Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave, datë 30 Mars 2020:

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E KOEFICIENTIT TË INDEKSIMIT TË BAZËS SË VLERËSUAR TË VITIT 2018, PËR LLOGARITJEN E PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 dhe 59, pika 1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2018, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit, të jetë 2.4 për qind.

2. Për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar, të miratuar me vendimin nr.571, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për koeficientët e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve” dhe me vendimin nr.180, datë 4.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për llogaritjen e pensioneve”, shtohen edhe me koeficientin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

3. Në vitin 2020, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koeficientët vjetorë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, nuk mund të jenë më të larta se:

a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekësh, e përcaktuar me vendimin nr.809, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, prej 114 670 (njëqind e katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë) lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit, të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

5. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mbështetje të vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.571, datë 3.10.2018, dhe nr.180, datë 4.4.2019, si dhe të këtij vendimi, harton dhe shpall tabelën e koeficientëve të indeksimit të bazës së vlerësuar për periudhën deri në vitin 1994 dhe për vitet në vazhdim, deri në vitin 2019, si dhe ngarkohet për zbatimin e tyre.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.4.2020.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

INDEKSIMIN E PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 61 e 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 24, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të nenit 6/1, të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”, të nenit 8, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.29/2019, “Për për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Indeksimin, në masën 2.3 për qind, të:

a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar;
c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;
d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar;
dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966;
e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji;
ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;
f) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”;
g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar;
gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
h) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;
i) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;
j) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
k) shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, të ndryshuar;
l) pensioneve shtetërore te posaçme, të caktuara në përputhje me nenin nr.5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar;
ll) përfitimeve të caktuara sipas ligjit nr.29/2019, “Për për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;
m) trajtimeve të veçanta financiare për pensionistët dhe personat që kanë humbur pjesëtarë të familjes nga tërmeti i datës 26.11.2019, sipas nenit 5/1/a, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar.

2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.4.2020 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.3.2020, përfshirë edhe këtë datë.

3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi të të drejtës deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2020 nuk do të jenë më pak se 14 069 (katërmbëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë në muaj dhe më shumë se 28 139 (njëzet e tetë mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë) lekë në muaj.

4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2020 nuk do të jenë më pak se 9 634 (nëntë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) lekë në muaj, por jo më shumë se 14 069 (katërmbëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë në muaj.

5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.4.2020 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 14 069 (katërmbëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë në muaj.

6. Përfituesit e pensioneve, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, si dhe nr.150/2014, të caktuara me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, përveç pensionit, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave pas indeksimit të pensioneve sipas pikës 1, të këtij vendimi, të jetë:

a) deri në 15 719 (pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e nëntëmbëdhjetë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr.150/2014;
b) deri në 15 219 (pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e nëntëmbëdhjetë) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;
c) deri në 10 324 (dhjetë mijë e treqind e njëzet e katër) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar.

7. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, nr.763, datë 27.12.2006, nr.415, datë 27.4.2009, dhe nr.477, datë 30.6.2010, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga 1.4.2020 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 719 (pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e nëntëmbëdhjetë) lekë në muaj.

8. Përfituesit e pensioneve, sipas shkronjave “a”, “e” dhe “gj”, pikës 1, të këtij vendimi, me datë fillimi të pensionit deri më 31.12.2014 dhe përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve në pikat 6 dhe 7, të këtij vendimi, do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, dhe nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.

9. Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit nr.32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.4.2020 e në vazhdim të jetë 7 674 (shtatë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë.

10. Efektet financiare, për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 2 100 000 000 (dy miliardë e njëqind milionë) lekë, përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, të parashikuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të vitit 2020, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:

a) 2 083 000 000 (dy miliardë e tetëdhjetë e tre milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve;
b) 17 000 000 (shtatëmbëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a.

11. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi dhe për nxjerrjen e udhëzimit teknik të zbatimit të tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.4.2020.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.