Vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave, datë 02 Prill 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, DHE PROGRAMIT PËR ZHVILLIM TË KOMBEVE TË BASHKUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROPOZIMIT TË PËRBASHKËT TË PËRGATITUR NGA SEKRETARIATI I PËRHERSHËM I KOMUNITETIT TË TRANSPORTIT DHE SEKRETARIATI I CEFTA-S, PËR TË LEHTËSUAR TRANSPORTIN DHE TREGTIMIN E MALLRAVE TË NEVOJËS SË PARË BRENDA BALLKANIT PERËNDIMOR DHE NDËRMJET BALLKANIT PERËNDIMOR DHE SHTETEVE ANËTARE TË BE-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, ratifikuar me ligjin nr.9696, datë 21.3.2007, si dhe traktatit që themelon Komunitetin e Transportit, ratifikuar me ligjin nr.8/2018, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për miratimin e propozimit të përbashkët të përgatitur nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit dhe Sekretariati i CEFTA-s, për të lehtësuar transportin dhe tregtimin e mallrave të nevojës së parë brenda Ballkanit Perëndimor dhe ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së, sipas tekstit dhe hartës që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA