Zero impakt i kaskadës së Vaut të Dejës në Ultësirën e Shkodrës

Në Vaun e Dejës, një nga tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, Kryeministri Rama u informua sot në terren situatën dhe menaxhimin e kaskadës.

Drejtori i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare që administron kaskadën e Drinit, Benet Beci e vlerësoi situatën si një nga rastet më ekstreme, por e menaxhuar me shumë kujdes është arritur që impakti i kaskadës të jetë zero në Ultësirën e Shkodrës. “3-4 ditë rresht reshje që është historike. Prurjet e ujit kanë qenë 4200 dhe kemi arritur ta menaxhojmë. Deri tani, impakti i kaskadës në këtë situatë është zero.”

Të dhënat e fundit të operimit të HEC-it të Vaut të Dejës, theksoi Beci, flasin për një situatë plotësisht në kontroll dhe shpresëdhënës edhe për ditën e nesërme kur pritet një rritje e reshjeve dhe e prurjeve. “Jemi në 75 metra niveli dhe kemi 1 metër rezervë për të menaxhuar ditën e nesërme që e kemi më shqetësim. Jemi në kapacitet të plotë prodhimi të turbinave dhe në minimumin e shkarkimit. Shkarkimi është 500-700 dhe themi se do ta mbajmë konstante shkarkimin në minimumin e tyre. Besoj se do ta mbajmë edhe nesër këtë nivel shkarkimesh që nuk jep asnjë lloj impakti në Ultësirën e Shkodrës. Në orën 4 të mëngjesit priten deri në 140 mm reshje në të gjithë rajonin.”

Mirëadministrimi i HEC-eve të kaskadës së Drinit është lehtësisht i faktuar edhe nga të dhënat krahasuese me situatën e vitit 2010, vit të cilin, kryeministri e konsideroi si “simboli i katastrofës në këtë zonë.”

“Prurjet në vitin 2010, – informoi drejtori i KESH-it – kanë qenë 2500m3/sek në totalin e kaskadës, Fierzë, Koman dhe Vau Dejës dhe shkarkimet kanë qenë 2000 poshtë në Ultësirën e Shkodrës. Para dy ditësh, ne kemi pasur 4200, dyfishin e prurjeve dhe kemi një muaj që përgatitemi për këtë dhe nëse do të ishte shkarkuar qoftë edhe gjysma, sot do të kishe një situatë katastrofike. Kemi menaxhuar dje 3000 prurje dhe kemi arritur sot të presim nesër edhe 3400, nesër në 4 të mëngjesit jemi një prurje tjetër. Kemi sistemuar 1 metër nivel rezervë këtu dhe 2 në Koman për prurjet që do vijnë gjatë natës. Jemi në 500-700 shkarkime që është minimumi.”

Për kryeministrin Rama, fatkeqësitë natyrore nuk duhet të kthehen në politikë dite, por interesi i parë dhe mbi gjithçka është jeta e siguria e njerëzve dhe menaxhimi i situatës me dëmet më minimale të mundshme. “Nuk jemi këtu për politikë, po për një hall të madh dhe halli ynë më i madh sot është të mos kenë pasoja nga kaskada për shkak të gjithë historisë së hidhur që kanë pasur më përpara. Çdo lloj fatkeqësie, qoftë COVID, qoftë shi, breshër a borë është e vetmja mënyrë për të krijuar panik me shpresën të fitohet ndonjë gjë,” – u shpreh kryeministri, duke theksuar se dëmet janë minimale po ashtu edhe për shkak se infrastruktura e kullimit ka funksionuar më së miri.

Drejtori i KESH-it, Benet Beci se përditësimi i informacionit bëhet gjatë gjithë ditë dhe mbi gjendjen e kaskadës informohet edhe pushteti vendor.