Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Nëntor 2019:
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK DHE TË ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 9 e 11, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 241 818 m2 (dyqind e dyzet e një mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) m2 dhe objekte ndërtimore 54 022.6 (pesëdhjetë e katër mijë e njëzet e dy pikë gjashtë) m2, pjesë e zonës kadastrale nr.8523, në Elbasan, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe genplanit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes e të daljes së kësaj zone përcaktohen në genplanin që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë janë të llojeve:
a) prodhuese, industriale dhe agropërpunimi;
b) përpunimi dhe magazinim mallrash;
c) tregtare eksport-import;
ç) shërbime.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik shpallet “Ital-Druri”, sh.p.k.
6. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A8666, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E BESIMIT SHUMËDHURUES, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR 2, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR 2, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.81, DATË 20.2.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0A8666, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën Fondin e Besimit Shumëdhurues, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar 2, për financimin e projektit për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar 2, miratuar me vendimin nr.81, datë 20.2.2019, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2020, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.03.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2020, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU), në shumën 49 287 733 (dyzet e nëntë milionë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre) lekë, sipas pasqyrës nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.686, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE, TË PËRGJEGJËSIVE E TË AFATEVE PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURËS SË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT NË MJEDIS (VNM) DHE PROCEDURËS SË TRANSFERIMIT TË VENDIMIT E DEKLARATËS MJEDISORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.686, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, fjalët “… me shkrim …” zëvendësohen me “… nëpërmjet sistemit elektronik …”.
2. Në kreun I bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Paragrafi i fundit, i pikës 1.2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Raporti paraprak i VNM-së të jetë i nënshkruar elektronikisht nga personi fizik/juridik i licencuar.”.
b) Pika 2 shfuqizohet.
c) Paragrafi i parë, i shkronjës “b”, të pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) dërgon për mendim/konsultim aplikimin, nëpërmjet sistemit elektronik, institucioneve të mëposhtme, të cilat shprehen brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike:”.
ç) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. ARM-ja, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e marrjes së aplikimit nga AKM-ja, e dërgon për mendim nëpërmjet sistemit elektronik te njësia/të e vetëqeverisjes vendore ku propozohet projekti, të cilat shprehen, brenda 6 (gjashtë) ditëve kalendarike nga marrja e aplikimit.”.
3. Në kreun II bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Pika 2 shfuqizohet.
b) Paragrafi i parë, i shkronjës “b”, të pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) u dërgon për mendim/konsultim aplikimin, nëpërmjet sistemit elektronik, institucioneve të mëposhtme, të cilat shprehen brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike:”.
c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. ARM-ja, brenda 2 (dy) ditëve kalendarike nga data e marrjes së aplikimit nga AKM-ja, e dërgon për mendim nëpërmjet sistemit elektronik te njësia/të e vetëqeverisjes vendore ku propozohet projekti, të cilat shprehen brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e aplikimit.”.
ç) Paragrafi i parë, i pikës 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për t’u pajisur me deklaratën mjedisore zhvilluesi aplikon pranë ministrisë nëpërmjet sistemit elektronik dhe plotëson dokumentacionin e mëposhtëm:”.
4. Kreu III ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kreu III
Transferimi i vendimit apo i deklaratës mjedisore
1. Kur zhvilluesi ndryshon pasi ka përfunduar procedura paraprake e VNM-së, zhvilluesi i ri paraqet pranë AKM-së, në sistemin elektronik për vlerësimin e ndikimit në mjedis, nëpërmjet portalit e-albania, kërkesën për transferimin e vendimit për VNM-në paraprake, shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vendimin ekzistues;
b) Aktin/kontratën për transferimin e veprimtarisë, nga zhvilluesi ekzistues te zhvilluesi i ri;
c) Raportin mbi zbatimin e kushteve të vendimit për VNM-në paraprake, nga koha e pajisjes me vendim deri në momentin kur kryhet kërkesa për transferimin e tij.
2. Transferimi i vendimit për procedurë paraprake të VNM-së bëhet me urdhër të titullarit të AKM-së. Urdhri i transferimit i përcillet zhvilluesit të ri, nëpërmjet sistemit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës.
3. Kur zhvilluesi ndryshon, pasi ka përfunduar procedura e thelluar e VNM-së, zhvilluesi i ri paraqet pranë ministrisë, në sistemin elektronik për vlerësimin e ndikimit në mjedis, nëpërmjet portalit e-albania, kërkesën për transferimin e deklaratës mjedisore, shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Deklaratën mjedisore ekzistuese;
b) Aktin/kontratën për transferimin e veprimtarisë, nga zhvilluesi ekzistues te zhvilluesi i ri;
c) Raportin mbi zbatimin e kushteve të deklaratës mjedisore, nga koha e pajisjes me deklaratën mjedisore, deri në momentin kur kryhet kërkesa për transferimin e saj.
4. Transferimi i deklaratës mjedisore bëhet me urdhër të ministrit. Urdhri i transferimit i përcillet zhvilluesit të ri, nëpërmjet sistemit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës.”.
II. Dispozita tranzitore
1. Nga data 1 dhjetor 2019 fillon aplikimi on-line në portalin e-albania për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
2. Kërkesat për procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, gjatë periudhës 1 dhjetor 2019 – 28 shkurt 2020, dorëzohen edhe në formë shkresore pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin, deri në funksionimin e plotë të sistemit elektronik të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
3. Pranimi, shqyrtimi i kërkesave për procesin e VNM-së, lëshimi i të gjitha dokumenteve si dhe ndërveprimi institucional nga data 1 mars 2020, kryhen vetëm nëpërmjet sistemit elektronik të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
4. Kërkesat e dorëzuara në formë shkresore deri në datën 28 shkurt 2020 shqyrtohen nga ministria përgjegjëse për mjedisin në formën e paraqitur. Nga data 1 mars 2020, ministria përgjegjëse për mjedisin nuk pranon dhe shqyrton më kërkesa në formë shkresore.
5. Ministria përgjegjëse për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si dhe të gjitha instucionet përgjegjëse për vlerësimin e ndikimit në mjedis, marrin të gjitha masat që, brenda datës 1 dhjetor 2019, të dorëzojnë pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të gjitha të dhënat dhe bazën materiale të nevojshme për pajisjen e nëpunësve të përfshirë në procesin e shqyrtimit të kërkesave për VNM-në me kredencialet për aksesimin e sistemit, si dhe me nënshkrim elektronik, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
6. Ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, marrin të gjitha masat që, brenda datës 1 dhjetor 2019 të trajnojnë nëpunësit, të caktuar si përdorues të sistemit elektronik të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
III. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL TË PUNËVE TË JASHTME TË ZVICRËS, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, PËR PROGRAMIN “SHËNDET PËR TË GJITHË – HAP”, FAZA E DYTË, PRILL 2019 – MARS 2023, NJË PROJEKT DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndet për të gjithë – HAP”, faza e dytë, prill 2019 – mars 2023, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR ASISTENCË TEKNIKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KUVAJTIT PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË NJË STUDIMI FIZIBILITETI PËR PROJEKTE TË INFRASTRUKTURËS SË TRANSPORTIT NË ZONAT BREGDETARE JUGORE TË SHQIPËRISË, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.500, DATË 29.8.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së grantit për asistencë teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projekte të infrastrukturës së transportit në zonat bregdetare jugore të Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.500, datë 29.8.2018, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.