Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Varshavë, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në sesionin e punës së kryetarëve të shteteve dhe qeverive lidhur me Misionin Mbështetës në Afganistan.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi vazhdimin e angazhimit të Shqipërisë përkrah Aleancës për vendosjen e stabilitetit dhe sigurisë dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve  në Afganistan.

Shqipëria, tha Kryeministri, është e angazhuar prej vitesh me trupa në kuadër të NATO-s në Afganistan dhe së bashku jemi duke investuar që Afganistani të jetë një vend i sigurt për qytetarët e tij dhe jo vetëm. Kryeministri Rama nënvizoi se në përmbushje të angazhimeve të saj në kuadër të misionit të NATO-s në Afganistan, Shqipëria ka vendosur të dyfishojë prezencën e saj.

***

Punimet e ditës së dytë të Samitit të NATO-s u përqendruan mbi ecurinë e misioneve të Aleancës dhe projektimin e stabilitetit në krahun jugor dhe atë lindor.

Gjatë takimit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, Kryeministri Edi Rama insistoi mbi nevojën për një vëmendje edhe më të madhe të Aleancës kundrejt rajonit të Ballkanit.

Kryeministri Rama konfirmoi edhe një herë mbështetjen e politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe zgjerimin e saj në rajon. NATO dhe Bashkimi Europian, theksoi Kryeministri, nuk janë shtrirë ende plotësisht në Ballkan. Shtrirja e plotë e Aleancës në rajon është një investim strategjik për sigurinë e përbashkët. Kosova ende vijon përpjekjet e saj për integrimin në NATO, tha Kryeministri, ndërsa nënvizoi se institucionalizimi i marrëdhënies së Aleancës me Kosovën do të shërbente si katalizator për gjithë hapësirën e Europës Adriatike.

Kryeministri kërkoi njohjen e plotë të Kosovës nga vendet anëtare të NATO-s, duke e konsideruar këtë një domosdoshmëri që rrit stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Shqipëria ka kontribute të vlerësuara edhe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, Shqipëria ka planifikuar dërgimin e trajnuesve ushtarakë në Irak.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.