Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Vlorë ka nisur jetësimi i paketës së re të investimeve në ujësjellës. Janë plot tre projekte të rëndësishme që do të garantojnë furnizimin me ujë të pijshëm për Vlorën pa ndërprerje, të cilat do të pasohen nga projekti përmbyllës i furnizimit me ujë 24 orë të gjithë Vlorës, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim.

Kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës ishin në zonën e Ujit të Ftohtë ku ka nisur puna për rrjetin e ri të ujësjellësit. “Është nga investimet më të rëndësishme që ka filluar para pak kohësh. Është një investim për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit, i cili parashikon një tub të dedikuar për të shkuar nga burimi i ujit në depot e qytetit. Ky investim parashikojmë të përfundojë përpara sezonit të ardhshëm turistik. Kemi gjithashtu përmirësimin e furnizimit përgjatë rrugës Transballkanike që do të shkojë në drejtim të zonës së Çoles. Që është një projekt që bashkohet bashke me kanalizimet, për të shpëtuar ato pjesët e përmbytjeve që janë gangrenë. Njëkohësisht, projekti me KfW, që është një projekt përfundimtar që do të japë zgjidhje përfundimtare”, – theksoi Leli.

Mangësitë në furnizimin me ujë në Vlorë datojnë prej dekadash.  “Duhet të themi që furnizimi i me ujë të pijshëm në qytet ka pasur probleme që në kohën e fëmijërisë sime”, – u shpreh Leli. Një kujtim që e bashkëndau edhe Kryeministri “Edhe në Skelë, mbaj mend kur vinim në verë, shkonim e mbushnim ujin në rrugë”.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.