Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Prill 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Prill 2021:

 

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, të bëhet rishpërndarje e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor “Menaxhimi i të ardhurave tatimore” 01140 shtohet fondi prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh në shpenzime kapitale për projektin “Përmirësimi i modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit”.
b) Në programin buxhetor “Arsimi i mesëm profesional” 09240 të pakësohet fondi prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, në shpenzime kapitale.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATËVE PËR ANËTARË TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19/2, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të listës së kandidatëve të kualifikuar për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik, sipas renditjes në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Dërgimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë edhe të listës së kandidatit që nuk plotëson kriteret për emërim, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA AGJENCIA PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR FONDIN E BESIMIT NR.TF072239, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE NË SHQIPËRI, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.64/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant, të siguruara nga Agjencia për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për fondin e besimit nr.TF072239, për projektin e shërbimeve mjedisore në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.64/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË SUBSTANCAVE KANDIDATE*

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 21, të ligjit nr 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së substancave kandidate, sipas shtojcës I, bashkëlidhur këtij vendimi, substancat e rrezikshme të së cilës janë kandidate për t’u futur në listën e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin (lista SVHC).

2. Lista përditësohet bazuar në listën e rishikuar të substancave kandidate të Bashkimit Evropian.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet në varësi të tyre për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas një viti nga botimi në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

AKT NORMATIV
PËR

NJË NDRYSHIM NË AKTIN NORMATIV NR.1, DATË 10.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TEKSTIT TË MARRËVESHJES PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN NGA DHE NDËRMJET PFIZER EXPORT B.V. DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN, AUTORIZIMIN E PROCEDURËS PËR LEJIMIN E HYRJES DHE ADMINISTRIMIT TË VAKSINAVE ANTICOVID-19 NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, SI DHE PËRDORIMIN E TYRE NË POPULLATË”, MIRATUAR ME LIGJIN NR.2/2021”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Neni 2, i aktit normativ nr.1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19 në Republikën e Shqipërisë , si dhe përdorimin e tyre në popullatë”, miratuar me ligjin nr.2/2021, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 2
Aprovimi i përdorimit të vaksinës në popullatë

Vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA), European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Evropian, të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19 si dhe vendeve të mbajtësit të autorizimit të tregtimit për vaksinat anticovid.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.66, DATË 29.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE VORË, BASHKIA VORË, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Harta dhe koordinatat bashkëlidhur vendimit nr.66, datë 29.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, përkatësisht, me hartën dhe koordinatat sipas anekseve 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Vorë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

AKT NORMATIV
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË AKTIN NORMATIV NR.9, DATË 22.3.2021, “PËR MIRATIMIN E TEKSTIT TË MARRËVESHJES, NDËRMJET MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK DHE DISTRIBUTORIT TË AUTORIZUAR “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET”, A.Ş, PËR FURNIZIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME VAKSINËN E INAKTIVIZUAR KUNDËR COVID-19 (VERO CELL) CORONAVAC, TË KRIJUAR NGA SINOVAC LIFE SCIENCE CO, LTD. DHE TË PRODHUAR NË REPUBLIKËN POPULLORE TË KINËS”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në aktin normativ nr.9, datë 22.3.2021, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Titulli i aktit normativ riformulohet, si më poshtë vijon:

“Për miratimin e marrëveshjes së furnizimit, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”, A.Ş”.

Neni 2

Në pikën 1, të nenit 1, pas fjalës “… Kinës …” shtohen fjalët: “… dhe vaksinën CoronaVac 600 SU IM Suspension për injeksion të paketuar në një flakon 0,5 ml, e cila përmban substancën aktive antigjenin viral “Sars-CoV-2”, të inaktivizuar, të zhvilluar nga Sinovac Life Sciences Co., Ltd., prodhuar në Republikën Popullore të Kinës dhe që paketohet në Republikën e Turqisë.”.

Neni 3

Miratimin e tekstit të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së furnizimit, ndërmjet Ministrisë Shqiptare të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit Shqiptar të Shtetit për Rindërtim dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret A.Ş”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.

Neni 4
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I RRUGICËS NË RRUGËN BESA, LAGJIA NR.1 BARRIKADË”, BERAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i rrugicës në rrugën Besa, lagjia nr.1 Barrikadë”, Berat.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Berat.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 79 477 (shtatëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall”, me vlerë 79 477 (shtatëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë, të përballohet nga fondet e Bashkisë Berat.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Berat.

8. Bashkia Berat të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Berat.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Berat.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Berat.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat dhe Bashkia Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË PROGRAMIN “MBËSHTETJE PËR PARTITË POLITIKE”, PËR FINANCIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE TË SUBJEKTEVE PJESËMARRËSE NË ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, TË VITIT 2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936 datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021, në programin “Mbështetje për partitë politike”, shtohet fondi prej 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekësh, i cili iu shpërndahet subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

2. Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE  

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.