Edhe në Vorë hapet kantieri i rindërtimit

Vora është bashkia e radhës ku kantieri i rindërtimit është hapur fillimisht me ngritjen e infrastrukturës së re nëntokësore e rrugore, e cila më pas do të shërbejë si bazë për ndërtimin e banesave individuale dhe ato kolektive.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, vijojnë të ndjekin në terren çdo kantier të rindërtimit, ku edhe në kantierin e Vorës, ritmet e punës janë intensive dhe parashikohet që në tetor të fillojë hedhja e themeleve të banesave individuale dhe kolektive . “Këtu janë 404 apartamente që do ndërtohen, të cilat fillojnë 10 ditëshin e parë të tetorit dhe në pjesën tjetër të bashkisë kemi një numër të madh njësish individuale”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
Bashkia e Vorës është një nga bashkitë më të dëmtuara, ku puna për pastrimin e territorit është drejt fundit e ku do krijohet një hapësirë prej 10 hektarësh. Ky investim do t’i shërbeje ne mënyrë te drejtpërdrejtë 404 familjeve, te cilat do te akomodohen ne banesa që do të projektohen konform çdo standardi të Bashkimit Europian.
Projekti i zbatimit parashikon realizimin e rrjetit rrugor në zonën përreth dhe brenda kompleksit të banimit, rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimin e ujërave të zeza dhe të shiut, si dhe rrjetit për furnizimin me energji elektrike dhe atij të telefonisë.