Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Xhamia historike e Plumbit në Shkodër do t’u rikthehet besimtarëve, si një tempull besimi me kushte optimale. Projekti për rivitalizimin e kësaj xhamie unikale në Shkodër parasheh jo vetëm restaurimin e thellë të saj, por edhe transformimin e hapësirës përreth. Pas restaurimit, Xhamia, e ndërtuar nga i mirënjohuri arkitekt Sinani, do të kthehet në një tjetër atraksion turistik për qytetin.

Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Kulturës Elva Margaritit, vizituan Xhaminë e Plumbit ku nis projekti i restaurimit.

“Grupi i ekspertëve ka ardhur dhe ka bërë vizitën direkt në terren. Janë bërë të gjitha azhornimet e situatës së gjithë terrenit, – detajoi projektin e restaurimit ministrja Margariti. – Pjesa më problematika, tashmë ndër shekuj, i përmbytjes së zonës përreth xhamisë është rishikuar. Ka një zgjidhje shumë elegante dhe paksa dinamike, në pjesën e rrethimit do të ketë  një gardh, një apel alumini, i cili do të ngrihet në momentet e shtimit të fluksit të shirave e të ujit përreth e do bëjë të mundur mos lejimin e mbushjes së kësaj pjese. Projekti shikon edhe mundësinë e sistemimit përtej restaurimit të Xhamisë. Pjesa më delikate do jetë ajo e gjithë restaurimit të pjesës së jashtme, se gjithë hapësira përreth është ajo që krijon dhe sfidën më të madhe. Ky nuk do jetë thjesht një projekt restaurimi, por do jetë edhe me ndihmën e ekspertëve gjeologë. Është hera e parë që bëhet një restaurim i këtij niveli, që nuk bazohet vetëm në monumentin. Kjo është një zonë e larmishme për elementët e kultit. Kemi një xhami tjetër këtu afër, pra, është një sistem i konsoliduar tashmë për besimtarët”.

Restaurimi i objekteve të kultit, vlerëson Kryeministri Rama, nuk është thjesht rikthimi i tempujve të besimit në vlerat e tyre, por edhe kujdes për trashëgiminë kulturore dhe historinë . “Kjo ishte një kërkesë prej kohësh që unë e kisha bërë për të mbështetur rindërtimin e thellë të disa xhamive që janë monumente kulture të jashtëzakonshëm. E kjo është një nga ato dhe më në fund tani do realizohet. Problematik ka qenë e lidhur me gjithë terrenin dhe për këtë është gjetur zgjidhja e besoj që do dali shumë bukur. Do bëhet një zgjidhje e mirë edhe për pjesën e hapësirës brenda. Ajo që është vlera më e madhe e shtuar në këto ndërhyrje e që, për fat të keq, disa nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë, është se, përveçse komuniteti i besimtarëve është përfituesi kryesor, qoftë kur restaurohet një xhami, apo qoftë kur restaurohet një kishë, por vlerë e shtuar është historia pranë gjeneratave të tjera, që fëmijët tanë ta kenë parasysh gjatë gjithë kohës gjithë thesarin e trashëgimisë, se përtej besimit të drejtpërdrejtë është kulturë dhe histori”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.