Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Prill 2022:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKËS SË SHËRBIMEVE POSTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË 2021 E NË VIJIM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Infrastrukturën dhe Energjinë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dokumentit të politikës së shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë 2021 e në vijim, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.625, datë 24.7.2013, i Këshillit te Ministrave, “Për miratimin e dokumentit të politikës së zhvillimit të shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN TE BASHKITË TIRANË DHE KRUJË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin te bashkitë Tiranë dhe Krujë të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), sipas anekseve 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Tiranë dhe Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN TE BASHKITË DURRËS, KAVAJË, KAMZË, KRUJË DHE KURBIN TË OBJEKTEVE ARSIMORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 20, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin te bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë dhe Kurbin të 13 (trembëdhjetë) objekteve arsimore, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë dhe Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURËS PËR PËRFITIMIN E MBROJTJES SË VEÇANTË TË GARANTUAR NGA SHTETI PËR PËRKTHYESIT ZYRTARË DHE INTERPRETËT E GJUHËS SË SHENJAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e rregullave të hollësishme për kriteret dhe procedurën e përfitimit të mbrojtjes së veçantë nga shteti për përkthyesit zyrtarë dhe interpretët e gjuhës së shenjave, kur u rrezikohet jeta, familja ose prona gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj.

2. Me mbrojtje të veçantë të jetës, të familjes dhe të pronës, sipas këtij vendimi, kuptohen masat operacionale, që merren për sigurimin e ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes dhe të pronës së përkthyesit e interpretit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

3. Kriteret për të përfituar mbrojtje të veçantë nga shteti janë:

a) prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit apo të interpretit; dhe
b) lidhja shkakësore ndërmjet rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit apo të interpretit të gjuhës së shenjave, dhe detyrave, që ushtron përkthyesi ose interpreti.

4. Subjektet që mund të paraqesin kërkesë me shkrim për mbrojtjen e veçantë të përkthyesit/interpretit pranë Komisionit për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë janë:

a) përkthyesi/interpreti, që kërkon mbrojtjen e veçantë;
b) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
c) ministri i Drejtësisë;
ç) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit/interpretit.

5. Kërkesa paraqitet vetëm kur ka të dhëna të besueshme, të cilat provojnë rrethanat serioze, që vënë në rrezik jetën, familjen ose pronën e përkthyesit/interpretit për shkak të detyrës ose gjatë ushtrimit të saj.

6. Kërkesa për mbrojtje të veçantë për përkthyesin apo interpretin përmban:

a) gjenealitetet e kërkuesit të mbrojtjes së veçantë për përkthyesin apo interpretin;
b) gjenealitetet e përkthyesit apo të interpretit për të cilin kërkohet mbrojtja e veçantë;
c) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për përkthyesin apo interpretin, të cilat detyrojnë sigurimin e mbrojtjes së veçantë, si dhe të provave të mundshme, ku bazohen ato;
ç) burimin e provave se ku bazohen;
d) llojin e masave që kërkohen dhe kohëzgjatjen e tyre.

7. Kur rreziku ndaj përkthyesit apo interpretit është serioz dhe i çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar mbrojtjen e jetës, të shëndetit të tij apo të familjes ose të pronës, deri në mbledhjen e Komisionit për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë. Komisioni për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre ose ndërprerjen e mbrojtjes së veçantë.

8. Kërkesat për mbrojtje të veçantë nga shteti shqyrtohen nga Komisioni për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë (në vijim, komisioni), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Ministrisë së Drejtësisë, me këtë përbërje:

a) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, i caktuar me urdhër nga Ministri i Drejtësisë, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit;
b) 1 (një) përfaqësues nga radhët e përkthyesve zyrtarë apo interpretëve, sipas rastit, me jo më pak se 5 (pesë) vjet punë si përkthyes zyrtar/interpret, i certifikuar sipas ligjit për përkthimin zyrtar, i zgjedhur nga ministri i Drejtësisë;
c) 1 (një) përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, i caktuar me urdhër nga ministri i Brendshëm;
ç) 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i cili caktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.

9. Anëtarët e komisionit zgjidhen për një mandat dyvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

10. Zgjedhja e anëtarit sipas shkronjës “b”, të pikës 8, të këtij vendimi, duhet të synojë, në çdo rast, shmangien e konfliktit të interesit.

11. Anëtarët e komisionit duhet të jenë të pavarur e të paanshëm në vendimmarrjen e tyre për përfitimin e mbrojtjes së veçantë për përkthyesin apo interpretin.

12. Kryetari i komisionit ushtron këto funksione:

a) Përgatit, thërret e drejton mbledhjet e komisionit;
b) Përfaqëson komisionin në marrëdhëniet me të tretët;
c) Siguron mbështetjen administrative dhe organizative për funksionimin e Komisionit;
ç) Siguron dokumentimin e mbledhjes së komisionit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
d) Ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi.

13. Kryetari, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje të veçantë, njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës. Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë.

14. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 3 (tre) anëtarë të tij.

15. Vendimet janë të vlefshme kur miratohen të paktën nga shumica e anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.

16. Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë vendim, zbatohen, për aq sa gjejnë zbatim, dispozitat e ligjit për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe të enteve publike.

17. Ministria e Drejtësisë siguron mbështetjen e nevojshme organizative dhe administrative për realizimin e funksionit dhe të detyrave të komisionit. Kryetari i komisionit, në bashkëpunim me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, cakton një sekretar nga nëpunësit e strukturës përgjegjëse për veprimtarinë e përkthimit zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë, i cili mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.

18. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Në rastet kur një anëtar i komisionit nuk merr pjesë në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme, pa një shkak të ligjshëm, konsiderohet që ka hequr dorë si anëtar i komisionit. Në këtë rast, kryetari ose, në rastin kur kryetari nuk merr pjesë në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme, anëtari i zgjedhur nga radhët e përkthyesve/interpretëve, njofton menjëherë organin e emërtesës dhe Ministrinë e Drejtësisë.

19. Komisioni, gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë të përkthyesit apo të interpretit, të familjes e të pronës së tij, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera. Institucionet publike janë të detyruara të përmbushin kërkesat e komisionit për informacion, me përjashtim të rasteve të kufizuara me ligj, brenda afatit të përcaktuar nga komisioni në kërkesën e tyre.

20. Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet në bazë të fakteve dhe të rrethanave, që çojnë në dyshimin e arsyeshëm për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për përkthyesit dhe interpretët e gjuhës së shenjave, miraton me vendim mbrojtjen e veçantë. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

21. Komisioni zbaton, për aq sa është e mundur, rregullat e Kodit të Procedurave Administrative për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtjen e veçantë të përkthyesit apo të interpretit.

22. Vendimi i komisionit u njoftohet përkthyesit apo interpretit, sipas rastit, nga Ministria e Drejtësisë, dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

23. Komisioni, me kërkesë të subjekteve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se përkthyesit apo interpretit të gjuhës së shenjave i rrezikohet jeta, familja ose prona, mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat, për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati.

24. Në rast se rreziku ndaj jetës, familjes ose pronës së përkthyesit apo të interpretit të shenjave nën mbrojtje pushon së ekzistuari përpara përfundimit të afatit të mbrojtjes, sipas përcaktimit në vendimin e komisionit, me kërkesën e çdo subjekti të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, komisioni mund të vendosë të ndërpresë mbrojtjen e veçantë.

25. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE TË APLIKIMIT, TË RREGULLAVE TË KRYERJES SË VERIFIKIMEVE DHE KONTROLLEVE TË NEVOJSHME PËR FITIMIN E SHTETËSISË SHQIPTARE PËR KONTRIBUT TË VEÇANTË NË FUSHËN E ARSIMIT, SHKENCËS DHE SPORTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
PËRKUFIZIME

Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Program i veçantë i shtetësisë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit”, tërësia e dispozitave normative, e kritereve teknike mbi bazën e të cilave një kontribut i një shtetasi të huaj në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit do të vlerësohet si kontribut me interes kombëtar për shtetin shqiptar dhe me anë të të cilit mund të fitohet shtetësia shqiptare;
b) “Kontribut me interes në fushën e arsimit”, rezultatet e dallueshme, të matshme dhe të konfirmuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës apo ndërkombëtar për rezultatet në fushën e arsimit;
c) “Kontribut me interes në fushën e shkencës”, rezultatet e dallueshme, të matshme dhe të konfirmuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës apo ndërkombëtar për rezultatet në fushën e shkencës.
ç) “Kontribut me interes në fushën e sportit”, rezultatet e dallueshme, të matshme dhe të konfirmuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës apo ndërkombëtar për rezultatet në fushën e sportit;
d) “Kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare”, kërkesa e paraqitur nga kërkuesi për fitimin e shtetësisë, vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi me prokurë;
dh) “Kërkues”, çdo shtetas i huaj, i cili plotëson kriteret e përcaktuara dhe aplikon për fitimin e shtetësisë shqiptare, sipas programeve të veçanta në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit;
e) “Vlerësim kontributi”, akti me anë të të cilit ministria përgjegjëse përcakton kontributin e kërkuesit në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, për t’u bërë pjesë e programeve të veçanta të shtetësisë.

KREU II
KRITERET PËR APLIKIM

Ka të drejtë të kërkojë për t’u përfshirë në programin e veçantë të shtetësisë, shtetasi i huaj (në vijim, kërkuesi), që plotëson kriteret e mëposhtme:

a) Ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
b) Ka zotësi për të vepruar;
c) Nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e origjinës, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
ç) Nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Republikës së Shqipërisë;
d) Nuk figuron i regjistruar si person me rekorde kriminale në listat e organizatave ndërkombëtare partnere të sigurisë;
dh) Deklaron se do të banojë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë prej të paktën 3 (tre) muajsh gjatë 5 (pesë) vjetëve nga aprovimi i kërkesës;
e) Disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë;
ë) Provon kontributin e veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, si dhe arritjet e veçanta të tij pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin;
f) Dëshmon arritjen e rezultateve të larta ndërkombëtare në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, sipas disiplinës përkatëse që përfaqëson pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, sportin dhe shkencën;
g) Nuk është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare, të pranuara nga Republika e Shqipërisë.

KREU III
KËRKESA TË PËRGJITHSHME PËR FORMËN DHE PARAQITJEN E KËRKESËS PËR FITIMIN E SHTETËSISË SHQIPTARE

1. Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare bëhet në bazë të formularëve të kërkesës së miratuar nga Agjencia për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë (në vijim, AHPVSH).

2. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe ose të përkthyera me vërtetim noteri.

3. Kërkesa për përfshirjen në programin e veçantë të shtetësisë paraqitet në AHPVSH, në formë elektronike ose nëpërmjet postës, nga vetë kërkuesi ose përfaqësuesi me prokurë.

4. Në çdo rast, kërkesat për fitimin e shtetësisë shqiptare të paraqitura prej përfaqësuesit me prokurë në emër të kërkuesit duhet të nënshkruhen nga vetë kërkuesi në emër të të cilit paraqitet kërkesa.

5. Në rast se rezulton që kërkesa për fitimin e shtetësisë nuk është nënshkruar nga vetë kërkuesi, kjo përbën shkak për mospranimin e saj.

6. Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare duhet të përmbajë:

a) emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin ose vendqëndrimin e kërkuesit;
b) tregimin e fakteve dhe të rrethanave, që mbështesin kërkimin për fitimin e shtetësisë.

KREU IV
DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR PARAQITJEN E KËRKESËS PËR SHTETËSI

1. Për të provuar plotësimin e kritereve, duhen këto dokumente:

a) Kërkesë individuale për fitimin e shtetësisë shqiptare drejtuar AHPVSH-së, nënshkruar personalisht nga kërkuesi, sipas formularit të miratuar të kërkesës;
b) Kopje e dokumentit të identifikimit;
c) Certifikatë personale e kërkuesit;
ç) Certifikatë familjare e kërkuesit;
d) 3 (tre) fotografi në format dokumenti, të cilat duhet të jenë bërë jo më përpara se 6 (gjashtë) muaj nga data e aplikimit, të marrë në plan me sfond të bardhë, të fokusuar dukshëm e qartë. Fotografia duhet të tregojë personin përballë, me shprehje neutrale dhe sytë të hapur e të dukshëm.
dh) Certifikata e gjendjes gjyqësore, e lëshuar sipas legjislacionit në fuqi, e marrë në vendin e origjinës, në vendin ku kërkuesi ka pasur qëndrim të ligjshëm për gjashtë muajt e fundit, në shtetet e treta, ku ka jetuar jo më pak se 6 (gjashtë) muaj, brenda 3 (tri) viteve të fundit;
e) Dokumente që vërtetojnë disponimin e mjeteve financiare të mjaftueshme për jetesë, si: garanci bankare, vërtetime zyrtare të ardhurash (fotokopje e noterizuar);
ë) Deklaratë se do të banojë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë për të paktën 3 (tre) muaj gjatë 5 (pesë) vjetëve nga aprovimi i kërkesës;
f) Dëshmi për arritje të shquara në fushën përkatëse, që kërkuesi sjell për shtetin shqiptar, vërtetuar nga autoritetet kompetente, shoqëruar me kopje të çmimeve, të vlerësimeve, të titujve të ndryshëm ose çdo dokument tjetër të lëshuar nga autoritetet kompetente të vendit përkatës dhe/ose ndërkombëtar;
g) Rekomandime për merita dhe arritje të veçanta në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, sipas disiplinës përkatëse, si më poshtë vijon:

i. 1 (një) rekomandim nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe shkencën të vendit të origjinës;
ii. 1 (një) rekomandim nga një institucion përkatës në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit të vendit të origjinës;
iii. 2 (dy) rekomandime nga personalitete të fushës së sportit, të vendit të origjinës dhe/ose të shtetit shqiptar, i spikatur në disiplinën përkatëse për të cilën individi kërkon të fitojë shtetësinë shqiptare.

gj) Deklaratë se informacionet e dhëna prej tij janë të vërteta dhe të sakta, sipas formularit të kërkesës së miratuar nga AHPVSH-ja;
h) Çdo dokument tjetër provues, që vërteton plotësimin e kritereve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi.

2. Dokumentacioni, që i bashkëlidhet kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare, duhet të jetë origjinal ose në kopje e njësuar me origjinalin për ato dokumente për të cilat është i pamundur lëshimi i dokumentit origjinal, për shkak të legjislacionit.

3. Dokumentet origjinale ose, sipas rastit, kopjet e njësuara të tyre, lëshuar nga organet shtetërore të vendit të origjinës së kërkuesit, duhet të shoqërohen nga vula apostile ose, sipas rastit, nga legalizimi i tyre, bërë nga organet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Dokumentacioni, bashkëlidhur kërkesës për shtetësi, duhet të jetë lëshuar brenda 6 (gjashtë) muajve të fundit, afat vlefshmërie ky i përllogaritur nga dita e regjistrimit të kërkesës pranë AHPVSH-së.

5. Kërkesat për shtetësi pranohen e përpunohen, me kusht që të jenë paraqitur sipas formës së kërkuar, të përmbajnë gjenealitetet dhe nënshkrimin e kërkuesit, si dhe të shoqërohen me dokumentet e nevojshme e mandatpagesën, sipas tarifave të miratuara.

KREU V
PROCESI I VERIFIKIMIT DHE I VLERËSIMIT TË KËRKESAVE PËR SHTETËSI

1. Pas depozitimit të kërkesës dhe të dokumentacionit, AHPVSH-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve, bën verifikimin paraprak për plotësimin e kushteve formale të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.

2. Në rast se kërkesa nuk plotëson kushtet e kërkuara formale, AHPVSH-ja ia kthen atë kërkuesit për plotësimin e të metave brenda një afati prej jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditësh.

3. Pasi AHPVSH-ja verifikon paraprakisht se kërkesa i përmbush kushtet formale për paraqitjen e saj, kryen veprimet, si më poshtë vijon:

a) Verifikon nëse kërkuesi plotëson kërkesat teknike, vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e dokumentacionit të paraqitur;
b) Kryen verifikimet përkatëse të gjendjes gjyqësore dhe sigurisë kombëtare në mënyrë zyrtare nëpërmjet Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
c) I kërkon në mënyrë shkresore ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin të vlerësojë kontributin e kërkuesit në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit sipas disiplinës që përfaqëson, duke i bashkëlidhur kopje të dëshmive dhe akteve të tjera vlerësuese të arritjeve të depozituara nga kërkuesi, dhe i kërkon, brenda 7 (shtatë) ditëve nga kërkesa për vlerësim kontributi, t’i përcjellë AHPVSH-së në mënyrë zyrtare shkresore vendimin e arsyetuar me të cilin vlerëson se kontributi i kërkuesit përbën interes për shtetin shqiptar.

4. Në rast se ministria përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin vlerëson se kontributi i kërkuesit nuk përbën ineres në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit për Republikën e Shqipërisë, AHPVSH-ja përgatit një relacion informues drejtuar ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike për mosplotësimin e kritereve teknike nga kërkuesi.

5. Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, pas vlerësimit të relacionit dhe konstatimit të mosplotësimit të kritereve teknike, merr vendim për refuzimin e kërkesës për fitimin e shtetësisë.

6. AHPVSH-ja njofton kërkuesin në adresën e deklaruar në formularin e kërkesës për vendimin e refuzimit të kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare.

7. Në rast se ministria përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin vlerëson se kontributi i shtetasit të huaj përbën interes të veçantë për Republikën e Shqipërisë, AHPVSH-ja vazhdon me procesin e shqyrtimit të kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare.

8. AHPVSH-ja, pasi shqyrton kërkesën lidhur me përputhshmërinë e kritereve teknike për fitimin e shtetësisë, vlefshmërinë dhe formën e rregullt ligjore të dokumentacionit, merr konfirmimet zyrtare të verifikimeve të sigurisë dhe pastërtisë së figurës nga autoritetet kompetente, si dhe vlerësimin pozitiv të kontributit të kërkuesit nga ana e ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin, përgatit një relacion drejtuar ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike për plotësimin e kushteve të miratuara nga ana e kërkuesit.

KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe ministri përgjegjës për arsimin, shkencën dhe sportin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KUSHTET, KRITERET DHE AFATET PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË PËRSHPEJTUAR PËR SHQYRTIMIN E KËRKESËS PËR MBROJTJE NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Procedura e përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare zbatohet nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, në rastet kur kërkuesi plotëson një prej kushteve të mëposhtme:

a) Në momentin e paraqitjes së kërkesës dhe të fakteve përkatëse ka ngritur vetëm çështje, që nuk janë të lidhura me shqyrtimin, nëse ai kualifikohet si përfitues i mbrojtjes ndërkombëtare, në përputhje me ligjin nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;
b) Vjen nga një shtet i sigurt i origjinës, sipas përcaktimit të bërë në ligjin e azilit;
c) Ka mashtruar autoritetet duke paraqitur informacione apo dokumente të rreme ose duke fshehur informacione apo dokumente në lidhje me identitetin dhe/ose kombësinë e tij, të cilat mund të kishin ndikim negativ në vendim;
ç) Ka mundësi, që me dashje të ketë shkatërruar ose asgjësuar dokumentet e identifikimit apo të udhëtimit, të cilat do të ndihmonin në përcaktimin e identitetit dhe/ose kombësisë së tij;
d) Ka bërë deklarata të paqëndrueshme dhe kontradiktore, qartazi të rreme ose dukshëm të paqëndrueshme, të cilat bien ndesh me informacionet e vërtetuara të shtetit të origjinës, duke rezultuar qartë në pretendime jobindëse në lidhje me faktin, nëse kualifikohet si përfitues i mbrojtjes ndërkombëtare, në kuptim të ligjit për azilin;
dh) Ka bërë kërkesën vetëm për të vonuar apo penguar zbatimin e një vendimi të mëparshëm ose një vendim të pritshëm, i cili do të rezultonte në largimin e tij;
e) Ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e vendit dhe pa një arsye të vlefshme nuk është paraqitur tek autoritetet përgjegjëse apo nuk ka dorëzuar kërkesën për mbrojtje ndërkombëtare sa më shpejt të jetë e mundur;
ë) Refuzon të përmbushë detyrimin për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve;
f) Konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare ose rendin publik të Republikës së Shqipërisë;
g) Ka paraqitur një kërkesë tjetër për mbrojtje ndërkombëtare, që nuk është e pranueshme sipas nenit 35, të këtij ligji.

2. Gjatë procedurës së përshpejtuar, shqyrtimi i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare realizohet duke respektuar parimet dhe garancitë themelore procedurale.

3. Shqyrtimi i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nëpërmjet procedurës së përshpejtuar do të zhvillohet nëpërmjet një procedurë të drejtë dhe efikase mbi baza individuale. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët do të realizojë një vlerësim material të kërkesës, duke shkurtuar afatet kohore të përfundimit të procesit të regjistrimit, intervistimit dhe vendimit.

4. Në përfundim të procedurës së përshpejtuar, autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët merr të njëjtat vendime, bazuar te të njëjtat parime si te procedura e zakonshme, konkretisht:

a) njeh statusin e refugjatit;
b) refuzon statusin e refugjatit dhe njeh statusin e mbrojtjes plotësuese;
c) refuzon kërkesën për mbrojtje ndërkombëtare;
ç) pushon shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare;
d) ndërpret procedurën për përcaktimin e statusit të mbrojtjes ndërkombëtare.

5. Afati për përfundimin e procedurës së përshpejtuar nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare.

6. Pavarësisht llojit të vendimit që merret në procedurën e përshpejtuar, kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare i garantohet zgjidhje e efektshme ligjore, në përputhje me nenin 22, të ligjit për azilin.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme, autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, Drejtoria për Kufirin dhe Migracionin, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË DURRËSIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Roland Nasto, prefekt i Qarkut të Durrësit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Emiljan Jani emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË LEZHËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Gjokë Jaku, prefekt i Qarkut të Lezhës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Gjergj Prendi emërohet prefekt i Qarkut të Lezhës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR BASHKËPUNIMIN POLICOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Moldavisë, për bashkëpunimin policor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, NË EMËR TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE, FONDIT GLOBAL PËR TË LUFTUAR SIDA-N, TUBERKULOZIN DHE MALARIEN, PËR PROGRAMIN “PËRSHKALLËZIMI DHE SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË PËRGJIGJES KOMBËTARE NDAJ HIV/SIDA-S DHE TUBERKULOZIT NË GRUPET KRYESORE TË POPULLATËS”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.219, DATË 12.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe Fondit Global për të Luftuar SIDA-n, Tuberkulozin dhe Malarien, për programin “Përshkallëzimi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së përgjigjes kombëtare ndaj HIV/SIDA-s dhe tuberkulozit në grupet kryesore të popullatës”, miratuar me vendimin nr.219, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.83, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NDROQ, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, e 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Harta dhe koordinatat, që i bashkëlidhen vendimit nr.83, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, përkatësisht, me hartën dhe koordinatat bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 2, 23, pika 10, 25, pika 1, 27, pika 8, 28, pika 1, 34, pika 2, 35, pika 4, 43, pika 9, 49, pika 14, 52, pika 1, 53, pika 3, 54, pika 6, 56, pika 1, 58, pika 8, 60, pika 3, 64, pika 8, 66, pika 5, 67, pika 7, 71, pika 4, 73, pika 6, 77, pika 3, 78, pika 10, 79, pika 2, 84, pika 4, të ligjit nr.81, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të neneve 13, pika 7, e 16, pika 7, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, si dhe të neneve 105, pika 5, 111, pika 2, 113, pika 6, 120, pika 5, 122, pika 1, 124, pika 2, 125, pika 5, 126, pika 4, 127, pika 4, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.437, datë 20.5.2015, i Këshilli të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PËRFUNDIMI I PUNIMEVE TË MBETURA DHE PLOTËSIMI ME RRUGË DYTËSORE, NYJA E MILOTIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Përfundimi i punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore, Nyja e Milotit”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “ndërtesë me funksion banimi” dhe “ndërtesë me funksion socio-ekonomik”, me një vlerë të përgjithshme prej 16 659 775.50 (gjashtëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 659 775.50 (gjashtëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi paraqesin dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit dhe marrjen në përdorim të përkohshëm për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kryhet pas aplikimit nga ARRSH-ja për shërbimin përkatës.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Laç, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Laç, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.102, DATË 16.2.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS E TË NIVELEVE TË PAGAVE TË POZICIONEVE KOORDINATOR TË RRJETIT TË KOORDINATORËVE KUNDËR KORRUPSIONIT NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 5, të vendimit nr.102, datë 16.2.2022, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Nëpunësit në pozicionet “koordinator” të Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit në institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, përveç pagës mujore të përcaktuar në lidhjet nr.1/1, nr.1/2, nr.2/1 dhe nr.2/2, përfitojnë shtesën mujore për natyrë të veçantë pune, sipas përcaktimit në lidhjen nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i secilit institucion, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË SHËNDETËSISË 2021-2030

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë, institucionet përgjegjëse dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.