Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Tirana shtohet çdo vit me banorë të rinj dhe po ashtu investimet në sektorin energjitik, të cilat kanë siguruar rritjen e kapacitetit dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike të kryeqytetit. Nënstacioni energjitik i Uzinës së Autotraktorëve, i cili furnizon me energji një numër të madh banorësh, por edhe fabrikash që ndodhen në zonë, është shndërruar falë investimeve nga një ngrehinë e amortizuar, në një infrastrukturë moderne me teknologji bashkëkohore komandimi dhe monitorimi SCADA.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Nënstacionin ku është investuar përgjatë viteve të fundit në ndërtimin e fiderave të rinj dhe të kabinave të reja.

“Nënstacioni i Uzinës së Autotraktorëve mbulon një zonë mjaft e rëndësishme, e cila ka një numër të madh banorësh, por nga ana tjetër edhe disa fabrika, të cilat furnizohen nga ne. Këtu jemi në një proces prej thuaje një viti përsa i përket shtimit dhe ndryshimit të pjesës më të rëndësishme, fiderave që kemi patur. Mos harrojmë që këtu kemi trashëguar një rrjet të amortizuar, dhe me punën që kemi nisur, si dhe duke shtuar edhe 4 fiderat e reja supozohet që këtu do të kemi një investim të ri prej 20 kilovolt, ku të gjithë linjat ajrore do të jenë zëvendësuar me fiderat e rinj. Gjithashtu kemi sallën nga e cila kontrollohet i gjithë nënstacioni. Shifrat e investimit synojmë që në fund të këtij viti të arrijnë deri në 13 milionë dollarë. Dua të përmend këtu edhe Bankën Botërore, e cila ka mbështetur këtë investim, ashtu siç ka mbështetur të gjitha investimet në energji në kuadrin të paketës së rimëkëmbjes,”– u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

I ndërtuar që në vitet ‘60-të, ky nënstacion, ndër më të fuqishmit që administron OSHEE-ja, nuk ka patur asnjë investim përgjatë 30 viteve. Ndërsa së fundmi ka përftuar një investim të rëndësishëm, i konceptuar në tre faza, çka do të rrisë cilësinë dhe sigurinë e furnzimit me energji elektrike të banorëve. Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE-së, Ardian Çela shpjegoi se “ky është nënstacioni më i fuqishëm në 174 nënstacione që administron kompania. Është më i madhi dhe me këtë nënstacion furnizohen rreth 211 mijë banorë. Është një nënstacion i ndërtuar në vitet ‘60-të, ku për 30 vite nuk ka patur asnjë investim. Investimi i fundit është ai që e kemi nisur ne para dy vitesh. E kemi ndarë në tre faza, sepse janë investime që shkojnë në mbi 13 milionë dollarë. Deri tani kemi investuar rreth 9 milionë dollarë, ku nga 35 fidra që ka ky nënstacion, ne po eleminojmë të gjithë ato fidera që janë investime të viteve ‘70-të dhe kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar rreth 130 kabina, ku më shumë se gjysmën e tyre e kemi kthyer në të automatizuara që komandohen në distance. Ky nënstacion është pjesë e komandimit SCADA dhe monitorohet nga salla e komandimit SCADA që kemi tek drejtoria qendrore. E kemi nisur me 6 nënstacione dhe brenda këtij viti fillojmë dhe përfundon vitin që vjen të gjitha nënstacionet e Durrësit dhe të Tiranës që komandohen me sistemin online. Kjo rrit cilësinë e furnizimit, por edhe sigurinë e furnizimit për banorët. Investimi që ne kemi nisur dhe që mbaron në tremujorin e parë të vitit 2021 përfshin rreth 40 mijë banorë të tjerë, ku do të kemi rreth 6 fidera të rinj dhe 7 të tjerë që do t’i zëvendësojmë dhe do të rikonstruktojmë dhe ndërtojmë rreth 20 kabina të reja. Me këtë, ne do të shkojmë në 54 fidera që do të ndërtohen të gjithë në nivelin 20 kilovolt.”

Ministrja Balluku tha se krahasuar me vitin 2013 është reduktuar ndjeshëm humbja e energjisë. “Duke ju referuar sigurisë enegjitike dhe shpërndarjes duhet të theksojmë që në vitin 2013 humbjet në rrjet i kemi patur 45%, ndërkohë që sot nga të gjitha llogaritjet jemi ne 21.8%.” Ndërkohë, Drejtori i OSHEE-së Çela tha se synohet që ky vit të mbyllet nën 21%.

Kryeministri vizitoi sallën ku ndodhet sistemi i kontrollit dhe i monitorimit për të gjithë nënstacionin. Sipas drejtuesve të Nënstacionit, nga kjo sallë kontrollohen në kohë reale të gjithë parametrat e nënstacionit, ngarkesat aktuale, si dhe bëhen komandimet, në mënyrë që personeli operativ të mos e ketë të nevojshme të dalë jashtë në terren, por të bëhet monitorim online.

Kryeministri Rama theksoi se në vetëm 7 vite janë bërë më shumë investime se në dekada të tëra në sistemin e furnizimit me energji elektrike, sikundër në sistemin e ujësjellësve.

“Kjo është zona më e ngarkuar dhe me një popullatë që vazhdon rritet dhe me gjithë sistemin SCADA është absolutisht revolucion, krahasuar me çfarë ishin. Në këto 7 vjet janë bërë më shumë se në dekada të tëra, pasi të gjithë këto janë infrastruktura të trashëguara nga vitet ‘70-të, siç janë dhe ato të ujit. Të gjitha kantieret e ujit tani janë në punë për 55 zona të mëdha urbane të Shqipërisë, janë kantiere për të transformuar rrjete të furnizimit me ujë të viteve ‘60- 70-të dhe të fillim viteve ‘80-të. Në të gjitha ato rrjete është bërë mirëmbajtje, por nuk është bërë asnjë investim. Ne nuk kemi patur mundësi të investojmë më parë, sepse kishim gjithë këtë barrë borxhesh dhe barrë gjërash që duhej lehtësuar pak nga pak. Por të imagjinosh që ndërkohë që demografia ka ndryshuar rrënjësisht, janë rritur konsumatorët në mënyrë eksponenciale në zonat urbane dhe qoftë furnizimi me ujë, qoftë furnizimi me energji i është lënë rrjeteve të ndërtuara në atë kohë për atë lloj numri banorësh dhe për atë lloj konsumi që ishte komplet konsum tjetër, është një gjë e paimagjinueshme. Nuk ka patur asnjë strategji, të paktën për t’i bërë hap pas hapi. E kur mendoj se ku do ishim sot, sikur këto që po bëjmë ne të ishin bërë hap pas hapi qysh në krye të herës, është vërtetë për të vënë duart në kokë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Na mjaftojnë kusuret tona. Kusuret e të tjerëve që nuk i bënë gjërat përpara le t’i mbajnë ata,”- u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.