Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në njësinë administrative Xhafzotaj në Shijak, puna vijon papushim për sistemimin në shtëpitë e reja të familjeve të prekura rëndë nga tërmeti.

Familja e Ismail Xoxit, e përbërë prej 5 personash është njëra prej tyre. Ndonëse familjarët ndodhen në emigracion, rindërtimi i shtëpisë së re është bërë njësoj sikur ata të ishin aty, brenda të gjitha afateve të premtuara. Ata janë përfitues të një banese individuale 3+1, me një sipërfaqe prej 120 metër katrorë, ndërkohë që banesa e tyre e vjetër ishte 82 metër katrorë.

Kryeministri Rama ia dorëzoi çelësin një prej të afërmve të familjes Xoxi, e cila falenderoi me mirënjohje për punën e bërë. “Kam nderin t’ju shoh nga afër dhe t’u falenderoj me zemër dhe me shpirt. Edhe kryetarin e komunës gjithashtu. Pavarësisht se kjo është shtëpia e mbesës sime, edhe unë pata dëmtime dhe mu gjendën shumë pranë. Për mua je hero dhe jo vetëm për mua, por për të gjithë”, – shprehet një prej familjarëve.

Një tjetër familje e strehuar në banesën e re 2+1 është ajo e zotit Gazmend Banushi, e përbërë prej tre personash. “Kanë patur një shtëpi shumë të amortizuar, të cilën tërmeti ja shkatërroi totalisht dhe tani kanë përfituar një banesë plot 85 metër katrorë”, – shprehet kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana.

“Ju falenderojmë kryeministër për gjithë këtë gëzim që na keni sjellë. Ishim shumë keq dhe kemi kaluar një vit shumë të vështirë”, – janë fjalët  e të zonjës së shtëpisë, ndërsa merr çelësin e banesës nga Kryeministri Rama.

Teksa uron familjarët për shtëpinë e re, Kryeministri tha se kujdesi është treguar i njëjtë për të gjitha familjet, edhe për ata që nuk kanë qenë prezent gjatë procesit të rindërtimit.  “Para se të vinim këtu ishim në shtëpinë e re të një familje që janë në emigracion. Por ne nuk i kemi ndarë. Ju prish shtëpia që kishin këtu, ja kemi sistemuar. Kur të duan të kthehen, le të kthehen, kanë një shtëpi të re”, – shprehet Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.