Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Viti i ri shkollor për Greisin dhe Rein, por dhe për çdo nxënës nga klasa e parë deri në të kartën, nis me një risi. Ata për herë të parë do të marrin librat falas. Greisi dhe Rei dy fëmijët e familjes Karaj, në kryeqytet, përkatësisht në klasën e tretë dhe të katërt, morën pakon e librave personalisht nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, të cilët sot ishin miq në shtëpinë e tyre.

Gresi dhe Rei, falënderuan kryeministrin për librat, i cili u kujtoi se duhet të tregohen të kujdesshëm dhe t’i mirëmbajnë ato, pasi në fund të vitit duhet të dorëzohen. “Librat duhet t’i ruani mirë sepse në fund të vitit do t’i dorëzoni prapë. Në mënyrë që ju të vazhdoni të merrni librat e tjerë, duhet që të tjerët që vijnë pas jush të marrin librat tuaj, kështu që librat ruhen me shumë dashuri dhe me shumë kujdes. Librat nuk shkarraviten, nuk grisen, nuk prishen, nuk dëmtohen, mbahen afër se librat janë ushqimi më i mirë që të rriteni e të bëheni të fortë”, – tha Kryeministri Rama.

Këtë vit fillon një fazë e re në edukimin e fëmijëve, ku një tjetër risi do të jetë ndalimi i celularit në ambientet e shkollës për nxënësit, por dhe për mësuesit. “Ky është vetëm momenti i parë për të ofruar një histori të re në edukimin e formimin e fëmijëve, por nga i gjithë ky proces ne duam syrin tuaj kritik për çfarë ndodh, jo vetëm gjatë përgatitjes së mësimeve, por çfarë ndodh gjatë çdo ore mësimi. Se këta meritojnë më të mirën dhe ne duhet të bëjmë maksimumin”, – u shpreh ministrja Nikolla.

Zëvendësimi i teksteve të vjetra nga tekstet e reja të Oxford, Cambridge dhe Person përmbyllet përfundimisht vitin tjetër, duke bërë të mundur që nxënësit të kenë një vazhdimësi në procesin e nxënies të mos bien nga një sistem në tjetrin. Gjithashtu shkolla e drejtorëve është një tjetër projekt, i cili pritet të nisë së shpejti e falë të cilit do garantohet më shumë cilësi në procesin e menaxhimit dhe mbarëvajtjes së institucioneve arsimorë. ”Kemi një projekt shumë të mirë, sepse është ndryshuar goxha sistemi i trajnimit të mësuesve, tani është shumë më efikas, por kemi problem me drejtorët e shkollave dhe shkolla e drejtorëve do të ndihmojë shumë për të rritur aftësitë e tyre menaxheriale dhe për të kaluar në një nivel tjetër të kuptimit të rolit të drejtorit të shkollës.” – tha kryeministri.

Duke u kthyer tek risia e këtij viti, librat falas, Kryeministri Rama shprehu ambicien e tij dhe të qeverisë që ai drejton për t’i ofruar librat falas deri në klasën e nëntë dhe shprehu besimin se do ta arrijë deri në përfundim të mandatit qeverisës. “Kjo është mundësia e re që na u krijua në buxhet, por sipas projeksionit që kemi bërë, besojmë që brenda tre vjetëve do arrijmë ta plotësojmë për të gjithë klasat, deri tek e nënta, aty ndalemi.”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Kryeministri u bëri edhe një herë thirrje gjithë mësueseve dhe drejtorëve të shkollave, të cilët duhet të përfundojnë procesin e shpërndarjes së librave në kohë, në mënyrë që viti i ri mësimor të fillojë në kohë dhe pa probleme.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.