Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Nëntor 2024:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE “ENTI KOMBËTAR I OPERIMIT RRUGOR”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, me emërtimin “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor”, në vijim “EKORR, sh.a.”, me qëllim ofrimin e shërbimit të operimit për mundësimin e aksesit në rrugë të përdoruesve.
2. EKORR, sh.a.-ja, ofron kundrejt pagesës shërbimin e operimit dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
3. Shoqëria aksionare, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon me dy nivele administrimi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
4. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë dhe brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi ndjek procedurat e nevojshme ligjore për:
a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
5. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Vlera prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh transferohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pranë shoqërisë EKORR, sh.a., menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
6. Organet drejtuese të shoqërisë aksionare EKORR, sh.a., sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Detyrat dhe pёrgjegjёsitё e Asamblesё sё Pёrgjithshme, të Kёshillit Mbikёqyrёs e të Administratorit, si dhe organizimi e funksionimi i shoqërisë janë, sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, të ndryshuar, dhe parashikimeve në statutin e EKORR, sh.a.-së.
7. EKORR, sh.a.-ja, ka si objekt të veprimtarisë:
a) operimin e rrugëve me pagesë;
b) mirëmbajtjen e infrastrukturës së operimit, e cila përfshin sistemin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje-daljeve në rrugë, sistemin elektronik për mbledhjen e tarifave dhe serverat e nevojshëm për mbajtjen e përpunimin e të dhënave dhe të arkëtimeve përkatëse;
c) prodhimin dhe shpërndarjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) për përdoruesit e rrugëve me pagesë;
ç) arkëtimin e tarifës në rrugët me pagesë;
d) monitorimin dhe koordinimin e shërbimit të operimit në rrugët me pagesë, operimi i të cilave kryhet nga shoqëritë koncesionare përkatëse;
dh) sigurimin e sistemeve dhe aplikacioneve elektronike për menaxhimin dhe përdorimin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje-daljeve në rrugë, për mbledhjen e tarifave dhe serverave të nevojshëm për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave e të arkëtimeve përkatëse.
8. Veprimtaritë e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 7, të këtij vendimi, kryhen nga EKORR, sh.a.-ja, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në kontratat përkatëse të koncesionit.
9. Për rrugët me pagesë, të cilat nuk janë në kontrata koncesioni dhe mirëmbahen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, EKORR, sh.a.-ja, lidh marrëveshje të veçantë me Autoritetin Rrugor Shqiptar për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 7, të këtij vendimi. Në marrëveshjen e veçantë, ndër të tjera, parashikohen dispozita për arkëtimin e tarifës dhe të ardhurave të tjera nga operimi i rrugës, si dhe për tarifën që EKORR, sh.a.-ja, përfiton për kryerjen e veprimtarive përkatëse.
10. EKORR, sh.a.-ja, mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
11. Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
12. Burimi i të ardhurave të EKORR, sh.a.-së, janë:
a) të ardhurat nga tarifa vjetore që përftohet nga shoqëritë koncesionare që kryejnë shërbimin e operimit në rrugët kombëtare me pagesë, sipas përcaktimeve në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) të ardhurat nga tarifa që përftohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 7, të këtij vendimi, në bazë të marrëveshjes përkatëse;
c) të ardhurat nga arkëtimi i tarifës në rrugët me pagesë;
ç) të ardhura të tjera të ligjshme të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi;
d) të ardhura të tjera të lejuara, si: grantet dhe huatë.
13. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
14. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2024, në programin “Transporti rrugor”.
15. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË “PËR IDENTIFIKIMIN E OPERATORËVE TË INFRASTRUKTURAVE KRITIKE DHE TË RËNDËSISHME TË INFORMACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e metodologjisë “Për identifikimin e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.17, DATË 13.1.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E AFATEVE TË PËRDORIMIT TË ARMËVE, TË TEKNIKËS E TË PAJISJEVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE TË RREGULLAVE PËR TRAJTIMIN E TYRE PAS HEQJES NGA ARMATIMI DHE PËRDORIMI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Tabelat nr.1 dhe nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.17, datë 13.1.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e afateve të përdorimit të armëve, të teknikës e të pajisjeve të Forcave të Armatosura dhe të rregullave për trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi dhe përdorimi”, të ndryshuar, zëvendësohen me tabelat me të njëjtët numra, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION RRUGE, FSHATI DRENOVICË”, BASHKIA DIMAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksion rruge, fshati Drenovicë”, Bashkia Dimal.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 750 494 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 750 494 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e katër) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Dimal.
8. Bashkia Dimal kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Dimal.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Dimal, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, QYTETI PËRMET”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike, qyteti Përmet”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Përmet.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 940 800 (nëntëqind e dyzet mijë e tetëqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 940 800 (nëntëqind e dyzet mijë e tetëqind) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Përmet.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Përmet.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Përmet.
8. Bashkia Përmet kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Përmet.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Përmet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Përmet për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Përmet për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Përmet, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Përmet, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Gjirokastër dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.408, DATË 13.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, bashkëlidhur vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas pikës 3, të nenit 6, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Ndërtimi i çative të pashfrytëzueshme në zonat rurale, duke respektuar standardet teknike të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit .”.
Neni 2
Nënndarja “vi”, e pikës 2.2, të nenit 6/1, shfuqizohet.
Neni 3
Në nënndarjen “xi”, të pikës 3, të nenit 7, pas fjalëve “… ndërtimi i çative të pashfrytëzueshme …” shtohen “… në zonat urbane …”.
Neni 4
Pas pikës 4, të nenit 9/1, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Për lejet e zhvillimit që miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, në rastet e aksesit në tokat në pronësi të shtetit, që nuk janë të zëna me objekt dhe që nuk janë në administrim të institucioneve shtetërore, si dhe të patransferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore, leja e zhvillimit përmban edhe aksesin në këto prona, me përjashtim të pronave shtet për llojin e resursit “arë”, “ullishtë”, “pyll” dhe “kullotë”, pa pasur nevojë për një miratim nga pronari shtet.”.
Neni 5
Pas pikës 2, të nenit 13, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Nëse ndryshon pronësia e shumicës së pjesëve/aksioneve të shoqërisë tregtare, në favor të së cilës është lëshuar leje ndërtimi, subjekti zhvillues njofton nëpërmjet sistemit e-leje autoritetin e zhvillimit të territorit që ka miratuar lejen. Për lejet në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, njoftimi i drejtohet sekretariatit të KKT-së. Për efekt njohës, autoriteti përkatës i bën me dije subjektit zhvillues, nëpërmjet sistemit e-leje konfirmimin për vijimin e punimeve.”.
Neni 6
Pas pikës 5, të nenit 19, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Në rastet e aksesit në tokat në pronësi të shtetit, që nuk janë të zëna me objekt dhe që nuk janë në administrim të institucioneve shtetërore, si dhe të patransferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore, leja e ndërtimit përmban edhe aksesin në këto prona, me përjashtim të pronave shtet për llojin e resursit “arë”, “ullishtë”, “pyll” dhe “kullotë”, pa pasur nevojë për një miratim nga pronari shtet.”.
Neni 7
Pas nenit 27/2 shtohet neni 27/3, me këtë përmbajtje:
“Neni 27/3
Në rastet e parashikuara në pikën 2/1, të nenit 13, të kësaj rregulloreje, kur subjekti zhvillues nuk ka paraqitur më parë kërkesën për njoftim sipas përcaktimeve të kësaj dispozite, autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit ka të drejtë të refuzojë lëshimin e certifikatës së përdorimit.”.
Neni 8
Dispozitë kalimtare
1. Detyrimet sipas neneve 5 dhe 7, të këtij vendimi, zbatohen vetëm për lejet e ndërtimit që do të miratohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Agjencia e Zhvillimit të Territorit merr të gjitha masat për të parashikuar aksesin në pronë për lejet e zhvillimit dhe ndërtimit, sipas neneve 4 dhe 6, të këtij vendimi, për të gjitha vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, që konfirmohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit për miratimin e standardeve teknike të nevojshme për ndërtimin e çative të pashfrytëzueshme brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Neni 9
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2024, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2024, në programin 01610 “Planifikim, menaxhim, administrim”, i shtohet fondi prej 20 900 000 (njëzet milionë e nëntëqindmijë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për mbulimin e shpenzimeve përgatitore, që i paraprijnë zgjedhjeve për Kuvendin, të vitit 2025.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2024.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA