Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave, datë 07 Prill 2020:

V E N D I M

PËR

DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS PËR KALIMIN E PRONËS SHTETËRORE NË PRONË PRIVATE, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI SHITËS, DHE SHOQËRISË “LION CONSTRUCTION”, SH.P.K., SI BLERËS, PËR PASURITË SHTETËRORE NR.6/76 DHE NR.6/187, NË FUNKSION TË PLANEVE TË PËRGJITHSHME VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim, të vendimit nr.807, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshme vendore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si shitës, dhe shoqërisë “LION CONSTRUCTION”, sh.p.k., si blerës, për pasuritë shtetërore nr.6/76, me sipërfaqe 205 m2, dhe nr.6/187, me sipërfaqe 85 m2, në funksion të planeve të përgjithshme vendore, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse të këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.926, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET DHE PROCEDURËN E SHITJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në fund të pikës 27, të kreut III, të vendimit nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar,  bëhet shtesa, me këtë përmbajtje:

“Në rastet kur për objektin që privatizohet ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes dhe kanë shprehur interes për blerjen e objektit, duke bërë pagesën e vlerës së plotë të tij, janë të detyruar që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit me shkrim nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë, të nënshkruajnë kontratën e shitjes për objektin me drejtorin e ndërmarrjes (apo përfaqësues të autorizuar të tyre dhe të organit që e ka në pronësi, ruajtje apo varësi administrative objektin) dhe drejtorin e strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë.

Njoftimi për të lidhur kontratën e shitjes me strukturën përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë, i bëhet secilit bashkëpronar që gëzon të drejtën e parablerjes, në bazë të një vendimi për njohje, kthim dhe kompensim prone, si dhe për faktin që secili prej tyre jo vetëm ka aplikuar për privatizimin e objektit, pronë shtetërore, që ndodhet mbi truallin e tyre por njëkohësisht ka përmbushur personalisht të gjitha detyrimet financiare, sipas legjislacionit në fuqi.

Në rast se një ose disa bashkëpronarë nuk paraqiten para zyrës noteriale për lidhjen e kontratës për pjesën takuese të dakordësuar, për të cilën kanë përmbushur rregullisht të gjitha detyrimet financiare, si dhe kanë marrë dijeni efektivisht, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë u jep atyre një mundësi të dytë për t’u paraqitur, duke shtyrë në këtë mënyrë lidhjen e kontratës së shitjes për një datë tjetër.

Në rast se edhe pas njoftimit të dytë një ose disa bashkëpronarë, të cilët kanë përmbushur rregullisht të gjitha detyrimet financiare, nuk paraqiten pa ndonjë shkak të ligjshëm që të justifikojë mungesën e tyre, përveç rasteve të forcës madhore, struktura për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë u ofron bashkëpronarëve të tjerë, të cilët janë paraqitur, që të parapaguajnë për pjesën takuese të bashkëpronarëve në mungesë dhe lidh kontratën përfundimtare të shitjes vetëm me këta bashkëpronarë.

Shuma financiare, që bashkëpronari/ët në mungesë ka/kanë parapaguar dhe nuk është/janë paraqitur për sa më sipër, depozitohet në një llogari të posaçme në një nga bankat e nivelit të dytë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga lidhja e kontratës së shitjes, duke u njoftuar për këtë fakt nga struktura për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë.

Në rast se bashkëpronarët e paraqitur refuzojnë të paguajnë për blerjen e pjesës takuese të bashkëpronarëve në mungesë, kuota që këta bashkëpronarë refuzojnë të blejnë do të vazhdojë të ekzistojë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës me bashkëpronar shtetin.

Në rast se të gjithë bashkëpronarët heqin dorë nga lidhja e kontratës së shitjes, pasi janë kryer të gjithë hapat e mësipërm proceduralë edhe pas njoftimit të dytë dhe nuk kanë paraqitur për këtë fakt asnjë shkak të ligjshëm që të justifikojë mungesën e tyre, struktura për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë anulon procedurat e shitjes së objektit si dhe urdhëron kthimin e të gjitha pagesave financiare që ata kanë kryer.

Objekti i paprivatizuar do të vazhdojë të ngelet pronë shtetërore, duke pasur të drejtë shteti shqiptar ta administrojë me çdo formë të lejuar nga legjislacioni në fuqi, enfiteozë/lidhje kontratë qiraje me të tretët etj., investim për interes publik etj.).

Procedurat e privatizimit të objekteve apo të ndërmarrjeve, të realizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe ish-Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në ish-Ministrinë e Financave, me të drejtën e parablerjes për ish-pronarët e truallit, për të cilat janë kryer pagesat e plota për blerje, por që nuk janë përfunduar këto procedura (nënshkrimin e kontratave të shitjes dhe dorëzimi i pronës), do të përfundohen sipas procedurave të këtij vendimi.”.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR MËNYRËN E FUNKSIONIMIT të KOMITETIT TË PËRZGJEDHJES SË PROJEKTEVE TË KONCESIONIT/PPP DHE KRITERET PËR VLERËSIMIN E KËRKESAVE TË AUTORITETEVE KONTRAKTUESE PËR MBËSHTETJE ME EKSPERTIZË TË SPECIALIZUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 12/1, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores për mënyrën e funksionimit të Komitetit të Përzgjedhjes të Projekteve të Koncesionit/PPP dhe kriteret për vlerësimin e kërkesave së autoriteteve kontraktuese për mbështetje me ekspertizë të specializuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, PËR VITIN 2018, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë, për vitin 2018, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.