Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Prononcimi i Kryeministrit Edi Rama pas seancës plenare të Kuvendit:

Së pari, dua të nënvizoj edhe sot për të gjithë shqiptarët që salla e Parlamentit ishte një tjetër dëshmi kokëfortë e faktit se ata që janë ngujuar në çadër, janë aty nga frika nga drejtësia. Refuzimi i vazhdueshëm për të mos u bërë pjesë e një procesi historik, që përkon me një aspiratë çerekshekullore të këtij populli për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar dhe për ta shndërruar atë nga një pazar i gjësë së gjallë në një drejtësi europiane, është një njollë e zezë turpi që partia që lindi nga thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” po i vë vetes. Ende më keq akoma, një njollë e zezë që po përpiqet me ose pa vetëdije, por e shtyrë nga frika e madhe nga drejtësia, t’ia vërë Shqipërisë.

Një gjë është shumë e qartë, e kanë thënë në mënyrë të përsëritur edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, s’e kemi thënë vetëm ne, që moskryerja e procesit të Vetting-ut cenon rëndë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, vonon uljen në tryezën e familjes europiane për të negociuar anëtarësimin.

Por, fatkeqësisht, Partia Demokratike tanimë është gati të na ndajë dhe njëherë për së gjalli nga Europa ku duam të gjithë të bëhemi pjesë, vetëm e vetëm për t’iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë të atyre që kanë kusure për të larë në një shtet të së drejtës.

Sidoqoftë, ne sot vazhduam të jemi në lartësinë e aspiratë së shqiptarëve, vazhduam të çojmë përpara, nga ana jonë, një proces që është pa kthim; Vettingu mund të vonohet, por spastrimi i Pallatit të Drejtësisë nuk ndalohet dot. Rivendosja e një raporti tërësisht tjetër mes politikës dhe drejtësisë, në funksion të qytetarëve, nuk ndalohet dot. Vendosja e të gjithëve përpara drejtësisë si qytetarë të barabartë nuk ndalohet dot.

A jeni rakorduar me zotin Meta?

Jo, ne kemi rakorduar që do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të nxitur zgjidhjen, për të kërkuar hapësirën e dialogut, të cilën frika e madhe, e mishëruar në personazhin e kryetarit të Partisë Demokratike, deri tani e ka bërë të pamundur.

Me zotin McAllister keni pasur më kontakte? Është i gatshëm të vijë?

Jo. Ne jemi të inkurajuar nga fakti që vendimi ynë për t’iu drejtuar Partive Popullore, si një familje politike ku bën pjesë Partia Demokratike, si një familje që gjithmonë e ka mbështetur Partinë Demokratike, për të lehtësuar komunikimin me Partinë Demokratike, është dëgjuar pozitivisht. Shpresojmë shumë që t’i jepet mundësia Partive Popullore që ta ndihmojnë Partinë Demokratike, se, në fund të fundit, nëse Partia Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike do të sillen dhe me Partitë Popullore, siç janë sjellë deri tani me të gjitha përpjekjet tona për dialog, atëherë vërtet do të jetë mision i pamundur dhe për vetë Partitë Popullore. Por, kur dëgjon që edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë na qenka i painformuar dhe problemi na qenka Bashkimi i painformuar Europian dhe Shtetet e painformuara të Bashkuara të Amerikës, atëherë realisht është e vajtueshme dhe nuk jemi në krizë politike, jemi në një krizë nervore të Partisë Demokratike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.