Deklaratë e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi:
Të nderuar përfaqësuar të medias kam kënaqësi të dal përpara jush dhe përmes jush të jap disa lajme të mira për qytetarët shqiptarë. Jam këtu për të sqaruar disa nga vendimet e qeverisë shqiptare, miratuar një ditë më parë dhe që kanë efekt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të vendit tonë.
Jam më shumë se i kënaqur që qeveria shqiptare miratoi propozimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për zgjidhjen e një prej problematikave madhore, disa vjeçare, kthyer në gangrenë për qytetarët që aplikojnë për daljen në pension. Vendimi i qeverisë zgjidh përfundimisht problemin madhor të viteve të padokumentuara të kontributeve shoqërore për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë.
Ky vendim lidhet me njohjen e viteve të punës, dokumentacioni për të cilat për arsye nga më të ndryshmet nuk ka qenë i rregullt, i detajuar, i përcaktuar, apo në shumë raste të tjera, aspak për faj të qytetarëve, por vetëm për parregullsi të administratës publike, vitet e tyre të kontributeve shoqërore janë të padokumentuara.
Për këto vite ka pasur me mijëra ankesa nga qytetarët shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pensionin që ju takonte në bazë të kontributeve të tyre. Për këtë shkak, mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë janë rropatur dyerve të gjykatave për vite të tëra, për të marrë të drejtën e tyre, atë që ju ka takuar dhe që jua jep ligji shqiptar për pensionin. Mijëra prej tyre, për shkak të zvarritjes me vite të proceseve gjyqësore, kanë humbur vite të tëra përfitimi të pensionit dhe nuk e kanë marrë ende këtë të drejtë.
Vendimi i kaluar dje, “Për disa çështje të dokumentimit të periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë, për efekt pensioni, në zbatim të nenit 91, të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë””, ka sjellë disa ndryshime thelbësore në mënyrën sesi do të trajtohen mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët për faje të administratës publike në vite ju ka munguar e drejta.
Vendimi ka për qëllim që të zgjidhë disa probleme thelbësore të dokumentimit dhe vlefshmërisë së periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të personave që kanë punuar në ish ndërmarrjet apo ish kooperativat bujqësore, përpara datës 01.01.1994, për të cilat sot ka disa vendime gjykatash e mijëra e mijëra procese të zvarritura për të regjistruar e çregjistruar të drejtën e qytetarëve shqiptarë. Ky ligj përpiqet t’u japë fund këtyre parregullsive kaq të mëdha.
Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994 njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra etj., kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas kritereve të ligjit.
Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumentacioneve janë dëmtuar, shpesh me qëllim, shpesh për paaftësi, disa nga trajtimi jo i rregullt i dokumentacionit, janë djegur, janë bërë të pavlefshme.
Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar ato drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja mënyrë për njohjen e këtij dokumentacioni.
Ndryshime i sotëm vjen pas një pune shumë të madhe të Institutit të Sigurimeve Shoqëror, duke evidentuar në arkivat e këtij Instituti të gjithë dokumentacionin, duke e pastruar atë dhe duke bërë kështu një amnisti të madhe për qytetarët shqiptarë, duke u dhënë atyre të drejtën të mos shkojnë më në dyert e gjykatave.
Vetëm gjatë vitit 2015, për të mos folur për vitet e tjera, kemi pasur 2600 raste të ngjashme, të cilat kanë përfunduar në gjykatat e Shkallës së Parë e më keq pastaj, në gjykatat e Apelit.
Për arsyet e mësipërme, vetëm gjatë vitit 2015, rreth 3500 pensione ose afërsisht 9% e numrit të pensioneve janë caktuar jashtë afateve ligjore, duke sjellë me të drejtë, shqetësime tek qytetarët shqiptarë dhe irritime nga shumë prej tyre.
Prandaj, me këtë vendim të fundit të qeverisë kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm për mijëra e mijëra qytetarë, të cilëve nuk do t’u duhet më të shkojnë drejt gjykatave, por të kenë mundësi që atë që shteti e ka bërë keq apo shumë keq gjatë viteve të tranzicionit, me njohjen e dokumentacionit të tyre të punës, të marri shteti përgjegjësinë për njohjen e tyre dhe qytetarëve t’u hiqet barra e tmerrshme e dyerve të gjykatave, ku për vite e vite të tëra e kanë shumë të vështirë të gjejnë të drejtën e tyre të plotë për njohjen e pensioneve, sipas ligjit të ri, sipas kontributit të çdo qytetari shqiptar në efektin e pensionit të tij personal.
Lajmi i dytë, shumë i mirë për qytetarët shqiptarë, është për ata qytetarë, të cilët konsiderohen si shtresa në nevojë të shoqërisë shqiptarë dhe me shumë kontribute, që janë përsëri pensionistët.
Pensionistët në zonat rurale do të përfshihen gjithashtu në skemën e pagesës për kompensimin e energjisë elektrike për heqjen e fashës së konsumit prej 300 kwh në muaj.
Vendimi shkon në ndihmë të mijëra familjeve pensionistësh, të cilët të evidentuar edhe nga reforma e re territoriale, nuk e kishin regjistrimin e tyre në ish bashkitë e mëdha, por e kishin në komuna apo rrethina të qyteteve dhe nuk trajtoheshin, sepse konsideroheshin si pjesë e ish komunave.
Me vendimin e Këshillit te Ministrave që u miratua dje u shtuan përfituesit edhe për disa familje pensionistesh që banojnë në zonat rurale dhe në përgjithësi në periferi të qyteteve, si dhe disa qendrave të banuara që nuk merren me bujqësi.
Në projektvendim janë përfshirë këto kategori të veçanta pensionistësh:
Të moshuarit që janë pensionistë e banojnë në fshat, në zona të cilat konsiderohen ende si zona rurale, por në fakt e kanë humbur kuptimin e tyre, pasi janë kthyer në qendra të banuara dhe ku familja nuk ka as tokë dhe as ndonjë mundësi tjetër për të zhvilluar prodhimin bujqësor;
Rastet kur familja përbëhet nga pensionistë, por kontrata e energjisë nuk është në emër të kryefamiljarit, por në emër të bashkëshortes;
Rastet e pensioneve familjare, kur kontrata vazhdon të jetë në emër të mbajtësit të familjes, i cili nuk jeton.
Bazuar në numrin e përafërt të llogaritjeve, numrit të të kompensuarve u shtohen dhe mbi 5 mijë persona, ndërkohë që efektet financiare prej rreth 45 milionë lekë do të përballohen nga vetë Fondi i Sigurimeve Shoqërore, të programuar për vitin 2016.
Kjo kategori ju shtohen 203 mijë familjeve që kanë përfituar nga kompensimi i energjisë, pas heqjes së fashës prej 300 kwh në muaj, një vit më parë.
Të gjitha këto vijnë nga një menaxhim shumë i mirë dhe shumë herë më efikas që ne i bëjmë skemës së kontribuuesve të pensioneve. Kjo vjen po ashtu nga reformat e mëdha të luftës në të zezë, duke shtuar mbi 230 mijë tashmë, numrin e ri të kontribuuesve në listat tona të kontribuuesve në skemën e pensioneve. Të gjitha këto janë pasojë, rezultat e kontribut i reformave të mëdha që ne kemi marrë në këtë fushë.
Vendimi tjetër i qeverisë që kemi miratuar dje, për një tjetër kategori që ka shumë nevojë për mbështetjen dhe dorën e shtetit, është Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar. Ky është një dokument shumë i rëndësishëm politik.
Ky vendim konfirmon edhe njëherë përkushtimin e qeverisë shqiptare, për të bërë realitet integrimin dhe përfshirjen e Personave me Aftësi të Kufizuar në një shoqëri më të mirë, të cilët nëpërmjet trajtimeve do të mund të riintegrohen në shoqërinë shqiptare, nëpërmjet përkujdesjes së tyre do të bëhen pjesë e denjë e shoqërisë. Nëpërmjet më shumë përkujdesje, ne do të plotësojmë një detyrim shumë të madh që kemi karshi kësaj shtrese.
Qeveria është e bindur se zbatimi i politikave mbështetëse për këtë grupim do të marrë një vend të rëndësishëm në axhendën politike të pesë viteve të ardhshme.
Qeveria është e bindur se zbatimi i politikave integruese për personat me aftësi të kufizuar do ta shndërrojë këtë grup në një potencial të vërtetë për shoqërinë shqiptare.
Qëllimi i këtij Plani është të nxisë integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqërinë shqiptare, të parandalojë diskriminimin dhe të eliminojë pengesat për të lehtësuar aksesueshmërinë dhe realizimin e plotë të të drejtave të tyre në të gjitha fushat e jetës së vendit.
Për herë të parë kemi një dokument strategjik, të bashkëhartuar me grupet e interesit e në përputhje reale me nevojat që këto grupime kanë paraqitur në debatin me institucionet qeveritare të vendit.
Fushat, prioritet dhe çfarë ky Plan zbaton do të jenë pjesë e një axhende shumë aktive që do të kemi në bashkëpunim pushteti qendror me atë lokal, si dhe me shoqatat e përfaqësuesit e mbrojtjes së interesave të këtyre grupimeve, natyrisht, edhe me të gjithë partnerët e donatorët që duan të mbështesin këtë filozofi në vendin tonë.
Vizioni ynë për vitin 2020, deri kur shkon dhe kjo strategji, është që çdo fëmijë me aftësi të kufizuar të jetë përfshirë në arsimin bazë dhe numri i të rinjve me aftësi të kufizuar që ndjekin arsimin e mesëm të jetë shumë herë më i lartë.
Edhe pse masat e ndërmarra, që synojnë në një integrim real të personave me aftësi të kufizuara në shoqërinë shqiptare, tregojnë për një vëmendje në rritje të qeverisë dhe përgjegjësi shumë herë më të madhe të institucioneve shtetërore, jemi të ndërgjegjshëm se kemi ende shumë për të bërë dhe sfidat shumë të mëdha, me të cilat ne do duhet të përballemi, janë sfida që ne i marrim përsipër në emër të premtimit që i kemi bërë të gjithë kësaj shtrese shoqërore në vendin tonë.