Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë ceremonisë së shpërndarjes së legalizimeve në Vlorë:
Përshëndetje të gjithëve!
Më në fund, pas një periudhe të vështirë për shkak të trashëgimisë shumë të rëndë në këtë qytet dhe në këtë zonë, në drejtorinë e ALUIZNI-t, ku për fat të keq, siç e tha dhe Drejtori i Përgjithshëm, ne gjetëm një situatë njësoj si pas një bombardimi, ku dosjet e njerëzve që prej vitesh kishin aplikuar, jo që s’ishin ishin të ormisura siç thoni ju, por ishin lënë në gjendje skandaloze dhe shumë prej tyre edhe të humbura dhe ku gjithë procesi i legalizimeve ishte fokusuar vetëm tek restorantet, hotelet dhe bizneset për qëllim fitimi. Jemi të gatshëm tanimë të çojmë përpara më një ritëm më të lartë procesin e legalizimit falas për të gjithë ju dhe për të gjithë ata si ju, që prej vitesh kanë kërkuar të legalizojnë shtëpitë e tyre.
Jemi të gatshëm që t’i japim një përgjigje konkrete dhe një zgjidhje përfundimtare një shqetësimi dhe një ëndrre që për të gjithë ju, njerëzit e zakonshëm, që nuk keni ndërtuar për të bërë biznes, por keni ndërtuar thjesht dhe vetëm për të strehuar familjet, ishte bërë mision i pamundur.
Për ne ky proces është i një rëndësie të madhe, jo vetëm sociale, por edhe kombëtare në funksion të ndarjes përfundimtare nga një epokë kaosi, rrënimi dhe ngatërresash të pafundme për çështjen e pronës.
Në jemi të bindur që, jo vetëm për të çuar përpara këtë proces, duke iu dhënë të gjithë atyre që kanë ndërtuar një shtëpi për të strehuar familjet e tyre dhe nuk kanë ndërtuar as mbi kanale, as mbi rrugë, as mbi kala, por kanë ndërtuar mbi zona infomale, kanë një rëndësi të veçante edhe për ekonominë kombëtare, sepse praktikisht ju e dini më mirë se unë, më mirë se të gjithë ata që nuk janë në këtë proces, se për të ndërtuar një shtëpi keni shpenzuar çdo kursim, keni hequr edhe nga buka e gojës për të vendosur tullat dhe tjegullat.
Ajo është një pasuri e cila nëse nuk hipotekohet nuk ka asnjë vlerë, por nëse hipotekohet ajo kthehet në një pasuri të patundshme, që jo vetëm është e garantuar siç çdo pronë e ligjshme në Republikën e Shqipërisë por është dhe një garanci për të marrë kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të mbështetur studimet e fëmijëve, për të blerë makineri për prodhim dhe kështu me radhë.
Për këtë arsye, ne kemi shumë besim që procesi i legalizimit do të jetë paralelisht nga njëra anë, një proces drejtësie dhe qetësie sociale, për një numër jashtëzakonisht të madh familjesh shqiptare, por nga ana tjetër dhe një burim i ri rritjeje për ekonominë tonë kombëtare. Interesi, është edhe interes privat i secilit prej jush, edhe interes publik i të gjithëve ne bashkë.
Unë nuk dua të zgjatem më me fjalë, pasi jam i bindur se edhe ju që jeni këtu akoma nuk e besoni që do të merrni lejet e legalizimit. Kështu që, e di që pasi keni pritur nga 10 vjet e nga 7 vjet, mund të prisni edhe 10 minuta të tjera, por unë nuk do të harxhoj më minuta por do të vazhdojmë dhënien e lejeve, disa prej 250 lejeve që japim sot në Vlorë, të cilat sigurisht do t’i merrni të gjithë, të gjithë ata që janë këtu, por edhe për ta promovuar këtë proces edhe për t’i dhënë të gjithë atyre mesazhin, se pavarësisht vështirësive, pavarësisht ngatërresave, pavarësisht dokumenteve problematike copë-copë, që na lanë trashëgim ata që ikën, të gjithë duhet të kenë besim të plotë se ndërtimet janë në proces legalizimi, shtëpitë në zonat informale do të legalizohen falas pa asnjë lloj dyshimi.
***
250 leje legalizimi u shpërndanë sot për banorët e zonave infomale në Vlorë, duke përmbushur ndaj tyre një premtim dhe realizuar një ëndërr të shumëpritur për ta. Qytetarët e këtyre zonave kishin shumë vite që prisnin një proces që zvarritej pa fund si pasojë e mosfunksionimit të zyrave të ALUIZNI-t në Vlorë.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha, si dhe deputetë të Vlorës ishte mes qytetarëve për tu dorëzuar personalisht certifikatat e legalizimit.
Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame shpjegoi se Vlora është qarku më me shumë probleme në fushën e legalizimeve, pasojë kjo e situatës tejet problematike të trashëguar, nga qeverisja e kaluar. “Vlora është një nga qarqet më të mëdha që fillon nga derdhja e Vjosës deri në Sarandë dhe në fushën e legalizimeve ka jashtëzakonisht shumë probleme. Braktisja që iu bë vite me radhë, që çoi në atë situatë të rënduar të ndërtimeve pa leje, solli probleme që u mbarsën e u mbarsën për shumë vite rresht. Ju jeni ata që i keni provuar dhe vetë mbi kurriz. Edhe ato legalizime që janë bërë bë Vlorë gjatë qeverisjes së shkuar më shumë na kanë krijuar probleme i kthyen legalizimet më tepër në sherr midis qytetarëve sesa në zgjidhje të problemeve të tyre. Duhet të pranojmë se në krahasim me shumë qytete të tjera, ku kemi qenë dhe vazhdon të punohet në Vlorë kemi pasur disa pika të dobëta. Është e padiskutueshme që thelbi i tyre qëndron në situatën e trashëguar, gjithë sistemi i arkivit ishte inekzistent. Ishte gati në gjendje lufte kur u mor drejtoria e Vlorës. Tashmë që kjo fazë është tejkaluar. Në vijimësi vazhdon dhënia e legalizimeve në Vlorë. Ju jeni një grup i një zone që është me shtëpi banimi dhe që presin legalizimin prej shumë e shumë vitesh dhe nuk i kishin marrë. Ajo që ishte më e rëndë ishte se edhe ato leje të dhëna dikur ishin në kurriz të përgatitjes së dokumentacionit dhe të braktisjes së dokumentacionit për gjithë pjesën tjetër.”
Qytetari i parë që mori lejen e legalizimit nga kryeministri Rama ishte Shako Nazaj, i cili kishte aplikuar për herë të parë vitin 2000. Përmes emocioneve, ai falënderoi qeverinë për plotësimin e një ëndrre shumëvjeçare. “Jam shumë i gëzuar që marr lejen e legalizimit. Faleminderit kryeministrit, faleminderit qeverisë. Në vitin 2000 kam bërë aplikimin për herë të parë.”
Vladimir Memushaj, një tjetër banor i zonave informale falënderoi për faktin se ashtu siç u premtua legalizimi ishte falas. “Ju faleminderit juve si qeveri. Kam aplikuar që në 2006, ndërsa sot, këtë herë kam paguar vetëm faturën.”
“Ju faleminderit shumë. Falenderoj ALUIZNI e Vlorës. I kam bërë që në 2005 aplikimet. Tani më duket një ëndërr që e kam marrë legalizimin” u shpreh banori Panajot Mere, ndërsa mori dokumentin e legalizimit.
Me shumë mirënjohje qytetarët u shprehën edhe për punonjësit e ALUIZN-t në Vlorë që me përkushtim dhe korrektësi bënë detyrën ndaj secilit prej banorëve. “Më në fund morëm atë që prej kohësh e prisnim. Falenderoj të rinjtë dhe të rejat e ALUINI-t në Vlorë që për mua ishin të shkëlqyer.” u shpreh Xhevdet Hoxhaj, teksa mori prej vetë kryeministrit lejen e legalizimit.
Ndërkohë që shumë prej legalizimeve të përfituara nga qytetarët emigrantë i morën në dorëzim të afërm të tyre. Duke vënë re këtë fakt, kryeministri theksoi se lejet e legalizimit i përfituan njerëzit e punës që ndërtuan shtëpitë e tyre dhe jo biznese.
“Në qoftë se e vini re të gjithë ata që marrin lejet e legalizimit janë familje emigrantësh janë njerëz të punës dhe nuk janë biznesmenë. Marrin leje legalizimi për godina përgjithësisht një katëshe që janë shtëpi, jo për restorante, jo për hotele mbi rërë, as për pallate mbi det. Kjo është e thjeshtë sepse për 8 vjet ata që e çmenden këtë popull “ndërtoni ku të mundni se ndërtimi është i sigurt” dhe pastaj e lanë ta marrë lumi sa herë që bie shi, nuk menduan asnjëherë që tu legalizojnë ju dhe ata si ju. Nuk menduan të legalizojnë shtëpitë, por menduan të përfitojnë duke legalizuar biznese dhe bërë një dëm të dyfishtë sepse bizneset e legalizuara nëpër zona arkeologjike, bizneset e legalizuara në shtratin e rrugës që duhet hapur, bizneset e legalizuar në rërë, bizneset e legalizuar aty ku nuk duhet të ndërtohej kanë një kosto që përsëri e paguajmë të gjithë ne bashkë. Pasi kur vjen puna për të hapur rrugën duhen shpronësuar, kur vjen puna për të liruar zona arkeologjike duhen shpronësuar, pra duhen shpronësuar sepse kanë dokumente në hipotekë, ndërkohë që gjithë procesi i paligjshëm dhe të gjithë ata që kanë shkuar prapa hekurave dhe janë jo pak në sistemin e legalizimeve, vendin e parë e zë Vlora sepse kanë bërë maskarallëqe të panumërta në kurriz të ligjit dhe të qytetarëve për sot dhe për nesër.
Nder te tjera, Kryeministri iu përgjigj edhe interesimit të qytetarëve lidhur me investimet e ardhshme në qytetin e Vlorës.
“Në këtë vit investojmë në qytet më shumë se sa është investuar në këto vite të marra së bashku. E duke bërë rrugën Transballkanike dhe duke lidhur përfundimisht Vlorën me rrugën kombëtare, duke bërë shëtitoren një model evropian dhe një pjesë si askund tjetër në bregdetin shqiptar, padyshim që kemi hapur një epokë të re dhe sigurisht që pas zgjedhjeve kur bashkia e Vlorës të jetë një bashki që do të përfshijë edhe disa komuna rreth e rrotull, ne do të investojmë akoma më shumë dhe do të investojmë edhe më shumë brenda lagjeve, edhe për çerdhe, për kopshte, për shkolla edhe me radhë. Do të investojmë dhe falë faktit që deri dje një shumicë qytetarësh ishin mësuar të mos paguanin energji elektrike, ishin mësuar të merrnin energji dhe të linin mbrapa borxhe pa fund, sot po paguajnë dhe po fillojnë të na e lehtësojnë barrën dhe të mos harxhojmë para që janë për shkolla, për rrugë, për spitale e për parqe e për të gjitha ato që doni ju, për të mbuluar gropën e vjedhjes së energjisë. Por kjo vlen jo vetëm për energjinë, por vlen për informalitetin në tërësi, sepse jo disa mund të paguajnë taksa e disa s’paguajnë taksa, jo disa paguajnë kontribute e disa s’paguajnë, por të jeni të bindur se padyshim ne jo vetëm që do të bëjmë, por do të bëjmë aq shumë në këtë mandat sa nuk është bërë për Vlorën dhe për Jugun në 20 vite të marra së bashku dhe sigurisht edhe për veriun po njësoj. Nuk kemi asnjë dyshim për këtë.”
Ndërsa Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni bëri të ditur se paralelisht me procesin e legalizimit po vazhdon puna për urbanizimin e zonave informale. “Doja të thoja diçka lidhur me investimet në Vlorë, për një projekt pilot në zonën infomale , pranë fushës së aviacionit. Ne sapo kemi përfunduar, kanë përfituar rreth 100 familje. E kemi urbanizuar gjithë zonën aty, rreth 94 milion lekë nga Fondi i Zhvillimit të rajoneve, duke ndërtuar rrugën, infrastrukturën , kanalizimet , ndriçimin edhe një kopsht për banorët.
Paralelisht me legalizimin, ne po vazhdojmë punën për urbanizmin e zonave informale dhe unë dua të falënderoj të gjithë komunitetin që po bashkëpunon me ne. Si projekt i parë që ndodh në Vlorë ne do të vijojmë ta aplikojmë në të gjithë Shqipërinë dhe do të kemi mundësi edhe në zona të tjera informale në Vlorë.”