Xhamia e re e Dragostunjës, e cila ka çelur dyert vetëm pak ditë më parë, është institucioni më i ri, jo vetëm fetar, por edhe edukues dhe arsimues për besimtarët dhe banorët e kësaj zone të Librazhdit.
Kryeministri Rama, i cili ishte nisur për në Librazhd, devijoi itinerarin e tij për të vizituar xhaminë, një vepër e ndërtuar me kontributet e besimtarëve dhe jo vetëm, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit mysliman të zonës, si dhe nga Myftiu i Tiranës Ylli Gurra,
Ndërtimin e kësaj xhamie të re Kryeministri e ka quajtur vendosjen në vend të amanetit të të parëve të Myftiut Gurra. Së bashku me të, Kryeministri Rama mbolli një pemë dafine, në shenjë simbolike, të kësaj vizite.
Myftiu e falënderoi kryeministrin për respektin e treguar, duke vizituar xhaminë një ditë para nisjes së muajit të Ramazanit. “Dëshiroj të falënderoj nga zemra kryeministrin Edi Rama për vlerësimin, respektin që tregoi, duke qenë së bashku me ne sot, në një moment të shenjtë. Nesër kemi fillimin e muajit të begatë të Ramazanit, të muajit të paqes, të unitetit, të vëllazërisë. Në prag të këtij muaji, sot kemi kryeministrin këtu, edhe njëherë mirënjohje prej gjithsecilit prej këtu, ju urojmë suksese dhe mbarësi. Ajo pemë që mbollëm së bashku do të jetë simbol i vlerësimit tuaj, jo vetëm për Dragostunjën, por për shqiptarët, për gjithë shërbimin që po jepni dhe do të jepni, për ti ndryshuar faqen Shqipërisë,” u shpreh ai.
Kryeministri e vlerësoi realizimin e projektit për xhaminë si simbol të vullnetit të mirë dhe si një ogur të jashtëzakonshëm në vigjiljen e muajit të madh të Ramazanit.
Me këtë rast, nga sheshi i xhamisë, kryeministri uroi për të gjithë shqiptarët mbarësi në këtë muaj të shenjtë!
“Kjo xhami është një simbol i vullnetit të mirë, vepër e realizuar me kontributet e besimtarëve dhe jo besimtarëve, por të gjithë së bashku për të mbledhur kontribute me besimin e madh, se një vepër e tillë bën mirë për të gjithë dhe është një ogur i mirë për të gjithë.
Nga ana tjetër, bëra këtë ndalesë edhe në respekt të thellë të mikut dhe klerikut të njohur Ylli Gurrës, me të cilin unë ndaj një kujtim të paharrueshëm të Parisit më 11 janar, ku marshimi dorë për dore i komuniteteve fetare shqiptare, u bë krenaria dhe shpresa europiane e asaj dite.
Dua ta përgëzoj jashtëzakonisht me gjithë zemër Yllin dhe të gjithë ata që kanë konceptuar këtë projekt sepse me aq sa pashë dhe me aq sa unë e njoh këtë pjesë të historisë së arkitekturës së kultit, nuk është thjesht një xhami e rindërtuar në themelet e një xhamie që dikur ishte një vatër edhe arsimimi për njerëzit e zonës, por është edhe një xhami e pikturuar me shumë shije dhe e përzgjedhur për të qenë një hapësirë ku kaligrafia e vjetër dhe fryma e re e kësaj drite besimi, bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Kështu që jam i bindur që të gjithë ata që do ta përdorin këtë hapësirë do të ndihen jashtëzakonisht mirë edhe për shkak të cilësisë së jashtëzakonshme të punës së bërë dhe të shijes shumë të rafinuar të atyre që i kanë dhënë asaj të gjithë veshjen e bukur të dekorit që është i domosdoshëm në një hapësirë të tillë.
Duke e mbyllur uroj për të gjithë ju që të jetë i mbarë ky muaj i madh i Ramazanit dhe përfitoj nga rasti që nga sheshi i kësaj xhamie të vogël por mjaftueshmërisht rrezatuese, t’ia çoj këtë urim të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe në radhë të parë të gjithë atyre që përmes këtij muaji dhe riteve të tij, do të kërkojnë më shumë dritë dhe më shumë shpresë, por padyshim do të përftojnë dhe më shumë forcë në rrugën e tyre të jetës.”