Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Qershor 2021:
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2021–2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 39, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9522, datë 25.4.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien, nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të 84 (tetëdhjetë e katër) bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, nga të cilat 24 (njëzet e katër) bursa studimi, për nxënësit e viteve përgatitore, dhe 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi, për nxënësit nga viti i parë deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2021–2022.
2. Vlera vjetore e bursës do të jetë 95 600 (nëntëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind) lekë, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.
3. Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër.
4. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas përzgjedhjes mbi bazën e kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
5. Bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër, i cili, pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.
6. Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË KONCESIONIT NË LIDHJE ME PROJEKTIMIN, FINANCIMIN, NDËRTIMIN, PRONËSINË, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE TRANSFERIMIN E NJË PROJEKTI PËR NJË HIDROCENTRAL TË RI NË ASHTË, REPUBLIKA E SHQIPËRISË, NDËRMJET MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË (AUTORITETI KONTRAKTUES) DHE VERBUND AG (KONCESIONARI) DHE ENERGJI ASHTA SH.P.K. (SHOQËRIA E PROJEKTIT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 31, pika 2, e 50, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit në lidhje me projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e një projekti për një hidrocentral të ri në Ashtë, Republika e Shqipërisë, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (autoriteti kontraktues) dhe Verbund AG (koncesionari) dhe Energji Ashta sh.p.k. (shoqëria e projektit), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROJEKTVENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË KRIJUAR NGA MARRËVESHJA E TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR NDRYSHIMIN E PROTOKOLLIT II TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NGA NJËRA ANË, DHE REPUBLIKËS SË TURQISË, NGA ANA TJETËR, NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT TË “PRODUKTEVE ORIGJINUESE” DHE METODAT E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të projektvendimit të Komitetit të Përbashkët të krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Republikës së Turqisë, nga ana tjetër, në lidhje me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROJEKTVENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, PËR NDRYSHIMIN E SHTOJCËS 4, TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE (CEFTA 2006), QË PËRCAKTON PROTOKOLLIN NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT TË “PRODUKTEVE ORIGJINUESE” DHE METODAT E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV, REFERUAR NË NENIN 14, PARAGRAFËT 1 DHE 3, DHE SHFUQIZON E ZËVENDËSON VENDIMIN NR.3/2013 DHE VENDIMIN NR.3/2015, TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të projektvendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, për ndryshimin e shtojcës 4, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006), që përcakton protokollin në lidhje me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, referuar në nenin 14, paragrafët 1 dhe 3, dhe që shfuqizon e zëvendëson vendimin nr.3/2013 dhe vendimin nr.3/2015, të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR NGRITJEN E PIKAVE TË PËRBASHKËTA TË KALIMIT KUFITAR NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MODELIT TË PROSPEKTIT BID
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.63/2020, “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e modelit të prospektit BID, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR, DHE PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE, TË KOMPONENTIT “OBJEKTI NR.38”, PJESË PËRBËRËSE E PRONËS ME NUMËR RENDOR 1332, ME EMËRTIMIN “ISH-SHTABI I BRIGADËS”, PJESË E PASURISË 201/84, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8541, GJIROKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 901 e vijues, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 11 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e komponentit “Objekti nr.38”, pjesë përbërëse e pronës me numër rendor 1332, me emërtimin “Ish-Shtabi i Brigadës”, pjesë e pasurisë 201/84, ndodhur në zonën kadastrale 8541, Gjirokastër, ndryshohen sipas përmasave të përcaktuara në planrilevimin e planimetrinë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, jepet në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, për një periudhë 7-vjeçare, nga Ministria e Mbrojtjes te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, për ushtrimin e funksioneve administrative.
3. Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të lidhin marrëveshje për dhënien në përdorim, pa shpërblim, të pronës, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE “17 SHKURTI”, QESARAKË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “17 Shkurti”, Qesarakë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit tokë “truall” me një vlerë të përgjithshme prej 68 028 704 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e njëzet e tetë mijë e shtatëqind e katër) lekësh.
4. Masa e shpërblimit për pronarët që shpronësohen është 68 028 704 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e njëzet e tetë mijë e shtatëqind e katër) lekë dhe do të përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË ELBASAN, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE ELBASAN, TË NJË PJESE TË PASURISË 5/38, ME EMËRTIMIN “ISH-ZYRAT E SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8521, DHE TË PASURISË 15/43, ME EMËRTIMIN “ISH-DREJTORIA ARSIMORE ELBASAN”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8524, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.416, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “a”, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Elbasan, të katit përdhes dhe të katit të parë të pasurisë 5/38, me emërtimin “Ish-zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8521, dhe të pasurisë 15/43, me emërtimin “Ish-Drejtoria Arsimore Elbasan”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8524, sipas formularëve, gjithsej 2 (dy) fletë, planimetrive dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, me qëllim për t’u përdorur për ushtrimin e funksioneve administrative.
2. Pjesa e pasurisë 5/38, sipas formularit bashkëlidhur, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme publike të miratuar me vendimin nr.906, datë 19.12.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për Shërbimin Kombëtar të Punësimit”, të ndryshuar.
3. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike të miratuar me vendimin nr.416, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Elbasan, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
4. Bashkisë Elbasan i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit, ta tjetërsojë ose t’u japë në përdorim të tretëve pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkia Elbasan dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.