Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, 11 Shkurt 2015

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN, KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË NJË ANËTARI PËR NË KËSHILLIN MBIKËQYRËS TË BANKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të znj. Denada Prifti për anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M 

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Sokol Dervishaj, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M 

PËR 

 

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të  ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Selim Belortaja emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM,  PËR PROJEKTIN PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT TË SHËNDETËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.7, DATË 4.1.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM PËR ARKËTIMIN   E TAKSËS SË RENTËS MINERARE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në fund të pikës 3, të vendimit nr.7, datë 4.1.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“ Në varësi të përqindjes së mineralit të shitur brenda vendit, nga nxjerrësi i mineralit te përpunuesi/pasuruesi i mineralit, llogaritja e pagesës së rentës bëhet sipas çmimeve, të përcaktuara në tabelat referuese, të miratuara nga komisioni ad-hoc, i përcaktuar në këtë vendim.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR

KËRKESAT PËR PËRDORIMIN NË BUJQËSI TË LLUMRAVE TË UJËRAVE TË NDOTURA*

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 34, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
TË PËRGJITHSHME

1.    Qëllimi i këtij vendimi është të rregullojë përdorimin korrekt në bujqësi të llumrave të ujërave të ndotura, duke nxitur ato mënyra që parandalojnë efektet e dëmshme në tokë, bimësi, kafshë dhe tek njerëzit.

2.    Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtme nënkuptojnë:

a)    “Autoriteti kompetent” është Ministria e Mjedisit (MM), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU), Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB);
b)    “Bujqësi”, sipas përkufizimit në ligjin nr.9717, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”;

_____________________________________________________________
*Direktiva 86/278/EEC “Për mbrojtjen e mjedisit dhe veçanërisht të tokës, kur llumrat e ujërave të ndotura përdoren në bujqesi” ndryshuar nga Direktiva 91/692/EEC, rregullorja (EC) 807/2003 dhe rregullorja (EC) 219/2009. Numri CELEX 1986L0278, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria  L, nr.181, datë 4.7.1986, faqe 6.
c)    “Ekuivalent popullsie (p.e.)” është ngarkesa organike e biodegradueshme, që ka kërkesë biokimike pesëditore për oksigjen (BOD5), prej 60 g. oksigjen në ditë;
ç) “Impiant trajtimi i ujërave të ndotura” është njësia që trajton dhe pastron ujërat e ndotura me prejardhje nga përdorimi familjar dhe/ose industrial, me kapacitet total trajtimi më shumë se 500 PE, përfshirë dhe pjesën e fundit në derdhje të kolektorit të ujërave të ndotura;
d)    “Impiant i vogël trajtimi i ujërave të ndotura” është impianti me  kapacitet total trajtimi më pak se 500 PE;
dh)  “Impiant individual ose lokal trajtimi i ujërave të ndotura” është gropa septike, gropa e ujërave të zeza, gropa e banjove, banjo në oborr me gropë ose drenazhi francez, i cili shërben për trajtimin në vend të ujërave të ndotura, në zonat ku nuk ka sistem publik kanalizimesh;
e)  “Llum” janë llumrat që mbeten nga:
i.    impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, sipas përcaktimit në    shkronjën “ç”;
ii.    impiantet e vogla të trajtimit të ujërave të ndotura, sipas përcaktimit në shkronjën “d”;
iii.    impiante individuale ose lokale të trajtimit të ujërave të ndotura, sipas përcaktimit në shkronjën “dh”.

ë) “Llumra të trajtuara” janë llumrat që i janë nënshtruar trajtimit biologjik, kimik ose trajtimit me nxehtësi, magazinimit afatgjatë ose ndonjë procesi tjetër të përshtatshëm, që redukton në mënyrë të konsiderueshme fermentimin e tyre dhe rreziqet për shëndetin, që vijnë si rezultat i përdorimit të tyre;
f)  “Përdorim” është përhapja e llumrave mbi tokë, ose çdo përdorim tjetër i llumrave mbi ose në tokë;
g) “Prodhues” është operatori i impiantit që prodhon dhe/ose vendos në treg  llumra të trajtuara për përdorim në bujqësi;
gj) “Përdorues” është personi fizik ose juridik që përdor llumrat e trajtuara, të cilat dalin nga të gjitha impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura.
h) “Tokë bujqësore”, sipas përkufizimit në ligjin nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”;
i)  “Ujëra të ndotura” janë ujëra të përdorura ose ujërat që përmbajnë lëndë të ngurta, nga përdorimet familjare, tregtare dhe industriale, të cilat janë ndotur dhe/ose u janë ndryshuar vetitë (ujëra të përdorura ose mbetje të lëngshme), si dhe lëngjet kulluese nga landfill-et sanitare, apo llumrat nga gropat septike;
j)  “Ujëra të ndotura urbane”, sipas përkufizimit në ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”;
k) “Ujëra të ndotura industriale”, sipas përkufizimit në ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.

KREU II
LLUMRAT

3.    Përveç sa parashikohet në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, llumrat mund të përdoren në bujqësi vetëm në qoftë se janë në përputhje me kërkesat e këtij vendimi.

4.    Vlerat kufi të përqëndrimit të metaleve të rënda në tokën ku janë përdorur llumrat, vlerat kufi të përqëndrimit të metaleve të rënda në llumra dhe vlerat kufi për sasinë e metaleve të rënda që mund të futen çdo vit në tokën e parashikuar për bujqësi përcaktohen në anekset IA, IB dhe IC, që i bashkëngjiten këtij vendimi dhe janë pjesë përbërse e tij.

5.    Llumrat nuk duhet të përdoren në tokat ku përqëndrimi i një apo më shumë metaleve të rënda i kapërcen vlerat kufi, të përcaktuara në aneksin IA, ose kur përdorimi i llumrave mund të sjellë kapërcimin e këtyre vlerave kufi.

6.    Për qëllime të pikës 5, të këtij vendimi:

a)    sasia maksimale e llumrave që mund të përdoret në tokë, e shprehur në ton, lëndë e thatë, për hektar, në vit, do të përcaktohet nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) pas konsultimeve të detyrueshme me Inspektoratin Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës, rast pas rasti, duke patur parasysh pozicionin gjeografik dhe karakteristikat e tokës, bazuar në rezultatet e analizave të tokës për metalet e rënda, që do të kryhen sipas kërkesave të aneksit IIB, që i bashkëngjitet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi;
b)    vlerat kufi, të përcaktuara për përqëndrimin e metaleve të rënda në llumra, duhet të jenë në përputhje me vlerat e aneksit IA, që i bashkëngjitet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

7.    Përpara përdorimit të llumrave në tokë bujqësore:

a)    llumrat analizohen, në përputhje me kërkesat e përcaktura në aneksin IIA;
b)    toka analizohet, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në aneksin IIB;
c)    analizat e kërkuara për qëllime të shkronjave “a” dhe “b” kryhen nga  laboratorë të akredituar, duke përdorur metodat e analizave të përcaktuara në aneksin IIC, që i bashkëngjitet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
ç)     me përjashtim të rasteve kur llumrat përdoren në toka kullosore, mostrat duhet të merren në një thellësi prej 25 centimetrash ose, kur thellësia e sipërfaqes së tokës është më pak se kaq, të sigurohet që thellësia e sipërfaqjes së tokës, për marrjen e mostrës, të mos jetë më pak se 10 centimetra;
d)     kur llumrat përdoren në tokë kullosore, mostrat duhet të merren në jo më  shumë se 6 centimetra thellësi.

KREU III
DETYRIMET E PRODHUESIT

8.    Prodhuesi i llumrave që përdoren në bujqësi duhet:

a)     të pajiset me leje mjedisi, të tipit C, lëshuar në përputhje me aneksin 1, 6.4, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
b)     të trajtojë llumrat;
c)     t’u ofrojë rregullisht, përdoruesve, rezultatet e analizave të llumrave, të kryera periodikisht, në përputhje me aneksit IIA;
ç)  të mbajë regjistrin me të dhëna, i cili të përfshijë:
i. sasinë e llumrave të prodhuara dhe sasinë e shpërndarë për përdorim në bujqësi;
ii. përbërjen dhe vetitë e llumrave, në lidhje me parametrat e referuar  në  aneksit IIA;
iii. trajtimin, të cilit i janë nënshtruar llumrat, duke patur parasysh  trajtimin referuar në shkronjën “b”;
iv.    emrin dhe adresën e përdoruesit të llumrave dhe vendndodhjen e tokës ku përdoren llumrat.

d)    të mbajë regjistrin me të dhëna në mjediset e tij të punës dhe ta bëjë atë të disponueshëm për informim, dhe pa pagesë, gjatë orarit zyrtar, për çdo person të interesuar;
dh) të raportojë, brenda datës 30 qershor, të çdo viti, pranë autoritetit kompetent, të dhënat e regjistruara.

9.    Prodhuesi i llumrave të jetë i pajisur me lejen e mjedisit dhe  me licencën III/2B, sipas legjislacionit në fuqi.

10.    Prodhuesi, me kërkesë të autoriteteve kompetente, duhet të japë informacion mbi metodat e trajtimit dhe rezultatet e analizave.

KREU IV
DETYRIMET E PËRDORUESIT

11.     Përdoruesi i llumrave në bujqësi detyrohet të:

a)    analizojë tokën ku janë përdorur llumrat, në përputhje me aneksin IIB;
b)    marrë parasysh nevojat e bimëve për lëndë ushqyese;
c)    sigurojë që cilësia e tokës, e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore të mos dëmtohet;
ç) marrë parasysh lëvizshmërinë dhe disponueshmërinë në rritje të metaleve të rënda në kulturat bujqësore, kur llumrat janë përdorur në një tokë me pH nën 6 dhe në përputhje me aneksin IA;
d) përdorë llumrat e ujërave të ndotura pasi të jetë pajisur me lejen e mjedisit dhe licencën III/2B, sipas legjislacionit në fuqi;
dh)  të mbajë rregjistrin me të dhëna, ku të përfshijë:

i.    sasinë e llumrave të përdorur në bujqësi;
ii.    sipërfaqen dhe vendndodhjen e tokës bujqësore ku janë përdorur llumrat;
iii.    emrin dhe adresën e impiantit që ka prodhuar llumrat.

e) raportojë, brenda datës 30 qershor, të çdo viti, pranë autoritetit kompetent, të dhënat e regjistruara.
12.    Përdoruesi i llumrave i njofton njësisë përkatëse të qeverisjes vendore vendndodhjen e tokës ku do të përdoren llumrat.

KREU V
KËRKESAT PËR PËRDORIMIN DHE NDALIMIN E PËRDORIMIT TË LLUMRAVE TË TRAJTUARA NË BUJQËSI

13.    Llumrat duhet të trajtohen përpara përdorimit në bujqësi. Nuk lejohet përdorimi i llumrave të patrajtuara.

14.    Përveç sa parashikohet në pikën 13, përdorimi i llumrave të trajtuara në bujqësi nuk lejohet në këto raste:

a)    kur mbetjet e llumrave vijnë nga impiantet individuale ose lokale të trajtimit të ujërave të ndotura, përveç se kur përdoren në toka kullosore, ku bagëtia nuk do të kullosë më parë se të kenë kaluar 6 muaj nga përdorimi i tyre;
b)    në toka kullosore apo ku rriten bimë foragjere, në qoftë se tokat që përdoren për kullotë apo bimët foragjere do të korren brenda tri javëve nga përdorimi i llumrave;

KREU VI
REGJISTRI KOMBËTAR PËR  PËRDORIMIN E LLUMRAVE NË BUJQËSI

15.    Autoriteti kompetent (AKM/QTTB) krijon, mban dhe përditëson Regjistrin Kombëtar për Përdorimin e Llumrave në Bujqësi, ku përfshihen të dhënat përkatëse, të raportuara nga prodhuesit dhe përdoruesit. Autoriteti kompetent (AKM/QTTB) i siguron Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve të dhënat e raportuara nga prodhuesit dhe përdoruesit për përditësimin e çdo regjistri ekzistues për ujërat dhe ujërat e ndotura.

16.    Autoriteti kompetent (AKM/ QTTB) mban regjistrin, referuar në pikën 15, në selinë e tij dhe e bën të disponueshëm, pa pagesë, për çdo person të interesuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

17.    Ministri përgjegjës për mjedisin dhe ministri përgjegjës për bujqësinë miratojnë, me urdhër të përbashkët, formatin e regjistrave, të referuar në pikat “8/d, “11/f”  dhe “15”, të këtij vendimi.

KREU VII
RAPORTIMI PËR ZBATIMIN E VENDIMIT

18.    Ministri përgjegjës për mjedisin dhe ministri përgjegjës për bujqësinë, me urdhër të përbashkët, miratojnë formatin që do të përdoret për përgatitjen e raportit dhe informacionin që do të përshihet në të.

19.    Ministritë përgjegjëse për mjedisin dhe bujqësinë përgatisin, bashkërisht, raportin mbi zbatimin e këtij vendimi, brenda muajit qershor 2017, dhe çdo tre vjet për periudhën në vijim.

20.    Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencitë Rajonale të Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Tokës dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, si dhe institucionet e tjera përkatëse, u sigurojnë ministrive informacionin e duhur për përgatitjen e raportit të sipërpërmendur.

21.    Raporti, i referuar në pikën 19, publikohet në faqen zyrtare elektronike të ministrisë përgjegjëse për mjedisin dhe ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe vihet në dispozicion të publikut.

KREU VIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

22.    Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, me kapacitet trajtimi nën 300 kg. BOD5 në ditë, që i korrespondojnë 5000 p.e., të cilët janë projektuar kryesisht për trajtimin e ujërave të ndotura shtëpiake, përjashtohen nga zbatimi i dispozitave të parashikuara në pikën 8, shkronja “a”, dhe pikën 9, të këtij vendimi.

23.    Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në këtë vendim, për  përdorimin e llumrave të ujërave të ndotura në bujqësi, ndëshkohet sipas pikës 32, të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.

24.     Ndalohet përdorimi në bujqësi i llumrave të trajtuara për një periudhë  jo më pak se ­­­­­2 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

25.    Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, QTTB-ja, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Tokës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R i 

EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR “KOMUNA E PARISIT – RRUGA E RE TIRANË – ELBASAN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Komuna e Parisit – Rruga e Re Tiranë – Elbasan”.

2.    Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë bujqësore, me sipërfaqe të përgjithshme prej 4 345 (katër mijë e treqind e dyzet e pesë) m2, dhe me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 37 051 988 (tridhjetë e shtatë milionë e pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë.

4.    Vlera përgjithshme e shpronësimit, prej 37 051 988 (tridhjetë e shtatë milionë e pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6.    Likuidimi  i  pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7.    Pronarët e pasurive të listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar  ZVRPP-ja”, të likuidohen për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8.    Autoriteti Rrugor Shqiptar të  kryejë likuidimet për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi  i  kalimit  të pronësisë, për  pasuritë  e  shpronësuara, në  favor të shtetit.
10.    Zyra  Qendrore  e  Regjistrimit  të  Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet  me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11.    Ngarkohen  Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme  dhe  Zyra  Vendore e  Regjistrimit të Pasurive  të  Paluajtshme, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***
V E N D I M 

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË – ELBASAN”(SHTESA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Tiranë-Elbasan”(shtesa).

2.    Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës  përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë bujqësore”, “kultura bujqësore”, “drufrutorë”, “truall” dhe “banesë” me vlerë 45 415 312.62 (dyzet e pesë milionë e katërqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dymbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e dy) lekë, nga të cilat:

a)    “tokë bujqësore” dhe “truall”,  me sipërfaqe 64 600 (gjashtëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind) m2 , me vlerë 27 271 572.42 (njëzet e shtatë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e dy pikë dyzet e dy) lekë;
b)    “drufrutorë”, me vlerë 9 499 456 (nëntë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë;
c)    “kultura bujqësore”, me vlerë 132 936.2 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë pikë dy) lekë;
ç) “banesë”, me sip. 250 m2, me vlerë 8 511 348 (tetë milionë e pesëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tetë) lekë.

4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “tokë bujqësore”, “kultura bujqësore”, “drufrutorë”, “truall” dhe “banesë”, prej 45 415 312.62 (dyzet e pesë milionë e katërqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dymbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e dy) lekësh të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, zëri “Shpronësimet”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

5.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6.    Shlyerja e pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.

7.    Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të shlyhen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8.    Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë shlyerjen e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, dhe 7, të këtij vendimi.

9.    Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të shlyerjes, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

10.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.

11.    Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË – ELBASAN (LOTET I DHE III ) 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë – Elbasan (lotet I dhe III).

2.    Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për kultura bujqësore dhe drufrutorë me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 15 187 371 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e një) lekësh, të ndarë përkatësisht:

a)    315 130 (treqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e tridhjetë) lekë, për kultura bujqësore.
b)    14 872 241(katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e dyzet e një) lekë, për drufrutorë.

4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 15 187 371 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e një) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, i miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, (zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar).

5.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6.    Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.

7.    Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8.    Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.

9.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

10.     Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

11.    Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE,  QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR LEVAN – TEPELENË, (SHTESA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5/1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Levan – Tepelenë, (shtesa).

1.    Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

2.    Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për një vlerë të përgjithshme prej 46 514 784 (dyzet e gjashtë milionë e pesëqind e katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e katër) lekë, nga të cilat:

a)    42 603 884 (dyzet e dy milionë e gjashtëqind e tre mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër) lekë, për objekte;
b)    3 910 900 (tre milionë e nëntëqind e dhjetë mijë e nëntëqind) lekë, për drufrutorë.

3.    Vlera përgjithshme e shpronësimit, prej 46 514 784 (dyzet e gjashtë milionë e pesëqind e katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e katër) lekësh, të përballohet nga bxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

4.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

5.    Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4,  të këtij vendimi.

6.     Pronarët e pasurive të listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, “Proces konfirmimi”, “Leje ndërtimi”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

7.     Autoriteti Rrugor Shqiptar të  kryejë likuidimet  për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.

8.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, Tepelenë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi  i  kalimit  të pronësisë, për  pasuritë  e  shpronësuara, në favor të shtetit.

9.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, Tepelenë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

10.    Ngarkohen  Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave,  Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme  dhe  zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Fier, Tepelenë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.