Yura Corporation, pas investimeve në 12 shtete nis punën edhe në Shqipëri

Reformat e qeverisë dhe vëmendja e shtuar ndaj investitorëve kanë dyfishuar stokun e investimeve të huaja në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Financave dhe Eknomisë, Anila Denaj inauguruan sot fabrikën më të re në Europë të prodhimit të pjesëve automotive të kompanisë koreane Yura Corporation Albania, e cila pas investimeve për 60 fabrika në 12 shtete, ka nisur punën edhe në Shqipëri.

Në këtë fabrikë janë punësuar deri më sot 546 punonjës e pritet të krijohen 700 vende të reja pune vitin e ardhshëm dhe të arrihet një total prej 2000 punonjësish në vitin 2023. Ndërsa volumi i eksporteve të kompanisë parashikohet të mbërrijë në 100 milionë Euro brenda tre viteve.

Fjala e Kryemistrit Edi Rama në inaugurimin e Fabrikës më të re të prodhimit të pjesëve automotive të kompanisë “Yura Corporation Albania”, një investim gjigand prej rreth 1 miliard lekësh: 

Më vjen shumë mirë që rikthehemi në këtë territor, ku më pak se një vit më parë ishim së bashku me përfaqësuesin e Yura Corporation për të nisur një transformim që në atë moment ishte një ëndërr.

Sot rikthehemi për të admiruar këtë ëndërr që ka nisur të realizohet, sepse faktikisht kjo është një koorporatë e madhe globale, e cila sapo ka vënë këmbën në Shqipëri dhe ambicia e koorporatës është që të zgjerohet.

Nëse sot kemi këtu mbi 500 persona në kushte optimale pune, për ata që na ndjekin duhet t’u them se ajri është i kondicionuar mrekullisht dhe nga ana tjetër të gjitha mjediset janë me standarde të plota ndërkombëtare në lartësinë e emrit të kompanisë, por në vijim pritet që numri i të punësuarve të kalojë 2000 dhe siç e tha edhe Sokoli, sasia e prodhimit të eksportuar të rritet në 25 e më tutje, në 100 milionë euro brenda një 3-vjeçari.

Është një investim i rëndësishëm për Fierin, gjë që e kemi diskutuar edhe më parë me kryetarin e Bashkisë e deputetët e kësaj zone. Është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm për profilin që ka. Është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqinë tërheqëse që krijon duke e bërë më të lehtë rrugën e thithjes së investimeve të tjera në fushën e prodhimit për automobilët.

Përpara sesa Yura Corporation të vinte këtu në Fier kishte një prani të zgjeruar në 12 shtete dhe në CV-në e saj numëroheshin 60 fabrika për markat më të njohura të makinave në botë. Por, pasi Yura ka ardhur këtu, ajo që ne na bën përshtypje dhe jemi falenderues për korporatën është fakti që një sërë kompanish të tjera në këtë fushë kanë shprehur interes që të investojnë në Shqipëri.

Është një industri vërtet e domosdoshme në kornizën e përgjithshme të prodhimit në Shqipëri dhe nga ana tjetër kultura e punës, mënyra e ndërtimit të marrëdhënieve të punës dhe eksperienca që krijohet hap pas hapi falë kompanive të kësaj kategorie të Champion League botërore në ekonomi shkojnë përtej vlerës financiare, shkojnë përtej shifrave konkrete dhe energjizojnë të ardhmen e ekonomisë shqiptare në mënyrë të pazëvendësueshme.

Nga ana tjetër, dua të them se biseda me përfaqësuesit e kompanisë, me zotin Nano, ishte bisedë e cila kishte brenda jo vetëm informimin e domosdoshëm, por edhe inkurajimin për faktin se ajo çka për ne ka rëndësi është që punonjësit të paguhen sa më mirë. Përfaqësuesi i kompanisë më tregoi se rritja e pagave do të përshkallëzohet në bazë të përfitimit të përvojës dhe nëse në momentin e parë pikënisja është paga minimale në vijim, në bazë të esperiencës ajo do të rritet me 30% dhe sigurisht, bazuar në rritjen e volumeve të prodhimit ajo do vazhdojë të rritet në mënyrë të arsyeshme, pasi filozofia e kompanisë nuk është filozofia e shfrytëzimit të krahut të punës, por është filozofia e krijimit të një komuniteti që ndjehet pjesë e një historie zhvillimi të kësaj kompanie në shumë shtete të botës dhe një vizioni zgjerimi edhe në më shumë shtete të tjera bazuar në eksperiencë dhe në pasurinë e pazëvendësueshme, kapitalin e saj njerëzor.

Në mbyllje, më vjen shumë mirë që shifrat, faktet dhe jo opinionet po na tregojnë përditë se po rikuperojmë shpejt terrenin e humbur nga ndërprerja brutale e punës përgjatë mbylljes në mbrojtje për të përballuar agresionin e armikut të padukshëm, virusit që ka vendosur gjithë botën në një pozitë të vështirë dhe faktikisht çdo ditë kemi përmirësim në këtë drejtim, gjë që na bën të besojmë se deri në fund të 4-mujorit të tretë të këtij viti rikompozimi i rreshtave në forcat e punës do jetë thuajse i plotë dhe pastaj në vijim do të marrin vrull në 3-mujorin e fundit apo në 4-mujorin e tretë për të realizuar një kërcim të rëndësishëm në aspektin ekonomik dhe social, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Ne jemi në përfundim të përgatitjeve të buxhetit të rishikuar ku do të sanksionojmë me ligj një sërë masash shumë të rëndësishme ndër të cilat heqjen e tatim fitimit mbi të gjithë biznesin e vogël, deri në vitin 2029, heqjen e TVSH-së për biznesin me një xhiro deri në 100 milion, në mënyrë që t’i japim një frymëmarrje të re, një energji të re dhe një arsye të re dhe të madhe për të punuar, duke krijuar punë përmes biznesit të vogël, jo vetëm atyre që sot janë në një biznez të vogël, por dhe shumëkujt që sot është në kërkim të punës, apo të suksesit përmes punës dhe jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri, por dhe shqiptarëve jashtë Shqipërisë që në kushtet e një vendi që do të jetë i vetmi në rajonin tonë ku biznesi i vogël nuk paguan taksë mbi fitimin dhe ku deri në 100 milionë lekë xhiro nuk ka detyrim TVSH-në, të mund të investojnë këtu kursimet e tyre për të nisur një kapitull të ri të jetës së tyre, siç kanë bërë shumë e shumë të tjerë.

Përpara sesa të vinim këtu me kryetarin e Bashkisë, ne vizituam një zhvillim shembullor jo larg nga kjo zonë, në Libofshë, ku një grup vëllezërish dhe shokësh kishin ndërtuar një bërthamë fantastike zhvillimi për eksport dhe kishin plane impresionuese për të ardhmen. Ky ishte një bashkim forcash mes atyre që nuk ishin larguar ndonjëherë dhe atyre që ishin kthyer nga jashtë, për të sjellë eksperiencën dhe për të vënë në dispozicion kontaktet e tyre me vendet ku kanë punuar. Nuk është një histori e jashtëzakonshme, në kuptimin, që një rast i vetëm, ka gjithmonë e më shumë histori të tilla, gjithmonë e më shumë raste emigrantësh që janë kthyer, që kthehen dhe që bëjnë sukes, kthehen me ambicien për të vënë në jetë këtu atë që kanë mësuar atje dhe për të ndryshuar rolin nga punëmarrës atje në punëkrijues apo punëdhënës këtu duke rritur fitimet e tyre dhe duke kaluar nga stadi i rrogëtarëve të dikujt në stadin e krijuesve të pasurisë që shpërndahet pastaj edhe për të gjithë punëmarrësit e tyre. Natyrisht që, rruga e të ardhmes nuk është e lehtë, por nëse kthejmë kokën pas dhe shohim se sa shumë rrugë kemi bërë deri këtu besojmë që i gjejmë të githa arsyet për të besuar se mund ta vazhdojmë rrugën edhe më shpejt edhe më mirë, edhe me më shumë rezultate, pasi kemi mbjellë shumë që të gjithë këtë periudhë me reforma dhe me shembuj dhe natyrisht mund të korrim dhe do të korrim gjithmonë e më shumë nga puna e bërë deri këtu.

Ju falenderoj të gjithëve

Falenderoj kompaninë, koorporatën! Falenderoj dhe drejtuesin e koorporatës për mesazhin e tij të ngrohtë dhe miqësor, duke e siguruar se është gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri dhe duke shpresuar që edhe kjo pengesa e krijuar nga koronavirusi do të kapërcehet një orë e më parë dhe do të lejojë që lëvizja dhe ndërveprimi të rikthehet i gjithi siç ishte bashkë me kapërcimin e këaj pengese.

Shumë faleminderit e respekt për të gjithë! Shumë faleminderit dhe të gjithë punonjësve! Realisht meritojnë respekt dhe janë një aset i rëndësishëm, pasi janë një shembull i faktit të thjeshtë që kush realisht do të punojë dhe kush realisht do të jetojë me punë, punën e gjen, nuk e pret as në Facebook, as në shtëpi dhe mbi të gjitha, e gjen në sektorin privat dhe ka provën që pëgjigjja për kërkesën për punë nuk mund të jetë administrata, por është sektori privat.