Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Hidrovori i Akërnisë është një tjetër vepër infrastrukturore e rilindur, duke garantuar kullimin e 4600 hektarëve tokë bujqësore si dhe kontribuar gjithashtu në garantimin e mbrojtjes nga përmbytja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në Vlorë, u ndal sëbashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, për të parë nga afër transformimin e hidrovorit. “Është rikonstruktuar në mënyrë të plotë një nga hidrovrët më të rëndësishëm. Mund të themi që janë pajisje të reja që kanë zëvendësuar pajisjet e para 50 vjetëve. Një investim që është bërë në vitet ‘60 dhe rrezikohej edhe jeta e punonjësve kur shkonin dhe riparonin mjetet. Është në mbrojtje të gati 5 mijë hektar tokë bujqësore që prodhohet dhe sigurisht ruan edhe aeroportin ndërkombëtarë të Vlorës, sepse ky është një investim me të gjitha parametrat ndërkombëtarë”, – u shpreh ministrja Denaj.

Fokusi i qeverisë është përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes dhe mbrojtja nga përmbytjet në këtë rajon të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. “Kjo zgjidh problematikën e tmerrshme. Domethënë, ato hallet që kemi pasur në të kaluarën, nuk i kemi më”, – theksoi Kryeministri.

Ndërkohë instalimi i elektropompave të reja ka mundësuar një rritje të kapacitetit të largimit të ujërave. Kjo teknologji e bën hidrovorin më efikas dhe ekonomik.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.