Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Dhjetor 2024:
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E ANËTARIT TË EKIPIT PËRZGJEDHËS PËR ZGJEDHJEN E KANDIDATËVE, ANËTARË TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Z. Hermon Bonati caktohet anëtar i ekipit përzgjedhës për përzgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
- Vendimi nr.619, datë 1.11.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e anëtarit të ekipit përzgjedhës për zgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM PËR PAJISJEN ME LICENCË TË SIPËRMARRËSVE, QË OPEROJNË NË TREG ME GAZET SERRË TË FLUORUARA DHE PAJISJET QË PËRMBAJNË KËTO GAZE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 19, të ligjit nr.2/2023, “Për gazet serrë të fluoruara”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Dokumentacioni i nevojshëm për pajisjen e sipërmarrësit me licencën, që përfshihet në kategorinë III.3.B, sipas vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar, ngarkohet gjatë aplikimit në portalin unik qeveritar “e-Albania” dhe është, si më poshtë vijon:
- a) Për licencën me kodin III.3.B.1:
- autorizimi, që vërteton se personi, i cili paraqet kërkesën në emër të subjektit, kur ky nuk është titullari i subjektit, është i autorizuar prej këtij subjekti për të kërkuar licencën dhe për të bërë deklarimet e kërkuara në emër të subjektit;
- kontrata e lidhur ndërmjet sipërmarrësit dhe drejtuesit teknik në fushën e veprimtarive me gazet serrë të fluoruara dhe pajisjet që përmbajnë këto gaze;
iii. diploma për arsimin e mesëm ose të lartë të drejtuesit teknik;
- dokumenti i pronësisë ose kontrata e përdorimit të mjediseve, ku sipërmarrësi do të operojë me gaze serrë të fluoruara ose pajisje që përmbajnë këto gaze;
- vetëdeklarimi mbi përshtatshmërinë e mjediseve për importin, eksportin, magazinimin e gazeve serrë dhe të pajisjeve që përmbajnë këto gaze, që lidhet me sigurimin e sistemeve të përshtatshme të ventilimit, të sigurisë nga zjarri dhe të kushteve të magazinimit të përshtatshme për të trajtuar gazet nën presion.
- b) Për licencën me kodin III.3.B.2:
- Autorizimi, që vërteton se personi, i cili paraqet kërkesën në emër të subjektit, kur ky nuk është titullari i subjektit, është i autorizuar prej këtij subjekti për të kërkuar licencën dhe për të bërë deklarimet e kërkuara në emër të subjektit;
- diploma për arsimin e mesëm ose të lartë të drejtuesit teknik;
iii. vetëdeklarimi në rastin kur sipërmarrësi kryen vetë funksionet e operatorit dhe është person i certifikuar, shoqëruar me certifikatën përkatëse;
- vetëdeklarimi në rastin kur sipërmarrësi kryen vetë funksionet e operatorit, por nuk është person i certifikuar. Në këtë rast, vetëdeklarimi shoqërohet edhe me kontratën e punës dhe certifikatën e personit të kontraktuar;
- kontrata me operatorin, në rastin kur sipërmarrësi nuk është operator, si dhe kontrata me personin e certifikuar, të shoqëruar me certifikatën përkatëse;
- dokumenti i pronësisë ose kontrata e përdorimit të mjediseve, ku sipërmarrësi do të operojë me gaze serrë të fluoruara ose pajisje që përmbajnë këto gaze;
vii. vetëdeklarimi mbi përshtatshmërinë e mjediseve për vendosjen në treg të pajisjeve, që përmbajnë gaze serrë të fluoruara dhe/ose gazeve serrë të fluoruara, në funksion të instalimit, të shërbimeve, të mirëmbajtjes ose të riparimit të pajisjeve të gazeve serrë dhe të pajisjeve, që përmbajnë këto gaze, që lidhet me sigurimin e sistemeve të përshtatshme të ventilimit, të sigurisë nga zjarri dhe të kushteve të magazinimit të përshtatshme për të trajtuar gazet nën presion.
- Sipërmarrësi, që kërkon të pajiset më licencën me kodin III.3.B.2, aplikon kur veprimtaria kryhet në funksion:
- a) të kryerjes së instalimit, të shërbimeve, të mirëmbajtjes ose të riparimit të pajisjeve, që përmbajnë gaze serrë të fluoruara ose funksionimi i të cilave mbështetet mbi ato gaze;
- b) të vendosjes në treg të pajisjeve të mbyllura johermetikisht, të mbushura me gaz serrë të fluoruar.
- Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Z. Ismail Shehu, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.
- Z. Eduard Ahmeti emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.78, DATË 7.2.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN, KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRFITIMIT TË NJË PAKETE TË VEÇANTË HIGJIENO-SANITARE PËR INVALIDËT PARAPLEGJIKË DHE TETRAPLEGJIKË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.78, datë 7.2.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
- Në pikën 1, togfjalëshi “… 16 000 (gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj…” zëvendësohet me “… 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj …”.
- Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Shërbimi Social Shtetëror i përcjell çdo vit Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përllogaritjen e indeksimit të pagesës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i propozon për miratim Këshillit të Ministrave pagesën e indeksuar për mbulimin e paketës së domosdoshme me materiale të veçanta higjieno-sanitare.”.
- Kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimet “Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” dhe “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” zëvendësohen me fjalët “… ministri përgjegjës për çështjet sociale …” dhe “… ministria përgjegjëse për çështjet sociale …”.
- Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.568, DATË 6.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT, ORËT SHTESË DHE KOMPENSIMIN E TYRE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76, 78, 79, 83, 85, 86, 87 e 94, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Adminstratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në kreun III, të vendimit nr.568, datë 6.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
- Në pikën 2, togfjalëshi “… 4 (katër) javë kalendarike …” zëvendësohet me “… 22 (njëzet e dy) ditë pune …”.
- Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. I punësuari ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor të paguar edhe në periudha të ndryshme e të ndara.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.391, DATË 3.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE TË PUBLIKIMIT NË QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 76, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.391, datë 3.5.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
- Në kreun I, “Organizimi i sporteleve”, bëhen këto ndryshime:
- Titulli i kreut “Organizimi i sporteleve” zëvendësohet me “Portali “e-Albania””.
- Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet pranë portalit “e-Albania”.
- Pika 3 shfuqizohet.
- Në kreun II, “Kërkesa të përgjithshme të aplikimit”, bëhen këto ndryshime:
- Në pikën 5, fjalët “… pranë QKB-së …” hiqen.
- Në pikën 6, fjala “… paraqesin …” zëvendësohet me fjalët “… ngarkojnë elektronikisht …”.
III. Kreu III, “Procedurat e aplikimit pranë sportelit qendror dhe sporteleve të shërbimit në territor”, që përbëhet nga pikat 10 deri në 23, shfuqizohet.
- Në kreun V, “Procedurat e vlerësimit të aplikimit”, bëhen këto ndryshime:
- Në pikën 33, fjalët “… pikës 23 apo …” hiqen.
- Pika 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“34. Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së verifikon me hollësi nëse aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë në përputhje me kërkesat e pikës 1, të nenit 54, të ligjit, të regjistrimit të biznesit, si dhe verifikon veprimet e kryera nga personi i autentifikuar elektronikisht.”.
- Në pikën 41, fjalët “… III ose …” hiqen.
- Në shkronjën “b”, të pikës 44, fjalët “… III ose …” hiqen.
- Në kreun VI, “Dispozita për njoftimin e vendimeve”, bëhen këto ndryshime:
- Pika 46 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“46. Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 (një) ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.”.
- Pikat 47 dhe 48 shfuqizohen.
- Në pikat 50 dhe 51, fjala “… të paraqesë …” zëvendësohen me fjalët “… të ngarkojë elektronikisht në portalin “e-Albania” …””.
- Në kreun VII, “Dispozita për publikimin elektronik dhe marrjen e informacionit”, bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
- Në pikën 54, pas fjalëve “… në faqen zyrtare të internetit të QKB-së …” shtohen fjalët “… si dhe në portalin “e-Albania” …”.
- Pikat 55 dhe 56 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“55. Çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së.
- Çdo person ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti. Gjithashtu, çdo person mund të marrë, në format shkresor, kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse.”.
- Pikat 57, 58, 59 dhe 60 shfuqizohen.
VII. Në kreun X, “Procedurat e korrigjimit të gabimeve”, pika 70 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“70. Aplikimi për korrigjimin e gabimit mund të bëhet on-line nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat, nëpërmjet portalit “e-Albania”.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT, SI DHE PËR SHFUQIZIMIN E SË DREJTËS SË PËRDORIMIT BASHKISË KORÇË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DRENOVË, PËR PASURITË ME NR.86, NR.87 DHE NR.91, ZONA KADASTRALE 1538, SI DHE KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT TË PASURIVE ME NR.362 E NR.364, ZONA KADASTRALE 1538, ME VENDNDODHJE NË DRENOVË, KORÇË, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.742, DATË 8.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, DHE NË VENDIMIN NR.820, DATË 13.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të nenit 14, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për pasuritë me nr.86, nr.87, nr.91, zona kadastrale 1538, me vendndodhje në Drenovë, Korçë.
- Kalimin në përgjegjësi administrimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit të pasurive me nr.362 e nr.364, zona kadastrale 1538, me vendndodhje në Drenovë, Korçë.
- Pronat e përmendura në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, janë sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’u përdorur për ngritjen e projektit “Ferma e dijes dhe agroturizmit të mollëve”.
- Për pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, shfuqizohet e drejta e përdorimit për Bashkinë Korçë, Njësia Administrative Drenovë, inventarizuar me numër rendor 14, 15 dhe 19, sipas listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore dhe lidhjes 1, bashkëlidhur vendimit nr.742, datë 8.9.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të komunës Drenovë të Qarkut të Korçës”, të ndryshuar, si dhe hiqen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.820, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave shtetërore të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, të ndryshuar.
- Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, si dhe tjetërsimi i tyre.
- Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bashkia Korçë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË TRAJTIMIT FINANCIAR PËR PUNONJËSIT E GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË RASTET E FATKEQËSIVE NË FAMILJE, SHPËRBLIMIN PËR REZULTATET E ARRITURA DHE DËMTIMIN E RËNDË TË PRONËS PRIVATE PËR SHKAK TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 2, të nenit 48, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë procedurat e trajtimit financiar për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë në rastet e fatkeqësive në familje, shpërblimin për rezultatet e arritura dhe dëmtimin e rëndë të pronës private për shkak të detyrës, në zbatim të shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 2, të nenit 48, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
- NDIHMA FINANCIARE NË RASTIN E FATKEQËSIVE NË FAMILJE
- Për efekt të këtij vendimi, fatkeqësi në familje konsiderohet vdekja e prindit në ngarkim, e bashkëshortit/bashkëshortes apo e fëmijës.
- Ndihma financiare për fatkeqësitë në familje jepet në masën e 2 (dy) pagave mujore neto të muajit të fundit.
- Për t’u trajtuar me ndihmë financiare sipas pikës 2, të këtij kreu, punonjësi dorëzon në Gardën e Republikës:
- a) kërkesën me shkrim;
- b) certifikatën e vdekjes së prindit në ngarkim, të bashkëshortit/bashkëshortes apo të fëmijës;
- c) certifikatën familjare.
- Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për fatkeqësi në familje bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.
III. SHPËRBLIMI I PUNONJËSIT TË GARDËS SË REPUBLIKËS
- Punonjësi i Gardës së Republikës përfiton në vit një shpërblim deri në masën e 3 (tri) pagave mujore neto për rezultate të larta të arritura gjatë kryerjes së detyrës. Shpërblimi jepet në bazë të këtyre kritereve:
- a) Punonjësi pëson dëmtime shëndetësore gjatë shërbimit për sigurimin e personaliteteve apo të objekteve në ruajtje, duke përfshirë raste, si: sulme të dhunshme, aksidente gjatë detyrës ose situata emergjente, që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 14 (katërmbëdhjetë) ditë kalendarike;
- b) Parandalohet një incident i rëndë apo përpjekje për dëmtim fizik të personaliteteve me masa konkrete dhe ndërhyrje të menjëhershme të punonjësit të Gardës;
- c) Kryhen shërbime për sigurinë e personaliteteve dhe të objekteve në kushte të rrezikshme, si: gjatë protestave masive, kërcënimeve terroriste të konfirmuara, situatave të tensionuara me rrezik ose detyra të përshkallëzuara papritur, që kërkojnë vigjilencë të lartë dhe aftësi të shpejta reagimi;
ç) Punonjësi kryen detyra sigurie në aktivitete madhore, ku marrin pjesë më shumë se 10 (dhjetë) personalitete të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare, si: samite të nivelit të lartë, takime ndërkombëtare ose ceremoni shtetërore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare.
- Masa e shpërblimit jepet e përshkallëzuar sipas klasifikimit:
- a) 3 (tri) paga mujore neto, për plotësimin e kriterit të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij kreu;
- b) 2 (dy) paga mujore neto, për plotësimin e kriterit të shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij kreu;
- c) 1 (një) pagë mujore neto, për plotësimin e kriterit të shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij kreu.
- NDIHMA E MENJËHERSHME FINANCIARE NË RAST TË DËMTIMIT TË RËNDË TË PRONËS PËR SHKAK TË DETYRËS
- Punonjësi i Gardës së Republikës, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës private për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, sipas akteve të vlerësimit të dëmit, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.
- Punonjësi e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur:
- a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit për shkak të detyrës, si dhe rasti është paraqitur pranë organeve ligjzbatuese;
- b) disponon dokument, që vërteton pronësinë e pronës së dëmtuar;
- c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.
- PROCEDURA PËR SHQYRTIMIN E PROPOZIMIT PËR SHPËRBLIM DHE NDIHMË TË MENJËHERSHME FINANCIARE
- Drejtori i Përgjithshëm i Gardës urdhëron ngritjen e komisionit të posaçëm, sipas rasteve të parashikuara në krerët III dhe IV, të këtij vendimi.
- Komisioni i posaçëm ka në përbërjen e tij 5 (pesë) anëtarë:
- a) Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm i Gardës;
- b) Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse;
- c) Shefin e sektorit të buxhet – financës;
ç) Shefin e sektorit të burimeve njerëzore;
- d) Një punonjës me profil jurist.
- Eprori i drejtpërdrejtë dhe në hierarki më i larti paraqet pranë komisionit të posaçëm propozimin për shpërblim, të shoqëruar me relacion shpjegues të rezultateve konkrete të arritura nga punonjësi, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut III, të këtij vendimi.
- Pagesa për shpërblimin e punonjësit bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, sipas vendimit të komisionit të posaçëm.
- Në rastet e dëmtimit të rëndë të pronës, të parashikuar në pikat 1 e 2, të kreut IV, të këtij vendimi, komisioni mblidhet dhe kryen verifikimet e vlerësimet përkatëse, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pune nga dita e paraqitjes së kërkesës së punonjësit.
- Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;
- b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në organet ligjzbatuese;
- c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton pronësinë për pronën e dëmtuar;
ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.
- Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, sipas vendimit të komisionit të posaçëm.
- Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi, që ka përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, është i detyruar të kthejë në masën 100 (njëqind) % shumën e përfituar.
- Në rast mosdakordësie mbi propozimin për shpërblim të punonjësit apo të dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare, punonjësi ankimon vendimin e komisionit të posaçëm te drejtori i Përgjithshëm i Gardës.
- Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës vendos për pranimin ose refuzimin e ankimit të punonjësit. Në rast të pranimit të ankimit, propozimi për shpërblim të punonjësit apo dhënie ndihme të menjëhershme financiare rikthehet për rishqyrtim në komisionin e posaçëm.
- DISPOZITA TË FUNDIT
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme në programin buxhetor “Garda e Republikës”.
- Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2025.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA