Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend për miratimin e komisioneve të Vettingut:
Unë i hodha një sy listës që me thënë të drejtën as nuk e kam parë ndonjëherë dhe nuk e di ku mi gjete zonja Topalli, gjithë këta miq e gjithë këta shokë. Të dëgjova me shumë vëmendje dhe ta them sinqerisht që do më mungosh shumë sesionin e ardhshëm, por ky nuk është faji im. Unë e kam bërë timen që ti të dallohesh si kundërshtare e ashpër e qeverise, por kjo është fatura që duhet t’i paguani, me të drejtë besoj, gjithë konformizmit tuaj dhe gjithë asaj futjeje të gjithë bashke në çadër, për t’ju shmangur kësaj seance që sot bëhet me vonesë, sepse duhet t’i kishim mbyllur këto gjëra përpara. Po ç’të bëj unë që u futët në çadër të gjithë, disa duke bërtitur, disa duke bërë sikur nuk janë në çadër, por prisnin nga çadra që të dilnin emrat për deputetë dhe tani nuk kemi çfarë bëjmë Jozefinë. Kjo është jeta dhe do paguash çmimin e konformizmit, megjithëse bën sikur je shumë e vërtetë.
Në këtë listë, – e pash kur po flisje ti, – unë nuk kam asnjë mik dhe këtë Pal Shkambin, unë tani po e dëgjoj për herë të parë. Ndoshta ti e di, unë nuk e di.
Këtu, është e vërtetë, unë njoh Ina Ramën dhe jam shumë krenar që ne kemi mbështetu Ina Ramën dhe jam shumë i keqardhur që ti e ngre këtu emrin e Ina Ramës. Ina Rama nuk është mikja ime, por po ta them prapë që jam krenar që ne i kemi dhënë mbështetje asaj gruaje që është një nga viktimat më shembullore të shkeljes së të gjitha parimeve e normave të së drejtës, që edhe me vendim gjykate nuk u la të ushtronte profesionin e saj, për vite e vite të tëra.
Njoh Abana Shtyllën dhe jam shumë krenar që ajo është në këtë listë. As Albana Shtylla nuk është mikja ime.
Në distancë di kush është Sokol Çomo, por nuk e kam mik.
Tjetër njeri këtu nuk i njoh. Kështu që më vjen shumë keq që e mbylle me kaq nivel të ulët, për këtë moment, karrierën tënde parlamentare, se unë jam i bindur që do kthehesh një ditë këtu, bashkë me Astritin, por mund ta kishe gjetur një mënyrë më të denjë për të ikur nga këtu, për katër vjet.
Vetting-u është jo vetëm gjëja e duhur, por është kaq e vonuar dhe kaq e domosdoshme, saqë ka mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar, pavarësisht majtas apo djathtas. E nëse Vetting-u është vonuar deri këtu, për këtë përgjegjës jeni ju në radhë të parë, ti Jozefinë, bashkë me të tjerët këtu dhe pastaj mund të fillojmë të diskutojmë se kush i ka përgjegjësitë e viteve dhe viteve që kanë ikur.
Jam i bindur që sado e papërsosur të jetë kjo histori, ajo do hapi një kapitull të ri në historinë tonë të përbashkët dhe jam i bindur që jo vetëm gjykatësit e prokurorët e korruptuar i kanë orët e numëruara, por dhe për shumë të paprekshëm që kanë bërë çfarë kanë dashur, si kanë dashur, kur kanë dashur në këtë vend, duke abuzuar me votat e popullit dhe me imunitetet e marrë nga populli. Do vijë shumë shpejt ora që do ballafaqohen me drejtësinë, falë Vetting-ut.
Unë e di që ti nuk do jesh nga ata që ballafaqohen me drejtësinë, ti thjesht ballafaqohesh me çfarë ke mbjellë, po e korr sot dhe do ta korrësh mirë, bashkë me plotë të tjerë. Por të lutem mos të të shkojë mendja se unë dhe Luli flasim për ty. Nuk je fare në axhendën e marrëdhënies tonë.