Në 105-vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, mbolli sot pemën e 105 mijë në rruga Demokracia në Vlorë, në kuadër të projektit të qeverisë për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë në të gjithë territorin deri në vitin 2020.
“Në total, në këtë vit të 105 vjetor të Pavarësisë janë mbjellë 105 mijë pemë, nga të cilat 100 mijë pemë ulliri,” – tha Kryetari i Bashkisë Dritan Leli.
Ministri Blendi Klosi u shpreh me besim për suksesin e projektit për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020.
“Kemi bashkëpunuar me të gjitha kompanitë që prodhojnë bimë e pemë dekorative. Për të pasur një bashkëpunim jo vetëm me bashkitë e institucionet qendrore, marrëveshja do shtrihet më gjerë se kaq, çdo shkollë ka propozuar që të ketë kurorën e saj të gjelbër, çdo nxënës do të kujdeset për pemën e tij, çdo biznes, sidomos ato që janë buzë rrugës si pikat e karburantit, apo pikat që kanë marrëdhënie me rrugën do të vendosin edhe ata kurorën e gjelbër. Kemi të gjitha shanset që në vitin 2020 të kemi 20 milionë e 200 mijë pemë të shtrirë në të gjithë territorin,” – theksoi ministri Klosi.
Kryebashkiaku Leli tha se me investim të Bashkisë së Vlorës, rruga Demokracia është kthyer në shëtitore dhe zona rreth saj, deri dje në kaos të plotë urban i është nënshtruar rikualifikimit. “Përveç rikonstruksionit të rrugës është bërë komplet rikonstruksion i të gjithë lagjes. Është pjesë e investimeve të bashkisë së Vlorës. Rruga është konceptuar si një shëtitore, me një korsi biçikletash të dedikuar në të dy krahët e rrugës dhe me dy korsi pemësh.”