Masterplani i Zhvillimit i ka hapur rrugë ecurisë me ritme të shpejta të punës në Aeroportin e Kukësit, i cili pritet të jetë gati për fluturimet e para vitin e ardhshëm. Aktualisht në Aeroportin e Kukësit janë hedhur themelet e terminalit të ri të pasagjerëve, i cili do të jetë me konstruksion metalik, si dhe po punohet intensivisht për zgjerimin e pistës, krijimin e zonës së butë me infrastrukturën kritike nëntokësore, si dhe dyfishimin e hapësirës së sheshpushimit të avionëve.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektuan kantierin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore për gjithë rajonin verilindor.
“Punimet kanë ecur mirë. Pista shtohet me 550 metra. Edhe me shpronësimet nuk kemi pasur problematika deri tani,” u shpreh ndër të tjera Balluku.
Ministrja tha se janë shembur të gjitha ato objekte që ishin klasifikuar si pengesa aeronautike, apo që nuk plotësonin standardet ndërkombëtare.
“Pas masterplanit të bërë nga kompania holandeze për llogari të koncensionarit, na është dashur që të lëvizim të gjitha ndërtesat që kanë qenë brenda territorit, pasi pengonin punimet. Vendqëndrimi i avionëve ka qenë shumë i vogël dhe për këtë arsye po zgjerohet dhe kanë nisur punimet, ndërkohë që terminali është spostuar dhe ka filluar ndërtimi i terminalit të ri, i cili do jetë një konstruksion i lehtë ashtu siç janë të gjithë terminalët modernë, me xham dhe me hekur,” tha ministrja e Infrastrukturës.
Paralelisht me aeroportin po punohet edhe për një masterplan të të gjithë zonës për infrastrukturën e shërbimeve që lidhen me të.
“Jemi duke studiuar edhe gjithë pjesën e furnizimit me energji dhe me ujë të pijshëm të zonës. Gjithashtu besoj se dhe në bashkëpunim me Bashkinë, do na duhet që të bëjmë një plan sa i përket studimit të zonës, pasi, pas ndërtimit të aeroportit do ketë edhe zhvillime të tjera sociale të zonës, siç janë hotelet, parkingjet publike e shërbime të tjera të nevojshme,” u shpreh ministrja Balluku.
Kryeministri Rama u shpreh se masterplani i ri i zonës, detyrë që implikon edhe pushtetin lokal, do t’i japë një zhvillim ekonomisë, e veçanërisht turizmit në këtë rajon.
“Aeroporti sjell me vete nevoja për shumë shërbime, jo vetëm për transportin, por dhe hotele e shërbime të tjera, kështu që, për këtë, bashkë me Bashkinë po punojmë dhe do definojmë një masterplan të përgjithshëm që do t’i japë një boom të madh gjithë Kukësit, por dhe zonës këtu. Do ta ndihmojë shumë edhe për turizmin malor. Këtu është një zonë e bllokuar dhe e fjetur për shkak të aksesit, por do jetë një zhvillim i madh,” u shpreh Kryeministri Rama.
Sipas ministres së Infrastrukturës, me këtë zhvillim përfitohen edhe rreth 12 mijë vende pune, 1500 prej të cilave parashikohen të hapen vetëm në Aeroportin e Kukësit.
Sipas drejtuesve të projektit, gjithçka po ecën sipas parashikimeve dhe aeroporti pritet të dorëzohet brenda vitit të ardhshëm. “Tani që është mbaruar pjesa e navigimit dhe masterplani është dorëzuar, punimet do ecin me shpejtësi shumë të lartë. Besoj do arrijmë se s’bën “deadline” e vitit që vjen, që të zbresim avionin e parë në Kukës.”
Ministrja Balluku u shpreh se krahas Kukësit, puna pritet të fillojë edhe në Aeroportin e Vlorës brenda këtij viti.
Newsroom
Vijon intensivisht puna në kantierin e Aeroportit të Kukësit