Vijon prej ditësh vaksinimi masiv i mësuesve dhe pedagogëve në të gjithë vendin. Sot nisi vaksinimi i pedagogëve në Universitetin e Tiranës, ku janë planifikuar për t’u vaksinuar 200 pedagogë.
Për të ndjekur nga afër procesin ishte sot në Korpusin e Universitetit të Tiranës, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur se deri më sot, në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë. “Ka nisur vaksinimi i pedagogëve. Prej ditës së djeshme ka vijuar në Gjirokastër, në Vlorë. Sot fillojmë në Tiranë dhe në Elbasan. Sot, në Universitetin e Tiranës janë planifikuar 200 pedagogë, ndërkohë që procesi ka filluar. Në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë ose mbi 30% e mësuesve kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Kemi arritur në një numër mbi 48 mijë vaksinime, ndërkohë që procesi vijon,“ – u shpreh ministrja Manastirliu, e cila informoi ndër të tjera se “me dozat e ardhura dje nga Emiratet e Bashkuara Arabe Sputnik do të do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80, duke ndjekur planin e vaksnimit. Në tërësi, bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga COVAX edhe një sasi tjetër të AstraZeneca. Deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Po konkludojmë negociatat që kemi hapur përsa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, – tha Ministrja Manastirliu.
* * *
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48,215 doza të vaksinës ndaj COVID19. Janë kryer 27,872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh.