Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Mars 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Mars 2021:

 

A K T N O R M A T I V
PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Neni 14/3, i ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 14/3
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

INDEKSIMIN E PENSIONEVE DHE BAZËS SË VLERËSUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 59, 61 e 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 24, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të nenit 6/1, të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare në pension”, të nenit 8, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.137/2021, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Indeksimin, në masën 2.7 për qind, të:
a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;
d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 e 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji;
ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;
f) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare në pension”;
g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar;
gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
h) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
i) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;
j) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
k) shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit Shqiptar”, të ndryshuar;
l) pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin nr.5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
ll) përfitimeve të caktuara sipas ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;
m) trajtimeve të veçanta financiare sipas neneve 5/1/a dhe 5/1/b të ligjit 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përfshirë edhe këtë datë.
3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi të së drejtës deri më 31.12.2014, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk do të jenë më pak se 14 449 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e nëntë) lekë në muaj dhe më shumë se 28 898 (njëzet e tetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë në muaj.
4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk do të jenë më pak se 9 895 (nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë në muaj, por jo më shumë se 14 449 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e nëntë) lekë në muaj.
5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 14 449 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e nëntë) lekë në muaj.
6. Përfituesit e pensioneve, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, si dhe nr.150/2014, të caktuara me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, përveç pensionit të indeksuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, në atë masë që i kanë përfituar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 16 099 (gjashtëmbëdhjetë mijë e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në muaj.
8. Përfituesit e pensioneve, sipas pikës 1, shkronjat “a”, “e”, “gj”, të këtij vendimi, me datë fillimi të pensionit deri në 31.12.2014 dhe përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve në pikat 6 dhe 7, të këtij vendimi, do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.
9. Përfituesit e pensionit familjar, përveç pensionit të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të marrin edhe kompensimet për të ardhurat dhe për ndryshimin e çmimeve, sipas kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, dhe udhëzimeve në zbatim të tij, me kusht që pensioni që kishte apo i takonte mbajtësit të familjes të jetë llogaritur sipas dispozitave ligjore në fuqi deri në 31.12.2014.
10. Shuma bazë e pensionit e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit nr.32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim të jetë 7 843 (shtatë mijë e tetëqind e dyzet e tre) lekë.
11. Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2019 me indeksin 2,8 % të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Indeksi i sipërshënuar të aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur deri në vitin 2019, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit që do të caktohet me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim. Pas aplikimit të tij, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit që do të caktohet me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk mund të jetë më e lartë se:

a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 30 000 lekësh, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.1025, datë 16.12.2020, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi prej 130 312 lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

12. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 2 400 000 000 (dy miliard e katërqind milionë) lekë, përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2021 të cilat ndahen:
a) 2 385 000 000 (dy miliardë treqind e tetëdhjetë e pesë milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve;
b) 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë;

13. Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili brenda një muaji nga data e miratimit të tij, të hartojë dhe të dërgojë për botim në “Fletoren zyrtare” tabelën e koeficientëve progresivë të indeksimit të bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura për periudhën kontributive deri në vitin 2021, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.4.2021.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E OPERATORIT QË KRYEN FUNKSIONET E OPERATORIT TË ENERGJISË SË RINOVUESHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e shoqërisë Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., si operatori që kryen funksionet e operatorit të energjisë të rinovueshme, sipas parashikimeve të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.775, DATË 30.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT NGA BASHKIA DURRËS, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTPREVENTIVIT DHE RIFORCIMIN E HIDROVORIT TË DURRËSIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.775, datë 30.9.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për hartimin e studimprojektimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit”.

2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 88 128 502 (tetëdhjetë e tetë milionë e njëqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind e dy) lekë pa TVSH, për hartimin e studimprojektimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, të detajuar, si më poshtë vijon:

a) Për vitin 2020, në masën 51 550 000 (pesëdhjetë e një milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH;
b) Për vitin 2021, në masën 36 578 502 (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e dy) lekë pa TVSH.

3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për hartimin e studimprojektimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit.”.

II. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E SUPERVIZIMIT E TË KOLAUDIMIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË KAMZË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 14 820 655 (katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, për financimin e supervizimit e të kolaudimit të rindërtimit dhe rikonstruksionit të 9 (nëntë) objekteve arsimore, si dhe të riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) të ndara me lote, në Bashkinë Kamzë.

2. Efekti financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Kamzë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKINË SHIJAK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 143 662 566 (njëqind e dyzet e tre milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para sipas aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL ZVICERAN PËR PUNËT E JASHTME, E CILA VEPRON PËRMES AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI PËR PROJEKTIN “LËVIZ ALBANIA”, FAZA E DYTË KORRIK 2019 – QERSHOR 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal Zviceran për Punët e Jashtme, e cila vepron përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për projektin “Lëviz Albania”, faza e dytë korrik 2019 – qershor 2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKITË LEZHË DHE KURBIN, DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 716 338 013 (shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e treqind e tridhjetë e tetë mijë e trembëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte që duhen ndërtuar nga e para, në bashkitë Lezhë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi, në masën 89 175 467 (tetëdhjetë e nëntë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e 42 (dyzet e dy) njësive individuale të banimit;
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi, në masën 627 162 546 (gjashtëqind e njëzet e shtatë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e 225 (dyqind e njëzet e pesë) njësive individuale të banimit.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit për vitin 2021, në masën 143 267 602 (njëqind e dyzet e tre milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e dy) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të njësive individuale të banimit. të cilat janë klasifikuar si objekte që duhen ndërtuar nga e para, në bashkitë Lezhë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi, në masën 17 835 093 (shtatëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë e pesë mijë e nëntëdhjetë e tre) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi, në masën 125 432 509 (njëqind e njëzet e pesë milionë e katërqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e nëntë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Caktimin si njësi zbatuese të bashkive Lezhë dhe Kurbin për rindërtimin e njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte që duhen ndërtuar nga e para, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Lezhë e Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TЁ MARRËVESHJEVE TË HUAS NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjeve të huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, sipas tekstit dhe listës nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË POSAÇME TË LICENCIMIT, DOKUMENTEVE SHOQËRUESE, PROCEDURAVE PËR SHQYRTIMIN OSE ANULIMIN E LICENCËS, TARIFAVE TË KËRKESËS DHE KUOTIZACIONIT VJETOR TË LICENCAVE PËR VEPRIMTARI TREGTARE TË PASURIVE KULTURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 116, pika 3, 117 dhe 118, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Ky vendim përcakton dhe shtrin fushën e veprimit në:

a) licencën për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale të luajtshme, që përfshihet në kategorinë VI.1 të shtojcës së ligjit për licencat;
b) përcaktimin e kushteve, kritereve dhe dokumenteve shoqëruese për licencimin e personave fizikë/tregtarë dhe juridikë për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale të luajtshme;
c) procedurat për shqyrtimin ose anulimin, si dhe për pezullimin e licencës për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale të luajtshme;
ç) përcaktimin e tarifave të kërkesës dhe tarifave të kuotizacionit vjetor për licencën për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale të luajtshme.

II. OBJEKTI DHE SUBJEKTET E LICENCËS PËR VEPRIMTARI TREGTARE TË PASURIVE KULTURORE MATERIALE TË LUAJTSHME

1. Licenca për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale të luajtshme është akti administrativ, që i njeh titullarit të saj të drejtën të ushtrojë tipin e veprimtarisë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në të.

2. Tregtim i pasurisë kulturore materiale të luajtshme është ushtrimi i veprimtarive tregtare me qëllim:

a) shitjen për publikun;
b) ekspozitën për qëllime tregtare;
c) ndërmjetësimin me qëllim shitjen e pasurive kulturore materiale të luajtshme.

3. Nuk janë objekt tregtimi pasuritë kulturore materiale të cilat konsiderohen të patjetërsueshme, sipas parashikimeve të neneve 106, 107 dhe 108, të ligjit 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

III. KUSHTET E POSAÇME, KRITERET, VLEFSHMËRIA DHE AFATET E LICENCIMIT

A. Kushtet e posaçme dhe kriteret për pajisjen me licencë

1. Personi fizik/tregtari apo personi juridik që kërkon të pajiset me licencë për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale të luajtshme duhet të plotësojë kushtet e posaçme, si më poshtë vijon:

a) Të deklarojë ambientin ku do të ushtrojë veprimtarinë tregtare, si dhe të garantojë kushtet e sigurisë për ruajtjen e pasurisë kulturore që administron;
b) Personi fizik/tregtari apo përfaqësuesi ligjor i personit juridik të ketë kryer arsimin bazë, që është i detyrueshëm në Republikën e Shqipërisë.

2. Përveç kushteve të posaçme, të parashikuara në pikën 1, të kësaj ndarjeje, personi fizik/tregtari apo personi juridik duhet të plotësojë edhe kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar në fuqi për veprimtaritë tregtare dhe të ketë në objektin e tij të veprimtarisë tregtinë e pasurive kulturore materiale;
b) Të deklarojë pranë Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) inventarin e objekteve, pasuri kulturore, që ka në administrim;
c) Të kryejë pranë IKRTK-së të gjitha procedurat e regjistrimit për objektet që ka në administrim, në zbatim të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Çdo objekt pajiset me certifikatën “pasuri kulturore”;
ç) Të kryejë pagesën e tarifës për marrjen e licencës pranë IKRTK-së.

3. Subjekti dorëzon kërkesën për pajisjen me licencë, sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi, bashkë me dokumetet shoqëruese që provojnë përmbushjen e kushteve dhe kritereve të parashikuara në këtë vendim, si dhe dokumentin që provon kryerjen e pagesës së tarifës për marrjen e licencës pranë IKRTK-së.

4. Personi fizik/tregtari ose juridik, si dhe anëtarët e organit administrativ, aksionarit ose ortakut apo personi, që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda personit juridik, nuk duhet të jetë në ndjekje penale ose i dënuar për një vepër penale.

B. Kufizimet e përdorimit të licencës

1. Licenca nuk lejohet të tjetërsohet apo të trashëgohet nga një subjekt te tjetri.

2. Në rastet kur licenca është anuluar, subjekti mund të bëjë kërkesë për licencë pasi kanë kaluar të paktën tri vite nga data e anulimit.

C. Vlefshmëria dhe afatet e licencës

1. Licenca për veprimtari tregtare të pasurive kulturore është pa afat për të gjitha subjektet e licencuara.

2. Licenca është e vlefshme për territorin e Republikës së Shqipërisë.

3. Licenca konsiderohet e anuluar dhe pa ndonjë efekt juridik në rast të vdekjes së personit fizik ose likuidimit të personit juridik.

IV. DOKUMENTACIONI SHOQËRUES PËR PAJISJEN ME LICENCË PËR PERSONIN FIZIK/TREGTARI OSE PERSONIN JURIDIK

A. Dokumentet shoqëruese për pajisjen me licencë për personin fizik/tregtarin
Kërkesa për pajisje me licencë për herë të parë për personin fizik/tregtarin, pasi të plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim, shoqërohet me:
a) kërkesën për pajisje me licencë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) kopjen e dokumentit të identifikimit të kërkuesit;
c) certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
ç) vetëdeklarimin mbi gjendjen gjyqësore dhe penale;
d) dokumentin që provon përfundimin e arsimit bazë të detyrueshëm;
dh) dokumentin që vërteton kryerjen e pagesës së tarifës për kërkesën për pajisjen me licencë;
e) dokumentin e lëshuar nga IKRTK-ja që vërteton kryerjen e procedurave të regjistrimit në zbatim të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

B. Dokumentet shoqëruese për pajisjen me licencë për personin juridik

Kërkesa për pajisje me licencë për herë të parë për personin juridik, pasi të plotësohen kriteret dhe kushtet e specifikuara në këtë vendim, shoqërohet me:

a) kërkesën për pajisje me licencë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
c) kopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit ligjor;
ç) vetëdeklarimin mbi gjendjen gjyqësore dhe penale të anëtarëve të organit administrativ, aksionarit ose ortakut dhe të personit që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda personit juridik;
d) dokumentin që provon përfundimin e arsimit bazë të detyrueshëm;
dh) dokumentin që vërteton kryerjen e pagesës së tarifës për kërkesën për pajisjen me licencë;
e) dokumentin e lëshuar nga IKRTK-ja që vërteton kryerjen e procedurave të regjistrimit në zbatim të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

C. Dokumente shoqëruese për pajisje me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses

1. Në rast humbjeje ose dëmtimi të licencës për veprimtari tregtare të pasurive kulturore, subjekti i licencuar paraqet tek IKRTK-ja kërkesën për pajisjen me zëvendësim licence, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Në rastin kur kërkesa ka lidhje me zëvendësimin e licencës së dëmtuar, me qëllim pajisjen me licencë të re, subjekti duhet të dorëzojë licencën ekzistuese të dëmtuar.

3. Në rastin kur kërkesa ka lidhje me humbjen e licencës, me qëllim pajisjen me licencë të re, subjekti, në përgjegjësinë e tij civile dhe penale, dorëzon një deklaratë më shkrim mbi këtë fakt.

4. Licenca e dëmtuar ose e humbur shpallet e pavlefshme dhe lëshohet e re, me të njëjtat të dhëna, por me datë lëshimi të re.

V. PROCEDURAT PËR DHËNIEN, PEZULLIMIN OSE ANULIMIN E LICENCËS PËR VEPRIMTARI TREGTARE TË PASURIVE KULTURORE MATERIALE

A. Dorëzimi dhe pranimi i kërkesave

1. Kërkesa për licencë, si dhe dokumentet shoqëruese të saj dërgohen nëpërmjet sistemit informatik të integruar për shërbimet e licencimit të veprimtarive tregtare në pasuritë kulturore materiale, që funksionon pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania.

2. Dokumentet për licencë, që ngarkohen në sistem, duhet të jenë:

a) origjinale ose kopje të njësuara me origjinalin;
b) në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes zyrtarë dhe të njësuara me origjinalin;
c) për rastet e dokumenteve të huaja, kopje të vërtetuara nga një autoritet publik i juridiksionit të huaj (zyrtar/noter). Është detyrim të vërtetohet ekzistenca e tyre si zyrtarë apo noterë, nëpërmjet legalizimit apo apostilimit, sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

3. Pagesa e tarifës për përfitimin e licencës kryhet përmes sistemit informatik të integruar për shërbimet e licencimit për veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që funksionon pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania ose pranë çdo banke të nivelit të dytë, nëpërmjet formularit të faturës për arkëtim.

4. Paraqitja fizike e një apo disa dokumenteve pranë IKRTK-së kryhet vetëm në këto raste:

a) Për dorëzimin e licencës paraardhëse, në rastet e parashikuara në këtë vendim;
b) Kur kërkohet verifikim i dokumentit/dokumenteve nga IKRTK-ja.

B. Shqyrtimi i kërkesave lidhur me licencat për veprimtaritë tregtare të pasurive kulturore

1. Kërkesat për licencim, anulim apo pezullim të licencës, si dhe për pajisje me zëvendësim në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses administrohen nga IKRTK-ja.

2. Vendimi për pajisjen me licencë merret nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të IKRTK-së.

3. Licenca jepet pas verifikimit të përmbushjes së kushteve dhe kritereve për licencim, të parashikuara në ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe në këtë vendim. Ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore merr vendim në lidhje me kërkesën për licencë brenda 20 ditësh pune nga regjistrimi i saj.

4. Ndaj vendimit për dhënien ose jo të licencës mund të ushtrohet ankim në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Ankimi nuk pezullon vendimin.

5. IKRTK-ja bën shpërndarjen e licencave të interesuarve jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga hyrja në fuqi e vendimit të ministrit, nëpërmjet shërbimit postar ose licencat tërhiqen nga vetë subjekti i licencuar apo nga persona të autorizuar me akt noterial për të kryer një veprim të tillë apo persona të autorizuar nga personi juridik. Kopja e autorizimit depozitohet në dosjen që arkivohet.

6. Licenca e miratuar për veprimtaritë tregtare të pasurive kulturore materiale, pajisja me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses, si dhe çdo vendim për pezullim ose anulim të licencës regjistrohen në Regjistrin e Licencave për Veprimtarinë Tregtare të Pasurive Kulturore, i cili administrohet nga IKRTK-ja, si dhe në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

C. Tarifa e kërkesës dhe kuotizacioni vjetor i licencave

1. Tarifa e kërkesës për pajisjen me licencë për herë të parë për zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses ose për pezullim të licencës është 100 (njëqind) lekë.

2. Kuotizacioni vjetor i licencave është një pagesë periodike që paguhet nga subjekti i licencuar, në vlerën 200 (dyqind) lekë.

3. Përjashtohet nga pagesa e kuotizacionit vjetor subjekti, licenca e të cilit është pezulluar ose anuluar.

4. Të ardhurat e përfituara sipas pikave 1 dhe 2, të ndarjes C, të këtij kreu, shkojnë në llogari të Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Ç. Pezullimi dhe anulimi i licencës

1. Licenca për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale pezullohet me vendim të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të IKRTK-së, në rastet e mëposhtme:

a) Kur subjekti i licencuar ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit ose ka ndonjë pengesë tjetër ligjore me ushtrimin e funksioneve publike në përputhje me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, për periudhën kohore që ekziston shkaku që ka çuar në pezullim;
b) Kur ka filluar një procedurë verifikimi ndaj subjektit të licencuar për shkeljet e parashikuara nga nenet 258 dhe 259, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar;
c) Me kërkesë të vetë subjektit të licencuar.

2. Licenca për tregti në pasuritë kulturore materiale anulohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore sipas kushteve të parashikuara në nenin 118, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, si dhe në rastin kur individi, mbajtës i licencës, humbet jetën.

3. Procedura e inspektimit, pezullimit dhe anulimit të licencës kryhet, si më poshtë vijon:

a) Me kërkesë të IKRTK-së, strukturat kompetente të inspektimit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ngarkohen me verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të aktivitetit të veprimtarisë tregtare të pasurive kulturore;
b) Strukturat kompetente të inspektimit kryejnë kontrolle dhe verifikime në mjediset dhe depot e subjekteve të licencuara për veprimtari tregtare të pasurive kulturore me qëllim verifikimin nëse titullari i licencës respekton detyrimet e përcaktuara në këtë vendim;
c) Për çdo rast të konstatuar, struktura e inspektimit harton një raport vlerësimi të fakteve dhe ia kalon për shqyrtim IKRTK-së;
ç) Në rastin kur ekzistojnë kushtet për pezullimin e licencës, IKRTK-ja ia kalon dosjen ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore me rekomandimin përkatës;
d) Në rastin kur ekzistojnë kushtet për anulimin e licencës, IKRTK-ja ia kalon dosjen ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore me rekomandimin përkatës, pasi ka marrë mendim nga KKMPK-ja.

4. Ndaj vendimit për pezullimin e licencës mund të ushtrohet ankim në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Ankimi nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ.

VI. DETYRIMET E SUBJEKTIT TË LICENCUAR

A. Detyrimi mbi pasuritë kulturore në administrim

Subjekti i licencuar për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale ka të njëjtat detyrime të përcaktuara në nenin 25, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

B. Detyrimi lidhur me prejardhjen dhe origjinalitetin e pasurisë kulturore

1. Për çdo shitje të një artikulli të pasurisë kulturore, që i përket subjektit të licencuar ose që vihet në shitje nën ndërmjetësimin e tij profesional, ky i fundit duhet t’i sigurojë blerësit një deklaratë sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi, e cila të përmbajë të paktën të dhënat e mëposhtme:

a) Identifikimin e pasurisë kulturore;
b) Deklarimin mbi origjinalitetin artistik apo të prodhimit të deklaruar;
c) Autorësinë dhe kohën e krijimit të veprës;
ç) Një përshkrim të prejardhjes së identifikuar të pronësisë së tij.

2. Në rastet kur, për shkak të mungesës së informacionit të nevojshëm, nuk është e mundur të sigurohen të dhëna për origjinalitetin artistik ose për prejardhjen e pronësisë, subjekti i licencuar përfshin në deklaratë informacionin që disponohet nga ana e tij në mirëbesim dhe bazuar në njohuritë profesionale të tij. Një kopje e deklaratës vendoset mbi një kopje fotografike të pasurisë kulturore dhe i bashkëngjitet asaj.

3. Subjekti i licencuar ruan një kopje të deklaratës për të paktën pesë vjet nga data e shitjes së pasurisë kulturore.

C. Detyrimi lidhur regjistrin dhe raportimin e veprimtarisë
1. Titullari i licencës për veprimtari tregtare të pasurive kulturore, për çdo artikull të shitur, mban një regjistër, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 116, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.
2. Titullari i licencës për veprimtari tregtare të pasurive kulturore raporton pranë IKRTK-së sipas parashikimeve të pikës 6, të nenit 116, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

Ç. Detyrime në kuadër të luftës kundër tregtisë së paligjshme

1. Titullari i licencës për veprimtarinë tregtare të pasurive kulturore informon subjektin, për të cilin ai kryen shërbime përfaqësimi ose ndërmjetësimi në lidhje me detyrimet dhe sanksionet në zbatim të nenit 259, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, për:

a) detyrimet në lidhje me eksportin e përhershëm të pasurisë kulturore nga territori i Republikës së Shqipërisë;
b) detyrimet në lidhje me eksportin e përkohshëm të pasurisë kulturore nga territori i Republikës së Shqipërisë;
c) detyrimet në lidhje me importin e pasurisë kulturore në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ç) detyrimin për të mbajtur certifikatën e prejardhjes dhe origjinalietit.

2. Në rastet kur tregtarët e pasurive kulturore njoftohen nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore se një vend i huaj kërkon kthimin e një objekti të pasurisë kulturore në posedim të tyre ose për të cilin ata kanë një mandat tregtar, marrin të gjitha masat sipas ligjit për të bashkëpunuar në mirëbesim me ministrinë për kthimin e objektit në vendin e origjinës ose në vendin nga i cili është eksportuar në mënyrë të paligjshme, sipas ligjit, dhe pavarësisht kompensimit të duhur të pronarit sipas ligjit apo detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.

VII. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Të gjitha kërkesat për licencë për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale bëhen me pagesë, sipas tarifave të përcaktuara në këtë vendim.

2. Të gjitha kërkesat për licencë për veprimtari tregtare të pasurive kulturore materiale dhe dokumentacioni shoqërues dërgohen në formë fizike nëpërmjet shërbimit postar pranë IKRTK-së deri në kalimin e të gjithë procedurës në portalin unik të shërbimeve qeveritare e-Albania.

3. Formati i licencës miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të IKRTK-së.

4. Ngarkohen ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Pasurive Kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E STEMËS DHE TË FLAMURIT TË AGJENCISË SË INTELIGJENCËS DHE SIGURISË SË MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e stemës dhe të flamurit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Stema dhe flamuri dekorativ i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për nga qëllimi i përdorimit, i përkasin vetëm strukturës së kësaj agjencie. Ndalohet shumëfishimi, imitimi dhe përdorimi i tyre nga institucionet apo subjektet e tjera, që, sipas ligjit, përdorin uniformë.

3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.17, DATË 15.1.2020, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMEVE TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT, FORMIMIT NË PUNË DHE PRAKTIKAVE PROFESIONALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.17, datë 15.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronja “ë”, e pikës 4, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ë) vendi i punës i financuar nga ky program duhet të vijë si rezultat i shtimit të vendeve të lira të punës në aktivitetin e punëdhënësit.”;

b) Në fund të nënndarjeve “iii” dhe “iv”, të shkronjës “dh”, të pikës 2, të kreut III, shtohen fjalët “… të kompensuar çdo muaj.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.608, DATË 29.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT TË PERSONAVE TË DALË TË PAPUNË SI PASOJË E COVID-19”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.608, datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, të kreut I, fjalët “… 23 qershor 2020.” zëvendësohen me “… 31 dhjetor 2020.”,

2. Në pikën 4, të kreut II, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjën “a”, fjalët “… shoqëri tregtare të regjistruara;” zëvendësohen me “… persona fizikë apo juridikë të regjistruar;”;

b) Në shkronjën “dh”, fjalët “… shoqëri tregtare …” zëvendësohen me “… persona fizikë apo juridikë …”.

3. Në pikën 1, të kreut V, para fjalëve “Institucioni përgjegjës ….” shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Afati i zbatimit të kësaj skeme është deri më 31 dhjetor 2021.”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR, PËR PROGRAMIN E ZHVILLIMIT TË MJEDISIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, për programin e zhvillimit të mjedisit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BYPASS-EVE TË RRUGËS SË FIERIT DHE VLORËS, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.8/2012

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të bypass-eve të rrugës së Fierit dhe Vlorës, ratifikuar me ligjin nr.8/2012, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.