Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Korrik 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Korrik 2021:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK PËRFITON NGA MASAT MBËSHTETËSE, NË DIGËN E QYRSAQIT, HEC VAU I DEJËS, QARKU SHKODËR, NGA KORPORATA ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE (KESH, SH.A.)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës, Qarku Shkodër, nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.), me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.);
b) NIPT/NUIS i aplikuesit: J61817005F;
c) Tipi centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 5.143 MWp;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh)Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës, Qarku Shkodër;
e) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 (dyzet e tetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj, kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synim që të verifikojë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.) ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht, çdo 3 (tre) muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. detyrimin e dorëzimit të sigurimit të kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.) dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj.
iii. të japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.), duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;
iv. të përmbushë kërkesën sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR, PËR PROGRAMIN E ZHVILLIMIT TË MJEDISIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, për programin e zhvillimit të mjedisit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT OPEC PËR ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (OFID), PËR PROJEKTIN E PUNIMEVE PËR RIPARIME EMERGJENTE TË AUTOSTRADËS TIRANË–ELBASAN, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.62/2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 11 pika 2, e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë–Elbasan, ratifikuar me ligjin nr.62/2018, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Vendimi nr.481, datë 17.6.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin në parim të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë- Elbasan, të ratifikuar me ligjin nr.62/2018”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.26, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT/RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE, NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 2, e vendimit nr.26, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ 2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore, në bashkitë Kamzë dhe Kavajë, në masën 914 561 348 (nëntëqind e katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e treqind e dyzet e tetë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe detajohet, si më poshtë vijon:

a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 445 562 231 (katërqind e dyzet e pesë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e dyqind e tridhjetë e një) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
b) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi në masën 468 999 117 (katërqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Efekti financiar, sipas kësaj pike, të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë e Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, NË ZONAT E REJA TË SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pika 3.1, e vendimit nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3.1 Përdorimi i fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2021, do të jetë në masën 1 331 932 076 (një miliard e treqind e tridhjetë e një milion e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH, nga të cilat:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 897 566 799 (tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekësh, pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë.

b) Bashkisë Tiranë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi prej 434 365 277 (katërqind e tridhjetë e katër milionë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekësh, pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike, në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në Bashkinë Tiranë.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË TELEGRAFIKE SHQIPTARE (ATSH)

Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Armela Krasniqi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), lirohet nga kjo detyrë.

2. Znj. Valbona Zhupa emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.645, DATË 3.8.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) DHE NDËRTESAVE PUBLIKE, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM, NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 E 8, ZONA “5 MAJI”, DHE NJËSINË ADMINISTRATIVE 6, ZONA “KOMBINAT”, BASHKIA TIRANË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, pika 1, shkronja “a”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 2.1, e vendimit nr.645, datë 3.8.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.1. Përdorimi i fondit për vitin 2021 të jetë në masën 990 233 627 (nëntëqind e nëntëdhjetë milionë e dyqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e njëzet e shtatë) lekë dhe i transferohet Bashkisë Tiranë për financimin e rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe ndërtesave publike, në zonat e reja për zhvillim në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji”, dhe njësinë administrative 6, zona “Kombinat”, Bashkia Tiranë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 77, pika 3, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 10, “Përcaktimi i kategorisë së eksportuesve për qëllim të rimbursimit të TVSH-së”, në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10
Përcaktimi i kategorisë së eksportuesve për qëllim të rimbursimit të TVSH-së

1. Në zbatim të pikës 3, të nenit 77, të ligjit, kërkesat për rimbursimin e TVSH-së të bëra nga personat e tatueshëm eksportues dhe personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë, siç përcaktohet në Kodin Doganor, ndahen sipas kategorive të parashikuara në këtë nen.

2. Rimbursohen automatikisht, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes, kërkesat për rimbursim të TVSH-së, të vlerësuara si kërkesa të bëra nga personat e tatueshëm të përmendur në pikën 1, të këtij neni, me risk zero, të cilët plotësojnë njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

a) Kanë status të aktivitetit “aktiv”;
b) Vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70 (shtatëdhjetë) % e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, e verifikuar edhe nga raportet doganore të eksporteve në sistem;
c) Kanë aktivitet eksportues mbi 1 (një) vit;
ç) Nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

3. Kërkesat e personave të tatueshëm, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50 (pesëdhjetë) % deri në 70 (shtatëdhjetë) % të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe kërkesat e personave të tatueshëm, vlera e eksporteve të të cilëve është mbi 70 (shtatëdhjetë) %, por që nuk plotësojnë njëkohësisht kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.

Nëse nga analiza e riskut rezulton se personi i tatueshëm që klasifikohet në këtë kategori duhet t’i nënshtrohet procesit të kontrollit tatimor, e gjithë procedura, përfshirë kontrollin, përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Edhe nëse nuk ka përfunduar në afat procedura e kontrollit, brenda afatit 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, kryhet rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet sistemit të thesarit, me përjashtim të kërkesave të personave të tatueshëm që rezultojnë me status të aktivitetit “pasiv”, të cilët detyrimisht do të rimbursohen pas përfundimit të procedurës së kontrollit tatimor.

4. Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm që kryejnë eksporte, por që nuk klasifikohen në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, rimbursohen brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM DHE RINDËRTIM NË TË NJËJTIN TRUALL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, 18, pika 2, shkronja “c”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Në pikat 2.1 dhe 3.1, shifra “… 666 179 207 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me shifrën “… 1 666 179 207 (një miliard e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH …”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROCEDURAVE DHE KRITEREVE TË NDARJES DHE TË PËRDORIMIT TË FONDIT TË KUSHTËZUAR TË BUXHETIT TË SHTETIT PËR MBROJTJEN CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 65, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Bashkitë, për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjes civile, të përfitojnë nga buxheti qendror një fond të kushtëzuar për mbrojtjen civile.

2. Kriteret e përgjithshme të ndarjes së fondit të kushtëzuar, të akorduar nga buxheti qendror dhe dokumentet orientuese për përdorimin e këtij fondi, duhet të bazohen në:

a) strategjinë vendore për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë;
b) vlerësimin vendor të riskut;
c) planin vendor të emergjencave civile;
ç) planin e zhvillimit urban.

3. Fondi i kushtëzuar i buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile të përdoret sipas prioritizimit, si më poshtë vijon:

3.1. 60 (gjashtëdhjetë) % – 100 (njëqind) % e fondit të dedikuar për mbrojtjen civile mund të përdoret për:
a) akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera, sipas kritereve specifike të përcaktuara në aktet nënligjore që rregullojnë ligjin nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, neni 41;
b) marrjen e masave parandaluese, lehtësuese, mbrojtëse dhe rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike;
c) shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike, si dhe mbrojtjen e mjedisit, të cilat janë dëmtuar ose kërcënohen nga fatkeqësi të ndryshme;
ç) ngritjen, përditësimin dhe mirëmbajtjen e bazës së të dhënave;
d) mirëmbajtjen dhe për funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm të njoftimit dhe alarmit;
dh) mbajtjen në gatishmëri të sistemeve të mbrojtjes nga zjarri, kalueshmërinë e pandërprerë të rrugëve rurale, vendet e strehimit, si dhe mbledhjen e administrimin e rezervave ushqimore për njerëzit dhe gjënë e gjallë;
e) mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre;
ë) shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente të krijuara si pasojë e një fatkeqësie;
f) mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile;
g) blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor;
gj) marrjen e masave mbrojtëse, parandaluese dhe për financimin e objekteve që ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin dhe veprimtaritë e tij ekonomike;
h) likuidimin e detyrimeve fiskale, taksa portale dhe tatime, të shpenzimeve të transportit dhe akomodimit të forcave, mjeteve të specializuara të vendit dhe të huaja, të pajisjeve dhe makinerive të marra me qira dhe të dhuruara, si dhe për magazinimin e tyre.

3.2. Në rast se do lindë nevoja dhe do të teprojnë fonde nga pika 3.1, fondi i dedikuar për mbrojtjen civile mund të përdoret deri në masën 30 (tridhjetë) % për:

a) plotësimin e strukturave operacionale me pajisje dhe trajnime në fushën e mbrojtjes civile;
b) marrjen me qira të pajisjeve, mjediseve private, mjeteve motorike, mjeteve ajrore dhe makinerive të ndryshme, si dhe për dëmin e shkaktuar nga ekzekutimi i punimeve në pasuritë e paluajtshme të shtetasve në përballimin e situatave emergjente të krijuara si pasojë e një fatkeqësie, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
c) organizimin e fushatave të sensibilizimit dhe informimit të komunitetit në fushën e mbrojtjes civile dhe reagimit ndaj fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera;
ç) përditësimin e strategjisë, dokumentit të vlerësimit të riskut dhe planit të emergjencave civile për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë, në nivel vendor dhe planet e evakuimit;
d) mbështetjen financiare të operacioneve me forca dhe mjete të bashkive të tjera apo të huaja, në raste të fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive të tjera.

3.3. Sipas rastit dhe në qoftë se do të teprojnë fonde nga pikat 3.1 dhe 3.2, fondi i dedikuar për mbrojtjen civile mund të përdoret deri në masën 10 (dhjetë) % për:

a) aktivizimin e kapaciteteve të subjekteve publike e private brenda territorit administrativ të tyre, për të bashkëpunuar dhe për të asistuar bashkitë fqinje, në rastet kur kjo e fundit është prekur nga një fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi tjetër;
b) veprimtari të ndryshme që organizojnë strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile, për aktivitetet, trajnimet dhe shërbimet që ndikojnë direkt në forcimin e këtyre strukturave;
c) botime, për veprimtari kërkimore-shkencore për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile dhe aktivitete të tjera në interes të strukturave të mbrojtjes civile.

4. Në rast se konsiderohet e nevojshme të tejkalohen përqindjet e parashikuara nga pikat 3.1, 3.2 dhe 3.3, ky tejkalim duhet të autorizohet me një vendim të Këshillit Bashkiak.

5. Përdorimi i fondeve, sipas përcaktimeve më sipër, miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak.

6. Prefekti, pas konfirmimit të ligjshmërisë të vendimit të Këshillit Bashkiak, informon Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
7. Bashkitë, 1 (një) herë në 4 (katër) muaj, duhet të raportojnë për përdorimin e fondeve, mënyrën e përdorimit të tyre te Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe te Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, bashkitë dhe prefektët e qarqeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE, NË BASHKINË KURBIN DHE CAKTIMIN E BASHKISË KURBIN SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 266 835 173 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e tridhjetë e pesë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të objekteve arsimore në Bashkinë Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Milot”, Bashkia Kurbin, në masën 147 116 112 (njëqind e dyzet e shtatë milionë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekë pa TVSH;
b) Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Milot”, Bashkia Kurbin, në masën 119 719 061 (njëqind e nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë e një) lekë pa TVSH.

2. Bashkisë Kurbin, për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 53 367 034 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë e katër) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, detajuar, si më poshtë vijon:

a) Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Milot”, Bashkia Kurbin, në masën 29 423 222 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e njëzet e tre mijë e dyqind e njëzet e dy) lekë pa TVSH;
b) Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Milot”, Bashkia Kurbin, në masën 23 943 812 (njëzet e tre milionë e nëntëqind e dyzet e tre mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) lekë pa TVSH.

3. Caktimin e Bashkisë Kurbin si njësi zbatuese për rikonstruksionin e objekteve arsimore, shkollës 9-vjeçare “Milot” dhe shkollës së mesme “Milot”, Bashkia Kurbin.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË RISHPËRNDARJE FONDESH, NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2021, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë,”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, t’i shtohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, në zërin “subvencion”, për financimin e shpenzimeve funksionale deri në fund të vitit 2021.

2. Fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh përballohet nga buxheti i miratuar, për vitin 2021, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në zërin “shpenzime korente”, përkatësisht:

a) 4 000 000 (katër milionë) lekë, nga programi buxhetor 01120 “Menaxhimi i shpenzimeve publike”;
b) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, nga programi buxhetor 01130 “Ekzekutimi i pagesave te ndryshme”;
c) 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, nga programi buxhetor 04160 “Mbështetje për mbikëq. e tregut, infrast. e cilës. dhe pron. industr.”;
ç) 4 000 000 (katër milionë) lekë, nga programi buxhetor 04170 “Inspektimi në punë”.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

RREGULLAT E AKSESIT TË SUBJEKTEVE TË INTERESUARA NË BAZËN E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT QENDROR TË LLOGARIVE BANKARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë nivelin e aksesimit të subjekteve të interesuara, të përcaktuara në pikën 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, në bazën e të dhënave shtetërore, Regjistri Qendror i Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë, në vijim Regjistri, në përputhje me parashikimet e nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, si dhe të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr.945, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Administrimi i sistemit të bazave të të dhënave shtetërore””, të ndryshuar.

2. Në përputhje me nenin 6, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garantojnë funksionimin normal, pa ndërprerje të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton funksionimin e përditësuar të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë.

4. Institucionet financiare janë përgjegjëse për saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara në Regjistër.

II. KRITERET PËR PËRDORIMIN E REGJISTRIT DHE AKSESIN PËR PËRDORUESIT

1. Aksesi i subjekteve të interesuara në regjistrin qendror të llogarive bankare kryhet drejtpërdrejtë në mënyrë elektronike përmes të dhënave për përdoruesin dhe kodin hyrës.

2. Subjektet e interesuara, sipas pikës 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, përcaktojnë përdoruesit që do të kenë akses në të dhënat e këtij Regjistri, bazuar në kriterin nevojë për njohje.

3. Kërkesa me shkrim për pajisjen me kodin hyrës i paraqitet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke bashkëlidhur për secilin përdorues të dhënat sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pajis me kod hyrës secilin përdorues brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e kërkesës me shkrim.

5. Kodet hyrëse nuk mund t’u bëhen të ditur personave të tretë, të ndryshëm nga përdoruesit.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit paraqesin kërkesë për pajisje me kodet hyrëse pa zbuluar identitetin e përdoruesit. Në këtë kuptim, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit do të jenë mbajtës/përgjegjës të kodeve hyrëse dhe me akt të brendshëm duhet të bëjnë identifikimin e kodit me përdoruesin.

7. Përdoruesit duhet të përdorin të dhënat e përfituara nga regjistri vetëm për qëllime të përmbushjes së detyrave funksionale, duke zbatuar legjislacionin në fuqi.

8. Ekstrakti i rezultatit të kërkimit në regjistër mundësohet on-line menjëherë dhe mund të shkarkohet apo të printohet nga përdoruesit i firmosur në mënyrë digjitale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

9. Subjektet e interesuara i ruajnë të dhënat e mbledhura nga regjistri, jo më gjatë sesa koha e parashikuar në nenin 11, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

10. Regjistri aksesohet vetëm nga përdoruesit të subjekteve të interesuara.

III. LLOJI I TË DHËNAVE TË AKSESUESHME NGA PERDORUESIT E AUTORIZUAR NGA SUBJEKTET E INTERESUARA

1. Subjektet e interesuara si më poshtë:

a) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;
b) Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm;
c) Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
d) Byroja Kombëtare e Hetimit;
dh) Shërbimi Informativ i Shtetit;

kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar prej tyre.

2. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar ka akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, përveç të dhënave sipas pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në ushtrim të funksioneve të saj për mbledhjen e të ardhurave nëpërmjet personave të autorizuar, ka akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pa filtruar në të dhënat e regjistrit.

4. Drejtoritë e taksave dhe të tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar prej tyre, kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, përveç të dhënave:

a) sipas pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”;
b) sipas shkronjave “e”, “ë”, “f” dhe “g”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

5. Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në numrin e personave që mund të autorizohen për të pasur akses në Regjistër, por kanë kufizime në kategorinë e punonjësve që mund të autorizojnë, më konkretisht:

a) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimin Informativ të Shtetit, përdoruesit e autorizuar trajtohen sipas pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi;
b) Për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, përdoruesit e autorizuar janë vetëm prokurorët dhe punonjësit që sipas ligjit gëzojnë statusin e oficerit të policisë gjyqësore, pa përfshirë administratën;
c) Për Inspektoratin i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave përdoruesit e autorizuar janë vetëm inspektorët, të cilët janë përgjegjës për kontrollin e pasurisë, pa përfshirë administratën;
ç) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në ushtrim të funksioneve të saj për mbledhjen e të ardhurave, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara, kontrollin e specializuar dhe hetimin tatimor, pa përfshirë administratën;
d) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve dhe hetimin doganor, pa përfshirë administratën;
dh) Për drejtoritë e taksave dhe tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve, pa përfshirë administratën;
e) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore krimin ekonomik dhe financiar, financimin e terrorizmit dhe gjurmimin e aseteve.

6. Nëse subjektet e interesuara konstatojnë se të dhënat e raportuara apo të mbajtura në Regjistër janë të pasakta apo të paplota, njoftojnë pa vonesë njësinë përgjegjëse për Regjistrin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

7. Institucionet financiare nuk raportojnë të dhëna për gjëndjen e llogarive bankare dhe përmbajtjen e kastave të sigurisë, me përjashtim të rasteve ku përcaktohet me vendim gjyqësor.

8. Regjistri mundëson edhe kërkim historik në të dhënat e regjistrit të mbledhura sipas nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Subjektet e interesuara njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në rastet kur punonjësit e autorizuar për akses në këtë Regjistër pezullohen apo largohen nga detyra. Njoftimi bëhet brenda 24 orëve nga pezullimi apo largimi i punonjësit nga institucioni përkatës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, menjëherë, por jo më vonë se 48 orë nga marrja e njoftimit, realizon bllokimin e kodeve hyrëse për punonjësit përkatës.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, apo çdo person tjetër i përfshirë në krijimin, mirëmbajtjen apo administrimin e Regjistrit, nuk mund të gjurmojnë apo prodhojnë raporte për aktivitetin e kërkimit dhe përdorimit të këtij Regjistri nga subjektet e interesuara të përcaktuara në pikën 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, përveç rasteve kur një raport i tillë kërkohet nga vetë këto institucione.

3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT TË PROVËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 7, 20, pika 2, 25, pika 6, 26, pika 6, 27, pika 5, 29, pika 4, dhe 32, pika 3, të ligjit nr.78/2020, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores së përgjithshme të Shërbimit të Provës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.302, datë 25.3.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin e funksionimin e Shërbimit të Provës dhe për përcaktimin e standardeve e të procedurave për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternativeʼ”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës për zbatimin e ndjekjen e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NDËRTIMIN DHE RIKONSTRUKSIONIN E INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, SI DHE ÇDO NDËRHYRJE TJETËR NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË KËTYRE BANESAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, pika 1, shkronja “a”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.202, datë 5.3.2020 , të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 2.1, shtohet pika 2.2, me ketë përmbajte:

“2.2. Fondi që do të përdoret, i miratuar në buxhetin e vitit 2021, do të jetë në masën 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë pa TVSH, nga i cili:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SIGURIMIN E JETËS SË PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË DËRGOHEN NË MISIONE USHTARAKE DHE STËRVITJE JASHTË VENDIT, PËR VITIN 2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me bashkimin e operatorëve ekonomikë “SIGAL LIFE UNIQA GROUP AUSTRIA”, sh.a., “SICRED”, sh.a., “INSIG JETË”, sh.a. dhe “ALBSIG JETË”, sh.a., të bëjë sigurimin e jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohen në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitin 2021.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2021.

3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E FLAMURIT, STEMËS DHE UNIFORMËS SË AGJENCISË KOMBËTARE TË MBROJTJES CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 23, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e flamurit, stemës dhe uniformës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sipas specifikimeve përkatëse të anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Flamuri, stema dhe uniformat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për nga qëllimi i përdorimit, i përkasin vetëm strukturës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.