Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Më duket e udhës që t’i kthehem vendimit të parlamentit holandez, por duke e parë atë nga sfondi i një feste absurde që u zhvillua në oborrin e opozitës në Tiranë, si rezultat i atij vendimi. Një festë fyese dhe deri, besoj pa e ekzagjeruar aspak, përbuzëse për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, në kushtet kur ai vendim u përcoll nëpër kanalet televizive dhe ato dixhitale si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ndërkohë që është një vendim thjeshtë dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda, ku nuk është sekret, ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, intensivisht kundër emigrantëve, intensivisht kundër shqiptarëve.

Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste, në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës, në Bashkimin Europian dhe agresive kundër politikës europiane të zgjerimit.

Është një procedurë parlamentare, e cila nuk ka asnjë implikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe për të shpjeguar pak më konkretisht, të gjithë duhet ta kenë parasysh se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere objektive, asnjë prej të cilave nuk përkon me realitetin e faktorit – nëse mund ta quajmë kështu, – shqiptar, në Holandë.

Më e bukura është që ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë e Holandës, i pranishëm në seancën parlamentare, në fjalën e tij reagoi duke thënë pikërisht këtë, që nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për të adresuar këtë problematikë me një vendim të parlamentit.

Ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë në Holandë, i cili vizitoi përpara pak ditësh Shqipërinë dhe u shpreh me tone shumë pozitive, në raport me të gjithë ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në adresimin e këtyre pikave që do të përbënin një arsye objektive për t’u konsideruar vendimi i parlamentit holandez.

Së pari, duhet të ketë një rritje të qëndrueshme të emigracionit të parregullt nga një vend, në vendin përkatës të Bashkimit Europian dhe konsiderohet si rritje e qëndrueshme dyfishimi i atyre që emigrojnë në mënyrë të parregullt. Fakti flet për rënie e jo për rritje, e lëre më pastaj për dyfishim të emigracionit të parregullt.

Së dyti, duhet që rritja e numrit të azilkërkuesve në vendin përkatës të BE-së nga vendi që konsiderohet si burim i problemit, të jetë dyfish. Jo vetëm që nuk ka një rritje dyfish të azilkërkuesve shqiptarë në Holandë, por ka rënie.

Së treti, duhet të konstatohet mungesë vullneti në bashkëpunimin mes vendeve për kthimet e emigrantëve të parregullt, në bazë të të gjithë legjislacionit dhe të konventave ndërkombëtare. Jo vetëm që nuk ka rënie të bashkëpunimit, por ka rritje të bashkëpunimit, e konstatuar kjo nga autoritetet holandeze dhe e nënvizuar kjo edhe në vizitën e fundit e ministrit për drejtësinë dhe sigurinë e Holandës.

Së katërti, duhet që vendi, i cili merret në shqyrtim dhe ndaj të cilit pretendohet të vihet në lëvizje procesi i ndalimit të lëvizjes së lirë, të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit që ndërmerr këtë procedurë. Nuk ekziston.

Së pesti, duhet të konstatohet kthimi mbrapa në zbatimin e të gjithë kritereve teknike të përcaktuara për lëvizjen e lirë dhe këto kritere teknike vlerësohen dhe gjykohen në mënyrë sistematike nga Komisioni Europian, i cili në dhjetor të vitit të kaluar, në vlerësimin e tij rutinë ka nënvizuar se Shqipëria i plotëson 100% këto kritere.

Thënë të gjitha këto, qeveria holandeze nuk ka ndërmarrë ende dhe nuk ka dhënë ende shenjë se do të ndërmarrë hapin që në bazë të vendimit të marrë nga parlamenti, në kushtet e një fushate elektorale ku këto tema dhe kur shqiptarët janë bërë mish për top për parti, të cilat duan vota dhe shkelin me këmbë dinjitetin e shqiptarëve pa dashur t’ia dinë fare, – t’i drejtohet Komisionit Europian. Pastaj, Komisioni Europian, në rast se ka një adresim nga qeveria përkatëse, në këtë rast qeveria holandeze, merr dhe shqyrton kriteret për të cilat sapo fola, të cilat janë kritere objektive, jo subjektive. Janë kritere teknike, jo politike. Bazohen në shifra dhe në fakte, jo në retorikë dhe në politikën e kalljes së datës dhe e futjes së ankthit tek popullata nga rreziku që vjen nga të huajt, nga emigrantët apo nga shqiptarët që po vijnë. Në një vend ku flitet për krim etnik shqiptar dhe ku ka një shifër shumë të thjeshtë.

Shqiptarët përbëjnë 0.2% të personave me precedentë penalë, apo me çështje penale në Mbretërinë e Holandës.

Kjo nuk e minimizon fakti se ka grupe kriminale, të cilat veprojnë në atë vend, por ama nuk mund të hedhë hije as mbi faktin se ne kemi forcuar dhe po vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërqeveritar me Holandën, gjë për të cilën autoritetet holandeze kanë një vlerësim shumë pozitiv.

Nëse Komisioni Europian hipotetikisht gjykon se kriteret objektive, pra dyfishimi i emigracionit të parregullt nga Shqipëria, dyfishimi i numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, rënia e bashkëpunimit për kthimet, rreziku i Shqipërisë si vend që kërcënon sigurinë kombëtare të Holandës dhe kriteret e tjera janë të gjitha të ndryshme nga ato që janë në fakt, atëherë Komisioni nuk vendos. Ia dërgon Këshillit Europian. Këshilli Europian është forumi ku përfaqësohen të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe ku duhet konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të çuar më tutje procedurën dhe ka një nen të veçantë në rregulloren e funksionimit që nuk është përdorur kurrë, që është shumica e cilësuar e vendeve të Këshillit Europian, në rast se ka reagim nga një vend përkatës për të vendosur veton kundër konsensusit. Dhe në gjithë këtë skenar imagjinar, nëse garantohet shumica e cilësuar gjë që nuk është përdorur kurrë në historinë e Këshillit Europian për të pranuar këtë procedurë, atëherë i çohet Parlamentit Europian, pra është një rrugëtim procedurial i atillë, që mjafton të njohësh procesin për të kuptuar se e gjitha ajo që ka ndodhur është futja në funksion e disa partive politike, të cilat janë haptazi parti me një vokacion në kundërshtim me vlerat dhe me parimet që mbrojnë partitë normale pro europeiste dhe në kushtet e një fushate elektorale, por duke pasur dhe dijeni të plotë se kjo është e gjitha një shfaqje politike me sfond elektoral, janë bashkuar edhe vota të tjera për të mos u vënë nën trysninë e mëtejshme të atyre partive që pastaj të dalin në fushatë e të thonë, ja, ne deshëm, ata nuk deshën, e kështu me radhë.

Një lojë e brendshme, në një dinamikë të brendshme, që ka përcaktuar një vendim për interesa të brendshëm e që nuk impakton asesi, në asnjë mënyrë, lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Por, nuk është kjo pjesa më e rëndë.

Tanimë ne jemi mësuar me Europën ku jetojmë.  Ne jemi mësuar me mënyrën se si funksionojnë vendet anëtare dhe se si politika e zgjerimit e bazuar në vizionin e një Europe të plotë gjen gjithmonë e më shumë reagim nga forca nacionaliste, populiste, e kështu me radhë, por ajo që është e pagëlltitshme është festa në Tiranë e atyre që për shkak se janë të dominuar nga urrejtja, kanë humbur logjikën. Për shkak se janë të dominuar nga dëshpërimi, kanë humbur pikat e referimit tek disa vlera, të cilat politika shqiptare, edhe në ditët e veta më të zeza,  gjithsesi i ka ruajtur instinktivisht, kur ka qenë fjala për një temë kaq të madhe sa c’është tema e integrimit europian të Shqipërisë. Një festë e neveritshme, e cila i drejtoi të gjithë tytat atyre topave për të hedhur fishekzjarrët dhe kapsollat në shtëpitë e shqiptarëve, duke u përpjekur të transformojë atë procedurë dhe atë vendim, në një tjetër argument, të një lufte politikë të brendshme të dëshpëruar këtu në Tiranë, e cila u katandis dhe do të katandiset keq e më keq, në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen t’i vënë zjarrin, jo institucioneve, por t’i vënë zjarrin ardhmërisë së vendit, t’i vënë zjarrin shpresave, ëndrrave dhe perspektivës së vendit. T’i vënë zjarrin vetë vendit, është e pafalshme dhe e pagëlltitshme. Si mundet shqiptarë, njësoj si ne, se në fund të ditës jemi të gjithë njësoj, jemi shqiptarë, të preferojnë të bëhen zëdhënës të atyre që shqiptarët i kanë kthyer në mish për top në vendin e tyre duke i përdorur si dele të zezë, duke i stigmatizuar qëllimisht për të krijuar tek elektorati i tyre dhe tek njerëz të painformuar, tek njerëz të mllefosur, të inatosur, të shqetësuar për 1001 arsye, të bëhen bashkë. Si mund të bëhen bashkë këto dy gjëra? Si mundet të bjeri dinjiteti i disa forcave politike shqiptare, në pikën që të mos ekzistojë më dhe që këto forca politike shqiptare të përdorin antishqiptarët, ata që janë haptazi kundër shqiptarëve, ata që i stigmatizojnë shqiptarët si një vend kriminelësh, si një komb kriminelësh, si një popull kriminel dhe që flasin për krim etnik, ndërkohë që krimi nuk ka ngjyrë, krimi është krim, kriminelët janë kriminelë kudo ku janë. Kjo është realisht e neveritshme.

Pse e bëjnë këtë?!

Si mund të arrijnë deri këtu?!

Si mundet që lufta e verbër për pushtet ta çojë një parti politike, deri në këtë pikë?! Të çojë disa parti politike deri në këtë pikë?!

Si mundet që dëshpërimi i humbësit të arrijë deri në pikën ku humbësi të presë rrënjët dhe të sillet me vendin e vet si të ishte armik i vendit të vet?!

Si mundet që lufta politike në Shqipëri të katandiset deri në derexhenë ku, ata, të cilët braktisën detyrën kthehen në zëdhënës entuziastë të atyre që nuk duan ta shikojnë me sy Shqipërinë e nuk dua t’ia dëgjojnë emrin Shqipërisë.

Si mundet që alibitë e atyre politikanëve, atyre forcave politike, të gjejnë vend këtu, në vendin tonë, të gjejnë zëdhënës këtu në vendin tonë, të gjejnë jehonë këtu në vendin tonë ndërkohë që sot do duhej të ishte ndryshe dita e politikës shqiptare, ku pavarësisht gjithçkaje që na ndan, duhet të na bashkojë Shqipëria e duhet të na bashkojë bindja se dinjiteti i Shqipërisë në sytë e të huajve nuk negociohet.

Dinjiteti i Shqipërisë në sytë e atyre që shqiptaret i kthejnë mish për top për fushatat e tyre elektorale, nuk negociohet. Si mundet?

Ne jetojmë në një sistem që e ka mosdakordësinë në themelin e vetë. E kemi zgjedhur këtë sistem. Nuk është një sistem i konsensusit dhe dakordësisë për gjithçka. Është një sistem ku mosdakordësia është baza e bashkëjetesës, por ama nga mënyra se si nuk jemi dakord varet dhe cilësia e kësaj bashkëjetese, varet dhe cilësia e funksionimit të të gjithë mekanizmave shoqërorë, se mund të mos jesh dakord për shumëçka, por tjetër është kur mosdakordësia është një arsye për të motivuar debat, për të motivuar alternativa, për të motivuar beteja, sado të ashpra që përfundojnë me gjykimin e popullit sovran dhe tjetër është kur mosdakordësia përkthehet në thirrje të përditshme e të përnatshme për zjarr, për sherr, për rrëmujë, për konflikt, për shporrje, për zhdukje, për vdekje. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. E mbi të gjitha, është momenti për t’ju thënë shumë miqësisht, shumë vëllazërisht, shumë sinqerisht të gjithë atyre që kanë 1001 arsye që të mos e duan këtë qeveri. Kanë pasur dhe kanë 1001 arsye që të mos e kenë votuar dhe të mos e votojnë këtë qeveri, që shkuarja pas Berihait të këtyre forcave, të degraduara deri në pikën ku janë gati të përqafojnë çdokënd që është gati ti fusi një shkelm Shqipërisë në një proces që nuk është i Partisë Socialiste, por është i të gjithë shqiptarëve, dëmton drejtpërdrejtë ata vetë. E dëmton drejtpërdrejtë një njeri që merret me biznes të vogël, që nuk e do këtë qeveri, mbështetja e atyre që në dukje e kanë me qeverinë, por në fakt dëmin ia bëjnë Shqipërisë.

E kam thënë dhe e përsëris, qeverisë nuk kanë çfarë t’i bëjnë, dhe kjo është më e pakta.

Nuk e ndryshojnë dot qeverinë me kapsolla, nuk e ndryshojnë dot qeverinë duke kënduar himnin stonato. Sado stonato ta këndojnë himnin kombëtar qeveria nuk lëviz.

Nuk e ndryshojnë dot qeverinë duke kërcënuar, shantazhuar, penguar, duke bllokuar.

Nuk e ndryshojnë dot shumicën në këtë parlament, s’kanë se si, është e pamundur. Edhe sikur të arrijnë të futen këtu dhe të fillojnë të këndojnë këtu këngë patriotike.

Parlamenti nuk janë këto mure, nuk është tavani. Parlamenti është mishërimi i vullnetit të popullit sovran me votë tek 140 vetë, që për sa kohë kanë atë mandat janë populli sovran i përfaqësuar në parlament.

Por ama, nëse nuk kanë ç’i bëjnë qeverisë, shumicës qeverisëse, kanë shumë ç’i bëjnë për keq ekonomisë, Shqipërisë në rrugën e vet të zhvillimit dhe jo Shqipërisë si një nocion abstrakt, por shqiptarëve si njerëz me mish e me kocka, si njerëz që janë prindër, si njerëz që janë bijë e bija, si njerëz që punojnë, si njerëz që kërkojnë një punë, si njerëz që studiojnë, si njerëz që bëjnë një biznes, e kështu me radhë.

Dëmtohet gjithsekush, përveç atyre që janë turistë politikë, që mbyllin dyert e bashkive, hipin nëpër autobusë dhe vijnë këtu me kapsolla. Ata janë turistë politikë. Të tjerët të gjithë dëmtohen, të gjithë pa përjashtim. Këtu është e rëndësishme ta dëgjojnë të gjithë që kjo nuk varet nga ne. Çfarë varet nga ne, ne jemi përpjekur ta bëjmë dhe do të përpiqemi ta bëjmë edhe më mirë edhe në aspektin e krijimit të hapësirave për t’i dhënë edhe më shumë garanci kujtdo që pretendon se do më shumë garanci. Por ama, ky Parlament vjen nga zgjedhjet më të pakontenstuara në historinë e parlamentit shqiptar. Zgjedhjet e vitit 2017 nuk kanë asnjë ankesë në asnjë nga 5500 komisione. Asnjë!

Janë të parat zgjedhje në historinë e pluralizmit ku Kolegji Elektoral nuk ka trajtuar asnjë çështje. Është hera e parë që zgjedhjet kontestohen, një vit e gjysmë me vonesë. Pse?! Për një arsye shumë të thjeshtë sepse vijnë zgjedhjet e tjera.

Zgjedhjet e tjera janë në prag dhe kanë po atë përfundim. Do të humbasin ata, që nuk kanë çfarë t’i ofrojnë njerëzve, asgjë tjetër përveçse sharjeve, akuzave, shpifjeve, kapsollave, fishekzjarrëve, shantazheve, kërcënimeve. Çfarë tjetër?! Asgjë tjetër!

Tani ka edhe një ofertë tjetër, e cila për një moment mund t’i ketë ndezur gjakrat dhe çelur pak sytë e atyre mbështetësve të verbër përgjithësisht, se me këtë lloj xhiroje do rrëzohet qeveria, do bjeri Parlamenti, e do të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe tani na qenkan edhe shumicë. Ajo shumicë që rezulton të jetë 170 mijë vetë në bulevard, sipas tyre, do çliroka Shqipërinë dhe do merrka pushtetin.

Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta lësh mendjen pushim dhe të shkosh verbërisht pas dikujt që të pranosh çmenduri të tilla. Sidoqoftë ne jemi në këtë hall që duhet të përballemi me këtë soj, me sojin më të degraduar politik. PD ka qenë gjithmonë kundërshtarja jonë, PD ka një histori të gjatë eksesesh, ka një histori të gjatë marrëdhëniesh problematike me institucionet, qoftë në opozitë, qoftë kur ka qeverisur, por kjo, refuzimi me firmë i mandatit për të përfaqësuar atë që të ka besuar ty të shkosh në Parlament është diçka e re edhe për vetë PD dhe diçka që nuk e pranon dhe s’ka për ta pranuar askush.

Nuk ka shans që të gjendet në këtë rruzull një demokrat i vetëm i një force të vetme politike, demokratike, në Europë, Amerikë dhe Australi që të pranojë që kjo është diçka për të cilën ia vlen të bisedojmë.

Jelekët e verdhë dalin nga shtëpia në rrugë për të djegur. Kjo është diçka e rëndë, por jo e re, por parlamentarët dalin nga Parlamenti në rrugë për të veshur jelekun e verdhë kjo është diçka e re.

Jelekun e verdhë e vesh një individ që ka ndjesinë që s’po dëgjohet, që nuk e përfill kush nuk e dëgjon kush dhe thotë po vesh jelekun e verdhë që të më identifikojnë nga ngjyra edhe po vë flakën që të më shikojnë se sa i zoti jam të shkatërroj. Por, një parlamentar të dali nga Parlamenti e të veshi jelekun dhe të pretendojë që kështu forcohet demokracia, kështu çlirohen institucionet, kështu sistemi merr një cilësi të re. Kjo është një shprehje monumentale e dëshpërimit dhe është kurorëzimi i një rruge pakrye, i një partie pa kokë, pa sy, pa veshë, pa zemër, pa asgjë.

Ndërkohë që, ne s’kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të vazhdojmë drejt dhe të përpiqemi të fitojmë sfidat tona. Sfidat tona nuk kanë qenë dhe nuk janë të fitojmë zgjedhjet. Zgjedhjet ne i kemi fituar, do t’i fitojmë për sa kohë s’do ketë një alternativë që të na verë në pozitë të vështirë me shumicën dërrmuese të njerëzve, të cilët i kanë sytë në ballë, të cilët kanë një mijë arsye për të qenë kritikë ndaj nesh, por s’kanë asnjë arsye për të shkuar pas berihait.

Sfidat tona janë të mëdha edhe për arsye se duhet të mbrojmë pozicionet që Shqipëria ka fituar ndërkohë në ekonomi. Të mbrojmë pozicionin në raport me procesin e rritjes së punësimit. Nuk e themi ne, nuk e them unë, e thotë raporti i Bankës Botërore, kemi krijuar më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2018.

Janë fakte!

Sa herë e kam thënë që mos dëgjoni kur flasin për statistikat, merrni librin e llogarive të shtetit, shikoni sa shqiptarë paguanin sigurime dhe takse dhe sa shqiptarë paguhen për punën sot në krahasim me dje, është shumë e thjeshtë.

Është shumë e thjeshtë të mbrojmë pozicionin që kemi fituar dhe ta zhvillojmë më tutje turizmin, që është një industri, e cila ka nisur të zhvillohet më në fund, ashtu siç na duhet, por që është ende e brishtë dhe që kërcënohet nga të gjithë këto zhvillime.

Fatkeqësisht ata synojnë me çdo kusht të pengojnë çeljen e negociatave dhe përpiqen të thonë dhe të bindin shqiptarët se negociatat varen nga qeveria dhe nga kryeministri. Ndërkohë që ajo që varet nga qeveria dhe nga kryeministri është çfarë do të thotë Komisioni Europian, i cili bazohet në kritere teknike, bazohet në kritere objektive, bazohet në hapat e hedhur nga vendi në raport me ato prioritete që janë përcaktuar si prioritete kyç në çeljen e negociatave. Qeveria dhe Kryeministri i Shqipërisë nuk kanë shumë në dorë për të ndryshuar mendjen e atyre që votuan për të hequr vizat me Shqipërinë, të nisur nga një pozicion politik që nuk ka asnjë lidhje me pozicionin tonë politik, nuk ka asnjë lidhje me pozicionin tonë si vend, në raport me negociatat.

Ata që e nisën atë procedurë, janë individë dhe forca që e kanë ngritur suksesin e tyre dhe e bazojnë përfaqësimin në parlamentin e atij vendi, tek sa të zotë janë që t’i fusin frikën votuesve të tyre nga shqiptari.

Ashtu sikundër, qeveria dhe Kryeministri nuk kanë në dorë të ndryshojnë trajektoren e debatit të brendshëm në Francë me një kryetare partia atje që del në debat me të tjerët dhe ju thotë nuk i njihni ju shqiptarët, se i njeh ajo. Por shqiptarët i duhen siç i është dashur gjithmonë politikës së asaj natyre, një armik, një rrezik, një kërcënim për të thithur sa më shumë konsensus nga njerëz të mllefosur, të inatosur, të painformuar që nuk e kanë fare nga shqiptarët, por që stimulohen nga frika nga i huaji, stimulohen nga nevoja për të refuzuar të huajin. Ama një gjë besoj se mund ta them me siguri, që ne këtu, në këtë parlament i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë gjërat e duhura, sëbashku, me zonjat dhe zotërinjtë që patën kurajën të bëjnë një zgjedhje të ndryshme nga partitë, të cilat i vendosën në listë.

Kemi mundësi të adresojmë gjithë problematikën e përmirësimit të zgjedhjeve, duke pasur parasysh në radhë të parë rekomandimet e OSBE/ODIHR për të cilat Këshilli Europian na ka kërkuar si vend të reagojmë. Patjetër kemi mundësi të diskutojmë edhe tema të tjera, nëse ka një mosdakordësi lidhur me sistemin, i rikthehem asaj që thashë për mosdakordësinë.

Ne nuk jemi dakord, por mënyra jonë për të mos qenë dakord nuk është që të mos i japim mundësi palës tjetër  që të thotë çfarë mendon dhe çfarë kërkon dhe si e kërkon dhe ta argumentojë. Ne jemi të hapur që të diskutojmë pa qenë të detyruar të biem dakord, por sigurisht duke pasur bindjen se kështu arrijmë të komunikojmë dhe arrijmë të vendosim një standard tjetër. Ne kemi mundësinë së bashku të adresojmë në Kodin Penal shumë shpejt disa masa të reja për integritetin e votës, për shitblerjen e votës, kemi mundësi ta bëjmë këtë gjë. Ne do bëjmë propozimet tona. Palët e tjera këtu mund të bëjnë propozimet e tyre dhe ne mund ta shtrëngojmë më shumë rrethin për ata të cilët janë si të thuash ushtrues të këtij aktiviteti të paligjshëm në fushatë, por nga ana tjetër, më falni, por sot, tani, sot që flasim, këto javë, parlamenti italian ka një diskutim për shit-blerjen e votës. Pra parlamenti italian, ekonomia e pestë më e madhe e botës, një nga vendet themeluese të Bashkimit Europian diskutojnë sot shitblerjen e votës. Ka në Itali deputetë të dënuar për bashkëpunim me mafien edhe për votat, ama nuk ka një njeri, një individ që të çohet e të thotë që meqë forca politike filan dhe deputeti filan force politike është gjykuar nga gjykata italiane se ka pranuar si dhuratë nga mafia në një zonë të caktuar një numër të caktuar votash, zgjedhjet në atë zonë janë të pavlefshme apo në gjithë Italinë janë të pavlefshme, kjo është e pakonceptueshme, për më tepër që këtu jemi në kushtet kur kemi të bëjmë me llafe, jo me fakte, jo me prova dhe këto janë çështje, të cilat i takon drejtësisë t’i trajtojë. Ndërkohë që ne si parlament kemi detyrën t’i adresojmë me të gjitha mjetet që kemi ne në dispozicion dhe Kodi Penal është një instrument i krijuar për këtë, ashtu sikundër ne këtu do të vijmë shumë shpejt me ligjin kundër shpifjes dhe për të rregulluar të gjithë aktivitetin e mediave online. Nuk mundet dot të vazhdojmë të jemi mish për top i kujtdo që i teket të shpifë, të sajojë, të na futet nëpër shtëpia e të sakatojë të madh e të vogël në emër të lirisë. Këtu do të vijmë shumë shpejt, e kemi premtuar, kemi punuar ngushtësisht dhe me OSBE-në. Me një draft të dakordësuar me OSBE-në do të vijmë në parlament e do të kërkojmë që të shtrëngohet qartë me ligj rrethi i atyre që e kanë kthyer botën mediatike në llum dhe që e bëjnë të pamundur për njerëzit që të ndajnë kush informon e kush sajon. Kush i shërben publikut e kush i thith gjakun individëve dhe një opinioni të tërë publik. Në këtë aspekt, jemi plotësisht gati që të bëjmë bashkëpunimet e duhura dhe kemi thënë edhe tjetrën që jemi gati të pranojmë të komunikojmë, të diskutojmë edhe me ata të cilët janë dhënë pas kapsollave. Jemi gati, në Komisioni e Reformës Zgjedhore, kanë vendin e tyre, si vëzhgues, me status special, të vijnë. Se nuk kemi çfarë bëjmë. Kemi një parti demokratike parlamentare, kemi dhe një parti demokratike rrugore. Me partinë demokratike rrugore jemi gati të gjejmë mënyrën që të diskutojmë në një pit-stop në parlament, por nuk mund të dalim në rrugë dhe të bëjmë një garë se kush hedh më shumë kapsolla, ai ka të drejtë. Këtë nuk e bëjmë dot, nuk e kemi këtë mundësi.

Duke e mbyllur, unë dua ta përsëris që është e turpshme, është e pajustifikueshme, është e pagëlltitshme festa që u bë në Tiranë nga ata të cilët i janë dhënë kapsollave për vendimin e parlamentit holandez kundër shqiptarëve, një vendim kundër dinjitetit të çdo shqiptari dhe ndërkohë e përsëris, nuk ka nevojë fare të dëgjohem unë, mjafton të dëgjohen fjalët e ministrit për Drejtësinë dhe Sigurinë të ministrit holandez në atë seancë, i cili në atë seancë tha se nuk ka kushte për të çuar përpara një procedurë për heqjen vizave për shqiptarët. Kush ëndërron se në Shqipëri do bëhet kiameti e pas kimetit do vijë radha të sundojë përsëri në këtë vend shikon një ëndërr që nuk do realizohet asnjëherë. Me të gjitha vështirësitë e krijuara nga vetë shqiptarët brenda sepse në fund të ditës po rezulton më e vështirë për t’u marrë vesh me shqiptarët se sa për të bërë shumëçka tjetër, me një pjesë të shqiptarëve që fatmirësisht janë pakicë e pakicë do të mbeten, ne do t’i bëjmë gjërat përditë e më mirë dhe do të përpiqemi bashkërisht që për të mirën e përbashkët të kapërcejmë mbi të gjitha hendeqet e të shkuarës.

Shumë faleminderit!

 

* * *

 

Replikë me deputeten e Partisë Demokratike Rudina Hajdari:

 

Zonja Hajdari të më ndjeni, por unë e kam problem kur më citojnë gabim.

Unë nuk thashë se për këtë vendim të Parlamentit holandez e ka fajin partia demokratike rrugore. Unë thashë diçka tjetër, që është e turpshme që partia demokratike rrugore dhe shoqja e saj e rrugës, Lëvizja  Socialiste për fall festuan në mënyrë cinike dhe përbuzëse për shqiptarët një vendim kundër shqiptarëve. Dhe shpjegova pse vendimi i marrë nga parlamenti është thjeshtë dhe vetëm politikë elektorale në Holandë dhe pse Shqipëria si vend nuk ka asnjë arsye të shqetësohet nga ky vendim, i cili lidhet me një procedurë që ka kritere objektive.

Ka 5 kritere objektive për të riparë regjimin e lëvizjes së lirë në një vend. Duhet të përmbushen këto kritere objektive që të mund të shkohet përpara me procedurën në të gjitha ato shkallët që unë thashë.

A është rritur emigracioni i parregullt dyfish në Holandë?   Jo.

A është rritur dyfish numri i azilkërkuesve shqiptarë në Holandë?  Jo

A ka rënë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Holandës për kthimet?  Jo.

A është Shqipëria rrezik për sigurinë kombëtare të Holandës?  Jo

A ka nënvizuar KE ndonjë lëkundje të Shqipërisë në kriteret që duhen plotësuar rregullisht gjatë gjithë kohës për të pasur regjim të ri të vizave? Jo, përkundrazi. Këto janë këto të pesta.

Parlamenti mund të marrë çfarëdo vendimi të dojë. Unë ju thashë është iniciuar nga disa parti që shqiptarët i kanë kthyer në mish për top nga qëllime elektorale.  Është votuar nga të tjerë për të mos lejuar që të nesërmen të sulmoheshin si njerëz që duan ta hedhin në erë Holandën përmes shqiptarëve dhe kaq. Thashë që Ministri për drejtësinë dhe sigurinë i qeverisë holandeze në atë seancë ka thënë që nuk janë kushtet për këtë procedurë dhe përsërita që procesi shtrihet në një formë që praktikisht e bën të gjithë këtë një vendim ashtu siç është, një vendim politik, për qëllime politike, elektorale në mes të një fushate. Sa kanë dalë nga zgjedhjet rajonale, partitë ekstremiste atje janë rritur dhe kanë zgjedhjet  për parlamentin europian. Unë e kam lexuar që “jo kjo është mikesha e këtij, ky ka ..”,  por nuk i hyj fare kësaj gjëje, pavarësisht që nuk dyshoj fare që mund të jetë edhe një kontribut sado i vogël i partisë demokratike rrugore në këtë proces, pasi ata në të gjitha rrugët e Evropës kur gjejnë ndonjë për të folur, nuk lënë gjë pa thënë për Shqipërinë. Fatmirësisht procesi i integrimit për sa na takon, ka kritere objektive. Ne do të ishim përgjegjës dhe do të jemi përgjegjës si qeveri dhe duhet të japim llogari në rast se Komisioni Europian thotë që nuk i keni plotësuar detyrat. Në rast se KE që gjykon mbi fakte, gjykon mbi të dhënë faktike, jo mbi humoret elektorale të një vendi apo të një vendi tjetër, jep përsëri rekomandimin pozitiv pa kushte, sikundër e paralajmëroi komisioneri Hahn, ne e kemi bërë detyrën tonë. Unë jam shumë simpatizues i opinionit tuaj që duhet t’i mbushim mendjen Holandës, por është një ambicie që e tejkalon imagjinatën time sesi mund t’i mbushet mendja atyre që nuk duan t’ia dinë për kriteret objektive të një procedure dhe shkojnë iniciojnë procesin në parlamentin e tyre sepse faktikisht e kanë me ata që i votojnë atje. E përsa i përket kësaj teorisë që të investojmë më shumë në shëndetësi dhe arsim që të mos ikin shqiptarët jashtë, e di ti zonja Hajdari sa kroatë kanë aplikuar gjatë vitit të shkuar për punë në Gjermani? 100 mijë kroatë. Kroatët janë anëtarë të BE. Prandaj mos them që është shumë e rëndësishme dhe shumë serioze që ne të diskutojmë dhe të bëjmë çmos që të përmirësojmë çdo ditë kushtet në këtë vend, por kush mendon se ne do të zbulojmë çelësin magjik që nuk e ka gjetur asnjë vend për të ndaluar që njerëzit të provojnë veten e tyre dhe të vrapojnë pas ëndrrave  të tyre në vende më të zhvilluara se ne, thjesht ose është naiv ose pastaj bën politikë. Bën një politikë që kush ta hajë, ta hajë. Ndërkohë që e vërteta është se ne marrim një goditje nga fakti se duke mos qenë anëtarë të BE, nuk jemi pjesë e tregut të lirë të punës dhe për të shkuar për të punuar jashtë nuk i kemi rrugët të hapura siç i kanë kroatët, siç i kanë sllovenët  apo siç i kanë polakët apo siç i kanë hungarezët.

I kemi rrugët e mbyllura dhe arsyeja pse njerëzit kërkojnë azil politik, pa pasur bazë sepse në Shqipëri nuk ka luftë dhe nuk ka persekutim, kërkojnë për punë, gjë që kroatët nuk kanë nevojë. I hipin makinës në Zagreb, ndalojnë në Berlin, shkojnë regjistrohen ose kudoqoftë sepse janë pjesë e tregut të lirë të punës. Kështu që, të ndajmë propagandën nga faktet. Patjetër që shqiptarët kanë ikur dhe janë kthyer. Ikin dhe kthehen, kanë ikur dhe do të kthehen. Nuk jemi më në Shqipërinë e shokut Enver, të gjithë të mbyllur brenda këtu dhe askush të mos lëvizi. Përkundrazi, jemi në një vend ku ka mundësi lëvizje, ku ka mundësi për të bërë eksperienca të ndryshme, ku ka mundësi për  të punuar, kur ka mundësi për të fituar më shumë duke lëvizur. Ajo që ne kundërshtojmë dhe ajo që ne themi është e gabuar, është rruga e azilkërkimit ilegal. E përsa i përket azilkërkimit ilegal shifrat kanë rënë, nuk janë rritur. Holanda se ka fare këtë problem për shqiptarët, është me shifra qesharake. I vetmi vend me të cilin ne kemi ngritur një bashkëpunim intensiv për të ulur shifrat e azilkërkimit është Franca sepse ka dhe sistemin më liberal të dhënies së azilit. Por ne kemi mundësi të pakufishme dhe teoria  që këtu njerëzit filluan të ikin, zbuluan atë botën kur erdhi në pushtet Partia Socialiste është diçka që duan ta besojnë ata që e thonë. Nëse ju referoheni shifrave konkrete, statistikave konkrete, realiteti është ndryshe.

Ne, patjetër duhet të bëjmë më shumë dhe të bëjmë çmos që të fitojmë pozicion edhe në ato vende ku e kemi pozicionin më të dobët, jo për shkakun tonë.

Ç’lidhje kanë zgjedhjet europiane në Francë me ne? A mund të ma thuash pak? Çfarë lidhje kanë? Pse duhet zgjedhjet europiane në Francë të përcaktojnë çfarë qëndrimi mbajti Franca ndaj nesh?! Për arsye të kujt? Për arsye të administratës publike në Shqipëri, apo për arsye të krimit e të korrupsionit në Shqipëri? Jo, fare. Për arsye të dinamikës së brendshme atje, që shqiptarët, duke qenë se janë jashtë Bashkimit Europian dhe po trokasin për të hapur derën të kthehen në gogol, siç kanë bërë më parë me bullgarët, me rumunët dhe me të tjerët. E dini ç’propagandë bëhej kur donte Bullgaria të hynte në këtë proces? “Nuk mund t’i pranojmë ata, – thonin holandezët, – se janë vendi që i kanë bërë atentat Papës”. Në Holandë thuhej, “ata i kanë bërë atentat Papës”. Imagjino! Kështu që, në këtë Europë jetojmë. Këto janë kushtet. Nuk i përcaktojmë ne kushtet. Ajo që ne kemi në dorë është të bëjmë detyrën tonë.

A e kemi ne më të mirë, apo e kemi ne më të keq pozicionin seç e kishim, këtë nuk ka nevojë ta diskutojmë. Për këtë i referohemi atyre që na shohin. I referohemi Komisionit Europian. Komisioni Europian e dha rekomandimin pa kushte vjet. Do ta japë përsëri sivjet. Ndërkohë që, nuk e ka dhënë ndonjëherë pa kushte më parë. Atëherë çfarë do të thotë? Jemi në pozicion më të favorshëm, apo më të pafavorshëm? Në momentin kur Shqipëria ka thuajse dyfishuar numrin e turistëve të huaj, nuk flas për turistët që vijnë nga vende të tjera, që janë shqiptarë, flas për të huaj, çfarë do të thotë? Jemi një vend me imazh më të mirë, apo më të keq? Si vijnë? Për çfarë vijnë 6 milionë turistë në Shqipëri? Vijnë të vriten? Vijnë të rrëmbehen nga mafia? Vijnë për të trafikuar drogë? Për çfarë vijnë?

Për çfarë vijnë gjithmonë e më shumë njerëz të interesuar për të bërë investime në turizëm në Shqipëri? Për çfarë? Për të larë paratë e drogës? Për çfarë vjen “Marriott” në Tiranë? Për çfarë vjen “Hyatt” në Tiranë? Për çfarë vjen “Fairmont” në Tiranë? Për të larë paratë e drogës këtu? Prandaj, nuk na gjen gjë dhe nuk është se e dobëson pozicionin opozitar të pasurit e një ideje më të mirë për vendin ku jetojmë. Nuk na gjen gjë. Ka 1001 arsye për ta kritikuar dhe për ta kundërshtuar qeverinë, edhe për të kërkuar për ta marrë qeverinë ju. Ka 1001 arsye. Por s’do ua tregoj unë, siç nuk ua tregova edhe atyre që ishin para jush këtu. S’ua tregoj dot. Unë i di. Ju nuk i gjeni dot, është puna juaj. Ju kapeni me gjëra që njerëzit, sado të jenë larg këtij parlamenti, sado të jenë të painformuar, shqiptarët i ndjejnë me hundë. Nuk ka politikanë më të mëdhenj. Popull më politikan se shqiptarët nuk ka. E fillojnë në mëngjes dhe e mbarojnë në darkë me politikë çdo kafe. Nuk i gënjen dot. Është e pamundur. I kuptojnë. E ndjejnë se kush po i gënjen. E ndjejnë se kush po i mashtron. E ndjejnë se kush po ia fut kot. I ndjejnë të gjitha. Kështu që gjeni arsye se ka plot për të thënë pse ju jeni më të zotë se ne dhe urdhëro merrni votat! S’ka problem! Por të mos e kërkojmë të drejtën, duke i bërë padrejtësi këtij vendi. Të mos ndihemi mirë kur flasim keq për vendin tonë. Të thuash, Shqipëria është vendi i drogës dhe i krimit, nuk është se po thua ndonjë gjë që të ndan ty nga mua, por thua diçka që, ai i huaji që dëgjon thotë, “këta të gjithë janë njësoj”, që s’është e vërtetë. Shqipëria i ka të gjitha problemet që ka, por ka edhe shumë gjëra për të cilat ne kemi të gjitha arsyet që të jemi krenarë.

Mbi të gjitha nuk mundet ne të pajtohemi kurrë, zonja Hajdari, me faktin që çohet një deputet, 2, 5, 40, 200 le të jenë, 2000 mijë le të jenë, të gjithë po të duan le të bashkohen bashkë edhe të thonë shqiptarët përbëjnë rrezik për Europën dhe të përmendin termin “krimi etnik shqiptar”. Çfarë do të thotë krimi etnik shqiptar? Pse me kë i bëjnë shqiptarët këto, vetëm? Ata shqiptarë që janë të përzier me botën e krimit, me kë i bëjnë? Vetëm i bëjnë? Si mund ta pranojmë këtë ne? Si mund të pranojmë që të bëhen shqiptarët dele e zezë dhe të përfliten sikur janë njerëz me bisht. Mund ta pranojmë këtë ne? Si mund të festohet? Si mund të çohet një parti politike të gëzohet, që, “ja, po vihet drejtësia, po hiqen vizat për shqiptarët për shkak të Edvin Kristaq Ramës!” Ç’lidhje ka kjo? Si mund të bjerë deri këtu niveli i përgjegjësisë dhe dinjiteti i njerëzve që merren me politikë në këtë vend, deri në këtë lloj katandie, në këtë lloj derexheje. Si mundet?

Ne mund të mos biem dakord për 1000 gjëra, por ne duhet të jemi dakord për një gjë: ne jemi shqiptarë të gjithë dhe kur shqiptarët të targetohen si etni, kur shqiptarët targetohen si popullatë dhe kur nuk ndahet më shqiptari që punon atje, se shumica e shqiptarëve atje punojnë, bëjnë dhe punë që ata nuk i bëjnë, i shërbejnë edhe ekonomisë së tyre, ndërkohë që Shqipëria është vendi ku ata kanë investime më shumë se shumë vende të tjera dhe ku kompanitë e tyre këtu janë si në shtëpinë e tyre dhe nuk kanë ngritur asnjë problem për asnjë lloj korrupsioni, për asnjë lloj pengese nga shteti shqiptar dhe nuk flas për kompani biznes i vogël, flas për kompani si “SHELL”-i, dakord! Për të investuar në Shqipëri vijnë. Shqiptarët atje për punë i kanë. Si qenka kjo tani, shqiptarët qenkan rreziku që po përmbyt Holandën nga krimi. E ku? Po pse portin e Roterdamit kush e ktheu në “hub” për trafiqet? Shqiptarët?! Kur u kthye në “hub” për trafiqe porti i Roterdamit? Kur dolën shqiptarët në Europë? Jo, ishte shumë kohë përpara. Është dhe do të jetë.

Ajo që po bëjmë me autoritetet holandeze është një punë që ata e vlerësojnë të shkëlqyer vetë, nga pikëpamja e bashkëpunimit, nga pikëpamja e shkëmbimit të informacionit, nga pikëpamja e pengimit të aktiviteteve të paligjshme dhe për këtë ne themi që ka të drejtë ministri i Drejtësisë dhe i Sigurisë së Holandës, që, ai vendim ishte një vendim në hava, pa asnjë impakt mbi pasaportat e shqiptarëve dhe për arsye të zgjedhjeve të tyre elektorale. Nëse ata kanë arritur në konkluzionin, që, duke i bërë shqiptarët gogol marrin më shumë vota, se do t’i mbrojnë njerëzit nga gogoli që ata e krijojnë vetë, kjo është politikë e tyre. Maksimumi që mund të bëjmë ne është që t’i shohim nga larg me keqardhje, por jo ta bëjmë Shqipërinë këtu, Tiranën dhe këto sallonet e kadrinjve arenë për të thënë, “po hiqen vizat se krimi, se këtu, se aty…” “Po hiqen vizat, – thoshte njëri, – nga PPP-të”. Kjo pastaj është fundi. Këtu unë do ju ftoja që të ndahemi realisht nga Partia Demokratike rrugore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.