Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Prill 2025:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.41/2023, MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR MASAT SHOQËRUESE, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.182, DATË 29.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, MARRËVESHJES SË GRANTIT TË INVESTIMIT, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.184, DATË 29.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, MARRËVESHJES SË GRANTIT SECO, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.183, DATË 29.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, NDËRMJET KFW FRANKFURT AM MAIN DHE REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË DHE MINISTRIA E TURIZMIT DHE MJEDISIT, PËR PROGRAMIN “MENAXHIMI I QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes të huas, ratifikuar me ligjin nr.41/2023, marrëveshjes së grantit për masat shoqëruese, miratuar me vendimin nr.182, datë 29.3.2023, të Këshillit të Ministrave, marrëveshjes së grantit të investimit, miratuar me vendimin nr.184, datë 29.3.2023, të Këshillit të Ministrave, marrëveshjes së grantit SECO, miratuar me vendimin nr.183, datë 29.3.2023, të Këshillit të Ministrave, ndërmjet KfW Frankfurt Am Main dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për programin “Menaxhimi i qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË LITUANISË, PËR ELIMINIMIN E TATIMIT TË DYFISHTË NË LIDHJE ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN DHE PARANDALIMIN DHE SHMANGIEN E EVAZIONIT TATIMOR, SI DHE TË PROTOKOLLIT TË SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, si dhe të protokollit të saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.858, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 3, e aneksit nr.3, që i bashkëlidhet vendimit nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin “pasaportë” për një periudhë të kufizuar, nga data 15 prill deri më 31 dhjetor 2025.”.

Nr. Shteti
1. Arabi Saudite
2. Katar
3. Oman
4. Tajlandë
5. Indonezi

2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.220, DATË 12.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KATEGORISË SË TATIMPAGUESVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT TË PROCEDURËS SË THJESHTËZUAR TË FISKALIZIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, pika 1, e 27, pika 1, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.220, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi;”.

b) Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) Kanë kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”;”.

2. Në pikën 2 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi;”.

b) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) Kanë kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”;”.

II. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.709, DATË 12.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT DHE KRITERET PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË AGJENCISË SË UDHËTIMIT””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 48, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.709, datë 12.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 2 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Emërtimi “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”;
b) Emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut” zëvendësohet me fjalët “Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e turizmit”.

2. Në nenin 2 të rregullores, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhen këto ndryshime:

a) Fjalia hyrëse e nenit 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Personi fizik ose juridik, që ushtron veprimtarinë si agjenci udhëtimi, përveç kritereve të përcaktuara në pikën 2, të nenit 48, të ligjit nr.93/2015, zbaton edhe kërkesat dhe kriteret e mëposhtme:”;

b) Në pikën 12, fjalët “… pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në përputhje me nenin 17, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin, dhe rregulloren për trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave” zëvendësohen me “… pranë strukturës përgjegjëse për inspektimin në fushën e turizmit.”.

II. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.856, DATË 10.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, NGA DREJTORIA E SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK, PËR MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, TË PASURISË NR.1/586/5, ZONA KADASTRALE NR.8380, TIRANË, PËR T’U PËRDORUR SI SELI E SEKRETARIATIT TË FONDIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.856, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, nga Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, të pasurisë nr.1/586/5, zona kadastrale nr.8380, Tiranë, për t’u përdorur si seli e Sekretariatit të Fondit të Ballkanit Perëndimor”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, për periudhën dhjetor 2014 – dhjetor 2029, nga Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme, të pasurisë nr.1/586/5, zona kadastrale nr. 8380, Tiranë, për t’u përdorur si seli e Sekretariatit të Fondit të Ballkanit Perëndimor.”;

b) Në pikën 3, fjalët “… afatit pesëvjeçar …” zëvendësohen me “… afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi …”.

2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.922, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DEKLARIMIN E DETYRUESHËM TË DEKLARATAVE TATIMORE DHE TË DOKUMENTEVE TË TJERA TATIMORE, VETËM NËPËRMJET FORMËS ELEKTRONIKE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 65, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.922, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Për dorëzimin e deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”.

2. Në pikën 1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Nënndarjet “ii”, “iv”, “v” dhe “x” ndryshohen, si më poshtë vijon:

“ii. formulari i deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat e korporatës;”.
“iv. formulari i deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi;”.
“v. formulari i deklarimit të tatimit të mbajtur në burim dhe të ardhurat e tjera;”.
“x) deklarata vjetore e të ardhurave personale;”.
b) Nënndarja “xi” shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

CAKTIMIN E DATAVE 15 DHE 16 MAJ 2025 DITË PUSHIMI PËR PUNONJËSIT E DISA INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e datave 15 dhe 16 maj 2025 ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, me seli në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë, me përjashtim të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe të punonjësve të sistemit shëndetësor.

2. Dita e punës së datave 15 dhe 16 maj 2025, për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të zëvendësohet në ditët e pushimit brenda vitit 2025.

3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM TROTUARI DHE NDRIÇIMI I RRUGËS “SHPIRAGU”, BASHKIA BERAT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim trotuari dhe ndriçimi i rrugës “Shpiragu”, Bashkia Berat”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Berat.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 122 852 (njëqind e njëzet e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 122 852 (njëqind e njëzet e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy) lekësh, përballohet nga Bashkia Berat.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Berat.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Berat.

8. Bashkia Berat kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Berat.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Berat për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Berat për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Berat, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në shkronjën “b”, të pikës 1, të kreut I, shtohet emërtesa “Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve”;
b) Pas pikës 28, të lidhjes nr.3, shtohet pika 29, me këtë përmbajtje:

“29. Në Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve, nëpunësi në pozicionin “kancelar”, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë në muaj.”;

c) Lidhja nr.8 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2025, përballohen nga buxheti i miratuar për Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve për këtë vit dhe fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve/punonjësve.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.