Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Investimet në të Vlorë janë shtrirë edhe në zonën e kampusit universitar, e cila po transformohet për t’i dhënë një pamje të re ambienteve më të frekuentuara nga studentët dhe për t’i bërë këto godina pjesa integrale të qytetit. Rindërtimi i kampusit universitar vijon me hapësirën publike e zonën sportive, si edhe me infrastrukturën e lagjes pranë, duke e lidhur kampusin me bulevardin “Ismail Qemali”.

“Sot jemi afër përfundimit të një projekti shumë të rëndësishëm që përfshin një sipërfaqe prej 6 hektarësh. Sipërfaqet e asfaltuara në rrugët midis godinave janë rreth 6500 metra katrorë. Kemi mbi 3500 metra katrorë trotuare të shtruar me pllaka. Pjesa tjetër që përkon me zonën afër bulevardit dhe teatrit “Petro Marko” do të shtrohet me gurë, ashtu siç është shtruar bulevardi “Ismail Qemali”. Kjo është në përgjigje të atyre që thonë se ne interesohemi vetëm për akset kryesore, për bulevardin, për Lungomaren. Ky është shembulli që ne interesohemi për çdo hapësirë publike dhe është një investim në zemër të qytetit, pikërisht aty ku është i vendosur teatri”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili së bashku me Kryeministrin përshkuan në këmbë infrastrukturën e re në shërbim të studentëve dhe komunitetit vlonjat.

Pjesë e ndërhyrjes është edhe lagja pranë universitetit “Ismail Qemali”, e cila është kompletuar me rrugë, trotuare, ndriçim dhe hapësira të dedikuara parkimi për banorët. “Qëllimi ka qenë të kemi akses të drejtpërdrejtë nga bulevardi, të hymë në qendrën e studentëve në mënyrë që t’i bëjmë studentët pjesë të integruar të qytetit. Ndërkohë që kjo rrugë është diskutuar gjithmonë dhe kërkuar nga qytetarët dhe tanimë ka përfunduar. Janë shtruar trotuaret, njëkohësisht janë bërë dhe hapësirat me parkime të dedikuara për banorët”, – tha kreu i Bashkisë së Vlorës.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.