Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti sot Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, SH.S.ZNJ Federica Mogherini.
Zëvendëskryeministri e vlerësoi vizitën e Ministres së Punëve të Jashtme të Italisë si një tregues të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve e partneriteti strategjik mes vendeve tona.
Ai i shprehu znj. Mogherini falenderimet e Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, por veçanërisht në procesin e integrimit europian dhe për lobimin në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Në këtë kontekst, ai u shpreh se Presidenca Italiane e BE është një mundësi më shumë për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE dhe fokusimin e politikave të BE ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Një pikë e rëndësishme e bisedës preku përpjekjet e Shqipërisë dhe angazhimin personal të Kryeministrit Edi Rama për të thelluar bashkëpunimin me vendet fqinje përmes projekteve të përbashkëta të investimit dhe bashkëpunimit në funksion të integrimit ekonomik të rajonit.
Zëvendëskryeministri e njohu zonjën Mogherini po ashtu edhe me punën e bërë në këto 300 ditë nga qeveria dhe me reformat e rëndësishme që po ndërmerren veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe përmirësimit të klimës për bizneset dhe investitorët e huaj
Ministrja Mogherini i vlerësoi lart reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare dhe u shpreh se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria ishte në fakt një fitore edhe për Italinë. Ajo shprehu gatishmërinë e Qeverisë Italiane për të thelluar bashkëpunimin ne të gjitha fushat si dhe për të intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Një falenderim personal Ministrja Mogherini e rezervoi për Zëvendëskryeministrin Peleshi për rolin e tij në negocimin dhe firmosjen e Protokollit të Bashkëpunimit për Zhvillim për vitet 2014 – 2016 që kap shumën e 82 milionë eurove.
Ajo vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një faktor stabiliteti dhe shprehu bindjen se iniciativat e bashkëpunimit rajonal do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Italisë.