Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kafen e mëngjesit sot, Kryeministri Edi Rama e pati me një grup gjyshërish në lulishten e një prej këndeve të lojërave të rilindur të Tiranës.  Në një bisedë pa protokoll, pensionistët morën në pyetje Kryeministrin për zhvillime të ditës, ndërsa Kryeministri dëgjoi me shumë interes mendimet e tyre për çështje që lidhen me shumë nga reformat që prekin përditshmërinë e tyre, nga rritja e pagave e pensioneve, ekonomia dhe drejtësia.

Vettingu ishte një nga çështjet që nxiti debatin në tryezë. Këmbënguljes së tyre se përse nuk kryhet Vetting-u, Kryeministri i siguroi se Vetting-u do të bëhet, pavarësisht se opozita po shfrytëzon kompromisin e ofruar gjatë hartimit të reformës, për ta bllokuar atë. “Vettingu duhet të mbarojë. U bënë thirrje për aplikime. Sipas Kushtetues, është ONM që duhet të verifikojë çdo aplikim dhe ka tre lista. Iu është lënë kohë aplikantëve të plotësojnë dokumentet që ju mungojnë. Pastaj do vijnë në parlament. Ne i kemi dhënë opozitës një kompromis, që po e përdor për të bllokuar reformën. Ata kërkuan 50% me 50% të komisioneve. Komisioni i parë është 12 veta dhe komisioni i dytë 6 veta. Nëse ata nuk vijnë, anëtarët e komisioneve nuk zgjidhen. Kjo ka qenë pika që ne i’a dhamë për kompromis dhe që po e përdorin për të bllokuar. E këtu janë zbuluar edhe me partnerët. Sepse partnerët, qoftë amerikanë, qoftë gjermanët kanë negociuar këtë kompromis dhe me kompromisin që kanë marrë, – që s’e ka pasur kurrë 20 e ca vjet opozita me qeverinë, – ata abuzojnë e thonë nuk vijmë. Por ne nuk e lëmë këtë gjë në mëshirë të çadrës. Se si dhe se qysh, hap pas hapi do e zgjidhim. Por nuk diskutohet që ata nuk kanë për ta bllokuar këtë. Nëse do këmbëngulin, në 18 qershor kanë për të marrë një përgjigje. Ata e dinë këtë gjë, sepse, siç bëjmë ne sondazhe ku janë 90% e popullit që duan drejtësi dhe Vetting, edhe ata e dinë.”

Rezistenca ndaj Vetting-ut është e madhe, pasi është pjesa më delikate e Reformës në Drejtësi, që do të pastrojë sistemin e drejtësisë nga abuzuesit dhe të korruptuarit brenda sistemit. “Ata Reformën në Drejtësi e kanë pasur alergji që më parë. Janë përpjekur ta shtyjnë dhe e vërteta është që pa mbështetjen shumë të fortë të amerikanëve dhe të europianëve, reformë nuk bëhej. Problemi është tek pjesa më delikate, që është Vetting-u. Vetting-u do i ndajë ata që nuk vërtetojnë dot pasurinë e tyre, që thonë kam 18 apartamente që mi ka dhënë kunata, vjehrra. Të gjitha do verifikohen dhe nëse deklarata rezulton e rreme, ata shkojnë në burg për mashtrim.”

Opozita, tha Kryeministri, po tenton të spostojë krizën e saj në jetën publike të qytetit. “Nëse do ishte një situatë ku realisht ka një tension në popull kundër reformës, kundër qeverisë, e diskutojmë, por këtu nuk ka tension lidhur me këtë. Kjo është një krizë e spostuar nga SHQUP-i tek Bulevardi dhe kaq. Tani ky është taksirati i atyre që kanë autobusin e Unazës së Re që kalon në Bulevard.”

Reforma në drejtësi, shtoi Kryeministri Edi Rama, është me rëndësi themelore edhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik. “Si do ta bëjmë zhvillimin më të shpejtë, të rrisim punësimin dhe ekonominë, nëse nuk do të kemi më shumë investime të huaja në sektorët e naftës, energjisë, të minierave dhe në turizëm,” – u shpreh ai, duke nënvizuar se rritja e investimeve të huaja është e lidhur drejtpërdrejtë me funksionimin e një sistemi gjyqësor që jep drejtësi.

A i ka mazhoranca votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës? – ishte pyetja e një të moshuari. Pasi shpjegoi procedurën parlamentare të zgjedhjes së kreut të shtetit, Kryeministri nënvizoi se, ndonëse mazhoranca i ka votat për ta zgjedhur që në raundin e parë, do tentojmë që presidenti apo presidentja të jetë një figurë që të ketë një mirëkuptim dhe mbështetje.

Në mbyllje të bisedës, Kryeministri u shpreh se mirëpret dhe vlerëson çdo kritikë, se shumë janë bërë, por ende ka shumë për t’u bërë, po e rëndësishme është të mos ketë kthim mbrapa. “Kemi bërë  shumë, ka shumë akoma për t’u bërë, por rëndësi ka të mos humbim kohë për t’u kthyer mbrapsht. Përtej partive është që të bëjmë gjëra të mira. Ja Tirana, për shembull.  Të dy ata që kanë çadrën e kishin Tiranën. Njëri tek zyra ime, tjetri tek zyra lali Erit. Çfarë bënë?!”

“Ne e nisëm me ekonominë me nga 0 asgjë dhe tani jemi tek 3.5%, – u shpreh më tej Kryeministri, – por rritja ekonomike akoma nuk ka ardhur si duhet tek familjet. Bëmë rritjen e rrogave më të madhe të bërë ndonjëherë. Nuk ka një qeveri në 25 vjet të ketë vënë 100 milionë me një dorë, për të rritur rrogat dhe pensionet dhe pa rritur borxhin, se kjo është më e rëndësishmja. Në fund të marsit, të gjithë marrin rrogën të rritur. Për punonjësit e nivelit më të ulët, ne e rritëm rrogën 36%. Me Europën nuk matemi dot, por po të shikosh rrogat me rajonin, ishim më poshtë se të gjithë dhe tani jemi në mesatare. Ndërsa sa i përket rrogave të ulëta në shtet, ne jemi më lart. Ky është një rezultat i reformave, por duhet akoma punë. Jam i bindur që me programin e ri të investimeve do ta çojmë 5% rritjen ekonomike. Atëherë do të fillojë të ndihet në familjet e vendit.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.