Konferenca për shtyp e Ministres së Integrimit Europian Gjosha:
Së pari, do të doja t’ju uroja gjithë shqiptarëve gëzuar festat e pavarësisë dhe të çlirimit.
E thirrëm sot këtë konferencë për shtyp, pas një vizite tejet pozitive që u zhvillua dje në Gjermani, ku fokusi kryesor ishte ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nuk mundem natyrisht, të jap detaje nga bashkëbisedimi prej afro një ore pas konferencës së së shtypit, mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel, ku kam qenë e pranishme së bashku me kolegun Bushati.
Por, mund t’ju siguroj, se kemi mundur të konstatojmë edhe njëherë mbështetjen e qartë të Kancelares, në këtë proces sa historik aq edhe delikat për shqiptarët.
Vlerësimi që zonja Merkel i bëri reformave të ndërmarra nga qeveria si dhe rezultateve të publikuara nga Komisioni Europian, ishte vërtet pozitiv.
Po kështu, pozitiv ishte fakti i të qenurit në një mendje, për të pasur një proces të qëndrueshëm të parashikueshëm, pra pa surpriza, duke u fokusuar tek fillimi i zbatimit të ligjit të Vettingut dhe 5 prioritetet, për t’i mundësuar kështu Komisionit një raport të ndërmjetëm në funksion të vendimit nga vendet anëtare, për datën e hapjes së negociatave.
Kjo do të thotë që gjithçka tanimë, varet nga ecuria e ligjit të Vettingut. Sa më shpejt të zhbllokohet ky ligj dhe të nisë zbatimi i tij, aq më parë Shqipëria mund të çelë zyrtarisht negociatat për anëtarësim.
Natyrisht, ky është një proces i brishtë, për vetë faktin se gjykimi i çdo vendi anëtar varet edhe nga konjuktura e politikës së brendshme në secilin prej vendeve , por nga ana tjetër pesha e Gjermanisë në këtë proces, dihet që nuk është e vogël.
Ndaj ne kemi një optimizëm të arsyeshëm që gjërat do të zhvillohen pozitivisht.
Si Ministre e Integrimit, do doja edhe njëherë të sjell në vëmendjen e opinionit publik, se procesi i integrimit i përket të gjithë shqiptarëve.
Do doja gjithashtu t’i bëja thirrje klasës politike dhe gjithë institucioneve, të tregojnë maturinë, gatishmërinë maksimale dhe angazhimin më të devotshëm për të bërë çfarë është e mundur që të përshpejtohet ky proces.
Integrimi i Shqipërisë është një rrugë pa kthim pas, qëndron mbi axhendat partiake, ndaj duhet të jemi të gjithë bashkë për t’i pasur sa më të lehta sfidat që na presin.