Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Tetor 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Tetor 2020: 

 

V E N D I M
PËR

SHKARKIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Aurora Alimadhi, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, shkarkohet nga kjo detyrë.

2. Marrëdhëniet financiare i ndërpriten në datën 1.10.2020.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË DISA PRONAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pronave me nr. 1-4 dhe 8, sipas lidhjes 1, formularëve gjithsej 2 (dy) fletë dhe planvendosjeve, bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur në fushën e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik.
2. Pronat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË HOLLËSISHME TË REGJISTRIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË QË NUK KANË TË PËRCAKTUAR SIPËRFAQEN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30, pika 4, dhe 71, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen tituj pronësie në përputhje me nenin 193, të Kodit Civil, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen.

2. Për efekt të këtij vendimi, konsiderohen pasuri të paluajtshme pa sipërfaqe të përcaktuar:

a) pasuritë, për të cilat në asnjë nga aktet e fitimit apo kalimit të pronësisë nuk është shprehur sipërfaqja dhe nuk ka skicë/planvendosje shoqëruese, ose, edhe nëse ka skicë/planvendosje shoqëruese, ajo ka mangësi teknike-hartografike që e bëjnë të pamundur përcaktimin e sipërfaqes;
b) pasuritë, për të cilat në aktet e fitimit të pronësisë është shprehur sipërfaqja, por nuk e ka skicën/planvendosjen shoqëruese me paraqitjen grafike të sipërfaqes përkatëse. Kjo shkronjë zbatohet vetëm kur organet administrative që kanë miratuar aktin e fitimit pronësisë janë shuar si persona juridikë publikë ose nuk janë më kompetentë për çështjen dhe nuk ka një organ tjetër administrativ kompetent për të plotësuar mangësitë e aktit.

3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, këtu e në vijim ASHK, vepron për përcaktimin e sipërfaqes dhe kufijve të pasurisë, në përputhje me përcaktimet e nenit 30, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, gjatë procedurave të regjistrimit fillestar, gjatë procedurave të përmirësimit të të dhënave të regjistrit kadastral apo me kërkesë të subjekteve të interesuara.

4. I nënshtrohen procedurës së përcaktimit të sipërfaqes pasuritë e paluajtshme që ndodhen në:

a) zona kadastrale, për të cilat në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ka përfunduar regjistrimi fillestar dhe pasuritë janë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme me shënimin “shtet” ose “pronar i pavërtetuar” në seksionin e pronësisë. Këto pasuri regjistrohen në emër të një subjekti konkret, pasi të zhvillohet procedura e përcaktimit të sipërfaqes, në bazë të këtij vendimi;
b) zona kadastrale, për të cilat është duke u zhvilluar procesi i regjistrimit fillestar. Në këtë rast, përcaktimi i sipërfaqes është pjesë e procesit të regjistrimit fillestar;
c) zona kadastrale, për të cilat është duke u zhvilluar procesi i përmirësimit të të dhënave kadastrale. Gjatë procesit të përmirësimit kryhet procedura e plotë për përcaktimin e sipërfaqes.

II. PROCEDURA E PËRCAKTIMIT TË SIPËRFAQES DHE KUFIJVE

5. Gjatë kryerjes së procesit të regjistrimit fillestar apo përmirësimit të të dhënave kadastrale, të nisur kryesisht nga ASHK-ja, procedura për përcaktimin e sipërfaqes dhe kufijve për pronat pa sipërfaqe kryhet duke administruar kërkesat dhe dokumentacionin, sipas përcaktimeve dhe kushteve të pikës 4, të nenit 30, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

6. Dokumentet për përcaktimin e sipërfaqes, që administrohen gjatë regjistrimit fillestar ose përmirësimit, kanë të bëjnë me:

a) pronën që do të regjistrohet;
b) pronat kufitare dhe paraqitjen hartografike të tyre;
c) dokumente hartografikë ndihmëse/orientuese sa më të hershme që mund të gjenden pranë arkivave të institucioneve që kanë lëshuar titullin e pronësisë ose arkivave të tjera shtetërore, nëse ka të tilla;
ç) aktin e verifikimit në terren, sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi;
d) deklaratat noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.
Kur nuk mund të merren deklaratat apo ka mosmarrëveshje me kufitarët për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja, duke iu referuar dokumentacionit të mësipërm dhe verifikimit në terren. Në këtë rast, procedura për përcaktimin e sipërfaqes është pjesë e procesit të regjistrimit fillestar ose përmirësimit dhe kryhet duke bërë të njëjtat verifikime si pikat vijuese të këtij kreu.

7. Në zonat me regjistrim fillestar të kryer, kërkesa e subjektit të interesuar apo përfaqësuesit të tij për përcaktimin e sipërfaqes dhe kufijve duhet të shoqërohet nga:

a) titulli i pronësisë, në rastet kur pasuria e paluajtshme regjistrohet për herë të parë, ose dokumenti i regjistrimit, në rastet kur pasuria e paluajtshme figuron e regjistruar në regjistrat kadastralë;
b) planvendosja, skica apo çdo dokument tjetër hartografik që shoqëron titullin e pronësisë, nëse ka të tillë, pavarësisht nëse është i pamjaftueshëm, më vete, për të përcaktuar sipërfaqen, sipas parashikimit të shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi;
c) dokumente të tjera hartografike ndihmëse/orientuese nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, arkivi shtetëror ose institucionet shtetërore që kanë lëshuar titullin, nëse ka të tilla;
ç) dokumentacioni hartografik i pasurisë së paluajtshme – planrilevimi,
që miratohet nga drejtoria vendore e ASHK-së;
d) deklaratat noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë, që pretendohet të regjistrohet.

8. Për përcaktimin e sipërfaqes, drejtoria vendore e ASHK-së kryen veprimet e mëposhtme:

a) Verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi pranë institucioneve shtetërore apo noterit;
b) Kryen verifikimin në terren të pasurisë, për të cilën saktësohet sipërfaqja;
c) Mbështetet për orientim në kufijtë e pronave kufitare, titujt e të cilave e kanë të përcaktuar sipërfaqen respektive.

9. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur, duke u shprehur me vendimmarrje.

10. Në rast se gjatë shqyrtimit të kërkesës drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se:

a) kërkesa shoqërohet me të meta, njofton kërkuesin për plotësimin e tyre brenda afatit 10-ditor. Në rast të mosplotësimit të të metave brenda afatit, drejtori vendor del me vendim mbi mospranimin e kërkesës. Kundër vendimit të mospranimit mund të ushtrohet ankim gjyqësor;
b) ka një informacion zyrtar se për të njëjtën procedurë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor pranë gjykatës, atëherë drejtori vendor del me vendim mbi pezullimin e procedurës, deri në marrjen nga gjykata të një vendimi të formës së prerë dhe njofton kërkuesin.

11. Në rast se gjatë procedurës administrative të shqyrtimit të kërkesës, drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se dokumentacioni i paraqitur është në përputhje me përcaktimet e pikës 7, të këtij vendimi, kryhet verifikimi në terren i pasurisë, objekt kërkese. Në përfundim të verifikimit mbahet aktkonstatimi përkatës dhe hartohet planvendosja, përkatësisht sipas anekseve nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Aktkonstatimi dhe planvendosja i njoftohen subjektit. Nëse subjekti i interesuar nuk paraqet pretendime brenda 15 ditëve lidhur me pozicionimin, sipërfaqen dhe kufijtë e përcaktuar në planvendosje, ASHK-ja del me vendim për saktësimin e sipërfaqes dhe regjistrimin e pasurisë sipas kufijve të përcaktuar në planvendosje.

12. Në rast se kërkesa nuk shoqërohet nga deklaratat e pronarëve kufitarë të pasurisë, për të cilën kërkohet regjistrimi me përcaktimin e sipërfaqes, sipas shkronjës “c”, të pikës 4, të nenit 30, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, atëherë kërkuesi dorëzon një deklaratë noteriale, të nënshkruar prej tij, me të cilën vërteton në përgjegjësinë e vet se nuk ka mundur, për arsye objektive, të sigurojë deklaratën e pronarit/eve kufitar/ë, si dhe natyrën e pamundësisë objektive. Në këto raste si dhe kur ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, drejtoria vendore e ASHK-së, pas verifikimit në terren të kësaj pasurie, harton aktkonstatimin dhe planvendosjen.
Aktkonstatimi dhe planvendosja i njoftohen subjektit të interesuar dhe afishohen për një periudhë 15-ditore në ambientet e dukshme të kësaj drejtorie dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës ndodhet pasuria.
Nëse brenda këtij afati nuk paraqitet ankesë apo pretendim nga pronari/ët kufitar/ë për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet regjistrimi, atëherë miratohet vendimi nga ASHK-ja.

12.1 Në rast se brenda afatit të sipërpërmendur nga pronari/ët kufitar/ë paraqiten kundërshtime për aktkonstatimin dhe planvendosjen, drejtoria vendore e ASHK-së pezullon procedurën, deri në shqyrtimin administrativ të pretendimeve të paraqitura.
Me përfundimin e shqyrtimit administrativ miratohet vendimi sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, dhe planvendosja përfundimtare nga drejtoria vendore e ASHK-së, dhe vijohet me regjistrimin e pasurisë sipas sipërfaqes dhe kufijve të miratuar.
12.2 Në rast se pronarët kufitarë, gjatë afishimit 15-ditor i drejtohen gjykatës për pretendime të pazgjidhura përfundimisht lidhur me të dhënat e afishuara për caktimin e kufijve të hartuar nga drejtoria vendore e ASHK-së, atëherë kjo e fundit pezullon procedurën për pasuritë konkrete, deri në shpalljen nga gjykata të vendimit të formës së prerë.

13. Kur procedura e përcaktimit të sipërfaqes kryhet gjatë procesit të regjistrimit fillestar, afishimi 15-ditor sipas pikës 12, të këtij vendimi, është pjesë e njoftimit publik 45-ditor, të parashikuar në nenin 31, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

14. Kur pronat kufitare janë pasuri shtetërore/publike, deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar i institucionit pronar apo që administron pronën shtetërore. Nëse identifikimi i institucionit pronar ose administrues nuk është i mundur, deklarata noteriale nënshkruhet nga bashkia, në të cilën ndodhet pasuria.
Nëse institucionet e mësipërme sipas rastit nuk nënshkruajnë deklaratën noteriale brenda afatit 30-ditor, ASHK-ja, pas kalimit të afatit, vijon procedurën.

15. Kur pronën kufitare e kanë në pronësi dy a më shumë bashkëpronarë, kërkuesi paraqet deklaratat noteriale të bashkëpronarëve, për të cilët është e mundur marrja e kësaj deklarate. Për bashkëpronarët e tjerë, për të cilët nuk është e mundur objektivisht marrja e deklaratës noteriale, zbatohen procedurat e afishimit të aktit të përcaktimit të kufirit/planvendosjes së miratuar për një periudhë 15-ditore.

16. Afati për të marrë vendim nga ASHK-ja është 30 ditë kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës. Përjashtimisht në rastet e afishimit, të parashikuar në pikën 12, të këtij vendimi, afatit për pranimin ose jo të kërkesës i shtohet edhe periudha e afishimit.

17. Vendimi për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme i njoftohet kërkuesit dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të ASHK-së. Kundër këtij vendimi subjektet e interesuara mund të paraqesin ankim në gjykatë.

18. Tarifat dhe shpenzimet e tjera administrative, nëse ka të tilla, paguhen nga kërkuesi përpara mbylljes së procedurës administrative të shqyrtimit të kërkesës me vendimmarrje nga drejtoria vendore e ASHK-së.

III. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

19. Nuk janë objekt i këtij vendimi pasuritë, të cilat në aktet e tyre të fitimit të pronësisë nuk e kanë të shprehur sipërfaqen, por këto akte janë të shoqëruara me dokument hartografik, të lëshuar nga organet kompetente si shoqëruese e aktit të pronësisë, nga i cili mund të nxirret sipërfaqja e saktë e pasurisë.

20. Kur pasuria në rastet e parashikuara në krerët e tjerë të këtij vendimi është kaluar në pronësi të të tretëve, nëse të paktën njëri prej veprimeve të kalimit të pronësisë është i shoqëruar ose i plotësuar me dokumentacion hartografik që të përcaktojë sipërfaqen dhe kufijtë, ky i fundit merret i mirëqenë për efekt regjistrimi.

21. Për pasuritë e paluajtshme që kanë tituj pa sipërfaqe të përcaktuar, por që ndodhen në zona kadastrale, për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, merren të mirëqena sipërfaqja dhe kufijtë e tyre të pasqyruar sipas regjistrimit fillestar, pavarësisht mangësive në procedurë, dokumentacion dhe formë në raport me ligjin e kohës. Kjo me kusht që gjatë periudhës së afishimit publik të mos ketë pasur asnjë pretendim të pazgjidhur për sipërfaqen, kufijtë dhe pozicionimin e pasurisë, evidentuar kjo në kartelën e pasurisë ose librin e pranimit të kërkesave. Për këto raste, sipërfaqja dhe kufijtë e pasqyruar në regjistër merren të mirëqena, pa qenë nevoja për të kryer procedurën sipas pikës 4, të nenit 30, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
Në të kundërt, nëse ka pretendime të pazgjidhura nga regjistrimi fillestar, kryhet procedura e përcaktimit të sipërfaqes dhe kufirit sipas rregullave të këtij vendimi.

22. Përcaktimi i sipërfaqes në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për pronat me titull pronësie pa sipërfaqe, të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duke përfshirë edhe regjistrat hipotekorë, merret i mirëqenë, pavarësisht mangësive në formë, procedurë dhe dokumentacion.
Këtu përfshihen edhe regjistrimet për pronat pa sipërfaqe, të kryera deri në datën 2.4.2007, në zbatim të shkronjës “b”, të nenit 24, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të shfuqizuar.

23. Gjithashtu, merren të mirëqena edhe përcaktimet/pasqyrimet në regjistrat e pasurive të paluajtshme të sipërfaqeve shtesë mbi sipërfaqen e shprehur në dokument, të kryera dhe të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, pavarësisht mangësive në formë, procedurë dhe dokumentacion.

24. Kur ka pretendime për kufijtë midis pronarëve të dy apo më shumë pasurive, që kanë tituj me sipërfaqe të papërcaktuar, sipas pikave të mësipërme, mosmarrëveshja zgjidhet në rrugë gjyqësore.

25. Përjashtimisht, në rast se kufijtë apo pozicionimi në hartën kadastrale i pasurive, objekt i pikave 20, 21, 22 dhe 23, të këtij vendimi, cenojnë kufijtë ose sipërfaqen e pronave të tjera të regjistruara, titujt e të cilave i kanë qartësisht të përcaktuara kufijtë dhe sipërfaqen nga pikëpamja grafike, atëherë drejtoria vendore e ASHK-së kryen korrigjimin e kufijve sipas neneve 16 ose 35 e vijues të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

26. Objektet e regjistruara në regjistrat hipotekorë deri në momentin e hyrjes në fuqi të dekretit nr.4823, datë 2.3.1971, “Mbi të drejtën e pronësisë”, që nuk ka të cilësuar truallin, por vetëm kufijtë, trajtohen si pasuri me sipërfaqe të papërcaktuar, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 30, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe dispozitave të këtij vendimi.

27. Vendimi nr.745, datë 24.10.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”, shfuqizohet.

28. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MODELEVE TË AKTEVE KADASTRALE DHE TË DHËNAVE NË PËRMBAJTJE TË HARTËS KADASTRALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 5, 15, pika 3, dhe 17, pika 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Ky vendim ka për qëllim miratimin e mënyrës së paraqitjes (modelit) dhe të elementeve në përmbajtje të akteve kadastrale, si më poshtë vijon:

a) Kartela e pasurisë së paluajtshme;
b) Certifikata e pronësisë dhe e të drejtave reale;
c) Harta kadastrale dhe plani i rilevimit për punime kadastrale;
ç) Vërtetimi nga regjistrat e veçantë (hipotekore ose të lejes së ndërtimit dhe karabinasë);
d) Akte të tjera kadastrale që lëshohen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, këtu e në vijim ASHK.

II. MODELI DHE PËRMBAJTJA E KARTELËS E PASURISË SË PALUAJTSHME

1. Kartela, që është fleta e regjistrit për çdo pasuri të paluajtshme, plotësohet vetëm në format elektronik, në regjistrin digjital të pasurive të paluajtshme. Proceset e regjistrimit fillestar, të përmirësimit të regjistrit dhe regjistrimi i titujve, sipas përcaktimeve të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, si dhe çdo aktivitet kadastral që sjell plotësim ose ndryshim të të dhënave në kartelën e pasurisë, pasqyrohen në regjistrin digjital të pasurive të paluajtshme.

2. Kartela e plotësuar në format digjital dhe e printuar nga regjistri përbën fletën e regjistrit manual të pasurive të paluajtshme dhe vlen vetëm për administrim dhe ruajtje nga ASHK-ja, në cilësinë e dokumentacionit shkresor, në përputhje me legjislacionin për arkivat.

3. Paraqitja e kartelës të pasurisë së paluajtshme dhe elementet në përbërje të saj janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Kartela e pasurisë ka në përmbajtje të dhënat e parashikuara në nenin 13, pika 3, e vijues, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, të organizuara në gjashtë seksione, si vijon:

a) Seksioni A: “Të dhënat e pasurisë”, përmban të dhënat sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “e”, të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, numrin e pemëve dhe kodin unik të pasurisë;
b) Seksioni B: “Të dhënat e titullit të pronësisë”, përmban të dhënat sipas shkronjave “ç” dhe “d”, të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”;
c) Seksioni B/1: “Të dhënat e regjistrimit paraprak”, përmban të dhënat e titullit të pronësisë dhe të titullarit në fazën e regjistrimit paraprak, sipas pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”;
ç) Seksioni C: “Të drejtat reale”, përmban të dhënat për të drejtat e të tretëve mbi pasurinë, sipas shkronjave “dh” dhe “ë”, të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Këtu pasqyrohen vetëm ato të drejta të të tretëve, që nuk kufizojnë tagrin e disponimit.
d) Seksioni D: “Kufizimet e pronësisë”, përmban të dhëna për të drejtat e të tretëve mbi pasurinë, sipas shkronjës “dh”, të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, që kufizojnë tagrin e disponimit. Këtu pasqyrohen edhe të dhënat për çdo akt tjetër që kufizon këtë tagër, siç janë kufizimet e përcaktuara në nenin 27, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
dh) Seksioni E: “Informacione të tjera për pronën”, përmban çdo të dhënë tjetër me karakter informues dhe jo thelbësor apo kufizues mbi pronësinë, pavarësisht natyrës së aktit, ose dokumentacionit ligjor që shërben si burim i këtij informacioni, sipas kuptimit të shkronjës “f”, të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
e) Seksioni F: “Veprimet me kartelën e pasurisë”, përmban të dhëna identifikuese për punonjësit që kanë kryer veprime me kartelën e pasurisë së paluajtshme. Ky seksion i modelit të kartelës është pjesë e sistemit digjital të pasurive të paluajtshme por nuk ëshë publik dhe nuk përfshihet në dokumentin elektronik që i vendoset në dispozicion të tretëve.
Krahas të dhënave sipas seksioneve të mësipërme, kartela përmban rubrikat për identifikimin e titullarit (drejtor), që lëshon dokumentin, së bashku me nënshkrimin elektronik, vulën elektronike dhe kodin QR (Quick Response).

5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, nëse gjatë ofrimit të një shërbimi për pasurinë, ASHK-ja konstaton se të dhënat ose veprimet e mëparshme me pasurinë nuk janë pasqyruar në regjistrin digjital, ajo është e detyruar që t’i mbartë dhe t’i pasqyrojë ato, menjëherë në regjistrin digjital. Këtu përfshihet digjitalizimi edhe i kartelave të mëparshme nga të cilat ka prejardhjen kartela e fundit.

6. Plotësimi i të dhënave në format digjital kryhet edhe për pasuritë në zonat kadastrale, për të cilat nuk është kryer regjistrimi fillestar, duke mbartur të gjitha të dhënat mbi pasurinë që gjenden në regjistrat e veçantë manualë që janë përdorur për këto zona. Në këtë rast kartela digjitale është jopërfundimtare dhe nuk përbën fletën e regjistrit të pasurive të paluajtshme, sepse nuk është produkt i regjistrimit fillestar sipas kreut V, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Modeli i kartelës jopërfundimtare është sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Numri i pasurisë në këto raste vendoset sipas rendit të paraqitjes së dokumenteve pranë drejtorisë vendore të ASHK-së.

III. HARTA KADASTRALE DHE MODELI I PLANIT TË RILEVIMIT

7. Harta kadastrale përmban këto të dhëna:

– Kufirin e zonës kadastrale (ZK);
– Numrin e zonës kadastrale dhe sipas rastit emrin e zonës kadastrale;
– Kufirin e pasurisë së paluajtshme;
– Numrin e pasurisë së paluajtshme, i cili është unik brenda një zone kadastrale;
Kufijtë dhe pozicioni gjeografik i pasurive në hartën kadastrale shprehet sipas Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare.

8. Harta kadastrale plotësohet dhe ruhet në format elektronik, në sistemin e regjistrit digjital të pasurive të paluajtshme.

9. Harta e printuar nga regjistri digjital i pasurive të paluajtshme përbën kopjen manuale të hartës kadastrale dhe vlen vetëm për administrim dhe ruajtje nga ASHK-ja, në cilësinë e dokumentacionit shkresor, në përputhje me legjislacionin për arkivat.

10. Fragmenti i hartës kadastrale është ekstrakti i kësaj harte që pasqyron pozicionin dhe kufijtë e një ose disa pasurive. Modeli i fragmentit të hartës kadastrale është sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

11. Plani i rilevimit për punime kadastrale është dokumenti hartografik që hartohet si rezultat i verifikimeve dhe matjeve në terren të pasurisë së paluajtshme. Ai pasqyron gjendjen faktike të pasurisë dhe hartohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës ose nga një inxhinier gjeodet i licencuar. Modeli i planit të rilevimit për punime kadastrale është sipas aneksit 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

12. Kur plani i rilevimit hartohet nga eksperti gjeodet i licencuar, ky i fundit për identifikimin e pasurisë duhet të marë dokumentacionin dhe informacionin kadastral. Plani i rilevimit duhet të përmbushë standardet teknike të përcaktuara në aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, dhe duhet të dorëzohet në çdo rast në format shkresor dhe digjital.

13. Plani i rilevimit për punime kadastrale, i hartuar nga eksperti gjeodet i licencuar, i nënshtrohet kontrollit dhe konfirmimit nga ASHK-ja, për standardet teknike.

14. Fragmenti i hartës kadastrale dhe plani i rilevimit për punime kadastrale të hartuar nga ASHK-ja plotësohen, nënshkruhen, vulosen dhe lëshohen elektronikisht, si dokumente elektronike. Kopjet e printuara të tyre arkivohen si dokument shkresor në përputhje me legjislacionin për arkivat.

15. Për zonat kadastrale, ku harta kadastrale është e administruar në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme, nëse gjatë ofrimit të një shërbimi për pasurinë, drejtoria vendore e ASHK-së konstaton nga verifikimi i dokmentacionit teknik dhe hartës kadastrale, se veprimet e mëparshme hartografike nuk janë pasqyruar në hartën kadastrale digjitale, ajo është e detyruar që t’i pasqyrojë ato menjëherë, përpara se të realizojë shërbimin.

16. Për zonat kadastrale ku ka përfunduar regjistrimi fillestar por harta kadastrale nuk është administruar në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme, veprimet në hartën kadastrale vijojnë të kryhen në planshetat në format manual të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, deri në administrimin në sistemin digjital të pasurive, si produkt i procesit të digjitalizimit, nëse është rasti i përmirësim/përditësimit.
Në këtë rast, ofrimi i shërbimit të fragmentit të hartës bëhet në rrugë elektronike sipas pikës 15, të këtij vendimi, pas hartimit, skanimit dhe ngarkimit në rrugë digjitale, të fragmentit të planshetës manuale.

17. Përjashtimisht, në rastet e pikës 17, të këtij vendimi, kur gjatë trajtimit të kërkesës për shërbim, drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se kufijtë e pasurisë së paluajtshme nuk janë të pasqyruar saktë sipas aktit të pronësisë dhe faktit, ajo vepron, si më poshtë:

Kryen korrigjimin sipas nenit 16, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën” vetëm për pasurinë, objekt i kërkesës për shërbim, duke e pasqyruar atë të saktësuar sipas planit të rilevimit në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme. Veprimet vijuese mbi këtë pasuri kryhen vetëm në format digjital. Kur konstatohet se korrigjimi nuk është i mundur për shkak të dokumentacionit të paplotë, ASHK-ja njofton aplikuesin për plotësimin e dokumentacionit sipas pikës 26, të këtij vendimi. Në rast mosplotësimi të dokumentacionit, shërbimi do të mund të realizohet vetëm pas përfundimit të procesit të përmirësimit, sipas kreut VI, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

18. Përjashtimisht, për zonat kadastrale ku nuk është kryer ende regjistrimi fillestar, pasqyrimi i të dhënave hartografike të titujve të pronësisë kryhet në një modul digjital të veçantë, unik për të gjithë Republikën e Shqipërisë, të modeluar sipas kornizës referuese gjeodezike shqiptare. Produkti hartografik i krijuar nëpërmjet këtij moduli është jopërfundimtar dhe nuk përbën hartën kadastrale, e cila krijohet vetëm pas përfundimit të regjistrimit fillestar, në bazë të nenit 32, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

IV. CERTIFIKATA E REGJISTRIMIT TË PRONËSISË DHE E TË DREJTAVE REALE

19. Certifikata ka për qëllim të vërtetojë faktin e regjistrimit të titullit të pronësisë apo të së drejtës reale, në bazë të nenit 17, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Lëshimi i certifikatës nuk përbën titullin e pronësisë apo të së drejtës reale nga ana thelbësore dhe e përmbajtjes.

20. Modeli i certifikatës së regjistrimit të pronësisë është sipas aneksit 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ai përbëhet nga këto rubrika:

a) Të dhënat mbi mbi pronarin/bashkëpronarët:
– emri i plotë i pronarit/bashkëpronarëve (emër, atësi, mbiemër, ose emri i personit juridik) ;
– numri personal ID, ose NIPT (për personat juridikë);
– pjesët takuese të bashkëpronësisë (kur pasuria është në bashkëpronësi).

b) Të dhënat përshkruese mbi pasurinë e paluajtshme:

– numri i pasurisë;
– kodi unik i pasurisë;
– zona kadastrale;
– lloji i pasurisë;
– sipërfaqja e pasurisë;
– vlera e pasurisë;
– adresa e pasurisë.

c) Të dhënat e dokumentit dhe të sigurisë të certifikatës janë, si më poshtë vijon:

– Data e lëshimit të certifikatës;
– Numri serial i certifikatës, unik për të gjithë Republikën e Shqipërisë;
– Titullari i institucionit;
– Kodi i sigurisë QR (Quick Response);
– Nënshkrimi dhe vula elektronike.

21. Modeli i certifikatës së regjistrimit të të drejtave reale është sipas aneksit 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ai përbëhet nga këto rubrika:

a) Lloji i së drejtës reale, që plotësohet në titullin e certifikatës.
b) Të dhënat mbi titullarin e së drejtës reale:

– cilësia e titullarit (qiramarrës, enfiteozëmarrës, uzufruktar, përdorues, kreditor hipotekor etj);
– emri i plotë i titullarit (emër, atësi, mbiemër ose emri i personit juridik);
– numri personal ID ose NIPT (për personat juridikë).

c) Të dhënat përshkruese mbi pasurinë e paluajtshme dhe afatin e së drejtës:

– numri i pasurisë;
– kodi unik i pasurisë;
– zona kadastrale;
– lloji i pasurisë;
– sipërfaqja e pasurisë;
– sipërfaqja ose pjesa takuese e pasurisë, që është objekt i së drejtës reale;
– afati i së drejtës reale;
– numri identifikues i fragmentit të hartës kadastrale;
– adresa e pasurisë.

ç) Të dhënat mbi pronarin/bashkëpronarët:

– emri i plotë i pronarit/bashkëpronarëve (emër, atësi, mbiemër ose emri i personit juridik);
– cilësia e tij në marrëdhënien e detyrimit (qiradhënës, uzufruktdhënës, enfiteozëdhënës, debitor etj.);
– numri personal ID ose NIPT (për personat juridikë);
– pjesët takuese të bashkëpronësisë (kur pasuria është në bashkëpronësi).

d) Të dhënat e dokumentit dhe të sigurisë së certifikatës janë si vijon:

– Data e lëshimit të certifikatës;
– Numri serial i certifikatës, unik për të gjithë Republikën e Shqipërisë;
– Titullari i institucionit;
– Kodi i sigurisë QR (Quick Response);
– Nënshkrimi elektronik i titullarit;
– Vula elektronike.

22. Certifikata hartohet dhe miratohet si dokument elektronik dhe një kopje e printuar e saj ruhet në përputhje me legjislacionin për arkivat.

23. Në rastin e bashkëpronësisë, si dhe kur e drejta reale i përket njëkohësisht dy ose më shumë titullarëve, certifikatat lëshohen në aq kopje sa janë bashkëpronarët ose bashkëtitullarët e së drejtës reale.

V. AKTE TË TJERA KADASTRALE

24. Vërtetimet e lëshuara për pasuritë, në një zonë kadastrale që nuk i është nënshtruar regjistrimit fillestar, janë sipas anekseve 7 dhe 8, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë përbërëse të tij. Këto vërtetime nuk provojnë regjistrimin në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme, për sa kohë nuk është kryer regjistrimi fillestar sipas kreut V, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

25. Vërtetimet e regjistrimit në regjistrat e veçantë të lejes së ndërtimit dhe të karabinasë janë sipas anekseve 9 deri në 12, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

26. Kur dokumentacioni i detyrueshëm i përcaktuar në ligj ose në aktet nënligjore për realizimin e një shërbimi kadastral nuk paraqitet i plotë nga subjekti kërkues i shërbimit, atëherë ASHK-ja harton kërkesën për plotësim dokumentacioni. ASHK-ja mund të bëjë vetëm një kërkesë për plotësim dokumentacioni, për një shërbim dhe në rast se subjekti përfitues i shërbimit nuk plotëson dokumentacionin ligjor të detyrueshëm brenda 30 (tridhjetë) ditëve, ky shërbim refuzohet. Modeli i kërkesës për plotësim dokumentacioni është sipas aneksit 13, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

27. Modelet e akteve sipas pikave 25, 26 dhe 27, të këtij vendimi, plotësohen dhe miratohen vetëm në format digjital, si dokumente elektronike dhe një kopje e printuar e tyre ruhet në përputhje me legjislacionin për arkivat.

28. Urdhri për refuzimin e regjistrimit për rastet e nenit 26, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe vendimi i refuzimit sipas neneve 46 dhe 47, të të njëjtit ligj, hartohen dhe miratohen në format shkresor, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurave Administrative, mbi formën dhe përmbajtjen e aktit administrativ shkresor dhe janë sipas modeleve të parashikuara në anekset 14 dhe 15, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

VI. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

29. Rregullat e hollësishme për mënyrën e plotësimit dhe të administrimit të akteve kadastrale të parashikuara në këtë vendim përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së.

30. Kartelat manuale të pasurive të paluajtshme të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe regjistrat e përdorur për zonat kadastrale pa regjistrim fillestar sekretohen dhe arkivohen sipas rregulloreve përkatëse në përputhje me legjislacionin për arkivat. Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të gjitha veprimet në kartelën e pasurisë kryhen vetëm në format digjital, në përputhje me përcaktimet e kreut II, të këtij vendimi.

31. Në rastet e parashikuara në pikën 16, të këtij vendimi, planshetat manuale të hartës kadastrale të administruara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, arkivohen sipas legjislacionit për arkivat. Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi të gjitha veprimet mbi pasurinë kryhen vetëm në hartën e administruar në sistemin digjital, duke verifikuar nëse ka veprime të mëparshme nga plansheta manuale e arkivuar.

32. Në rastet e parashikuara në pikat 17 dhe 18, të këtij vendimi, arkivimi i planshetave manuale kryhet pasi të kenë përfunduar proceset e digjitalizimit dhe nëse është rasti përmirësimit ose korrigjimit gradual të hartës kadastrale.

33. Për kartelat e pasurive të administruara në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ASHK-ja kryen kalimin e të dhënave në sistem, nga modeli i mëparshëm i kartelës në atë të parashikuar sipas këtij vendimi.

34. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.352, datë 3.5.1995, “Për miratimin e certifikatave të pronësisë së pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe nr.519, datë 31.10.1994, “Për miratimin e kartelës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, shfuqizohen.

35. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT 2020–2022, NË ZBATIM TË STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR DECENTRALIZIMIN DHE QEVERISJEN VENDORE, 2015-2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e planit të veprimit 2020–2022, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, për periudhën 2015–2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat janë ngarkuar me detyra të veçanta në planin e veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Maksim Malaj, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Klevis Xhoxhi emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT EKONOMIK PËR PROJEKTET DHE BLERJET NË SHQIPËRI, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të bashkëpunimit ekonomik për projektet dhe blerjet në Shqipëri, ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SHTESË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA NJË FOND I POSAÇËM I AKSIONARËVE TË BERZH-IT, PËR PROJEKTIN E DETAJUAR TË LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE VLERËSIMIN FINANCIAR/EKONOMIK TË TË GJITHË RRJETIT HEKURUDHOR SHQIPTAR, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.63/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes shtesë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga një fond i posaçëm i aksionarëve të BERZH-it, për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar, të marrëveshjes së grantit, ratifikuar me ligjin nr.63/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI DHE SISTEMIMI I SHESHEVE BRENDA BLLOQEVE TË BANIMIT, SI DHE KRIJIMI I HAPËSIRAVE REKREATIVE BRENDA TYRE “LAGJJA 8 SHKURTI””, BASHKIA FIER

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi dhe sistemimi i shesheve brenda blloqeve të banimit, si dhe krijimi i hapësirave rekreative brenda tyre “Lagjja 8 Shkurti””, Bashkia Fier.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Fier.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 9 559 542 (nëntë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e dyzet e dy) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 559 542 (nëntë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e dyzet e dy) lekësh, do të përballohet nga fondet e buxhetit të Bashkisë Fier.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në Bashkinë Fier.

8. Bashkia Fier të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratën e lidhur nga Bashkia Fier me sipërmarrësit e punimeve.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit (Bashkisë Fier).

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit (Bashkisë Fier).

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR, TË OBJEKTIT ME SIPËRFAQE 644 M2, PJESË E PASURISË ME NUMËR 11/86, NË ZONËN KADASTRALE 8320, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, të objektit me sipërfaqe 644 m2, pjesë e pasurisë me numër 11/86, në zonën kadastrale 8320, Tiranë, sipas planit të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, t’u përdorur për kryerjen e aktivitetit të Qendrës së Monitorimit të Trafikut Rrugor.

2. Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

3. Ngarkohen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR, TË PASURISË 1/162, ZONA KADASTRALE 8561, KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, të truallit, me sipërfaqe 3 556.1 (tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë një) m2, dhe objekte në të, me sipërfaqe 1 174.1 (një mijë e njëqind e shtatëdhjetë e katër mijë pikë një) m2, në zonën kadastrale 8561, me numër pasurie 1/162, Korçë, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përdoret për kryerjen e aktivitetit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Korçë.

3. Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Korçë i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në këtë vendim, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE BUBQ, BASHKIA KRUJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit”, të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, si dhe të vendimit nr.61, datë 29.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësinë administrative Bubq, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, në funksion të procesit të rindërtimit, që do të realizohet në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative Bubq, Bashkia Krujë, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës të bëhen në favor të Bashkisë Krujë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, “truall”, “ndërtesë” dhe “kultura bujqësore”, në shumën 92 068 771.70 (nëntëdhjetë e dy milionë e gjashtëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e një pikë shtatëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 92 068 771.70 (nëntëdhjetë e dy milionë e gjashtëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e një pikë shtatëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga zëri “Fondi për rindëritimin”, i miratuar për vitin 2020.

5. Shkëmbimi i pasurive private të llojit “ndërtesë” me një pasuri tjetër të paluajtshme në pronësi të shtetit, aktuale ose të ardhshme, do të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, cilësimeve në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi si dhe marrëveshjeve/kontratave që janë lidhur dhe do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Krujë dhe qytetarëve që shprehin dakordësinë.

6. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikat, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Krujë, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.

7. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

8. Bashkia Krujë të kryejë likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, dhe të bëjë shkëmbimin e pronës, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.

9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të jetë momenti i fillimit të realizimit të projektit. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme do të jetë në përfundim të realizimit të projektit, për zhvillimin e zonës së re në njësinë administrative Bubq, Bashkia Krujë.

10. Bashkia Krujë t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit dhe të shkëmbimit ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën “truall”, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të bëhet regjistrimi i barrës ligjore sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari/pronarët privat/ë ka/në pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të njësisë zbatuese dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat.

11. Bashkia Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.

12. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, të pasqyrojë në regjistrat kadastralë ndryshimin e kategorisë së resursit të pasurive të paluajtshme, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në kategorinë “tokë urbane” truall.

13. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.

14. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Krujë për pasuritë e shpronësuara.

15. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

16. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Krujë dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Robert Lili, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Bledar Skënderi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË POSAÇME TË LICENCIMIT, DOKUMENTEVE SHOQËRUESE, NËNKATEGORIVE TË LICENCAVE, PROCEDURAVE PËR DHËNIEN, PEZULLIMIN OSE REVOKIMIN, SI DHE KUOTIZACIONIT VJETOR TË LICENCAVE PËR NDËRHYRJET NË PASURITË KULTURORE MATERIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 82, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Ky vendim përcakton dhe shtrin fushën e veprimit në:

a) llojet, kategoritë dhe nënkategoritë e licencave për veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale;
b) përcaktimin e kushteve, kritereve të posaçme dhe dokumenteve shoqëruese për licencimin e individëve dhe licencimin e personave fizikë dhe juridikë, për kryerjen e veprimtarive ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale;
c) procedurat për dhënien, pezullimin, revokimin dhe kuotizacionin e licencave për veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale.

II. LLOJET, KATEGORITË DHE NËNKATEGORITË E LICENCAVE DHE KUSHTET PËR LICENCIM

1. Licenca për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale është akti administrativ që i njeh titullarit të saj të drejtën të fillojë e të ushtrojë tipin e veprimtarisë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në të.

2. Llojet e licencave për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale janë në:

a) projektim (P);
b) zbatim (Z);
c) mbikëqyrje dhe kolaudim (MK).

3. Kategoritë e licencave për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale janë, si më poshtë vijon:

a) Licencë për kryerjen e veprimtarive ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, të arkitekturës/ndërtimore – (A);
b) Licencë për kryerjen e veprimtarive ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, vepra arti – (V).

4. Nënkategoritë e licencave për individin në projektim (P) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë, si më poshtë vijon:

a) P/A/1. Projektim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) P/A/2. Projektim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) P/A/3. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) P/A/4. Projektim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) P/A/5. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) P/A/6. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) P/A/7. Projektim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) P/V/1. Projektim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) P/V/2. Projektim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) P/V/3. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) P/V/4. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) P/V/5. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) P/V/6. Projektim në konservim dhe restaurim të objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

5. Nënkategoritë e licencave për individin në zbatim (Z) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V) janë, si më poshtë vijon:

a) Z/A/1. Zbatim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) Z/A/2. Zbatim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) Z/A/3. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) Z/A/4. Zbatim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) Z/A/5. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) Z/A/6. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) Z/A/7. Zbatim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) Z/V/1. Zbatim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) Z/V/2. Zbatim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) Z/V/3. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) Z/V/4. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) Z/V/5. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) Z/V/6. Zbatim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

6. Nënkategoritë e licencave për individin në mbikëqyrje dhe kolaudim (MK) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë, si më poshtë vijon:

a) MK/A/1. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) MK/A/2. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) MK/A/3. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) MK/A/4. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) MK/A/5. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) MK/A/6. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) MK/A/7. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) MK/V/1. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) MK/V/2. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) MK/V/3. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) MK/V/4. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) MK/V/5. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim të veprave të artit në metal, qelq;
i) MK/V/6. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

7. Nënkategoritë e licencave për personin fizik (F-) në projektim (P) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë, si më poshtë vijon:

a) F-P/A/1. Projektim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) F-P/A/2. Projektim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) F-P/A/3. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) F-P/A/4. Projektim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) F-P/A/5. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) F-P/A/6. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) F-P/A/7. Projektim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) F-P/V/1. Projektim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) F-P/V/2. Projektim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) F-P/V/3. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) F-P/V/4. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) F-P/V/5. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) F-P/V/6. Projektim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

8. Nënkategoritë e licencave për personin fizik (F-) në zbatim (Z) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë:

a) F-Z/A/1. Zbatim në konservim dhe restaurim të rrënojave/siteve arkeologjike;
b) F-Z/A/2. Zbatim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) F-Z/A/3. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) F-Z/A/4. Zbatim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) F-Z/A/5. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) F-Z/A/6. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) F-Z/A/7. Zbatim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) F-Z/V/1. Zbatim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) F-Z/V/2. Zbatim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) F-Z/V/3. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) F-Z/V/4. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) F-Z/V/5. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) F-Z/V/6. Zbatim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

9. Nënkategoritë e licencave për personin fizik (F-) në mbikëqyrje dhe kolaudim (MK) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë, si më poshtë vijon:

a) F-MK/A/1. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) F-MK/A/2. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) F-MK/A/3. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) F-MK/A/4. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) F-MK/A/5. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) F-MK/A/6. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) F-MK/A/7. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) F-MK/V/1. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) F-MK/V/2. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) F-MK/V/3. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) F-MK/V/4. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) F-MK/V/5. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) F-MK/V/6. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

10. Nënkategoritë e licencave për personin juridik (N-) në projektim (P) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V) janë, si më poshtë vijon:

a) N-P/A/1. Projektim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) N-P/A/2. Projektim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) N-P/A/3. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) N-P/A/4. Projektim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) N-P/A/5. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) N-P/A/6. Projektim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) N-P/A/7. Projektim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) N-P/V/1. Projektim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) N-P/V/2. Projektim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) N-P/V/3. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) N-P/V/4. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) N-P/V/5. Projektim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) N-P/V/6. Projektim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

11. Nënkategoritë e licencave për personin juridik (N-) në zbatim (Z) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë, si më poshtë vijon:

a) N-Z/A/1. Zbatim në konservim dhe restaurim të rrënojave/siteve arkeologjike;
b) N-Z/A/2. Zbatim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) N-Z/A/3. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) N-Z/A/4. Zbatim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) N-Z/A/5. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) N-Z/A/6. Zbatim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) N-Z/A/7. Zbatim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) N-Z/V/1. Zbatim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) N-Z/V/2. Zbatim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) N-Z/V/3. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) N-Z/V/4. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) N-Z/V/5. Zbatim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) N-Z/V/6. Zbatim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

12. Nënkategoritë e licencave për personin juridik (N-) në mbikëqyrje dhe kolaudim (MK) në veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, në kategoritë (A) dhe (V), janë, si më poshtë vijon:

a) N-MK/A/1. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i rrënojave/siteve arkeologjike;
b) N-MK/A/2. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve me karakter mbrojtës;
c) N-MK/A/3. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së kultit;
ç) N-MK/A/4. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i ndërtimeve inxhinierike;
d) N-MK/A/5. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së traditës (vernakulare);
dh) N-MK/A/6. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i arkitekturës së projektuar;
e) N-MK/A/7. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim, restaurim dhe rikualifikim i hapësirave (rrugë, sheshe) brenda qendrave historike dhe ansambleve historike urbane;
ë) N-MK/V/1. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i mozaikëve;
f) N-MK/V/2. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i pikturave murale dhe shkëmbore;
g) N-MK/V/3. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në dru;
gj) N-MK/V/4. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në allçi, gur, qeramikë;
h) N-MK/V/5. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i veprave të artit në metal, qelq;
i) N-MK/V/6. Mbikëqyrje dhe kolaudim në konservim dhe restaurim i objekteve tekstil, lëkurë, pergamen, telajo, letër.

A. Kushtet e përgjithshme për pajisjen me licencë

1. Çdo individ, i cili ka zotësinë e plotë juridike për të vepruar, si dhe çdo person fizik apo juridik i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar në fuqi për veprimtaritë tregtare, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për pajisje me licencë në projektim, zbatim, mbikëqyrje e kolaudim.

2. Subjekti dorëzon kërkesën e plotë për pajisjen me licencë, bashkë me dokumentin që vërteton kryerjen e pagesës së tarifës për përfitimin e licencës, pranë Sekretarisë Teknike të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (në vijim KKTKM), si dhe dokumentet shoqëruese të kërkuara në këtë vendim për të provuar përmbushjen e kritereve të posaçme.

B. Kriteret e posaçme për licencimin për individ

1. Për të përfituar licencë për projektim të nënkategorive sipas pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi, individi duhet:

a) të ketë një nga nivelet e edukimit sipas aneksit 1;
b) të ketë eksperiencë pune në profesion sipas aneksit 1;
c) të plotësojë kriteret sipas aneksit 1, përkatësisht:

i. për eksperiencën në institucion të specializuar në kuptim të ligjit nr.27/2018, të lidhura me nënkategorinë;
ii. për specializimet ose kurset profesionale (teorike) të lidhura me nënkategorinë;
iii. për autorësi ose bashkautorësi në hartim projektesh konservim-restaurim, të miratuara sipas legjislacionit shqiptar në fushën e trashëgimisë kulturore të lidhura me nënkategorinë.

2. Për të përfituar licencë për zbatim të nënkategorive sipas pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, individi duhet:

a) të ketë një nga nivelet e edukimit sipas aneksit 2;
b) të ketë eksperiencë pune në profesion sipas aneksit 2;
c) të plotësojë kriteret sipas aneksit 2, përkatësisht, për:

i. eksperiencën në institucion të specializuar në kuptim të ligjit nr.27/2018, të lidhura me nënkategorinë;
ii. specializimet ose kurset profesionale (kampe zbatimi restaurimi) të lidhura me nënkategorinë;
iii. autorësi ose bashkautorësi në hartim projektesh konservim-restaurim, të miratuara sipas legjislacionit shqiptar të trashëgimisë kulturore të lidhura me nënkategorinë.

3. Për të përfituar licencë për mbikëqyrje dhe kolaudim të nënkategorive sipas pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi, individi duhet:

a) të ketë një nga nivelet e edukimit sipas aneksit 3;
b) të ketë eksperiencë pune në profesion sipas aneksit 3;
c) të plotësojë kriteret sipas aneksit 3, përkatësisht, për:

i. eksperiencën në institucion të specializuar në kuptim të ligjit nr.27/2018, të lidhura me nënkategorinë;
ii. specializimet ose kurset profesionale (kampe zbatimi restaurimi) të lidhura me nënkategorinë;
iii. autorësi ose bashkautorësi në hartim projektesh konservim-restaurim të miratuara sipas legjislacionit shqiptar të trashëgimisë kulturore të lidhura me nënkategorinë.

C. Kriteret e posaçme për licencim për personin fizik/juridik

1. Kriteret e posaçme për licencim për personin fizik (F-) për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë të punësuar si drejtues teknik individin e licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që plotëson kushtet e posaçme për kategorinë/nënkategorinë e licencës sipas kreut II, të këtij vendimi. Kontrata e punësimit ndërmjet personit fizik dhe individit të licencuar nuk mund të jetë më pak se 1 (një) vit. Personi fizik licencohet për të njëjtën kategori/nënkategori të licencës për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale që disponon drejtuesi teknik;
b) Në rastin kur personi fizik zotëron licencë si individ në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, nuk ka nevojë të punësojë një drejtues teknik, sipas parashikimit të shkronjës “a”, të kësaj pike.

2. Kriteret e posaçme për licencim për personin juridik (N-) për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë si person juridik në veprimtarinë kryesore projektim dhe/ose zbatim dhe/ose mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit dhe/ose restaurimin e veprave të artit;
b) Të ketë të punësuar si drejtues teknik individ të licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që plotëson kushtet e posaçme për kategorinë/nënkategorinë e licencës sipas kreut II, të këtij vendimi. Kontrata e punësimit ndërmjet personit juridik dhe individit të licencuar nuk mund të jetë më pak se 1 (një) vit. Personi juridik licencohet për të njëjtën kategori/nënkategori të licencës për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale që disponon drejtuesi teknik.

Ç. Kufizime për dhënien dhe përdorimin e licencës

1. Licenca nuk lejohet të tjetërsohet apo të trashëgohet nga një subjekt (individ, person fizik, person juridik) te tjetri.

2. Individët e licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, të cilët punojnë si drejtues teknikë pranë një personi fizik ose juridik të licencuar për zbatim, nuk mund të përdorin licencë si individë për mbikëqyrje e kolaudim të punimeve të zbatimit në konservim e restaurim, gjatë kohës që janë të punësuar në këtë pozicion.

3. Kur ndodh ndryshimi faktik i të dhënave të përcaktuara në licencë, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, pavarësisht se mund të cenojë apo jo këto kritere, subjekti (individ, person fizik, person juridik) duhet të njoftojë menjëherë në formë zyrtare, Sekretarinë Teknike të KKTKM-së, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (në vijim IKTK).

4. Kur vlerësohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti (individ, person fizik, person juridik) provojnë përmbushjen përsëri të kritereve të licencimit, atëherë KKTKM-ja miraton ndryshimet dhe subjekti pajiset me licencën e ndryshuar. Përdorimi i licencës pezullohet për periudhën deri në miratimin e ndryshimeve dhe pajisjen me licencën e ndryshuar.

D. Afatet e vlefshmërisë së licencës

1. Licenca për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale është pa afat, për të gjitha subjektet e licencuara.

2. Subjekti person fizik apo juridik njofton në formë zyrtare në Sekretarinë Teknike të KKTKM-së, pranë IKTK-së:

a) menjëherë, kur kontrata e punësimit të drejtuesit teknik ndërpritet përpara afatit;
b) të paktën 45 (dyzet e pesë) ditë përpara mbarimit të kontratës së punësimit të drejtuesit teknik, nëse kjo kontratë do të ripërtërihet;
c) të paktën 45 (dyzet e pesë) ditë përpara mbarimit të kontratës së punësimit të drejtuesit teknik, nëse kjo kontratë nuk do të ripërtërihet.

III. DOKUMENTACIONI SHOQËRUES PËR PAJISJEN ME LICENCË

A. Dokumente shoqëruese për pajisjen me licencë për individin

Kërkesa për pajisje me licencë për herë të parë për individin, pasi të plotësohen kufizimet dhe kushtet e posaçme të përcaktuara në këtë vendim, shoqërohet me:

a) kërkesën për pajisje me licencë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) kopjen e dokumentit të identifikimit;
c) dokumentin që vërteton kohën/vitet e punës (librezën e punës apo dokumente të tjerë që vërtetojnë kohën/vitet e punës);
ç) vetëdeklarimin mbi gjendjen e tij gjyqësore dhe penale;
d) dy fotografi me përmasa 3×4 cm;
dh)kopjen e diplomave që zotëron, certifikata kursi apo specializimi, të njësuara me origjinalin.

B. Dokumente shoqëruese për pajisjen me licencë për personin fizik

Kërkesa për pajisje me licencë për herë të parë për personin fizik, pasi të plotësohen kufizimet dhe kushtet e posaçme të përcaktuara në këtë vendim, shoqërohet me:

a) kërkesën për pajisje me licencë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
c) kopjen e dokumentit të identifikimit të aplikuesit;
ç) dokumentin që vërteton kohën/vitet e punës (librezën e punës apo dokumente të tjerë që vërtetojnë kohën/vitet e punës) për aplikuesin;
d) vetëdeklarimin mbi gjendjen gjyqësore dhe penale;
dh) dy fotografi me përmasa 3×4 cm;
e) kopjen e diplomave që zotëron, certifikata kursi apo specializimi, të njësuara me origjinalin.
ë) në rastin e punësimit të drejtuesit teknik, kontratën e lidhur ndërmjet personit fizik dhe drejtuesit teknik të licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, të hartuar përpara noterit;
f) vetëdeklarimin nga drejtuesi teknik ose nga personi fizik (në rastin kur personi fizik zotëron licencë në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale) për:

i. gjendjen gjyqësore dhe penale;
ii. gjendjen në lidhje me punësimin si drejtues teknik në persona fizik apo juridik të tjerë;
iii. marrëdhënien e tij të punës me institucionet shtetërore qendrore, vendore, të pavarura apo persona juridikë publikë të tjerë.

C. Dokumente shoqëruese për pajisje me licencë për personin juridik

Kërkesa për pajisje me licencë për herë të parë për personin juridik, pasi të plotësohen kufizimet dhe kushtet e posaçme të specifikuara në këtë vendimi, shoqërohet me:

a) kërkesën për pajisje me licencë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
c) vetëdeklarimin mbi gjendjen gjyqësore dhe penale të anëtarëve të organit administrativ, aksionarit ose ortakut, të personit që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda personit juridik;
ç) kontratën e punësimit ndërmjet përfaqësuesit ligjor të personit juridik dhe drejtuesit teknik të licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, të hartuar përpara noterit;
d) vetëdeklarimin nga drejtuesi teknik për:

i. gjendjen gjyqësore dhe penale;
ii. gjendjen në lidhje me punësimin si drejtues teknik në persona fizikë apo juridikë të tjerë;
iii. marrëdhënien e tij të punës me institucionet shtetërore qendrore, vendore, të pavarura, apo persona juridikë publikë të tjerë.

Ç. Dokumente shoqëruese në rast ndryshimi të licencës

1. Kërkesa për pajisje me shtesa në kategori ose nënkategori dhe për ndryshim të licencës shoqërohet me:

a) kërkesën për pajisje me shtesa në kategori ose nënkategori dhe ndryshim të licencës, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve për kategorinë/nënkategorinë e kërkuar ose për ndryshimet.

2. Në rastin kur ndryshimi që kërkohet ka lidhje me shtesa në kategori ose nënkategori, me qëllim pajisjen me licencë të re, subjekti duhet të dorëzojë licencën ekzistuese. Licenca ekzistuese shpallet e pavlefshme dhe lëshohet licencë e re me shtesat. Licenca e shpallur e pavlefshme shenjohet nga Sekretaria Teknike e KKTKM-së me prerje në anë dhe arkivohet në dosjen e subjektit.

3. Në rastin kur ndryshimi që kërkohet ka lidhje me ndërrimin e drejtuesit teknik, përfaqësuesve ligjorë, ndryshim të emrit apo të selisë, mbarimin e afatit të kontratës së punësimit apo ripërtëritjen e afatit të kontratës së punësimit, me qëllim pajisjen me licencë të re, subjekti duhet të dorëzojë licencën ekzistuese. Licenca ekzistuese shpallet e pavlefshme dhe lëshohet licencë e re. Licenca e shpallur e pavlefshme shenjohet nga Sekretaria Teknike e KKTKM-së me prerje në anë dhe arkivohet në dosjen e subjektit.

D. Dokumente shoqërues për pajisje me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses

1. Kërkesa për pajisjen me zëvendësim licence, në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses, shoqërohet me:

a) kërkesën për pajisje me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) dy fotografi për dokument.

2. Në rastin kur kërkesa ka lidhje me zëvendësimin e licencës së dëmtuar me qëllim pajisjen me licencë të re, subjekti duhet të dorëzojë të dëmtuarën.

3. Licenca e dëmtuar ose e humbur shpallet e pavlefshme dhe lëshohet e re me të dhënat e njëjta dhe me datë lëshimi të re.

IV. PROCEDURAT PËR DHËNIEN, PEZULLIMIN OSE REVOKIMIN E LICENCËS PËR VEPRIMTARI NDËRHYRËSE NË PASURITË KULTURORE MATERIALE

A. Dorëzimi dhe pranimi i kërkesave

1. Kërkesa për licencë si dhe dokumentet shoqëruese të saj dërgohen nëpërmjet sistemit informatik të integruar për shërbimet e licencimit për veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që funksionon pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania.

2. Dokumentet për licencë, që ngarkohen në sistem, duhet të jenë:

a) origjinale ose kopje të njësuara me origjinalin;
b) në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes zyrtar dhe të njësuara me origjinalin;
c) për rastet e dokumenteve të huaja, kopje të vërtetuara nga një autoritet publik i juridiksionit të huaj (zyrtar/noter). Është detyrim të vërtetohet ekzistenca e tyre si zyrtarë apo noterë, nëpërmjet legalizimit apo apostilimit, sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

3. Pagesa e tarifës për përfitimin e licencës kryhet nëpërmjet sistemit informatik të integruar për shërbimet e licencimit për veprimtari ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që funksionon pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, ose pranë çdo banke të nivelit të dytë, nëpërmjet formularit të faturës për arkëtim.

4. Paraqitja fizike e një apo disa dokumenteve pranë sportelit unik do të kryhet vetëm në këto raste:

a) Për dorëzimin e fotografive të individit që aplikon, të cilat dorëzohen fizikisht nga aplikuesi, deri në momentin e tërheqjes së formularit të licencës;
b) Për dorëzimin e licencës paraardhëse, në rastet e parashikuara në këtë vendim;
c) Kur kërkohet verifikim i dokumentit/dokumenteve nga Sekretaria Teknike e KKTKM-së.

B. Shqyrtimi i kërkesave për licencim

1. Kërkesa për licencim ose revokim të licencës për shtesa në kategori/nënkategori dhe ndryshim të licencës si dhe për pajisje me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses administrohet nga Sporteli Unik dhe Sekretaria Teknike e KKTKM-së, pranë IKTK-së.

2. Procedura e administrimit të kërkesës dhe shqyrtimit të saj deri në vendimmarrje, me miratim ose jo të kërkesës, realizohet sipas rregullave të funksionimit të KKTKM-së, përcaktuar në “Rregulloren për veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, Këshillit Teknik, Sekretarisë Teknike dhe Sportelit Unik të saj”, miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

3. KKTKM-ja merr vendim mbi kërkesën sipas rastit, licencim ose revokim të licencës për shtesa në kategori/nënkategori dhe ndryshim të licencës, si dhe për pajisje me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga regjistrimi i kërkesës.

4. Ndaj vendimit të KKTKM-së mund të ushtrohet ankim në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Ankimi nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ.

5. Sekretaria Teknike bën shpërndarjen e licencave të interesuarve jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit të ministrit, nëpërmjet shërbimit postar ose licencat tërhiqen nga vetë personi i licencuar apo nga persona të autorizuar me akt noterial për të kryer një veprim të tillë, apo personat e autorizuar nga personi juridik. Kopja e autorizimit depozitohet në dosjen që arkivohet.

6. Licenca e miratuar për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale për shtesa në kategori/nënkategori dhe ndryshim të licencës, për pajisje me zëvendësim licence në rast humbjeje ose dëmtimi të ekzistueses, si dhe çdo vendim për pezullim ose revokim të licencës, regjistrohet në Regjistrin e Licencave për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, i cili administrohet nga IKTK-ja, si dhe në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

C. Kuotizacioni vjetor i licencave

1. Kuotizacioni vjetor i licencave është një pagesë periodike vjetore që paguhet nga subjekti i licencuar, në vlerën 200 (dyqind) lekë.

2. Përjashtohet nga pagesa e kuotizacionit vjetor subjekti, licenca e të cilit është pezulluar ose revokuar, si dhe subjekti që ndodhet në kushtet e pikës 5, ndarja D, e këtij kreu.

3. Të ardhurat e përftuara nga pika 1, ndarja C, e këtij kreu, shkojnë në llogari të Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Ç. Detyrimi i formimit të vazhdueshëm

1. Individi i licencuar ka detyrimin të kryejë formimin e vazhduar ose të marrë kreditet në përputhje me pikat 6 dhe 7, të nenit 82, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

2. Brenda datës 31 janar të çdo viti, individi i licencuar raporton pranë Sekretarisë Teknike mbi plotësimin e krediteve për vitin ushtrimor paraardhës, sipas parashikimit të pikës 1, të ndarjes D, këtij kreu.

D. Revokimi dhe pezullimi i licencës

1. Licenca revokohet me vendim të KKTKM-së, në rastet e parashikuara në pikën 1, të nenit 84, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, si dhe në rastet e mëposhtme:

a) Në rastet kur në procedurat e konkurrimit publik të realizuara nga institucionet publike për kryerjen e investimeve me fonde publike në pasuritë kulturore, dokumentet e paraqitura nga subjekti i licencuar janë të rreme apo të falsifikuara;
b) Në rastin e likuidimit të personit fizik ose juridik;
c) Kur individi mbajtës i licencës humbet jetën.

2. Në rastin e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të kësaj ndarjeje, subjekti duhet të paraqesë në Sekretarinë Teknike të KKTKM-së, pranë IKTK-së, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Njoftimin me shkrim nga përfaqësuesi ligjor për mbylljen e aktivitetit, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Dorëzimin e licencës për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale që disponon;
c) Dokumentin vërtetues nga QKB-ja për çregjistrimin e subjektit nga Regjistri Tregtar.

3. Për çdo rast të konstatuar nga DRTK-të ose IKMTK-ja, IKTK-ja harton një raport vlerësimi të fakteve dhe ia kalon për shqyrtim KKTKM-së, që merr vendim për revokimin e licencës për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale.

4. Licenca për kryerjen e veprimtarive ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale pezullohet me vendim të KKTKM-së:

a) Me kërkesë të vetë subjektit,
b) Kur titullari i licencës ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit ose ka ndonjë pengesë tjetër ligjore, me ushtrimin e funksioneve publike në përputhje me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, për periudhën kohore që ekziston shkaku që ka çuar në pezullim.
c) Nëse në mënyrë të përsëritur paraqet projekte që janë në kundërshtim me ligjin dhe/ose aktet nënligjore.

5. Përpara marrjes së vendimit të pezullimit, KKTKM-ja, si rregull, urdhëron riplotësimin e kritereve apo ndreqjen e shkeljeve të detyrimeve, brenda një afati të arsyeshëm, deri në ripërmbushjen e kritereve apo ndreqjen e shkeljeve të detyrimeve.

6. Ndaj vendimit për pezullimin e licencës me kërkesë të institucioneve dhe vendimit për revokimin e saj mund të ushtrohet ankim në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Ankimi nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Licencat për çdo individ, person fizik dhe person juridik, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ose nga KKTKM-ja përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të konsiderohen të vlefshme deri 6 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Brenda këtij afati, subjektet duhet të bëjnë rinovimin e licencave me formatin e ri të kategorive, si dhe në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Pas këtij afati, licencat e parinovuara janë të pavlefshme.

2. Të gjitha subjektet të cilat kanë paraqitur kërkesat për licencë për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale dhe nuk janë shqyrtuar nga KKTKM-ja përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi duhet të dorëzojnë dokumentacionin plotësues, për të provuar plotësimin e kushteve për licencim sipas këtij vendimi, brenda afatit 31.12.2020.

3. Të gjitha kërkesat për licenca për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale dhe aktet formale në lidhje me to bëhen me pagesë, sipas tarifave të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ministrit përgjegjës për financat.

4. Të gjitha kërkesat për licenca për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale dhe dokumentacioni shoqërues do të dërgohen në formë fizike nëpërmjet shërbimit postar pranë Sportelit Unik/Sekretarisë Teknike të IKTK-së deri në kalimin e të gjithë procedurës në sistemin elektronik për aplikimin online në portalin e-Albania.

5. Ngarkohet KKTKM-ja për miratimin e formatit të licencave, të cilat konsiderohen dokumente me vlerë që i nënshtrohen prodhimit të posaçëm.

6. Vendimi nr.58, datë 10.01.2018, i Këshillit Kombëtar të Restaurimit si dhe çdo akt tjetër nënligjor që bie ndesh me këtë vendim, shfuqizohen.

7. Ngarkohet ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË POSAÇME E TË KRITEREVE TË LICENCIMIT, DOKUMENTEVE SHOQËRUESE DHE PROCEDURAVE PËR SHQYRTIMIN OSE REVOKIMIN E LICENCËS PËR VEPRIMTARINË ARKEOLOGJIKE DHE VEPRIMTARINË ARKEOLOGJIKE NËNUJORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 136, pika 4, 137, pika 1, dhe 157, pikat 5 dhe 6, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e kushteve të posaçme të licencimit, kritereve, dokumenteve shoqëruese dhe procedurave për shqyrtimin ose revokimin e licencës për veprimtarinë arkeologjike dhe veprimtarinë arkeologjike nënujore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Kreu III, i “Rregullores mbi kriteret e ushtrimit të profesionit të arkeologut, kriteret e gërmimit, dokumentimit dhe arkivimit të të dhënave dhe materialeve arkeologjike”, miratuar me vendimin nr.2, datë 30.1.2009, të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, të ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohet ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) SI DHE MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË VORË DHE LEZHË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 253 463 855 (dyqind e pesëdhjetë e tre milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Vorë dhe Lezhë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Vorë dhe Lezhë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 35 550 000 (tridhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 217 913 855 (dyqind e shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Vorë dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.