Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Janar 2025:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE TË PLANIT TË SIGURISË E TË ELEMENTEVE TË MBROJTJES PËR SIPËRFAQEN PËR KULTIVIM DHE PËRPUNIM TË BIMËS SË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE RREGULLAVE TË LËVIZJES SË AUTOMJETEVE TË DEDIKUARA TË TRANSPORTIT TË LËNDËVE TË PARA DHE PRODUKTEVE, QË DUHET TË PLOTËSOJNË SUBJEKTET E LICENCUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “d” dhe “e”, të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Ky vendim përcakton standardet e planit të sigurisë dhe elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe rregullat e lëvizjes së automjeteve të dedikuara të transportit të lëndëve të para e të produkteve, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.
- Ky vendim ka për qëllim miratimin e rregullave për personat juridikë që paraqesin kërkesë për licencë për prodhimin e cannabis-it mjekësor, sipas përcaktimeve të shkronjave “d” dhe “e”, të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
- Në kuptim të këtij vendimi me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
- a) “Ambient i hapur” është ambienti i kultivimit në natyrë pa shtresa mbrojtjeje apo mbuluese.
- b) “Ambient i mbrojtur” është një mjedis i kontrolluar dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke i mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut. Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën.
- c) “Ambient i mbyllur” është një mjedis plotësisht i kontrolluar, i mbuluar dhe izoluar nga ndikimet e jashtme atmosferike, i cili ofron kushte të favorshme për rritjen e bimëve pa depërtimin e rrezatimit natyror diellor. Ky lloj ambienti përdor ndriçim artificial dhe sisteme të kontrolluara për parametrat, si drita, lagështia, temperatura, ventilimi dhe për ndikimin e faktorëve të tjerë të jashtëm, duke siguruar kushte optimale për kultivimin.
ç) “Subjekt i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike” është SHPSF-ja e pajisur me licencë të nënkategorive 1.3.A. dhe 1.3.B ose “Illyrian Guard”, sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin privat të sigurisë fizike.
- STANDARDET E PLANIT TË SIGURISË PËR SIPËRFAQEN PËR KULTIVIMIN DHE PËRPUNIMIN E CANNABIS-IT DHE ELEMENTET E MBROJTJES, RRETHIMIT, SIGURISË ME TELEKAMERA DHE SIGURIMIT FIZIK PËR 24 ORË, ELEMENTET PENGUESE PËRPARA HYRJES DHE TEL ME GJEMBA MBI GARDHIN
- Subjekti i licencuar në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë standardet e mëposhtme:
- a) Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, prej të paktën 1280 x 720, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së;
- b) Sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit;
- c) Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli);
ç) Në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit;
- d) Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;
- dh) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba;
- e) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm;
ë) Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave CCTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike;
- f) Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave;
- g) Materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.
- Subjekti i licencuar paraqet vetëdeklarim për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim ndaj shoqërisë private të sigurisë fizike, sipas formatit të vetëdeklarimit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Mbajtësi i licencës duhet të ketë dhe të ndjekë procedura për të ruajtur dhe testuar efikasitetin e pajisjeve e të sistemeve të sigurisë. Mbajtësi i licencës duhet të kryejë inspektime periodike të pajisjeve dhe infrastrukturës nga subjekte të licencuara për këtë qëllim.
- Skema e sigurisë së objektit së bashku me procedurat e sigurisë, planin e dislokimit dhe transportin e sigurt të cannabis-it përgatitet nga drejtuesi teknik i subjektit të ngarkuar për ruajtjen e sigurinë fizike dhe miratohet nga shefi i Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti dhe hartohet në 4 (katër) kopje origjinale të cilat i vendosen në dispozicion nga 1 (një) kopje subjektit, Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (Agjencia), subjektit të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
- Në rast defekti të sistemeve të sigurisë, subjekti i licencuar ose subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike, në varësi të parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve, ka detyrimin të bëjë riparimin e menjëhershëm, por jo më shumë se 24 orë nga defekti. Subjekti njofton menjëherë Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
- Ruajtja dhe sigurimi i ambienteve ku ushtrohet aktiviteti kryhet nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet palëve, në zbatim të përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.
- Kontrata hartohet në gjuhën shqipe në 4 (katër) kopje origjinale të cilat depozitohen nga 1 (një) kopje për subjektin, Agjencinë, subjektin e ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
III. RREGULLAT DHE TARIFAT PËR LIDHJEN E MARRËVESHJES PËR RUAJTJEN DHE SIGURINË FIZIKE, SI DHE PËR LËVIZJEN E AUTOMJETEVE TË DEDIKUARA PËR TRANSPORTIN E LËNDËVE TË PARA DHE PRODUKTEVE E NËNPRODUKTEVE TË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE
- Rregullat që duhet të ndiqen nga subjekti i licencuar për lidhjen e marrëveshjes për ruajtjen dhe sigurinë fizike, si dhe lëvizjen e automjeteve të dedikuara të tregtimit të lëndëve të para dhe produkteve janë, si më poshtë vijon:
- a) Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet.
- b) Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj të destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e cannabis-it nga prodhuesi i licencuar, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit.
- c) Subjekti i licencuar duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet, si dhe të ruhet dhe të shoqërohet nga shërbim i sigurisë deri në/nga pika e kalimit të kufirit sipas parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve.
ç) Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit.
- d) Në çdo rast, për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara të bimës së cannabis-it dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.
- dh) Subjekti i licencuar i garanton Agjencisë akses të pakufizuar dhe në kohë reale në sistemin e kamerave që monitorojnë të gjitha ambientet e njësisë, si dhe sistemin e kamerave që monitorojnë transportin e çdo materiali të lidhur me cannabis-in mjekësor, si dhe në imazhet filmike të ruajtura.
- e) Procedurat doganore të eksportimit mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të daljes nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të fillojnë në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit dhe të përfundojë në zyrat doganore kufitare të daljes nga territori, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e eksportit të mallrave. Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
ë) Procedurat doganore të importimit të farërave dhe fidanëve mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të hyrjes në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të kryhen në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e eksportit të mallrave. Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Subjekti njofton jo më pak se 24 orë para mbërritjes së farërave dhe fidanëve institucionin përgjegjës për inspektimin fitosanitar në pikën e inspektimit kufitar ku do të hyjnë produktet.
- Tarifat për shërbimet e sigurisë që u ofrohen subjekteve të licencuara për kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime mjekësore janë sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, subjektet e licencuara, si dhe subjektet e ngarkuara për ruajtjen dhe sigurinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Plator Nesturi emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara, në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Lezhë, Kamzë-Vorë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Sarandë, Gjirokastër, Kavajë, Shkodër, zonat e stimuluara, Kuçovë, Korçë, Kukës, Krujë, Vlorë dhe Fier.
- Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 011 135 159,99 (një miliard e njëmbëdhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë presje nëntëdhjetë e nëntë) lekë, për sipërfaqen 88 358,4 (tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë presje katër) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.4, nr.7, nr.9, nr.11, nr.13, nr.16, nr.17, nr.19, nr.20, nr.22, nr.24, nr.36, nr.37, nr.38, nr.45, nr.46, nr.47, nr.54, nr.55, nr.62, nr.66, nr.68, nr.69, nr.70, nr.74, nr.88, nr.89, nr.91, nr.92, nr.93, nr.98, nr.99, nr.104, nr.105, nr.106, nr.107, nr.108, nr.109, nr.116, nr.118, nr.136, nr.150, nr.156, nr.157, nr.181, nr.182, nr.184, nr.189, nr.190, nr.199, nr.200, nr.268, nr.287, nr.288, nr.305, nr.311, nr.323, nr.336, nr.349, nr.366, nr.369, nr.389, nr.390, nr.396, nr.400, nr.405, nr.406, nr.410, nr.414, nr.416, nr.417, nr.419, dhe nr.420, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
- Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
- Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Lezhë, Kamzë-Vorë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Sarandë, Gjirokastër, Kavajë, Shkodër, zonat e stimuluara, Kuçovë, Korçë, Kukës, Krujë, Vlorë dhe Fier kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
- Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TEATRIT KOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Z. Altin Basha, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, lirohet nga kjo detyrë.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Teatri Kombëtar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.11 DATË, 11.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S, “AEGEAN SEA”, NË DETIN EGJE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimi nr.11, datë 11.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s, “Aegean Sea”, në detin Egje”, bëhen këto ndryshime:
- a) Në pikën 1, togfjalëshi “… 22 (njëzet e dy) ushtarakë …” zëvendësohet me “… 23 (njëzet e tre) ushtarakë …”;
- b) Në pikën 4, fjalia “Kohëzgjatja e këtij misioni është 1 (një) vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.” zëvendësohet me “Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31.12.2028.”.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
- Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.55, DATË 6.2.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT PËR AUTORIZIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, QË OFROJNË NDIHMË JURIDIKE PARËSORE TË GARANTUAR NGA SHTETI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.55, datë 6.2.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Pikat 5 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Organizatat jofitimprurëse, që kërkojnë pajisjen me autorizim nga ministri i Drejtësisë, paraqesin aplikimin on-line për autorizim, si dhe dokumentacionin shoqërues, si më poshtë vijon:
- a) Dokumentacionin që provon përvojë në ofrimin e ndihmës juridike parësore, të paktën në 3 (tri) vjet të veprimtarisë së tyre, duke përfshirë:
- listën e rasteve të trajtuara ose projekteve të ndihmës juridike parësore të zhvilluara nga organizata gjatë 3 (tri) vjetëve, si dhe të dhëna statistikore për përfituesit e ndihmës parësore nga projektet e ndihmës juridike parësore;
- raportet përfundimtare për secilin rast ose raportet vjetore për projektet e listuara për ofrimin e ndihmës juridike parësore, si dhe pasqyrat financiare për to;
iii. buxhetin total të secilit projekt, donatorët përkatës, si dhe listën e ekspertëve të brendshëm e të jashtëm, të përfshirë në këto projekte;
- në rast se organizata jofitimprurëse nuk ka zbatuar një projekt të posaçëm për ofrimin e ndihmës juridike parësore, por ky aktivitet është një komponent i një projekti tjetër, paraqiten dokumentet sipas nënndarjeve “i” deri në “iii”, të kësaj shkronje, vetëm për këtë komponent që lidhet me ofrimin e ndihmës juridike parësore.
- b) Formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore të anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv.
- Aplikimi on-line për autorizim dhe dokumentacioni i përcaktuar në pikën 5, të këtij vendimi, dorëzohet elektronikisht përmes portalit unik qeveritar “e-Albania”, në adresë të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Për shqyrtimin e përmbushjes së kritereve ligjore, nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, organet publike plotësojnë dokumentacionin, si më poshtë vijon:
- a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin e organizatës jofitimprurëse;
- b) Kopjen e statutit të organizatës jofitimprurëse, ku specifikohet si pjesë e veprimtarisë ofrimi i ndihmës juridike, të depozituar në gjykatë;
- c) Vërtetimin nga organet tatimore se organizata jofitimprurëse i ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet;
ç) Vërtetim nga gjykata se organizata jofitimprurëse nuk është në procedurë falimenti dhe/ose likuidimi;
- d) Vërtetim nga prokuroria dhe gjykata se anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv të organizatës jofitimprurëse nuk janë në proces hetimi apo gjykimi për çështje që cenojnë besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike;
- dh) Certifikatën e gjendjes gjyqësore të anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv.”.
- Në fjalinë e parë, të pikës 10, fjalët “… verifikon dokumentacionin e paraqitur nga aplikuesit për marrjen e autorizimit …” zëvendësohen me “… shqyrton aplikimin, verifikon dokumentacionin e administruar …”.
- Në fund të pikës 11 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Kundër urdhrit të ministrit për refuzimin e aplikimit për autorizim mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente.”.
- Pikat 12 dhe 13 shfuqizohen.
- Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Autorizimi i ministrit të Drejtësisë jepet pa afat. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas verifikon çdo 2 (dy) vjet përmbushjen e kritereve ligjore nga organizatat jofitimprurëse. Organizatat jofitimprurëse, që janë autorizuar nga ministri i Drejtësisë, njoftojnë Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas për çdo ndryshim që lidhet me plotësimin e kritereve ligjore për dhënien e autorizimit, brenda 3 (tri) ditëve nga data e kryerjes së ndryshimit.”.
- Në pikën 16 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
- a) Në fjalinë e parë, fjalët “… mund të revokojë …” zëvendësohen me “… ose kryesisht, mund të shfuqizojë …”;
- b) Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:
“a/1) mospërmbushjen e kritereve ligjore.”.
- c) Në shkronjën “ç”, fjala “… nuk …” hiqet.
- Në pikën 17, fjalët “… Revokimi i autorizimit i njoftohet organizatës jofitimprurëse …” zëvendësohen me “… Shfuqizimi i autorizimit i njoftohet organizatës jofitimprurëse nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, te seksioni “Dokumentet e mia”, me vulë elektronike …”.
- Në pikën 18 fjala “… revokimin …” zëvendësohet me “… shfuqizimin …”.
- Brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas verifikon përmbushjen e kritereve ligjore nga organizatat jofitimprurëse, të autorizuara nga ministri i Drejtësisë, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pas verifikimit, ministri i Drejtësisë urdhëron:
- a) kryerjen e ndryshimeve përkatëse, me qëllim që vlefshmëria e autorizimit të jetë pa afat ose;
- b) shfuqizimin e autorizimit, nëse vërtetohet mospërmbushja e kritereve ligjore.
III. Detyrimi për të paraqitur aplikimin on-line për autorizim dhe dokumentacionin shoqërues, elektronikisht përmes portalit unik qeveritar “e-Albania”, si dhe detyrimi për të njoftuar shfuqizimin e autorizimit, të vulosur elektronikisht, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, hyn në fuqi pas ngritjes së sistemit të menaxhimit të çështjeve (CMS) dhe platformës on-line (OP) për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas. Deri në ngritjen dhe funksionimin e plotë të sistemit, aplikimi për pajisjen me autorizim paraqitet pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, ndërsa tërheqja e autorizimit bëhet pranë Ministrisë së Drejtësisë.
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.921, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PERSONELIN E ADMINISTRATËS DOGANORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 3, 8, 14, 15, pika 3, shkronja “dh”, pika 4, shkronja “ç”, pika 5, shkronja “dh”, pika 6, shkronja “d”, pika 7, shkronja “dh”, pikat 9, 11 e 12, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në kreun VIII/1, të vendimit nr.921, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për personelin e administratës doganore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Në shkronjën “b”, të pikës 1, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
- a) Paragrafi i dytë, i nënndarjes “i”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Përveç përgjegjësive të parashikuara në legjislacionin doganor, drejtori i Përgjithshëm i Doganave miraton planin operacional dhe strategjinë e biznesit të administratës doganore, si dhe dokumentet e tjera në kompetencë të tij; propozon, pranë ministrit përgjegjës për financat, strukturën organizative, rregulloret e brendshme të administratës doganore e projektaktet dhe adreson përgjegjësitë në të gjitha nivelet e administratës, në varësi të nevojave apo të rrethanave specifike.”.
- b) Në nënndarjen “iv”, emërtesa “kryetar i Degës Doganore Fier” hiqet.
- Në pikën 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- a) Në shkronjën “a” bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë:
- Në fund të paragrafëve të nënndarjes “i” shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“– menaxhimin dhe ndjekjen e marrëdhënieve me masmedian dhe me komunitetin e biznesit;
– përgatitjen dhe ndjekjen e zbatimit të programeve të publikimit të çdo risie në sistemin doganor, në bashkëpunim me strukturat teknike dhe koordinatorin për të drejtën e informimit.”.
- Në nënndarjen “iii” bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- a) Emërtimi “Drejtoria e Koordinimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë” zëvendësohet me “Drejtoria e Integrimit, Koordinimit dhe Marrëveshjeve”;
- b) Nënndarja “– Ndjek e menaxhon marrëdhëniet me masmedian dhe me komunitetin e biznesit, si dhe përgatit e ndjek zbatimin e programeve të publikimit të çdo risie në sistemin doganor” shfuqizohet;
iii. Paragrafi i fundit i nënndarjes “iv”, shfuqizohet;
- Në fund të nënndarjes “v” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Drejtoria e Antikorrupsionit dhe Standardeve Profesionale asiston Koordinatorin kundër Korrupsionit gjatë kryerjes së hetimeve për çështje antikorrupsioni.”.
- Nënndarja “vi” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“vi. Drejtoria e Apelimit, Ankimimeve Doganore dhe Përafrimit me Bashkimin Evropian, që përbëhet nga:
– sektori i apelimit/ankimimit;
– sektori i përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian.
Sektori i apelimit/ankimimit shqyrton ankimet administrative ndaj vendimeve të degëve doganore në lidhje me pagesën e detyrimeve dhe/ose gjobave dhe ia paraqet për vendimmarrje drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Ndjek proceset gjyqësore, ku palë është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në bashkëpunim me strukturat përkatëse teknike në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, asiston për përfaqësimin në proceset gjyqësore, ku palë janë vetëm degët doganore, në rastet kur kërkohet prej tyre, lidhur me vendimmarrje të drejtorit të Përgjithshëm.
Sektori i përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian, në përputhje me misionin e autoriteteve doganore, ndjek planin e përafrimit të legjislacionit doganor/akcizës me atë të Bashkimit Evropian. Jep mendim për propozimet e strukturave përkatëse teknike për çështje të përafrimit të legjislacionit në fushën doganore apo të akcizës. Jep mendim në bashkëpunim me strukturat e tjera në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për projektaktet e propozuara nga institucionet e tjera që lidhen me veprimtarinë doganore.”.
- Nënndarja “vii” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“vii. Drejtoria e Statistikës, Pagesave, Analizës së të Ardhurave dhe Administrimit të Borxhit, që përbëhet nga:
– sektori i statistikës dhe analizës së të ardhurave;
– sektori i monitorimit të borxhit dhe bashkëpunimit me tatimet;
– sektori i pagesave, të ardhurave dhe garancive.
Sektori i statistikës dhe analizës së të ardhurave ka këto detyra:
– Mbledh të dhëna për lëvizjen e mallrave, që hyjnë e dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë;
– Monitoron e detajon planin e të ardhurave;
– Analizon të dhënat, objekt të vlerësimit nga zyrat e interesuara dhe autoritetet publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke e zgjeruar fushën e përgjegjësive edhe me studime e analiza të realizimit të të ardhurave dhe mallrave kryesore.
Sektori i monitorimit të borxhit dhe bashkëpunimit me tatimet ka këto detyra:
– Administron procedurat për regjistrimin e operatorëve në sistemin doganor, lindjen dhe rikuperimin e borxhit, përgatitjen dhe administrimin e udhëzimeve për kontabilizimin e të ardhurave nga detyrimet e importit, eksportit ose akcizës, për vjeljen e detyrimeve dhe rimbursimin ose shlyerjen e borxhit, si dhe monitoron procedurat për vjeljen e borxhit e rikuperimin me forcë;
– Bashkëpunon me strukturat tatimore, sipas marrëveshjeve në fuqi;
– Përgatit raporte, analiza, studime, analizon dhe vlerëson informacionet e ndryshme, që merr nga strukturat tatimore dhe/ose doganore dhe propozon ndërtimin e profileve të reja të riskut etj.
Sektori i pagesave, të ardhurave dhe garancive ka këto detyra:
– Ndjek, kontrollon e monitoron të gjitha pagesat në sistem, përgatit procedurat e kreditimit të pagesave dhe të kontrollit të tyre me bankat e thesarin;
– Monitoron pagesat hyrëse në sistemin Asycuda World, që të bëhen në mënyrë standarde;
– Siguron që pagesat të bëhen në numrin e llogarisë që i përket shoqërisë;
– Ndjek dhe evidenton të gjitha pasaktësitë e arkëtarëve të degëve doganore lidhur me pagesat hyrëse në sistem;
– Administron rregullat e procedurat e dhënies së garancive doganore dhe të akcizës, të monitorimit e të zhbllokimit të tyre;
– Përgatit raportet përkatëse lidhur me shumat e kredituara në sistemin Asycuda World gjatë periudhës dhe bën përpunimin e këtyre raporteve;
– Përgatit informacionin përfundimtar lidhur me krahasimin e shumave të kredituara në sistem me ato të marra nga thesari dhe të dhënat e dërguara nga çdo degë doganore;
– Siguron që të marrë periodikisht nga ministria përgjegjëse për financat, në format elektronik, dhe në periudha njëmujore informacion të detajuar nga thesari lidhur me pagesat e bëra, për shkak të veprimtarisë doganore.”.
- b) Në shkronjën “b” bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- Emërtesa “Departamenti Administrativ” zëvendësohet me “Departamenti Ekonomik dhe i Burimeve Mbështetëse”.
- Në nënndarjen “i” bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- a) Në paragrafin e parë, nënndarja “ – zyra e sekretari/protokollit dhe arkivit” shfuqizohet;
- b) Në paragrafin e dytë, fjalët “… dhe administron arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave” shfuqizohen;
iii. Në nënndarjen “ii” bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- a) Emërtesa “Drejtoria e Burimeve Mbështetëse” zëvendësohet me “Drejtoria e Aseteve dhe e Shërbimeve Mbështetëse”;
- b) Pas nënndarjes “- Sektori i Zgjidhjeve dhe Suportit (help desk)” shtohet nënndarja “- zyra e sekretari/protokollit dhe arkivit.”;
- c) Pas paragrafit të fundit shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Zyra e sekretari/protokollit dhe arkivit administron shërbimin e sekretari/protokollit dhe arkivin e DPD-së.”.
- Nënndarja “iii” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“iii. Drejtoria e Buxhetit dhe Financës, që përbëhet nga:
– sektori i planifikimit dhe monitorimit të buxhetit;
– sektori i financës dhe kontabilitetit;
Sektori i planifikimit dhe monitorimit të buxhetit është përgjegjës për:
– zbatimin e legjislacionit e të procedurave, që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe buxhetin e financave publike, organizimin e punës në procesin e hartimit të programit buxhetor afatmesëm të institucionit, hartimin e pasqyrave përmbledhëse të projektbuxhetit, si dhe për detajimin e planit të buxhetit të miratuar nga ministria përgjegjëse për financat për aparatin e drejtorisë dhe degët doganore;
– hartimin e raporteve të monitorimit të buxhetit dhe raportimin e tyre pranë ministrisë përgjegjëse për financat brenda afateve të përcaktuara;
– rakordimin me ministrinë përgjegjëse për financat të fondeve buxhetore të planifikuara e të realizuara.
Sektori i financës dhe kontabilitetit është përgjegjës për:
– monitorimin rregullisht të transfertave nga gjobat në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përdorimin e tyre për pjesën e shpenzimeve operative dhe investime, si dhe fondin për shpërblimin nga gjobat në përputhje me Kodin Doganor e udhëzimet përkatëse për këtë qëllim;
– kryerjen e analizave financiare dhe të bilancit, mbajtjen e kontabilitetit, shpërndarjen e dhënien e fondeve të nevojshme për funksionimin e zyrave qendrore e vendore, pagimin e personelit doganor dhe administrimin e pagave e të shpërblimeve të tjera shtesë të personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave;
– ndjekjen e përgatitjes së raportimeve periodike për kreditë dhe debitë e trashëguara.”.
- c) Në nënndarjen “i”, të shkronjës “dh”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- Në paragrafin e pestë, fjalët “… pas zhdoganimit (a posterior) …” zëvendësohen me “… dhe mbikëqyrjen …”;
- Në paragrafin e shtatë, pas fjalëve “… lidhur me analizën e riskut …” shtohen fjalët “… kontrollet pas zhdoganimit (a posterior), …”.
- Kudo në vendim, emërtesa “Koordinatori i Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit” zëvendësohet me “Koordinatori kundër Korrupsionit”.
III. Aneksi nr.1, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E SHPËRBLIMEVE PËR PUNONJËSIT E POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronjat “a” e “d”, dhe 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ky vendim ka për qëllim:
- a) miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Policisë së Shtetit sipas strukturave në të cilat ushtrojnë funksionet policore;
- b) miratimin e trajtimit financiar të:
- kursantëve që pranohen në kolegjin profesional “Kolegji i Policisë”;
- punonjësve të policisë të rolit zbatues dhe shtetasve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, që pranohen të vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Sigurisë me kohë të plotë dhe studentëve që caktohen për të ndjekur studimet me kohë të plotë në akademitë e policisë së shteteve partnere, sipas marrëveshjeve të përbashkëta;
iii. punonjësve të Policisë së Shtetit që kryejnë kurse shkollimi/trajnimi;
- punonjësve të Policisë së Shtetit që bashkëpunojnë me institucionet arsimore të sistemit policor, si punonjës të jashtëm.
- c) përcaktimin e kritereve e të procedurave për dhënien e shpërblimeve për rezultate të larta në kryerjen e detyrës.
- Elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element për punonjësit e Policisë së Shtetit janë, si më poshtë vijon:
- a) Paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit të policisë, në përputhje me gradën që ka fituar. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- b) Shtesa për natyrë të veçantë pune e lidhur me natyrën e veçantë të punës apo të shërbimit, për kohën që punonjësit e policisë ushtrojnë detyrat funksionale (sipas funksioneve/pozicioneve të miratuara në organikë) dhe që përcaktohet:
- në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e policisë që punojnë në strukturat e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, antiterrorit dhe në strukturat e policisë shkencore;
- në lidhjen nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e policisë që punojnë në strukturat e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike;
iii. në lidhjen nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e policisë që punojnë në strukturat e policisë kufitare dhe migracionit;
- në lidhjen nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e policisë që punojnë në strukturat e tjera policore;
- në lidhjen nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e policisë që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i Shkencave”, “Master Profesional”, “Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Teknologji informacioni”, “Informatikë ekonomike” “Informatikë biznesi”, “Inxhinieri matematike informatike”, “Shkenca kompjuterike” apo “Inxhinieri matematike (në analiza sistemesh)”.
- c) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që lidhet me kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin, që aplikohet në rastet kur punonjësit e policisë punojnë në vende pune të vështira e të dëmshme për shëndetin. Masa e kësaj shtese përcaktohet në lidhjen nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Shtesa për funksionet organike për punonjësit e rolit zbatues përcaktohet në lidhjen nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- d) Shtesa për vjetërsi në shërbim që është shtesa që përfiton punonjësi i policisë me grada për kohën e qëndrimit në grada aplikohet në masën 1% për çdo vit deri në 25 (njëzet e pesë) vjet. Llogaritja e shtesës për vjetërsi bëhet mbi pagën për gradë të nivelit më të ulët të gradës sipas ndarjes në role.
- Përjashtimisht, deri në datën 1 janar 2026, shtesa për vjetërsi në shërbim sipas shkronjës “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, llogaritet mbi pagën e gradës “inspektor”.
- Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në grada, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Mbikqëyrjes Policore, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
- Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt page, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa gradë, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
- Kursantët që pranohen në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë trajtim financiar, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.
- Punonjësit e policisë të rolit zbatues dhe shtetasit, që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, që pranohen dhe vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Sigurisë me kohë të plotë, për ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, si dhe studentët që caktohen për të ndjekur studimet me kohë të plotë në akademitë e policisë të shteteve partnere sipas marrëveshjeve të përbashkëta, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë çdo muaj një bursë shkollimi të barabartë me pagën për gradën “inspektor”.
Këtë trajtim e përfitojnë edhe shtetasit që pranohen në Akademinë e Sigurisë të cilët kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në dispozitat përkatëse në ligjin për Policinë e Shtetit.
- Punonjësi i policisë, që shkollohet/trajnohet, brenda ose jashtë vendit, në kuadër të programeve të shkollimit/trajnimit, të parashikuara e të organizuara nga institucioni gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit, përfiton të njëjtën pagë bruto mujore, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa e punonjësit të Policisë kryhet nga njësia buxhetore, ku është efektiv punonjësi, përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit.
- Në rastet kur punonjësi i policisë ka fituar një kurs shkollimi apo trajnimi në mënyrë individuale dhe jo me iniciativën e institucionit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit nuk përfiton pagesë nga institucioni.
- Punonjësi i policisë, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një pagesë, si më poshtë vijon:
- a) Në kurset e formimit bazë për punonjësit me gradë “Inspektor”, në masën 600 (gjashtëqind) lekë/për orë;
- b) Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit e gradave “Nënkomisar” dhe “Komisar”, në masën 800 (tetëqind) lekë/për orë;
- c) Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit e gradave “Kryekomisar” deri në “Drejtues i Parë”, në masën 1000 (një mijë) lekë/për orë.
- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpërblen punonjësit e Policisë së Shtetit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës, në përputhje me kriteret e përcaktuara për këtë qëllim. Masa e këtij shpërblimi është deri në 3 (tre) paga mujore në vit.
- Kriteret për përfitimin e shpërblimit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës janë:
- a) kryerja e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhja e situatave të jashtëzakonshme për rendin dhe sigurinë publike;
- b) parandalimi i ngjarjeve të rënda kriminale, si vrasje, akte terroriste, rrëmbim ose mbajtje peng të personit apo shkatërrimit të pronës me pasoja të rënda;
- c) kryerja e operacioneve për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë apo autorëve të armatosur të veprave penale pas kryerjes së krimit (në kushtet e flagrancës);
ç) zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë impakt në publik;
- d) kryerja e operacioneve policore të rëndësishme për hetimin dhe arrestimin /ndalimin e autorëve, që kanë kryer apo kapen në kryerje e sipër të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik;
dh)zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale;
- e) kryerja e operacioneve të ndërhyrjes për shpëtimin e jetës së njerëzve, në kushtet e emergjencave civile;
ë) kontributi i punonjësit të policisë në rritjen e standardeve të punës në fushën e rendit dhe sigurisë publike dhe në fusha të tjera të veprimtarisë policore, duke arritur rezultate të larta dhe të dallueshme në kryerjen e detyrës në raport me punonjësit e tjerë të strukturës policore, periudhat paraardhëse, objektivat strategjikë dhe programet vjetore të Policisë së Shtetit.
- Titullarët e njësive shpenzuese, drejtorët e drejtorive qendrore, drejtuesit e departamenteve dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bazuar në rezultatet e larta të arritura në kryerjen e detyrave, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 12, të këtij vendimi, i propozojnë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shpërblimin e punonjësve, shoqëruar për çdo rast me një relacion shpjegues.
- Masa e shpërblimit jepet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
- Të gjithë punonjësit e rolit zbatues, që kanë pasur gradën “Inspektor i parë” dhe “Inspektor i dytë”, të cilët, për shkak të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, marrin gradën “Inspektor”, deri në datën 1 janar 2026, do të vijojnë të përfitojnë vlerën e pagës për gradë dhe të shtesave për natyrë të veçantë pune, sipas gradës dhe shtesave që kanë pasur deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për programin “Policia e Shtetit” dhe fillojnë:
- a) për përcaktimet në shkronjat “ç” dhe “d”, të pikës 2, në pikën 6 dhe në pikën 10, të këtij vendimi, nga data 1 janar 2026;
- b) për të gjitha parashikimet e tjera të këtij vendimi, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
- Vendimi nr.416 datë 26.6.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilën element përbërës të pagës bruto mujore dhe të trajtimeve të tjera financiare për punonjësit e Policisë së Shtetit”, shfuqizohet, me përjashtim të përcaktimeve në pikat 5 dhe 9, që vijojnë të jenë në fuqi deri në datën 31.12.2025.
- Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2025, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2025 është gjithsej 1186, të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
- a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 5;
- b) Për kategorinë e mesme drejtuese 93;
- c) Për kategorinë e ulët drejtuese 283;
ç) Për kategorinë ekzekutive 805.
- Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Zootekni;
– Mbrojtje bimësh;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
- Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2025, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Fondet buxhetore për vendet vakante të planifikuara për rekrutim për vitin 2025 janë pjesë e fondeve buxhetore, të miratuara me ligjin e buxhetit për vitin 2025 për secilin institucion të administratës shtetërore.
- Plotësimi i vendeve vakante në kategorinë ekzekutive, gjithsej 805, në kategorinë e ulët drejtuese, gjithsej 283, apo kategorinë e mesme drejtuese, gjithsej 93, bëhet së pari nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira.
- Vendet që mbeten të lira në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele:
- a) për kategorinë ekzekutive plotësohen nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil, ku mund të konkurrojnë të gjithë ata kandidatë jashtë shërbimit civil që plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të posaçme, të përcaktuara në shpalljen e konkurrimit;
- b) për kategorinë e ulët dhe atë të mesme drejtuese plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të një kategorie paraardhëse, të punësuar në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, nëse plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta për vendin/vendet e lira.
- Plotësimi i vendeve vakante në Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues bëhet sipas përcaktimeve në nenet 27 – 30 të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
- Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË TARIFAVE PËR RUAJTJEN DHE SIGURINË FIZIKE PËR SUBJEKTET E LEJUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 23, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në kuptim të këtij vendimi, subjekt i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë është SHPSF-ja e pajisur me licencë të nënkategorive 1.3.A. dhe 1.3.B ose “Illyrian Guard”, sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin privat të sigurisë fizike.
- Subjekti vetëdeklaron gatishmërinë për lidhjen e marrëveshjes paraprake me subjektin përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë fizike sipas modelit në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Subjekti i lejuar lidh marrëveshje për ruajtjen dhe sigurinë fizike me subjektin e ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë për periudhën e ushtrimit të aktivitetit.
- Marrëveshja paraprake duhet të përmbajë:
- a) të dhënat e kërkuesit;
- b) të dhënat e ofruesit të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike;
- c) kohëzgjatjen e ruajtjes nga ofruesi i shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike;
ç) tarifat që do të aplikohen për lidhjen e marrëveshjes;
- d) nënshkrimin e palëve.
- Në rastin kur subjekti i lejuar kultivon bimën e cannabis-it për qëllime industriale vetëm për përftimin e farërave dhe fibrave, zbatohen rregullat për standardet e sigurisë, si më poshtë vijon:
- a) Subjekti i lejuar lidh marrëveshje me subjektin përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë fizike për monitorimin me kamera dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;
- b) Sistemi i kamerave monitoron sipërfaqen e kultivuar brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikimi i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit;
- c) Për transportimin e bimës së cannabis-it industrial për përftimin e farërave dhe fibrave, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve të saj që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i lejuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktivitetit të licencuar dhe të lejuar të bimës së cannabis-it, Agjencinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, si dhe të dhënat për çdo mjet që bën transportin.
- Në rastin kur subjekti i lejuar kultivon bimën e cannabis-it industrial për përftimin e lules, zbatohen rregullat vijuese për standardet e sigurisë:
- a) Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, prej të paktën 1280 x 720, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 60 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud”, me vendndodhje në një nga vendet e BE-së;
- b) Sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit;
- c) Në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, bëhet lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit;
ç) Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;
- d) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur i qëndrueshëm;
dh)Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur të qëndrueshëm me lartësi 4 m nga toka;
- e) Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave CCTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike;
ë) Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave;
- f) Materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë;
- g) Rregullat që duhet të ndiqen nga subjekti gjatë transportit janë, si më poshtë vijon:
- Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet.
- Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e tyre në kushte optimale sipas kërkesës së vendit pritës.
iii. Subjekti duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet, si dhe të ruhet dhe të shoqërohet nga shërbim i sigurisë deri në/nga pika e kalimit të kufirit, sipas parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve.
- Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit.
- Në çdo rast, për çdo lëvizje të lëndës së parë të bimës së cannabis-it industrial për përftimin e lules, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve të saj që asgjësohen, nga një vend në një vend tjetër, subjekti i lejuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktivitetit të licencuar dhe të lejuar të bimës së cannabis-it, Agjencinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.
- Procedurat doganore të eksportimit mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të daljes nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të fillojnë në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit dhe të përfundojnë në zyrat doganore kufitare të daljes nga territori, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e eksportit të mallrave. Subjekti i lejuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
- Mbajtësi i lejes duhet të ketë dhe të ndjekë procedura për të ruajtur dhe testuar efikasitetin e pajisjeve e të sistemeve të sigurisë. Mbajtësi i lejes duhet të kryejë inspektime periodike të pajisjeve dhe infrastrukturës nga subjekte të licencuara për këtë qëllim.
- Në rast defekti të sistemeve të sigurisë, subjekti i lejuar ose subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike, në varësi të parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve, ka detyrimin të bëjë riparimin e menjëhershëm, por jo më shumë se 24 orë nga defekti. Subjekti njofton menjëherë Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
- Skema e sigurisë së objektit së bashku me procedurat e sigurisë, planin e dislokimit dhe transportin e sigurt të cannabis-it përgatitet nga drejtuesi teknik i subjektit të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe miratohet nga Shefi i Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti dhe hartohet në 4 (katër) kopje origjinale të cilat i vendosen në dispozicion nga 1 (një) kopje subjektit, Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (Agjencia), subjektit të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
- Ruajtja dhe sigurimi i ambienteve ku ushtrohet aktiviteti kryhet nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet palëve, në zbatim të përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.
- Kontrata hartohet në gjuhën shqipe në 4 (katër) kopje origjinale të cilat depozitohen nga 1 (një) kopje për subjektin, Agjencinë, subjektin e ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
- Për transportimin e farërave dhe fidanëve të bimës së cannabis-it industrial subjekti i lejuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktivitetit të licencuar dhe të lejuar të bimës së cannabis-it, Agjencinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.
- Subjekti i lejuar i garanton Agjencisë akses të pakufizuar dhe në kohë reale në sistemin e kamerave që monitorojnë të gjitha ambientet e njësisë, si dhe sistemin e kamerave që monitorojnë transportin e çdo materiali të lidhur me cannabis-in industrial, si dhe në imazhet filmike të ruajtura.
- Procedurat doganore të importimit të farërave dhe fidanëve të bimës së cannabis-it për qëllime industriale mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të hyrjes në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të kryhen në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e import/eksportit të mallrave.
- Subjekti njofton jo më pak se 24 orë para mbërritjes së farërave dhe fidanëve institucionin përgjegjës për inspektimin fitosanitar në pikën e inspektimit kufitar ku do të hyjnë produktet.
- Tarifat për shërbimet e sigurisë, që u ofrohen subjekteve të lejuara për kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime industriale, janë sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, subjektet e lejuara, si dhe subjektet e ngarkuara për ruajtjen dhe sigurinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Spitali e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
- Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre, në përputhje me indikatorët e performancës spitalore.
- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me këto metoda:
- a) Buxhetim me zëra shpenzimesh për:
- paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
- kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.
- b) Buxhetim për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
- c) Buxhetim për spitalet Durrës e “Memorial” Fier. Detajimi në zëra shpenzimesh i buxhetit miratohet nga bordet e këtyre spitaleve. Fondi financon dy spitalet nëpërmjet transfertave në llogaritë bankare që kanë spitalet në bankat e nivelit të dytë.
- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon spitalet, në zbatim të vendimit nr.258, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”. Fondi rishikon financimin e spitaleve për këtë kontratë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
- Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar të buxhetit, në përputhje me indikatorët dhe aktivitetin e shërbimit spitalor.
- Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3 (tre) % të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
- Një fond jo më i madh se 30 (tridhjetë) % e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht, për:
- a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
- b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
- c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
- d) pagesat e shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,
- dh) transferta për individët (mjekë në shërbimet spitalore).
- Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor vlerëson kërkesat e spitaleve (rajonale/bashkiake) për investimet dhe ia paraqet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për miratim. Spitalet universitare paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
- Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet, të cilat përdoren tërësisht nga vetë spitali. Përdorimi i të ardhurave dytësore miratohet nga bordi drejtues i spitaleve për spitalet që kanë përfituar autonominë menaxheriale. Për spitalet e tjera, përdorimi i të ardhurave bëhet bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit, të cilat mbarten në vitin buxhetor pasardhës.
- Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese, spitaleve, mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime dhe investime.
- Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me përjashtim të spitaleve që kanë përfituar autonominë financiare.
- Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 13 200 (trembëdhjetë mijë e dyqind) veta, të cilët paguhen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
- Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale, bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë. Mjekët e përcaktuar në këtë pikë, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.
- Mjekët e kontraktuar, sipas pikës 15, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 17.6, të vendimit nr.424, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave e shtesave mbi pagë, kompensime dhe trajtime të tjera financiare të punonjësve të sistemit shëndetësor, në institucionet shëndetësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në strukturat shëndetësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.
- Për spitalet rajonale, bashkiake, që nuk plotësojnë nevojat me personel mjek të strukturës në shërbimin e urgjencës, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale urdhëron kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm dhe kryerjen e shërbimit nga mjekë të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.
- Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet çdo vit nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Masa e shpërblimit mujor të mjekëve pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazohet në aktivitetin mjekësor e në kohën e angazhimit në strukturat shëndetësore universitare dhe nuk mund të jetë më e lartë se masa e shpërblimit mujor të drejtuesit të shërbimit me gradën “Doktor i shkencave”. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet e spitalit.
- Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
- Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2025.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM MURI RRETHUES PËR GODINËN E RE TË SPAK-UT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim muri rrethues për godinën e re të SPAK-ut”.
- Shpronësimi bëhet në favor të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 650 698.80 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë pikë tetëdhjetë) lekësh.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 650 698.80 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë pikë tetëdhjetë) lekësh, përballohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
- Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë për Prokurorinë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë për Prokurorinë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DISA INSTITUCIONEVE SHTETËRORE, PËR REALIZIMIN E NËNPROJEKTEVE “COPËZAT”, “HOSPITALITY” DHE “GODINA E RE E BIBLIOTEKËS KOMBËTARE”, PJESË E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “PËR ZHVILLIMIN DHE MENAXHIMIN E PRONAVE SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në zbatim të shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Transferimin, në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e nënprojekteve të investimit “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”, pjesë e projektit të investimit “Për zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore”.
- Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj për të vepruar si zhvillues i pronave, me funksion vetëm publik, në emër dhe për llogari të pronarit shtet për pronat shtetërore, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Korporata e Investimeve Shqiptare apo entiteti i krijuar prej saj zhvillon pronat e përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, në funksion të realizimit të projekteve të investimit, të cilat kanë si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
- Autorizohen Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, autoritetit në pronësi apo përgjegjësi administrimi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore, që zhvillohet si rezultat i përmbushjes së kushtit të transferimit të pronës/autorizimit për zhvillim, në të cilin përcaktohen edhe kushtet e nevojat për dorëzimin e pronës, si dhe sigurimin e ambienteve të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të institucioneve publike, që përdorin/administrojnë këto prona, në rastet kur institucionet për nevoja të zhvillimit të projektit të investimit janë të detyruara të lirojnë këto prona.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për kryerjen e procedurave përkatëse, për secilin nga nënprojektet, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronave të shtojcave nr.1 dhe nr.2, nëpërmjet instrumentit ligjor të enfiteozës dhe/ose sipërmarrjes.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private dhe publike, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të investimit, si dhe pronat për të cilat ka marrë autorizim për zhvillim, bazuar në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave dhe në aktet nënligjore në zbatim të tyre.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit, apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.
- Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, vetëm pasi ka siguruar vazhdimin e aktiviteteve të institucioneve publike, që përdorin/administrojnë këto prona, në ambiente të tjera deri në marrjen në dorëzim të ambienteve të reja të ndërtuara, si dhe në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, ngarkohet Korporata të kryejë procesin e konsolidimit të pronave të shtojcave nr.1 dhe nr.2, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.
- Në listat e pronave, që i bashkëlidhen vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.406, datë 4.7.2018, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Brendshme te Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pjesëve takuese të pronës, me emërtimin “Garda e Republikës, garnizon”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8270, me numër pasurie 4/134, dhe për një ndryshim në vendimin nr.815, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës shtesë të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për Gardën e Republikës”, të ndryshuar”, nr.1058 datë 16.7.2008, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Këshillit të Ministrave, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”, të ndryshuar, nr.515 datë 18.7.2003, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, hiqen pronat shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Pika 5, e vendimit nr.142, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe objekti, brenda territorit të pronës nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, me vendndodhje bulevardi “Zhan D’Ark”, Tiranë, disa ndryshime në vendimin nr.572, datë 3.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të objektit nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, për Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, dhe shfuqizimin e vendimit nr.786, datë 14.11.2012, të Këshillit të Ministrave”, dhe në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, dhe vendimi nr.572, datë 3.9.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të objektit nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, për Shkollën Shqiptare të Administratës Publike”, shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE, NR.336, NR.338/1, NR.318, NR.310, NR.324/2, NR.324/4, ZONA KADASTRALE 3852, ME VENDNDODHJE NË XHAFZOTAJ, BASHKIA SHIJAK, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.185, DATË 27.3.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NGA RADIOTELEVIZIONI SHQIPTAR NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NR.336, NR.338/1, NR.318, NË ZONËN KADASTRALE 3852, XHAFZOTAJ, BASHKIA DURRËS, DHE MIRATIMIN E HAPJES SË PARKUT TEKNOLOGJIK DHE SHKENCOR “DURANA TECH PARK””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë përgjegjëse për ekonominë, sipas dokumentacionit/kartelave të pronësisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
- Kalimin nga Radiotelevizioni Shqiptar në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore sipas shtojcës nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Shijak, sipas dokumentacionit/kartelave të pronësisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
- Korporata e Investimeve Shqiptare në rolin e zhvilluesit të parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park” apo entiteti i krijuar prej saj do të përdorë pasuritë e paluajtshme shtetërore me nr.338/1, nr.318, nr.310, nr.324/2, nr.324/4, zona kadastrale 3852, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Shijak, në funksion të parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”, të hapur me vendimin nr.185, datë 27.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin nga Radiotelevizioni Shqiptar në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të pasurive të paluajtshme shtetërore nr.336, nr.338/1, nr.318, në zonën kadastrale 3852, Xhafzotaj, Bashkia Durrës, dhe miratimin e hapjes së parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park””.
- Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, të kryejë veprimet me institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit, apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”, si dhe të bashkëpunojë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për konsolidimin e pronës.
- Në funksion të realizimit të parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”, të përcaktuar në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
- Në vendimin nr.185, datë 27.3.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
- a) Titulli i vendimit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Për miratimin e hapjes se parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”.
- b) Pika 1 shfuqizohet.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Radiotelevizioni Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA